Kanun në …kalë (!)


 Nga Haki Përnezha

Oda e Dibrës në shekuj ka shërbyer si kudhër në të cilën janë rrahur e kalitur me kujdes të gjithë anët e karakterit të dibranit. (Fjala është për odën si institucion e jo sa banesa e dhoma kish në Dibër.) Ajo ka qenë “parlamenti” në të cilin janë marrë vendime e janë bërë besatime, si dhe u janë dhënë zgjidhje mjaft problemeve që jeta u ka rezervuar dibranëve përgjatë gjithë historisë së saj shumëshekullore.

Natyrisht, pjesë e odës dibrane është edhe ajo e Çidhnës, veprimtaria e së cilës është e dukshme në të gjitha fushat, por më së shumti në atë të së drejtës zakonore. Nga ky lëm historia na njeh me një strukturë solide të vetëqeverisjes së malit dhe me një praktikë kanunore brilante, që ka pasë për protagonistë figura të shumta nga fise të njohura çidhnakë. Fiset Noka, Lusha, etj., jo rrallëherë janë thirrë edhe nga zonat tjera për të dhënë drejtësi sipas së drejtës zakonore. Edhe në këtë fushë, Çidhna ka çfarë t’i ofrojë gjithë opinionit dibran e më gjerë. Në historinë e gjatë të zbatimit të së drejtës zakonore në Çidhën një vend të rëndësishëm zënë edhe praktikat kanunore të zhvilluara nga pleqtë e kësaj zone. Numri i madh i tregimeve alegorike apo i historive me përmbajtje kanunore që qarkullojnë edhe sot në gojën e banorëve të kësaj ane, tregojnë për një jetë të vrullshme e shumë aktive në odat e kuvendet e malësorëve.

Pikërisht për këtë arsye, Oda e Çidhnës jo rrallëherë është shndërruar në “arenë” ndeshjesh në mes “gladiatorëve” të men-çurisë çidhnake. Duke mbetur në këtë fushë, sot ne duam të sjellim në vëmendjen e lexuesit një thënie që lindi në Çidhën dhe që edhe sot, përdoret në gjithë Dibrën e më gjerë. Fjala është për Kanunin në… kalë (!).

Mendoj se çdo i rritur, që i ka qëlluar të njohë odën, besoj i ka qëlluar të dëgjojë dhe për …”kanuni në kalë”, apo:…”e ndan në kalë…”. Këto shprehje, ende sot, në të folurën e zonës përdoren për të treguar një person, i cili është i zoti për t’i dhënë zgjidhje çdo problemi që lind në komunitet. Jo rrallëherë këto shprehje janë përdorur nga persona të cilët në biseda të ndryshme vetëdeklaroheshin, herë me shaka e herë seriozisht, duke u shprehur: …këtë problem unë e “ndaj në kalë”.

Po ç’është në të vërtetë Kanuni në kalë?

 gjithë lexuesit e dinë se kanunet bëheshin (apo ndaheshin) në odat e fshatarëve, në livadhe e kudo tjetër, por jo në kalë! Ndërsa në Çidhën ka ndodhë që kanuni të ndahet edhe në kalë dhe ky është momenti më pikant, ku zgjuarsia dhe mendjemprehtësia e pleqve çidhnakë është shpalosur në të gjithë dimensionin e saj të mundshëm. Pleqtë çidhnakë, Lusha dhe Noka, duke ndarë kanunin në kalë, vendosën një standard që për shumë të tjerë mbetet i paarritshëm. Askund tjetër, përveçse në Çidhën, nuk është tentuar të përdoret kjo “praktikë” kanunore, me nda kanunin në kalë. Në fakt, as në Kanunin e Lekës dhe as në atë të Arbrit (Skënderbeut) nuk është e përshkruar një “praktikë” e tillë dhe kjo, mendoj, për shkak të vështirësisë dhe kushteve të “rënda” për realizimin e kësaj “norme” kanunore.

Ajo që e bën gati të pamundur ndarjen e kanunit në kalë, është koha e paktë që pleqtë e kanunit kanë në dispozicion për të ndarë të drejtën. Për ndonjë që nuk ka informacionin e mjaftueshëm për sa flitet, po përpiqemi të sqarojmë “procedurën” e ndarjes së kanunit në kalë, për të nxjerrë në pah cila është vështirësia reale që kjo praktikë kanunore të mbetet “pronë” e pak pleqve. Le të përshkruajmë “hapat” që duhen bërë për të realizuar praktikën e ndarjes së një kanuni në kalë.

Palët në konflikt zgjedhin pleqtë dhe janë ata pastaj që vendosin të ndajnë kanunin në kalë. Për këtë ata në fillim caktojnë vendin e pikëpjekjes, i cili duhet të jetë një shesh, livadh apo lëndinë, ku të ketë mjaftueshëm vend për t’u ulur edhe personat që do dëshironin të ishin prezentë. Pas kësaj caktohet data e zhvillimit të gjyqit. Në ditën e caktuar në vendin ku do zhvillohej gjyqi, përveç njerëzve kureshtarë, veç e veç uleshin edhe palët që ishin në konflikt.

Pleqtë, nga dy anë të kundërta, qëndronin përballë njëri-tjetrit në një largësi rreth 100 metra në vijë të drejtë, hipur në kuajt e tyre dhe në momentin e duhur fillonin lëvizjen drejt njëri-tjetrit. Ecja e kuajve duhet të jetë e zakonshme. “Debati” mes pleqve fillonte kur kuajt ishin përballë njëri-tjetrit dhe shumë afër, d.m.th kokë më kokë, ndërsa përgjigja e plakut tjetër duhej të jepej para se kuajt të ishin “bisht për bisht”. Pleqtë kanuntarë thonë se kanuni në kalë fillon “kokë m’kokë dhe mbaron bisht m’bisht”.

Siç mund të kuptohet, koha që pleqtë kanë në dispozicion është mjaft e kufizuar, 10-15 sekonda. Ja, pikërisht për këtë arsye, kjo praktikë kanunore ishte atribut vetëm i pleqve të regjur si Noka e Lusha në Çidhën.

Lënda kanunore: Një djalosh nga Grykë Noka kish marrë për nuse një vajzë nga një fshat fqinj. Disa muaj pas martesës, nusja e re ikën me një djalosh tjetër nga zona me të cilën kufizohej Çidhna. Djaloshi nga Gryka po vëzhgonte situatën, nëse babai i ish gruas do ta bënte për bijë vajzën e tij apo jo. Për këtë arsye ai disa kohë po ruante nga larg lëvizjet te shtëpia e ish mikut. Një pasdite ai dalloi nga larg një burrë e një grua që udhëtonin drejt shtëpisë së ish mikut. Ai njohu ish gruan e tij, së cilës i printe një tjetër burrë. Shpejt e shpejt zgjodhi pozicionin dhe priti derisa u afruan të dy, burri dhe gruaja. Ngadalë e me qetësi tërhoqi këmbëzën e armës. Gruaja ra e vdekur në tokë. Shpejt u kuptua që këtë vrasje e kish bërë gryknokasi. Babai i vajzës e mendoi gjatë këtë punë dhe vendosi të nxisë burrin e ri të vajzës të kërkonte gjak te vrasësi. Pas pak ditësh një plak i dërguar nga familja e dëmtuar trokiti në shtëpinë e gryknokasit duke i thënë: “Ke selam prej filanit nga fshati… më ke gjakun e fëmijës, se gruaja ka qënë shtatzënë.” Nuk shkoi shumë dhe një tjetër plak drejtohet shtëpisë që iu vra gruaja, e cila ndodhej dy fshatra përtej krahinës së Çidhnës, i cili i thotë: “Ke selam nga XY (djaloshi gryknokas) unë të kam vra, por të vij në një të drejtë, kur dhe ku të duash ti.”

Ashtu u bë, secili zgjodhi plakun e vet. Pala e dëmtuar zgjodhi Lushën, ndërsa gryknokasi mori Nokën. Lusha dhe Noka ishin të sprovuar në situata të tilla kanunore. Noka i dërgoi fjalë Lushës që këtë kanun do e ndajmë në kalë… Lusha menjëherë pranoi, pasi, sipas së drejtës, ai duhej të fliste i pari dhe besonte se do ta “gozhdonte” Nokën. U caktua vendi, data dhe ora zhvillimit të “gjyqit”. Tek Kroji i Madh në Çidhën do të mblidheshin dhjetëra burra që do të ndiqnin “ndeshjen” në mes gladiatorëve të së drejtës zakonore.

Stërpleqtë (ndihmës gjyqtarëte të dy pleqve ndërkohë filluan të merreshin me organizimin. Në çdo mexhelis nëpër gjithë krahinën filluan debatet, njerëzit hamendësonin se cili do të fitonte. Dikush thoshte Noka e kush Lusha. Interesi u rrit më shumë kur u morr vesh se ky kanun do të “ndahej” në kalë(!)…

Dita e “gjyqit” erdhi shpejt. Në sheshin tek Kroi i Madh ishin ulur mbi 100 burra, të cilët kishin ardhë nga të gjithë fshatrat e Çidhnës, por edhe nga fshati fqinj i krahinës nga vinte personi që i ishte vrarë gruaja. Stërpleqtë u kujdesën që palët në konflikt të vendoseshin larg njëra-tjetrës dhe të prisnin përfundimin e “gjyqit”. Nga ana Shëmërtajthit në kodër dukej kali mbi të cilin qëndronte rëndë-rëndë plaku i fisit Noka, ndërsa në anën tjetër ndodhej plaku i Lushës në kalë. Që të dy përballë njëri-tjetrit pas një shenje filluan të ecnin ngadalë-ngadalë dhe në kokë secili bluante zgjidhjen. Plaku i Lushës, sipas së drejtës, ishte në avantazh, pasi i pari do të shtronte problemin. Ai prej kohësh e kishte përgatitur fjalinë “gozhduese” ndaj dhe priste momentin kur kuajt do të ishin kokë më kokë e përballë njëri-tjetrit. Plaku i Nokës ishte mjaft i shqetësuar, pasi duhej t’i përgjigjej kundërshtarit në një kohë mjaft të shkurtër. Mijëra variante i kishte çuar në mendje plaku i Nokës, por cila do të ishte fjalia e Lushës. Në raste të tilla, në “kanunin në kalë” koha e shkurtër të mundëson vetëm një fjali, nuk ka debate. Me një fjalë a fjali fiton ose humbet “gjyqin”. Ndërkohë kuajt po afroheshin dhe plaku i Lushës me solemnitet i drejtohet Nokës: “Pse ma derdhe drithin?”

Plaku i Nokës, sapo iu përmend fjala “drith”, menjëherë dhe falë përvojës së madhe në punët e kanunit, i erdhi përgjigja e shumënjohur: “Mos e futje në thes tim.”

Të dy kuajt ecën edhe për pak metra në drejtime të kundërta, pastaj të dy pleqtë ndaluan, kthyen kuajt dhe bashkërisht kthyen drejt gjithë atyre burrave, të cilët prisnin me ankth se cili do të ishte përfundimi. Fjalitë e pleqve, edhe pse ishin thënë me zë të lartë, jo të gjithë i kishin dëgjuar mirë, ndaj dhe ata u ulën përballë pjesëmarrësve dhe filluan të japin “vendimin”.

Fjalën i pari e mori plaku i Lushës, i cili iu drejtua djaloshit që i ishte vrarë gruaja: “Dëgjo oj shpia e _____, ne e humbëm kanunin. Unë kërkova drithin (fëmijën e vrarë), por e kishim pasë shti në thes të huaj”.

Pas Lushës e mori fjalën plaku i Nokës, i cili iu drejtua djaloshit dhe gjithë pjesëmarrësve: “Ti, or XY, nuk i ke gjak askuj. Çdo grua le (lind) në derë të huaj dhe vdes në derë të vet. Dhe kush nuk është dakord me këtë zgjidhje, le të grejë pleq të tjerë se unë këtu jam.”

Gjyqi mbaroji dhe palët nuk mbetën në gjak. Në fund të fundit ky është edhe misioni i çdo pleqërimi: të mos keqësojë situatën dhe të synojë të zbusë zemrat e ndezura të palëve në konflikt. Pleqërimi i bërë në Çidhën nga Noka e Lusha shpejt u bë objekt i bisedave në Dibër dhe më gjerë. Pleqërimi “në kalë” u shndërrua shpejt në “motër-kazus-precedent” edhe për raste të tjera të ngjashme deri në krahinat përreth si Mati, Elbasani etj.