Nga raftingu në Dri, te ngjitja në majën e Korabit, mundësitë e zhvillimit të turizmit


Nga Bujar Karoshi

Me daljen e ngadaltë nga pandemia shpresat për një rritje të turizmit në vend po rriten. Dhe kjo po rrit edhe lëvizjen për përgatitjen e guidave turistike dhe terreneve në turizëm.
Më 23 maj 2021, në Parku Kombëtar Shebenik -Jabllanicë ishte i pranishëm ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca. Kjo zonë është shpallur park kombëtar në vitin 2008, duke mbuluar një sipërfaqe prej 33.928 hektarësh. I shtrirë në lartësi nga 270 deri në 2.260 metra mbi nivelin e detit, ky park karakterizohet nga një shumëllojshmëri kushtesh klimatike, formacionesh gjeologjike, peizazhesh, habitatesh dhe llojesh bimore apo shtazore; duke e bërë parkun një destinacion të preferuar turistik. Rruga që lidh Librazhdin me Dibrën është akoma e papërfunduar, por asfaltimi i saj do të rrisë mundësitë e turizmit në zonë.
Me festime nisi sezoni turistik edhe në bashkitë e Bulqizës dhe Dibrës.
Përmes veprimtarisë “Bulqiza Turistike” e cila u mbajt më 21 maj, ku u zhvillua një prezantim i rajonit përmes kulinarisë dhe vlerave kulturore tradicionale, e cila kishte synim promovimin dhe zhvillimin e turizmit në zonë. Kjo veprimtari u organizua me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të rrethit, të cilët sollën vlerat më të mira të krahinave të Bulqizës.
Kulinaria me gatimet tradicionale, vlerat artistike me objekte tradicionale si dhe kultura me kostumet popullore dhe këngë e valle, u prezantuan në formën e një panairi ku të pranishmit shijuan nga afër produktet dhe u njohën më mirë me pasuritë e paçmuara të rrethit tonë.
Bashkia Bulqizë është e angazhuar për t’i dhënë dhënë një vëmendje të veçantë turizmit, duke ofruar më shumë mundësi për turistët që do ta vizitojnë atë gjatë këtij sezoni. Infrastruktura, në të cilën është investuar më shumë, identifikimi i monumenteve kulturore dhe zonave të mbrojtura i kanë dhënë një pozicion më të fortë turizmit në Bulqizë.
Ndërsa në Dibër sezoni turistik u çel më 29 maj përmes një veprimtarie të organizuar nga organizata “Black Drin Adventure”, e cila operon prej shumë vitesh në lundrimin në Dri, ose siç quhet ndryshe, sporti i Raftingut.
Raftingu në lumin Drin është rritur vit pas viti, duke e kthyer këtë guidë turistike në një mundësi të mirë turistët. Guidat standarde nisin nga Ura e Topojanit deri në Luzni, duke përfshirë një udhëtim gati prej tre orësh, kohë në të cilën përveç andrenalinës që të jep udhëtimi, mund të shikosh edhe kanione të bukura, malet anës lumit si dhe faunën dhe florën pothuajse të panjohur për banorët. Guidat njihet zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Rafting, duke e bërë udhëtimin të sigurtë.
Në përgatitjet për turizmin në Dibër kanë dhënë një ndihmesë gjatë kësaj periudhe disa organizata që merren me nxitjen e zhvillimit të këtij sektori të ekonomisë.
Pas një projekti të suksesshëm të ALCDF “Dibra – Turizëm dhe Traditë” përgjatë tre viteve të kaluara, këtë vit organizata “Cross-Border Biking” ka ndihmuar në trajnimin e disa guidave turistike për udhëtimet me biçikleta në mal, si dhe në hapjen e shtigjeve turistike që lidhin dy shtetet: Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Organizata ka ndërtuar dhe rinovuar rreth 40 km shtigjeve natyrore të biçikletave malore, të shoqëruara me vendosjen e tabelave informuese sipas standardeve bashkëkohore. Gjithashtu, kjo organizatë ka ndihmuar në rregullimin e urës së varur të fshatit Pejkë, duke ndihmuar drejtpërdrejtë rreth 4500 banorë të fshatrave përreth dhe duke hapur një shteg të preferuar për turistët.
ALCDF gjatë projektit “Dibra: Traditë dhe Turizëm” ka certifikuar më shumë se 9 guida lokale, të aftë të udhëheqin grupe turistësh nëpër të gjithë territorine Dibrës, pavarësisht nivelit të vështirësisë. Organizata ka evidentuar mbi 18 itinerare turistike dhe ka hartuar guidat për secilën, të cilat i ka përmbledhur në një botim në gjuhën angleze të titulluar “Tourist Guide of Dibër”. Në këtë botim ajo ka përfshirë jo vetëm vendet e mundshme që duhen vizituar në guida 1 deri 7 ditore, por edhe guidat lokale, bujtinat dhe hotelet ku mund të qëndrohet.

Disa nga Turet turistike

  1. Kanionet e Drinit të Zi

Një nga destinacionet më të bukura dhe afër qytetit të Peshkopisë është Kanioni i Drinit në pjesën Gradec-Hotesh-Selane-Katund i Ri, në një gjatësi prej 6-9 km, që zgjat rreth 5-6 orë.
Në këtë udhëtim, ju keni rastin të shikoni bukurinë natyrore të kanionit të Drinit, me një peizazh të larmishëm, nëpër ngushtica shkëmbore, ku në disa pjesë formohen kanione të mrekullueshëm, pyje të ulëta të gjelbëruara dhe ku uji ka ngjyrën e errët, dhe e kupton arsyen se përse Drini quhet i Zi.
Në këtë pjesë është edhe kanioni i Gjurrës së Mazhicës, ku është grykëderdhja e këtij përroi, me një peizazh natyror shkëmbor dhe një ujëvarë madhështore në sezonin e vjeshës dhe pranverës.
Kjo grykë nga amatorët e natyrës është quajtur “kanioni i fluturave”, pasi ka shumë flutura dhe llojshmëri të madhe drurësh frutorë të egër, që nga dardha e Hoteshit, ftoi, thana, manafera, etj. Gjatë këtij itinerari do të njiheni me legjenda, histori, shpella, kulla dhe vendbanime të hershme arkeologjike.
Itinerari turistik fillon në Peshkopi në dy mundësi lëvizje, njëra për në fshatin Pekë (20 minuta) dhe një për në fshatin Topojan (30 minuta), me makinë nëpër rrugë të asfaltuar.

2.Në gjurmët e Skënderbeut

Dibra është vendlindja e Gjergj Kastriotit dhe zotërimet e familjes së Kastriotëve i kanë dhënë emrin zonës së Kastriotit. Toponimet e shumta, gojëdhënat, legjendat për Familjen e Kastriotëve dhe Skënderbeut janë pjesë e muzeut të Skënderbeut në fshatin Sinë të Çidhnës. Skënderbeu u kthye në Dibër në 1443 me 300 kalorës dibranë, me të cilët iu drejtua Krujës, ku më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin. Skënderbeu zhvilloi 24 beteja kundër turqve, ndër këto 19 u zhvilluan në vendlindjen e tij në Dibër, duke triumfuar për 25 vite rresht. Turi në gjurmët e Skënderbeut për 3 ditë ofron mundësinë e njohjes me këto ngjarje dhe vende historike. Në këto turë perfshihet vizita në muzeun e Peshkopisë dhe të Kastriotëe, kepin e xhitetit (qytetit), ku vizitorët mund të ngjiten mbi kep që të shikojnë panoramën e grykës së Setës. Nga pika vrojtuese në kanalin e Setës dhe me pak ecje mund të tregohet Kalaja e Skënderbeut, e cila është natyrale dhe ka vendzbulime rrënojash të vjetra. Nga pika e vrojtimit të Sopanikës shijohet ujëvara dhe shpella e Sopanikës. Tregohet edhe shpella e Rusit apo shpellat e tjera.
Gjithashtu, një vizitë interesante është edhe kalimi në Fushë Bulqiza dhe Gryka e Madhe, ku është vendi i shumë betejave dhe legjendave të Skënderbeut. Një ndalesë në fshatin Peladhi, ku janë bërë më shumë se 3 beteja dhe që lidhet me legjendën e veshjes së dhive me qiri sikur të ishin kalorës, dhe nga ku ka marrë edhe emrin fshati sot Peladhi. Legjenda e fshatit Vajkal, i cili mendohet se vjen ngaqë edhe kali filloi të qante për vdekjen e Skënderbeut, si dhe shumë toponime apo rrënoja që lidhen me Skënderbeun.

3. Mali dhe bjesha e Gramës

Me bjeshkët pafundme, me pyjet me pisha të buta, me liqenin e bukur malor, përballë shtresave të gipsit të bardhë dhe larmisë shkëmbore të pasqyrave, me stanet dhe burimet e kristalta ujore, Grama është destinacioni i magjishëm malor, vetëm 9 km larg nga Peshkopia. Për të shkuar në Gramë mund të ndjekim disa drejtime (itinerare). Në këtë tur janë dhe dy itinerare nga fshati Kastriot dhe një nga fshati Shumbat, për ecje në këmbë. Itinerare të tjera mund të jenë nga Peshkopia për në fshatrat Bahute dhe Zimur me makinë (40 minuta), dhe pastaj me ecje në këmbë për në Gramë (2.5 orë). Itinerari tjetër mund të jetë me makinë 4×4 nga fshati Sllatinë (1.5- 2 orë). Pasqyrat e Gramës, Karsta e malit të Bardhë, Shllinasi i Vrenjtit, Bjeshka e Zonjave, Liqeni i Gramës janë monumente natyrore fantastike që ofron ky destinacioni turistik. Stanet dhe kampingjet ofrojnë ushqim dhe akomodim, por edhe aktivitete turistike si ecje në mal, peshkim, gjueti, hipizëm dhe shumë surpriza të tjera.

4. Ngjitja në Korab, mali më i lartë në Shqipëri

Mali i Korabit është mali më i lartë në Shqipëri. Ai është pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, i shpallur si zonë e mbrojtur që në 1912. Flora dhe fauna është nga më të pasurat në Europë, ku janë 160 lloje bimësh mjekësore, ku më e famshmja është tulipani i Korabit. Rriten edhe kafshë nga më të rrallat në Europë, siç është tigri i Ballkanit, shqiponja e Korabit, ariu i murrmë, dhia e egër etj. Vargmali i Korabit është vazhdim i masivit malor Sharr-Korab-Mavrovë.
Ngjitje dhe ecje në Fushën e Korabit, destinacioni i parë atraktiv që arrihet pas 3 orë udhëtimi nga Radomira. Ngjitja është mesatare dhe pamja është e mrekullueshme, malore dhe baritore. Fusha e Korabit është një nga burimet natyrore dhe ka një larmi lulesh dhe bimësie. Ajo është shumë e njohur për popullsinë vendase dhe më gjerë, pasi janë kënduar edhe këngë.
Quhet Fusha ose Gropa e Ponairit, ose si fusha e panaireve, që përdorej nga popullsia vendase për të reklamuar delet, leshin apo gjëra të tjera. Mendohet sipas gojëdhënave se këtu bëhej edhe shkëmbimi i bagëtive dhe leshit. Edhe Fusha e Ponairit është monument natyre.
Maja e Korabit është e një shkalle vështirësie mesatare dhe pamja është e mrekullueshme, ku të duket vetja sikur je në çatinë e Shqipërisë dhe të gjitha malet dhe lartësitë janë nën shikimin tënd. Ngjitja zgjat 1.5 orë. Guida duhet të ketë kujdes për grupin, pasi një pjesë janë të lodhur dhe duan pak motivim për t’u ngjitur.

5. Ngjitja në bjeshkën e Hinoskës

Bjeshka e Pocestit të jep një adrenalinë të paparë, kur shikon luginën e Drinit të Zi. Ngjitja vjen natyrshëm përgjatë burimit të Kërçinit drejt bjeshkës me monumente të shumta të natyrës, florën dhe faunën e zonës. Frutat e pyllit dhe uji i ftohtë janë shoqëruesit më të mirë të drekës nga bjeshka e Pocestit. Nisja nga fshati Popinarë. Gjatë rrugës mund të njiheni me Kalanë e Grezhdanit, kishat e Herbelit dhe Kërçishtit, xhamia e Allajbegisë dhe burimet natyrore si Guri i Kërçinit, ujëvarat e Pocestit, Karsta e Pocestit, Rrapi i Kërçinit, burimet e Kërçinit dhe shumë peizazhe të tjera natyrore. Udhëtimi për në Popinarë do të jetë me minibus.

6. Vizitë në fshatin turistik të Radomirës

Radomira është një nga 100 fshatrat turistike të Shqipërisë. Radomira ka burime të shumta që derdhen në lumin e Veleshicës. E përbërë nga 5 lagje, grupi qëndron në lagjen Tezë. Janë dy baxho që prodhojnë djathë, pasi zona e Radomirës shquhet për mbajtjen e deleve. Natyra është shumë e bukur dhe pyjet janë të mbrojtura, pasi ky fshat është i vetmi në Shqipëri që ka ligjet e veta dhe nuk lejojnë asnjë që të presë pyjet apo të bëjnë gjueti në territorin e tij.

7. Ngjitja në malin e Skërtecit

Nisja nga fshati Rabdisht për në bjeshkë është itinerari i parë. Ecje malore e moderuar. Mbërritja në bjeshkë pas 3.5 orë ecje. Bjeshka të ofron shumë burime ujore dhe kanione të ndryshme, që dhe në periudhën e verës mund të kenë borë ose masive akulli. Fauna është shumë e pasur dhe mund të shikosh kaproj, lepuj dhe shpendë të ndryshëm.
Ecje malore, më shumë në pjesë shkëmbore përgjatë malit të Skërtecit. Pamja është e bukur dhe mali është i thepisur. Ke ndjesinë e një aventure, por shkalla e vështirësisë është e moderuar dhe nën shoqërinë e guidës, rruga është e njohur dhe shumë e përdorur nga popullsia vendase dhe vizitorë të shumtë.
Kampingu ngrihet me tenda, rrëzë Gurit të Kuq në fshatin Zimur. Ambienti është i përshtatshëm për kamping dhe pamja është shumë e bukur. Vizitorët mund të eksplorojnë florën dhe faunën e pasur dhe në shoqërinë e guidës mund të njihen me karakteristikat e zonës së mbrojtur Korab-Koritnik.

8. Liqeneve akullnajore të Lurës dhe Kacinsë

Me kajak në liqenet e Lurës. Foto: Artur Nikolli

Janë 17 liqene akullnajore në parkun kombëtar të Lurës (7 liqene) dhe në zonën e Kacnisë, që është pjesë e territorit të Selishtës dhe Klosit, 10 liqene.
Gjatë këtij itinerari ke mundësi të eksplorosh fshatrat e Njësisë Administrative Lurë, Parkun Kombëtar të Lurës dhe fshatrat e Njësisë Administrative Selishtë dhe pyjet e Balgjait, Kacnisë, Mbas Dejës, që janë vazhdim i Parkut të Lurës.
Përveç natyrës mahnitëse, vlerat etnografike të kësaj zone janë unikale në llojin e saj, me kullat e larta me gurë të gdhendur, oboret e rrethuara me furda druri, mikpritja dhe prodhimet e veçanta të malësorëve që nga bulmeti, mjalti, gatimet tradicionale akoma të panjohura, ia shtojnë bukurinë dhe interesin për eksplorimin e kësaj treve.
Udhëtimi është 3 ditor, me makinë 4×4 dhe për pasionantët e ecjes në këmbë janë programuar shëtitje në pjesët më interesante dhe atraktive të 17 liqeneve.

9. Lugina e Shërimit

Lugina e ka marrë këtë emër për vlerat kurative nga shfrytëzimi i burimeve termale të Llixhave të Peshkopisë dhe pjesës malore e bjeshkës së Skërtecit, pjesë e vargmalit të Korabit. Udhëtimi në këtë tur është 3 ditor, por mund të organizohen edhe ture një ditore. Udhëtimi është shumë interesant, ku gërshetohet bukuria natyrore kuruese e ujërave të ngrohta termale, ajri i pastër i malit, gojëdhënat dhe vendbanimet historike të vjetra dhe të reja. Ky itinerar të krijon mundësinë e qëndrimit në shtëpitë pritëse të fshatit turistik Rabdisht, një nga 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë, ku njihesh me mikpritjen dhe gatimet tradicionale dibrane.

10. Qyteti i Peshkopisë

Peshkopia është kryeqendra e Bashkisë dhe Qarkut të Dibrës. Mendohet që emri i Peshkopisë lidhet me ekzistencën e “Episkopatës së Stefanikës”, që në vitin 1020.
Peshkopia ka qenë qendër dytësore për krahinën e Dibrës, pas qytetit të Dibrës së Madhe, roli i së cilës zbehet me vendosjen e kufijve arbitrarë në 1913, ku jashtë kufijve mbeti Dibra e Madhe, që ishte qendra urbane dhe tregtare për kohën. Pas 1913 Peshkopia u bë qendër e Dibrës, ku u vendos administrata, u ngrit pazari dhe disa dyqane të zejeve të ndryshme. Në korrik 1920 u krijua administrata vendore në rang prefekture dhe bashkie, filloi shërbimi postar, u vendos linja telefonike dhe u ndërtuan kazermat ushtarake. Pas 1945 Peshkopia është qendra administrative e rrethit të Dibrës dhe u ndërtua si një qytet shumëfunksional si në aspektin administrativ, social, kulturor, arsimor, ashtu edhe në atë ekonomik, sipas modelit socialist të kohës.
Peshkopia njihet si Qyteti i Blireve, pemëve frutore, ku vendin e parë e zë prodhimi i qershive, kumbullave dhe mollëve.
Dibranët njihen për mikpritjen, traditën dhe kulinarinë e pasur. Peshkopia është vendi i jufkave, sheqerpares, llallangive dhe reçelnave, që serviren me shumë bujari dhe pastërti nga zonjat e shtëpisë, që janë edhe artiste në punimet e dorës.
Peshkopia është qyteti mikpritës i Festivalit folklorik mbarëkombëtar “Oda Dibrane” dhe 8 festave të tjera, si Festa e të Vjelave, Festa e Qershisë, Dita e Verës etj.
Përgatiti: B.Karoshi

Një guidë për Dibrën në gjuhën angleze Projekti D2 e finalizoi punën e saj për nxitjen e turizmit në Dibër me një botim mbi guidat dhe vendet turistike në Dibër. Libri përmban hollësi për disa nga turet kryesore turistike, si dhe ka të përmbledhura disa informacione të nevojshme për turistët: bujtinat dhe hotelet pritëse, guidat lokale dhe është i ilustruar me fotografi me ngjyra, të cilat janë një kartolinë që mbetet një kujtim i bukur nga Dibra.