Shtohen aksidentet edhe me pasojë vdekje në minierat e Bulqizës


Sindikata e minatorëve: “Aksidentet në punë po bëhen pothuajse të përditshme e përherë e më të rrezikshme në minierat e Bulqizës, ndërkohë shteti dhe kompanitë vazhdojnë të fajësojnë punëtorët, duke mos ndërmarrë asnjë hetim apo përmirësim serioz të kushteve të punës”

Albchrom: “Aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia. Do të ketë një analizë të plotë dhe të detajuar mbi shkaqet e ngjarjes”

Shtohen aksidentet edhe me pasojë vdekje në minierat e Bulqizës.
Tre minatorë u plagosën dhe njëri prej tyre u nis me helikopter drejt Tiranës në gjendje të rëndë, pas asfiksimit nga gjeneratori rreth mesditës së 11 majit në një nga galeritë e kromit në zonën e Martaneshit.
Policia njoftoi për rastin se “punëtori Sh. E., rreth 50 vjeç, duke salduar brenda në galeri me gjenerator, si pasojë e gazit të çliruar nga gjeneratori është asfiksuar. Në ndihmë të tij kanë shkuar dhe dy punëtorë të tjerë, shtetasit A. J., dhe M. H., të cilët janë asfiksuar dhe kanë shfaqur probleme shëndetësore. Shtetasit e lartëpërmendur janë nxjerrë nga galeria dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital.” Njëri prej tyre ka qenë në gjendje të rëndë, dhe është dërguar me helikopter drejt Tiranës, për të marrë ndihmë mjekësore të kualifikuar.
“Inspektoratiti Punës në Dibër ka deklaruar se galeria ku ndodhi aksidenti menaxhohej nga kompania “Xhireton shpk”, – shkruan Bulqiza.al
Vetëm tre ditë më pas, më 14 maj, një tjetër minator është aksidentuar brenda galerive të kompanisë Albchrome. Hysen Rrahmani, 32 vjeç, sipas dëshmive të shokëve të tij në punë ka pësuar dëmtime në pjesën e dorës dhe të këmbës dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Një tjetër aksident në galeritë e zonës mineral-mbajtëse D ndodhi më 24 maj, kur 36 vjeçari Valter Duriçi, u aksidentua teksa punonte në galeri dhe më pas u transportua me helikopter për në Tiranë, sepse në spitalin e Bulqizës mungon trajtimi bazë për minatorët.
Pas të gjithë këtyre aksidenteve me plagosje, ngjarja mëtragjike ndodhi më 28 maj, kur minatori 35 vjeçar, Elti Alla, humbi jetën në një nga galeritë e Albchrom.
Reporter.al shkruan për rastin se “35-vjeçari humbi jetën, pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në galerinë e kromit të kompanisë Albchrome të minierës së Bulqizës. Sipas Policisë Dibër, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:35 të datës 28 maj.”
Ky është aksidenti i dytë me humbje jetë gjatë këtij viti. Në shkurt një 40-vjeçar humbi jetën po të një nga galeritë e Bulqizës.
Reporter.al – një nga të paktat që raporton rregullisht nga Bulqiza, shkruan se “bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM”.

Sindikata: hetim të plotë ngjarjeve

Sindikata e Minatorëve të Bulqizës ka qenë e vetmja që ka reaguar pas çdo aksidenti në minierë.
“Ne jemi të shqetësuar për kaq shumë aksidente në kaq pak kohë në miniera dhe u bëjmë thirrje të gjithë minatorëve të bëhen bashkë dhe në sindikatë, si e vetmja mënyrë për të rritur sigurinë e jetës në punë dhe që faji të mos vazhdojë të mbetet si përherë i yni, i minatorëve”, thuhej në një nga deklaratat e tyre.
Sindikata arrin në përfundimin se njëra nga arsyet e rritjes së aksidenteve është “rritja e normës së punës”.
“Miratimi i Statusit të Minatorit do t’i kompensonte të gjymtuarit në minierë dhe do detyronte pronarët të ndërmerrnin masa sigurie”. “Ditë tragjikë për minatorët dhe qytetin e Bulqizës”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë përmes faqes së tyre në Facebook nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
“Eltion Alla, 35 vjeç, minator në nivelin e 18 në minierën e Albchrome, u aksidentua sot me pasojë vdekjen. Lajmi i vdekjes në punë të Eltit na ka tronditur thellësisht të gjithëve, minatorë dhe qytetarë të Bulqizës, miq, shokë dhe të afërm të tij”.
“Aksidentet në punë po bëhen pothuajse të përditshme e përherë e më të rrezikshme në minierat e Bulqizës, ndërkohë shteti dhe kompanitë vazhdojnë të fajësojnë punëtorët, duke mos ndërmarrë asnjë hetim apo përmirësim serioz të kushteve të punës”, thuhet në mes të tjerash në deklaratë.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës kërkon hetimin e plotë e kësaj ngjarjeje dhe marrjen e masave urgjente nga ana e shtetit që asnjë minatori të mos i rrezikohet jeta.
“Nuk është mëshira e pronarëve, por solidariteti mes nesh na mban gjallë e na jep shpresë për ditë më të mira”, thuhet në deklaratën e tyre.

Albchrom: Aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia

Në lidhje me ngjarjet e fundit në galeritë e Albchrom, ku humbi jetën minatori Eltion Alla, 35 vjeç, ka reaguar edhe vetë kompania:
“Një minator me profesion armator ka gjetur vdekjen si pasojë e aksidentit në nivelin e 18 të minierës. Minatorët e pranishëm tregojnë se aksidenti ka ndodhur si pakujdesi gjatë punimeve për armatimin e galerisë. Një katror i armatimit e ka zënë poshtë minatorin me iniciale E. A. duke i shkaktuar vdekjen”, sqaron ngjarjen kompania Albchrom përmes një deklarate.
Më tej ajo thotë se “në këto momente jemi thellësisht të tronditur nga aksidenti dhe humbja e jetës e kolegut dhe shokut tonë dhe e gjithë vëmendja jonë është e përqendruar te familjarët e viktimës, ndaj të cilëve Albchrome shpreh ngushëllimet më të ndjera. Në këtë moment duhen respektuar zija dhe ndjenjat e të afërmve dhe familjarëve të minatorit tonë. Në një moment të dytë do të ketë një analizë të plotë dhe të detajuar mbi shkaqet e ngjarjes” – thuhet ne një deklaratë të shpërndarë për mediat nga ana e kompanisë.

Ndalohen teknikët e kompanisë, akuzohen për shkelje të sigurisë në punë

Policia e Dibrës njoftoi se ka arrestuar teknikun dhe proceduar penalisht dy brigadier të kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës, pas një aksidenti ku mbeti i vdekur 35 vjeçari,Elti Alla.
Policia njoftoi se tekniku i arrestuar identifikuar si D.K dhe dy brigadierët e proceduar penalisht kishin për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të frontit të punës dhe kanë neglizhuar punën. Kjo sipas policisë ka sjell shembje të një pjesë minerali, e cila ka lënë të vdekur minatorin 35-vjeçar.
Disa ditë më patë policia ka ndaluar edhe një teknik tjetër të kompanisë “Albchrom”, për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, si pasojë e së cilës u plagos minatori Hysen Rrahmani, 32 vjeç.
Reportel.al, në një raportim nga Bulqiza shkruan se “shtatë aksidente u raportuan gjatë këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që aksidenti i së premtes ishte më i rëndi, prej të cilit humbi jetën minatori Eltjon Alla, 35 vjeç teksa punonte në nivelin e 18-të”.
“Në shkurt të këtij viti një minator 49-vjeçar humbi jetën teksa punonte në galeritë e zonës krom-mbajtëse D në Bulqizë. Pak ditë më parë në zonën krom-mbajtëse të Martaneshit, mbetën të asfiksuar tre minatorë, pasi një punëtor po saldonte me gjenerator brenda galerisë”
“Një tjetër minator u plagos rëndë në galeritë e kromit në zonën mineral-mbajtëse D në Bulqizë, si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse në galeri”
(Korresp.Rr.A)

Minatorët ndalojnë punën, nuk kanë marrë pagat e disa muajve

Disa minatorë të kompanisë ALB-MI, kanë bojkotuar punën, pasi nuk kanë marrë pagat e disa muajve përgjatë vitit 2020-2021. Ata deklarojnë se janë në vështirësi, pasi dyqanet nuk pranojnë më t’ju japin ushqime me listë dhe një pjesë prej tyre kanë kredi në bankë, duke rrezikuar që shtëpitë e tyre të vihen nën sekuestro.
Administratori i kompanisë ALB-MI, Faik Dedja, në një bisedë telefonike për Bulqizaime.al, pranoi problemin me mos dhënien e disa pagave për minatorët. Ai deklaroi se e gjithë kjo situatë ishte shkaktuar si pasojë e çmimit shumë të ulët të kromit në tregjet ndërkombëtare, çfarë ka sjellë që kompania të mos mbuloj dot kostot e nxjerrjes së mineralit.
Shumë kompani që kanë koncesione në Martanesh dhe Bulqizë, prej vitit 2018-të janë në krizë financiare për shkak të rënies së çmimit të kromit në bursa, duke zhytur në varfëri qindra familje që mbajnë frymën gjallë me punën nëntokë.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, gjatë vitit 2018, në galeritë e kromit punonin 3170 punonjës, ose rreth 1 në çdo 10 banorë të Bulqizës sipas censusit të vitit 2011. Kjo është pjesa dërrmuese e krahut të punës në qytet.
Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri dhe çdo vit ka aksidente të rënda me humbje jete. Disa ditë më parë, një 35-vjeçar humbi jetën në galeritë e kromit të administruara nga Albchrome.
(bulqizaime.al)