Ndahet nga jeta Shpëtim Hiqmet Bunguri


Me datë 9 maj 2021, rreth orës 18 sipas orës tonë, në një spital të New Yorkut, mbylli sytë përgjithnjë dhe fluturoi n’amshim, Shpëtimi ynë i shtrenjtë. Kishte shkuar në spital për një shqetësim lidhur me veshkat, dhe mjekët menjëherë e kishin hospitalizuar. Pas përmirësimit, kur të gjithë prisnin daljen e tij nga spitali, kishte pësuar një attack në zemër, që mjekët e kishin cilësuar si “arrest cardiac”. Ai kishte gati 20 vjet që zemra e tij ishte ndarë më dysh midis Peshkopisë dhe New Yorkut. Në Peshkopi kishte fëmijërinë, rininë, shkollën, vëllezërit, vërsnikët, miqtë, kolegët, punën dhe gjithçka tjetër. Në New York kishte dy vajzat dhe Spartakun,djalin e urtë e të sjellshëm, kishte edhe motrën e tij të vetme, Zanën fisnike me fëmijët, e cila pas ikjes n’amshim të shokut të saj të jetës, Nasip Shehu, bashkë me fëmijët kishin kaluar Atlantikun…
Atje kishte dhe miq të familjes së tij të ngushtë dhe të familjes së gjërë “Bunguri”. Në New York, New Jersey, Brooklin, New Island, Manhatan, kishte gjithashtu një komunitet të madh dibranësh, të krijuar fillimisht nga Dibra e Madhe, dhe pas viteve 90’ të shekullit të kaluar edhe nga e gjithë Dibra e Vogël. E thoshte shpesh me shaka se “Në Amerikë kishte një Dibër të Vogël”, që ia zbuste mallin për Dibrën e këtushme dhe ia bënte më të dashur vendbanimin e ri.
Shpëtimi kishte një dashuri të fortë e të pashtershme për Peshkopinë. Shkonte në Amerikë, se atje kishte fëmijët, por gjysmën e zemrës e kishte në Peshkopi. Hera e fundit që ishte larguar nga Peshkopia kishte qenë viti 2019. Me datën 19 maj atij viti ai kishte ardhur nga Amerika e largët në vendin e tij. Kishte ardhur për një muaj si për t’u çmallur. Pastaj duhet të kthehej në Amerikë për të ardhur prapë….Sikur t’ia ndjente zemra, atë muaj kishte shkelur gjithkund ku zemra e kishte drejtuar, kishte vizituar miqtë e të dashurit e zemrës, kishte shëtitur shumë dhe kishte bredhur si në djalërinë e hershme. Sikur t’ia ndjente zemra, në atë vizitë, që për fat të keq, qëlloi të ishte e fundit, kishte vizituar dhe varret e të parëve dhe të axhës Medat në Grevë, varrin e babait Hiqmet dhe të Moisiut të axhës në Peshkopi, varrin e dajës Tasim në Brezhdan dhe varrin e Nënë Ferizatit në Durrës, varrin e Gëzimes së axhës në Tiranë… Pastaj ditët kishin vrapuar më shpejt se asnjëherë tjetër, dhe kishte ardhur dita e mbrame, kur duhej të ndahej me Peshkopinë dhe njerëzit e zemrës. Dhe ishte nisur i përcjellë nga dashuria e fortë që buronte nga ky vend i bekuar, jo vetëm nga njerëzit, por i dukej sikur po e përcillnin edhe gurët e sokakut të Dublecit, ku ishte rritur, edhe shtëpia e vjetër dykatëshe ku kishte hedhur hapat e parë, edhe Ushtrimorja e qytetit, edhe mësuesit e shkëlqyer të atëhershëm, edhe miqtë dhe kolegët e shumtë që kishin mbushur zemrën e tij për gjithë ato vite të jetës në këtë qytet fort të dashur… Kur kishte kaluar kthesën e Bulkallarëve dhe ishte ngjitur në fushën e Dobrovës, zemra i kishte therrur dhe instiktivisht e kishte kthyer kokën të shihte edhe njëherë vendin që e deshi aq shumë …. Sikur t’a dinte se ajo do të ishte pamja e fundit e këtij vendi të bekuar, që do ta përjetësonte në memorien e tij….
Shpëtimi kishte lindur me 12 tetor 1948 në qytetin e Peshkopisë. Ishte fëmija i parë i Hiqmet Bunguri dhe Ferizate Bunguri (Karasani). Vëlla i madh dhe shumë dashur i Rasimit, Zanës, Arit dhe Torit. Shkollën fillore e kreu në Ushtrimoren e Peshkopisë dhe atë 8 vjeçare në shkollën “Demir Gashi” të qytetit. Shkollën e mesme e kreu në Teknikumin Tregtar të Vlorës, në degën Ekonomist kontabël në vitet 1962-1966. Kjo shkollë me traditë të shkëlqyer dhe shumë e njohur në kohën e mbretërisë, ishte e njëvlershme me një Universitet nga më të mirët e kohës. Ajo sapo ishte rihapur dhe Shpëtimi ishte pjesë e brezit të parë të ekonomistëve të diplomuar. Bashkë me Lumen, vajzën e urtë e fisnike nga lagjia Bulke e qytetit, do të krijonin një familje të mrekullueshme. Zoti i bekoi me 3 fëmijë secili më i mirë se tjetri: Etleva, e martuar me Mustafa Trepça, Ilda, e martuar me Edmond Dragoshi dhe Spartaku, i martuar me një vajzë dibrane nga familja e nderuar e Vehip Salkurtit. Ai ishte baba i përkushtuar dhe gjysh i lumturi i 3 nipërve dhe 5 mbesave: Të gjithë jetojnë në New York dhe New Jersey. Gjithnjë i dashur e i qeshur, gojëmbël dhe fort i sjellshëm, simbol i mirësisë, kulturës dhe qytetarisë, Shpëtimi i mishëronte plotësisht vlerat e larta njerëzore dhe patriotike të familjes së tij. Sigurisht që ai e dinte se ishte përgjegjësi e madhe të ishe djali i Hiqmet Bungurit,burrit të mençur e fisnik të fisit “Bunguri”, nipit të derës së madhe të Beglerëve të Vakufit. Emri i tij respektohej në të gjithë Dibrën, respekt që e kishte fituar me punën e tij të ndershme dhe sjelljen fisnike me njerëzit, në të gjitha detyrat shtetërore që kishte patur. Aq e vërtetë ishte kjo, sa që kudo që të lëvizje nëpër Dibër, sapo të mësonin patronimin tënd, menjëherë do të të pyesnin për lidhjen që kishe me Hiqmet Bungurin. Hiqmeti kishte mbetur jetim që në moshën dy vjeçare, pasi babai i tij, Rasimi I, në moshën 26 vjeçare, në përbërje të forcave mbretërore, kishte rënë në krye të detyrës tek “Ura e Mesit” për mbrojtjen e rendit kushtetues (26 Nëntor 1926). Rreth vitit 1980, Shpëtimi bashkë me të afërt të tjerë, sollën eshtrat e Rasimit I nga Shkodra që u rivarrosen në fshatin e tij të lindjes, në Grevë.

Punësimet:
1 Gusht 1966-16 Shtator 1967-Ekonomist në Kooperativën e Konsumit të Qytetit
17 Shtator 1967-28 Dhjetor 1967-Ekonomist në Bankën Kombëtare Shqiptare.
28 dhjetor 1967-16 Nëntor 1970-Shërbim ushtarak trevjeçar
1 Dhjetor 1970-1Prill 1971-Ekonomist në Bankën Kombëtare Shqiptare Dibër
1 Nëntor 1977-31 Tetor 1977-Ekonomist në Seksion Kontroll Revizion në Komitetin Ekzekutiv Dibër
1 Nëntor 1977-15 Shkurt 1979-Llogaritar i parë dhe Kryellogaritar në Ndërmarrjen Shtetërore të Grumbullimit Dibër.
16 Shkurt 1979-1 Dhjetor 1988-Shef llogarie në Ndërmarrjen e Prodhimeve të Ndryshme Peshkopi.
1 Dhjetor 1988-20 Dhjetor 1992-Shef llogarie në Klubin Sportiv “Korabi”
20 dhjetor 1992-16 Qershor 1998-Dega e Shërbimit të Kontrollit të Shtetit Dibër
16 Qershor 1998-28 Shkurt 2003–Shef llogarie në Klubin Sportiv “Korabi”
8 Janar 2004-31 Korrik 2006-Inspektor Kontrolli në Bashkinë Peshkopi.

Shpëtimi fluturoi në qiell disa ditë para se të vinte në Shqipëri për vizitën e radhës. Në Amerikë, ai e përjetoi me dhimbje të thellë vdekjen e parakohshme të vajzës së kushëririt, sivëllait Kajmakut, Rosela Bunguri në Durrës (14.01. 2021) dhe të kushëririt të tij në Tiranë, sivëllait fort të dashur Setki Bunguri (09.03 2021), me të cilin kishte qenë shumë i lidhur. I përmendte shpesh në telefon, dhe kishte planifikuar që sapo të arrinte në Shqipëri do të ndalej fillimisht në Durrës e Tiranë, dhe pas ngushëllimit që do të bënte tek familjet përkatëse, do të shkonte menjëherë tek ato me një buqetë malli e lotësh zemre…
Falenderojmë përzemërsisht të gjithë banorët e Peshkopisë dhe të rrethit familjar e miqësor, që u bënë pjesë e dhimbjes tonë, në ditën e 10 majit 2021 dhe në ditët në vazhdim, duke na e lehtësuar sadopak peshën e dhimbjes. Do të na mungojë shumë vllau ynë Shpëtim, fjala e tij e mençur, buzëqeshja dhe humori i tij, bisedat dhe kafet e përbashkëta, dhe mungesa e tij do të ndjehet shumë gjatë. E lusim Allahun xh.sh që ta shpërblej me xhenetin Firdeus Shpëtimin tonë, për jetën e tij fort të ndershme dhe të virtytshme! Falenderojmë Allahun xh.sh që na mundësoi të jetojmë në këtë botë, aq kohë sa Ai e ka caktuar, me vëllain tonë të shtrenjtë, Shpëtim Bunguri.

Adem Bunguri, Rasim Bunguri, Zana Shehu (Bunguri), Arian Bunguri, Mentor Bunguri, Burhan Karasani, Idriz Bulku, Munir Bulku, Maksim Xheladini, Vehip Salkurti, Hiqmet Bunguri (i riu).