KSENOMANIAKU


E kam zakon që në takime të shkoj disa minuta përpara. Këtë m’a ka rrënjosur në mëndje e ma ka bërë hobi të jetës një shoku im i viteve studentore. Ai thoshte se po qe se vonohesh në një takim, pritësi që në sekondat e para pasi akrepi ka shënuar orën e saktë, nis të të numërojë të metat e tua, madje të gërryej e të gërryej për të gjetur e sajuar anët më negative.
Kjo më ka ndodhur edhe mua kur kam pritur e… kam pritur njerëz të ndryshëm. Gjithnjë tek anët negative të tij kam ngulur kazmën e gërryerjes.
Sigurisht u ka ndodhur edhe juve…
Shoku im i emigracionit më mori në telefon dhe më tha që të takohemi tek Hondo Centër në Omonia. E kishte ftuar një “Njeri i Dëgjuar” nga Tirana dhe donte që të ishim bashkë në bisedë. Kjo, sepse në një takim me të pikërisht në të njejtën datë para një viti në Tiranë për të cilin më kishte folur me habi superiore, i dukej se do të kishte të njejtat fjalë dhe në qeskën plastike të njejtën kërkesë. Njeriu nga Tirana kishte ardhë në Athinë dhe i kishte kërkuar takim “tek hondoja”. Mezi ishin sqaruar derisa kishte kuptuar se bëhej fjalë për Hondo Centër në Omonia.
Unë zura një cep në sheshin para godinës së njohur tregtare pesë minuta përpara takimit. Para meje kishte shkuar “Njeriu i Dëgjuar” nga Tirana. Nën dorën e djathtë i varej një qeskë blu. Qeska ishte transparente dhe në të dalloheshin mirë tre libra goxha të trashë që pak a shumë rreth një kilogrami peshë rrrokulliseshin. Shikonte herë pas here orën dhe vente e vinte në një trajektore lëvizjeje që më kujtonte një mësues matematike të vendlindjes sime që pas shumë vitesh burgu politik ishte këthyer në profesionin e vet si nëndrejtor shkolle. Mësuesi-nëndrejtor, në pushimet midis orëve të mësimit dilte dhe bënte ecejake nëpër koridor. Kolegët në fillim u habitën nga ecejaket e gjata dhe të heshtura të tij derisa mësuan se kjo lloj lëvizjeje drejtvizore ishte refleks i lëvizjeve në pushimet që u jepeshin të burgosurve.
Unë e njihja “Njeriun e Nderuar” sepse kishte qenë pjesë e trupit gjykues ideologjik në provimin pasuniversitar të filozofisë marksiste-leniniste në Universitetin e Tiranës. Për të thonin (dhe unë e përjetova dramatikisht me një notë më pak sa meritoja) se kishte maninë që të bënte pyetje të holla në fushën e etikës dhe estetikës marksiste-leniniste që edhe ai, po ta pyeste ndokush i rangut më të lartë, turbull do t’u përgjigjej….
Nejse. Këto bëjnë pjesë në serialin filmik trunor “Përrallë nga e kaluara” dhe unë nuk do t’i fusja fare në kujtesën e trurit kompjuterik sikur ai të mos e kishte nisur bisedën pikrisht me këtë serial.
Shoku im u ngjit në shesh, me ndërmjetësinë e shkallës zinxhirore nga metroja e Omonias, fiks në orën e caktuar. Pasi tokëm duart dhe u pyetëm me njeri – tjetrin, shoku im tha që të ngjitemi në katin e shtatë të qendrës tregtare sepse atje, i kishte thënë vajza, është një lokal shumë i bukur dhe nga xhamat e mëdhenj mund të shohësh si në pasqyrën e përrallës jo vetëm sheshin Omonia poshtë por edhe krenarinë e Athinjotëve – Akropolin e lashtë.
Njeriun e Dëgjuar e lam në një vend që të kulloste sytë me pamjen dhe ne zumë rradhë për të marrë kafetë dhe anekset përkatëse sepse lokali ishte i llojit “vetëshërbim”. Për një moment sa nuk na ranë tabakatë në duar sepse Njeriu i Dëgjuar nuk ishte atje ku e kishim lënë. Pyetëm njeri tjetrin me zë goxha të lartë dhe vumë sytë në kërkim në tërë hapsirën sa një stadium basketbolli të lokalit. Kur e kapëm siluetën e tij sa nuk bërtitëm “Eureka“ apo “Evrika“ siç shqiptohej në greqishten e lashtë e siç shqiptohet edhe sot. Na tha se këtu i dukej Athina më bukur…Nejse, një njeriu të ditur që tërë jetën e tij është marrë me etikë dhe estetikë i lejohet të ndrrojë kursin e shikimit si të dojë e nga ku të dojë.
Ramë në bisedë, ose më mirë të them ai fliste dhe ne dëgjonim, ai ishte mësuesi e ne studentët, paçka se auditori ishte shumë i vogël, fliste një e dëgjonin dy. Gjene mirë se sot auditorët janë “flasin të tre njëherësh e nuk dëgjon asnjëri”.
Njeriu i Ditur kishte qenë i persekutuar. Kur ishte bërë ai, qarkullimi i madh, e kishin çuar nja dy-tre kilometra larg universitetit si drejtor në një kurs kuadrosh. Rrogën nuk ia kishin ulur. As auditorin e dhënies së leksioneve për studentët. Megjithatë, thotë ai, ajo kohë ka qenë koha më prodhimtare e tij në përgatitjen për botim dhe botimin e librave. Ia kishte gjetur çilen. Kishte vënë të japin leksione e të drejtonin nja dy vetë “me shkollë partie”. Ky për të ishte sakrilegji, dhuna që regjimi i diktaturës kishte ushtruar ndaj tij. Por ai, afër të tetëdhjetave në moshë, e ndjente veten të persekutuar edhe në demokraci. Në fillim e kishte nxjerrë në pension Berisha. Më tej, pas një rikthimi në punë, e kishte nxjerrë në pension Nanoja. Tani ishte rikthyer përsëri në punë. Shkruante dhe botonte libra. Jo me paratë e tij por me ato të shtetit. Kur tha këto ngriti qeskën lart dhe nxorri prej saj tre libra, njeri prej të cilëve, shkruar me gërma të vogla kompjuterike sa edhe gjysliket nuk i rroknin, i kalonte të gjashtëqind faqet. Kërkonte t’i përkthente në greqisht…
Shoku im e mori librin e trashë, e hapi, rregulloi syzet dhe nisi ta shfletojë. Ishte një libër që fliste për mitet dhe legjendat greke, për gjëra që ishin thënë e stërthënë, për ndodhi të kaluara gojë më gojë e të transformuara kohë më kohë, për burime skenarësh filmash të tipit “Zina” e filmash hollivudjanë. E pyes në se ka në libër pasqyrime dhe analiza për mitet shqiptare, për atë pasuri shpirtërore kombëtare që lidhet me kreshnikë e zana, me Mujo e Halilë, me Gjergj Elez Alia e bajlozë të zinj. Qeshi me ironi dhe më tha se librin e ka shkruar për grekërit e jo për shqiptarët. Shoku im ndërhyri dhe duke iu referuar tërë botimeve dhe filmimeve hollivudjanë e me karton, tha se për të tëra këto kanë shkruar e publikuar të huajt dhe se tema e miteve dhe legjendave të lashta greke është një temë e rrahur më shumë nga të huajt se grekët. Këtu ai në fillim u skuq e më pas u nxi. Pamja e tij më ngjau me pamjen e lypsit të rrugëve që ka fshehur këmbën nën pantollona për t’i treguar botës se është sakat, me çehren e lypsit kur dikush e shtyn dhe para njerëzëve del këmba e fshehur.
…Vite më parë për këtë njeri pata dëgjuar se kishte bërë një libër goxha voluminoz për një botues grek, libër të cilin e kishte përkthyer një nëpunës i botuesit dhe ishte shpërndarë anë e kënd Greqisë. Unë nuk e kam lexuar atë libër sepse së pari nuk më ka rënë në dorë dhe së dyti nuk e zotëroj aq thellë e gjërë greqishten sa të dal në breg i tharë. Shoku im që e kishte kaluar diagonal më pat thënë dikur se nuk ishte gjë përveçse një kronikë servilizmi, një përulje, një lypjeje e rëndomtë rruge.
…Edhe sot, në katin e sipërm të Hondo Center, po lypte. Kërkonte që të tre librat e tij, të botuara në shqip me paratë e taksapaguesve shqiptarë, t’i përkthente e t’i botonte në greqisht, t’ia përkthenin xhaba dhe t’ia botonin xhaba. Ani se ato libra nuk do t’i prekte kush me dorë, as grekë e as të tjerë. Atij i mjaftonte që librat të përktheheshin e të botoheshin në gjuhë të huaj, ta merrte vesh (e kush ta merrte?) se shqiptarët përgjëroheshin për të huajën, për të kaluarën dhe të sotmen, ishin ksenomaniakë të shkallës sipërore…
…Tek u futëm në ashensorin luksoz e po zbrisnim një nga një katet shoku im kaloi nëpër dhëmbë fjalën ministri…
…Vite më parë, në vjeshtën e 91-shit, ai kishte qenë dëshmitar okular i deklaratës së një ministri shqiptar të periudhës së tranzicionit. Ministri kishte deklaruar para autoriteteve vendase që e shoqëronin se ai nuk kishte as frigorifer, as lavatriçe as televizor me ngjyra dhe se këto ishin pasojë e diktaturës…Gazetarët, si të kishin përpara një lyps të rëndomtë rruge, kishin kruajtur xhepat dhe të nesërmen ministri kishte ikur për në zyrën e tij në kryeqytetin shqiptar i shoqëruar nga një furgon me tërë pajisjet elektroshtëpiake, inventar i zakonshëm i një familjeje të zakonshme !…
…Kur zbritëm në sheshin para qenrës së madhe tregtare në sheshin Omonia Njeriu i Nderuar ia la në dorë qeskën me libra që deri në ato çaste i varej si hejbe. Një vit më parë, kur ishin takuar në Tiranë ai ia kishte lënë për një çast në dorë qeskën me libra dhe pastaj ia kishte marrë përsëri. Sot nuk e mori me vete…
…Atë ditë në Athinë bënte vapë e madhe !
Ai priti dritën jeshile për të marrë harkun orar të rrethit të Omonias. Shoku im vuri këmbët në shkallët zbritëse të metrosë së qendrës së kryeqytetit grek. Unë prita të hapet drita jeshile dhe mora krahun antiorar të rrethit të sheshit me tregime e ndodhi të shumëta për mërgatën shqiptare të fundit të shekullit të kaluar, ndodhi që ndonjëherë do të tregohen si mite e legjenda.