Udhëtim te Guva e Kojzakut


Nga Valdrin Vlesha

Në këtë shkëmb na paraqitën të skalitura, diku rreth 47 figura: 29 kryqe të thjeshta, 11 rozeta, 4 katrorë, një romb me figura të brendashkruara (e ngjashme me figure antropomorfe), si dhe dy figura të skematizuara.
Kjo Guvë, sipas prof. Adem Bungurit, përfaqëson një vend kulti pagan prehistorik të banorëve të kësaj zone. Rozetat simbolizojnë diellin, ndërsa kryqet yjet e kupolës qiellore.
Nëse kjo zone do ishte në nivelet e duhura të zhvillimit, mund të ishte një ndër vendet më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj. Sipas mendimit tim, ky piktogram mund të jetë një ndër faktorët kyq për zhvillimin e turizmit në zonën e Reçit. Ky vend ka nevojë për mbështetje, për promovim, ka nevojë për vëmendje, pasi edhe banorët e Dibrës nuk e njohin këtë thesar historik dhe të vlefshëm për kulturën e lashtë shqiptare.

Gjatë shfletimit të librit të prof. Adem Bungurit, “Prehistoria e Dibrës”, më kishte bërë përshtypje një përshkrim rreth Guvës së Kojzakut, e cila ndodhet në Reç. Për herë të parë për këtë vizatime në gur ka shkruar mjeku S. Prifti. Ai ka qenë i pasionuar pas arkeologjisë dhe njëkohësisht ka punuar në zonën e Dibrës, në Reç.
Më mjaftoi ky shkrim dhe pas një bisede telefonike me Haki Përnezhën – historian dhe Sokol Savën, një i pasionuar pas historisë, vendosëm që së bashku të bëjmë një vizijë në këtë vend kaq interesant që ndodhet në Reç. Dhe vendosëm ta bëjmë këtë vizië me 6 maj, në një ditë feste, në ditën e Shën Gjergjit, e cila në fshatrat e Dibrës festohet shumë.
Pasi u takuam me Sokolin, u nisëm për në Fushë Alie për të marrë profesor Hakiun – siç i thërrasim ne, te shtëpia e tij.
Për të shkuar në Reç duhet një makinë e llojit foristradë. Pasi kaluam fshatin Zall –Dardhë dhe morëm rrugën gjarpëruese për në Reç. Kjo rrugë njihet si “rruga e Rinisë”, e cila vazhdon rrjedhës së Drinit. Ndërsa ndjekim rrugën për në destinacionin tone, shikojmë përroin e Veleshicës, kufiri ndarës i krahinës së Lumës me krahinën e Dibrës. Gjithashtu, ky kufi përdoret edhe si “kufi” ndarës mes Leknis dhe Malësisë së Dibrës, “kufiri etnokulturor” midis Kanunit të Lek Dukagjinit dhe Kanunit të Skëndërbeut.
Në Verilindje të fshatit Draj-Reç ndodhet fshati Qafë-Draj që është dhe kufiri ndarës mes Dibrës dhe Kukësit. Gjatë kësaj rruge na shfaqet edhe maja e Korabit, bjeshkët e Gramës dhe shikimi ndalon aty ku fillon të derdhet lumi Drin në liqenin e Dibrës së Madhe, një pejsazh tepër mahnitës dhe mbreslënës.
Në vitin 1953, alpinisti nga Zelanda e Re, Edmund Hillary, do të tentonte që të realizonte një ngjitje për në malin Everest, por ngaqë nuk e njihte atë zonë ai mori një “Sherpa” – banor vendas për ta udhëhequr drejt majës. Në vendin e quajtur fusha e Vlade na priste Bujari, djali i tezës së Sokolit dhe që banonte në Draj – Reç. Bujari për ne do të ishte një “Sherpa” i cili do të na çonte në destinacionin tonë.
Rruga se vinte e vështirësohej. Kaluam fshatin Tharkë, makinën që erdhëm nga Peshkopia ishte e papërshtatshme për të vazhduar rrugën, ndaj morëm makinën e Bujarit që të shkonim te Guvat e Kojzakut.
Rruga nuk zgjati me shumë se 20 minuta. Arritëm në vendin e quajtur Brakat e Kalishtës. Zona ka shumë toponime që lidhen me arkeologjinë si “Lugu i Qytetit”, “Livadhi i gjatë”, “Sheshi i madh”, emra të cilët janë të përmendur edhe në librin e profesor Bungurit. Sipas profesor Adem Bungurit, këto emra njihen edhe si vendbanime antike dhe këtë e tregojnë gjetjet arkeologjike.
Ecëm për rreth 5 min, u ndeshëm me masivin shkëmbor të Kojzakut. Rruga ishte e mbushur me gurë dhe shkëmbinj, që për arsye natyrore ishin të shembura dhe gjendeshin në çdo pëllëmbë toke.
Ne vendin e quajtur “Kepi i keq”, i cili është një masiv shkëmbor i thikte diku me një gjatësi rreth 30m, shfaqet piktogrami, që zë një hapësirë relativisht të sheshtë me përmasa 1.80 x 1.80 po të kësaj faqeje.
Vizatimet fillojnë nga lartësia 1.30 mbi sipërfaqen e tokës deri në lartësinë 2.90m. Në këtë shkëmb na paraqitën të skalitura, diku rreth 47 figura: 29 kryqe të thjeshta, 11 rozeta, 4 katrorë, një romb me figura të brendashkruara (e ngjashme me figure antropomorfe), si dhe dy figura të skematizuara.
Kjo Guvë, sipas prof. Adem Bungurit, përfaqëson një vend kulti pagan prehistorik të banorëve të kësaj zone. Rozetat simbolizojnë diellin, ndërsa kryqet yjet e kupolës qiellore. Arkeologu Bunguri gjatë studimit kompozimin e ka ndarë në 3 sektorë A,B,C.
Ajo që mua dhe shoqëruesve na bëri përshtypje dhe na tërhoqi vëmendje ishte se në sektorin C ndodhej një zgjatim diku tek rreth 1.30m, me trashësi 10cm, si kafkë njeriu me shikim djathtas. Fillonte nga drejtimi i tokës dhe ngjitej sipër shkëmbit. Më shumë na ngjasoi më një gjarpër, ku koka ishte kafkë njeriu. Të gjitha këto qe unë kam shkruar janë thjeshtë një hipotezë që ju takon specialisteve që ta vërtetojnë.
Bujari, shoqëruesi ynë, na tregoi se më poshtë, me një intinerar prej 500m në ngjitje të masivit të “Kepit të keq”, kishte disa vrima që nxirrnin ajër të ftohtë dhe banorët tani vonë e kishin pagëzuar me emrin “frigoriferi”.
U mundova të bëj një shkrim të thjeshtë për ti përcjellë lexuesit disa nga thesaret historike që mbart zona jonë . Kjo vepër arti që ndryshe njihet edhe si “Arti shkëmbor”, na përcjell mesazhe nga paraardhësit tanë, që kanë lënë gjurmë nëpërmjet këtij arti.
Nëse kjo zone do ishte në nivelet e duhura të zhvillimit, mund të ishte një ndër vendet më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj. Sipas mendimit tim, ky piktogram mund të jetë një ndër faktorët kyq për zhvillimin e turizmit në zonën e Reçit. Ky vend ka nevojë për mbështetje, për promovim, ka nevojë për vëmendje, pasi edhe banorët e Dibrës nuk e njohin këtë thesar historik dhe të vlefshëm për kulturën e lashtë shqiptare.
Duhet që shteti ti marrë në ruajte, pasi shpesh herë janë dhe objekt i sulmeve shkatërrimtare nga të ashtuquajturit “thesar kërkuesit”. Por, lidhja mes floririt dhe kësaj piktograme nuk kanë lidhje, për arsye që koha e përdorimit të floririt është shumë e vonshme me kohë kur është ndërtuar ky piktogram.