MALLKIMI I DRINIT TË ZI…


Nga Abdurahim Ashiku

Malet na kanë shitue, sepse shkelëm mbi Zana…

Të kuptoj, i nderuar Rexhep Ndreu, dhe të mbështes. Jam në krahun tënd ndër të tjera, sepse ju jeni një filiz i pyjeve të Dibrës, nga ata filiza që nuk i përkul stuhia, bora e rrebeshi. Të kam lexuar herë pas here gjatë këtyre vjetëve ikjeje larg atdheut, malli e brenge për Dibrën dhe dibranët. Më gëzove kur në një kalendar për Dibrën pashë syrin tënd pas okularit të aparatit fotografik në vëzhgim të bukurisë së bukurive të maleve të Dibrës, fushës së Ponajrit. Kam dobësi për atë bjeshkë, kam edhe një kujtim të mrekullueshëm, një fotografi në krye të fushës, tek burimi, dhuratë e mikut tim Gani Xhengo në udhëtimin me të në vitin 1988 bjeshkëve të Korabit. E kam vënë në kapakun e librit tim publicistik “Njerëz që i dua”, vëllimi i parë.
Nuk dua që ato bukuri të qëndrojnë si “margaritari në guaskë të moluskut”, bukuri të bjeshkëve të Korabit, të pyjeve e liqeneve të Lurës, të pyjeve e liqeneve të Kacnisë, Tërnovës, Kallkanit…
Dua që ato të jenë gjerdanë margaritarësh mbi qafën e Dibrës, mbi male e luginën e Drinit të Zi, lugina më pjellore dhe më e madhe e Shqipërisë së brendshme.
Kemi bërë shumë gabime i nderuar Rexhep, gabime që nuk do të na i falin brezat. Më duket se thashë një fjalë që nuk shkon. Jo gabime, por FAJE (me germa kapitale) kemi bërë.
Dibra, i nderuar mik, kishte një pasuri që nuk e ka vend tjetër në Shqipëri, kishte pyllin. Nuk e kam fjalën thjesht për pyllin me rrënjë, degë e gjethe, me dushk, bredh, pishë, mështekën, arne e të tjera lloje. Fjalën e kam tek shpirti mbrojtës popullor i pyllit për pyllin.
Edhe ti, edhe unë, e dimë se mbi Tejs të Radomirës ka një pyll të bukur me pisha, pyll që në pamjen e zhveshur kullosore të Korabit më ngjan me floririn e cucave-nuse të Radomirës mbi gushë (e ke dëgjuar këngën “Cuca e Radomirës faqet me nishana… të Muharrem Xhedikut ?) E pra ai pyll, ku askush nuk prek një krande, është jeta e fshatit, është siç thonë vendasit “Vakuf”, është mbrojë e fshatit nga rrëshqitja e malit, është mbrojë nga ortekët.
Atë ditë të gushtit 1988 kur mbi Sorokol shpërtheu stuhia kam qenë atje. Jo në qendër por në skaj të stuhisë, sapo kisha kaluar Veleshicën dhe u ndala në Sllovë. Isha bashkë me mikun tim, të ndjerin Baftjar Shahini. Kam një fotografi të pamjes pas rrebeshit fiksuar nga Sllova. Kam disa fotografi dy ditë më pas kur u ktheva dhe përshkrova në një reportazh katastrofën.
Ai rrebesh, i dashur Rexhep, luajti vendit të gjithë malin e Sorokolit. E çau, e copëtoi, e përplasi siç përplasen e llokoçiten njëra me tjetrën rrobat në rrobalarëse, bëri çfarë mund të bëjë një forcë e verbër e natyrës.
Veçse, kjo “forcë qorre” në një moment u bë me sy. U bë kur tërbimi i saj ndeshi në pyllin e Tejsit. Atje hapi sytë dhe pa se nuk mund të ndeshej me rrënjët e pyllit, degët i theu por rrënjët nuk i shkuli. Rrënjët e pyllit janë “betoni” më i fortë i natyrës, ”beton” që deri sot njeriu nuk ka arritur ta bëjë me çimento dhe aliazhe të ndryshëm lidhës.
“Vakufe”, vende që populli i konsideron të shenjtë, ka në çdo fshat të Dibrës. Godvija po mos kishte “vakufin” mbi kokë, një fshat ashtu si edhe Krajka vendosur mbi formacione rrëshqitëse do t’i kishte marrë Zalli e shkrirë në turbullirat e Drinit. Nuk ka ndodhë kjo sepse fshatarët e Krajkës dhe Godvisë shkonin deri afër Pratit për dru zjarri dhe në pyllin mbi fshat nuk prisnin asnjë degë.
Nuk po vazhdoj me “vakëfet” e tjerë, në çdo fshat të Dibrës, “vakëfe” që, me sa dëgjoj e lexoj nga 1000 kilometra larg, i kanë ruajt themelet e kullave të Dibrës, të qëmotshmet dhe të ditëve tona.
Po kthehem nja 60 vjet pas, kur ende isha fëmijë, kur nga Brezhdani kalonim natën Drinin për ta kapur mëngjesin në Bufull apo kur kalonim urën e Muhurrit për të larë sytë në Krue të Zi mbi fshatin Shqath. Ngarkonim kafshët me dru të thatë (detyrimisht të thatë) me kujdesin që kur të kalonim Urën në anë të samarit të kishim vetëm kërrabat të gjalla. Përndryshe, le që na shkarkonin drutë, na merrnin kafshën por edhe na gjobisnin aq sa nuk merret me mend sot.
Në vjeshtë të vitit 1988 kur përjetova në Lurë “masakrën e bishtave”, kur për të bërë bishta veglash priteshin lisa të mëdhenj, kur këta bishta kalonin nën bekimin e “partisë dhe pushtetit në rreth” nga privati nëpër llogarinë e kooperativës për të rritur artificialisht vlerën e ditës së punës, bëra një shkrim atëherë në një gazetë qendrore, shkrim që solli në Lurë kontrollin e shtetit, kontroll i cili përballë fakteve që zbuloi nuk pati guximin të më groposte mua, por as guximin që të groposte titullarë në rreth. Atëherë kisha shkruar se “kur pylli i dha bisht sëpatës preu veten e vet”.
Tani, pas 22 vjetësh, kur në një emision televiziv pashë se si ishte masakruar Parku Kombëtar i Liqeneve të Lurës, kur në udhëheqje të masakrës ishin rojtarë pyjesh me makina 4 x 4, “Xhip” apo “Tuareg”, madje kërcënues me armë ndaj gazetarëve, ula kokën në faj.
Ti je “dashnor i pyjeve” i nderuar Rexhep kurse unë jam “dashnor i pemëve”. Unë – agronom i mesëm, Hilmi Karasani-beu i Brezhdanit i sapo dalë nga burgu dhe Setki Vojka- punëtor, në shkurt të vitit 1960 kemi piketuar me tre zhalonë të lidhur në formën “kuikonç” bllokun frutorë në Gjarajcë, bllok që sipas idesë së Heroit pa titull të Frutikulturës në Dibër Xhavit Hysës u mboll me arra në distancë 8 me 8 me qëllim që kur të takohen kurorat e tyre të pritej një rresht për të shkuar në distancën biologjike 16 me 16 metra. Gjarajca u mbush me arra, mollë e kumbulla, u fut e tëra nën ujë nëpërmjet sifonit të Muhurrit. Blloku i arrave konsiderohej si më e madhi bllok i mbjellë nga dora e njeriut jo në Shqipëri por në Ballkan, ashtu siç konsiderohej blloku i vishnjave në Kabe, ashtu siç konsideroheshin blloqet e tjerë në Kastriot, Ostush, Sllovë, Shumbat, Kuben, Qenok… ashtu siç konsiderohej edhe blloku i Kuplonit, projektuar e zbatuar nga Haki Kola e Met Ramizi, si bllok i lajthive “Visoku” dhe i qershive “Napolon” që piqeshin në gusht…
Kam një fotografi të bllokut të arrave mbetur në kunja si kunja varresh mesjetarë. Po ta dërgoj…
Më vjen keq i nderuar Rexhep që këto “pyje frutash”, u prenë dhe Dibra që prodhonte njëqindmijë kuintal fruta në vit dhe kishte një kompleks përpunues frutash e perimesh modern për kohën, merr mollë në Maqedoni e konserva frutash në Bullgari.
Më vjen keq i nderuar Rexhep që në Dibër, në Peshkopi ku siç më thonë bulevardi kryesor i saj është mbushur me buste, nuk ka vend jo për një monument por as edhe për një bust të thjeshtë të Xhavit Hysës, njeriu që persekutimin e tij lidhur me gjininë dhe gjakun e mundi me heroizmin për ngritjen e pyjeve frutorë.
Mos ndërruam temë i nderuar Rexhep?
Unë them jo. Kjo për arsye se malet e Dibrës, siç thoni ju na kanë nëmur, na kanë shitue sepse shkelëm mbi Zana…
E keqja është se mallkimi tash na ka zënë, na ka paralizuar jo vetëm trupin por edhe gojën. Nuk kemi gojë të flasim, mik i dashur. Koha jonë e “moshës së tretë” nuk ka gojë të flasë. Ne nuk i vumë “pritë” me “pushkë” tek “Ura e Muhurrit” shkatërrimit të pyllit. Ne nuk ia dhamë pyllin atij që i takon, fshatarit të maleve, siç i dhamë tokën fshatarit të fushave të përftuara nga bonifikimi me djersën e tërë popullit shqiptar. Ne, me një gjysmë IFA me anje pishe e me një krah me postaqi i lamë malet dhe zbritëm të jetojmë në baraka në periferi të metropoleve. Na i morën malet, na i morën pyjet, na i prenë mollët, arrat, qershitë e kumbullat. Na i morën ne për tua lënë pushtetarëve.
A e mban mend i dashur Rexhep historinë e “drurit të arrës”? Ai që preu arrat e Dibrës, arra që jetojnë pesëqind vjet, arra një kilogram i të cilave, siç thotë Haki Kola, është i barabartë me 7 kilogram mish, e që me të vërtetë kanë qenë “mishi i fukarait” në ditë zie, ai njeri nuk e ka lëshuar gjatë gjithë këtyre viteve kolltukun e ministrit.
Ju në shkrimin tuaj lakonit lavdërueshëm emrin e një ministri të ditëve tona. Më vjen keq i dashur por derisa pyjet, mjedisi të drejtohen nga inxhinierë nafte apo me agro-politikanë servilë të racës “xhuvele”, malet do të na mallkojnë për jetë të jetëve…
Domethënës ka qenë një tregim në librin e këndimit të brezit tim, nxënësve të fundviteve dyzetë. Nuk më shqitet nga kujtesa.
…Një plak nëntëdhjetë e ca vjeç po mbillte një pemë. Një udhëtar, i çuditur, i thotë: “Shpreson që të hash frutat e asaj peme?”. Plaku i mençur i thotë: “Mbollën të tjerët, hëngra unë, tani mbjell unë të hanë të tjerët”.
Ne hëngrëm nga ato që mbollën prindërit tonë, mbollëm edhe vetë. Pastaj morëm sëpatën dhe i premë në rrëzë. Premë degën ku kishim vënë këmbët pa menduar se do t’i biem kaq keq tokës me kokë.
Ti i nderuar Rexhep fole për mallkimin e malit. Bëre mirë, më dhe edhe mundësinë të komunikoj me shpirtin tënd të vrarë nga kjo kohë e tmerrshme që kalojmë.
Unë i dashur Rexhep kam përgatit për botim një libër ku shkruaj për “Mallkimin e Drinit”. Drinin e Zi duan ta kthejnë nga lum në liqen, duan ti venë një pritë dhe të mbysin Luginën e Dibrës, Trojet e tij miliona vjeçare. Të mbytësh trojet e njeriut është krim, por të mbytësh “trojet” e Drinit është mallkim mbi mallkim, mallkimi i natyrës, mallkim që vret…
Drini i Zi nuk do të jetë më Drini i Zi, do të tjetërsohet në “Liqeni i Zi”. Kob më ndjell ky emër, nëmë, mallkim. Dhe në qoftë se mallkimi i pyllit, “rrëshqitjet e tokës” merr me vete një lagje apo një fshat, mallkimi i Drinit kthyer në “Liqen të Zi” do të marrë me vete gjysmën e Shqipërisë
Dibra nuk duhet lënë të mbytet nga “Diga e Skavicës” ashtu si nuk duhej lejuar sëpata mbi pyje dhe mbi pemët frutore të saj dy dekada më parë…
Nesër do të jetë vonë, shumë vonë…
Athinë, 7 mars 2010
(Marrë nga “Po Dibrës! Jo Skavicës!” Faqe 55-61