Rafting në Dri, një risi e turizmit në Dibër plot surpriza dhe adrenalinë


Djemtë e “Black Drin Adventure” ofrojnë edhe destinacione të tjera turistike në Dibër, që përfshijnë edhe udhëtime në mal, duke bërë të mundur vizita në më shumë se 23 vende turistike dhe më shumë se 34 destinacione.

Veprimtaritë me rafting në lumin Drin i Zi janë një mundësi e mirë për të mbështetur të rinjtë e Dibrës t’i përkushtohen dhe të shfrytëzojnë zhvillimin e qëndrueshëm që të ofron bukuria e zonës.

Një shëtitje në lumin Drin nuk është vetëm një mundësi turistike, por edhe një kureshtje e madhe. Drini nuk është i njohur për sportin e ri të rafting-ut, por një grup djemsh nga Dibra kanë mbi 6 vite që e kanë futur këtë sport si një tërheqje të re për turistët, si një argëtim plot surpriza dhe adrenalinë.
Edi Truka, udhëheqësi i guidës, së bashku me guidat e tjera, Blerim Haliti dhe Orges Cara, janë duke përgatitur gomonet dhe mjetet e nevojshme për një udhëtim sa më të sigurt. Rafting-u në Dri lejon udhëtimin edhe të fëmijëve, por gjithmonë të shoqëruar nga prindërit dhe brenda numrit që mund të mbajë një gomone.
Nisja e udhëtimit tonë do të jetë pranë Urës së Topojanit, te Restorant “Drini”. Para nisjes mund të provoni mjaltin e freskët të restoranti, mund të pini një kafe ose mund të shihni peshkatarët që kanë hedhur grepat e tyre. Para nisjes guidat verifikojnë veshjet e posaçme për udhëtimin, si dhe japin këshillat për përdorimin e lopatave të ujit…

Gjatë udhëtimit mund të shohim një natyrë të egër, dushqet që kanë filluar të harlisen si dhe rosa të egra, çafka gri apo edhe skifterin dhe shqiponjën, të cilat e ndjekin udhëtimin tonë nga lart. Vende-vende, aty ku lumi krijon thellësi, mund të shohim edhe peshqit e vegjël.

“Kur të them ‘e majta para’, e djathta duhet t’u japë lopatave pas, dhe e kundërta, kur të them e “djathta para”, e majta duhet t’u japë lopatave pas”. Duket sikur është një lojë fjalësh, por Blerimi e “ngre” pak zërin: “Ju lutem, mos qeshni, vëmendjen këtu…”
Nuk është aq e vështirë sa kujton: është një gjë e thjeshtë kur ke vendosur këmbët në gomone në vendin e duhur dhe kur lopatën e mban i sigurt në dorë. Një provë në fillim për t’u mësuar me komandat “para”, “e majta” dhe “e djathta” dhe gomonia merr udhë…
Lugina e Drinit është e paeksploruar. Edhe banorët e këtyre anëve kanë parë pjesë-pjesë këtë luginë, sipas afërsisë së fshatit të tyre, por jo të tërën.
Rreth 8 km do të ecim gjatë rrjedhës së lumit dhe udhëtimi do të zgjasë afërsisht tre orë, në varësi të qëndrimeve gjatë rrugës dhe nivelit të ujit.
Ne nuk kemi shumë fat këtë ditë qershori, pasi Drini ka pak ujë dhe kjo do të thotë që duhet “t’u japim lopatave”. Një erë e lehtë që nisi nga fundi i udhëtimit kërkonte më shumë energji për ta çuar gomonen përpara.
Gjatë udhëtimit mund të shohim një natyrë të egër, dushqet që kanë filluar të harlisen si dhe rosa të egra, çafka gri apo edhe skifterin dhe shqiponjën, të cilat e ndjekin udhëtimin tonë nga lart. Vende-vende, aty ku lumi krijon thellësi, mund të shohim edhe peshqit e vegjël. Por bien në sy edhe plehrat dhe mbetjet urbane që vijnë nga përrenjtë anës lumit.
“Vitin e kaluar kemi bërë një aksion për pastrimin e mbetjeve, por përrenjtë sjellin akoma, duke e prishur peizazhin vende-vende” – thotë Edi Truka. Ai nuk harron të theksojë rëndësinë e madhe për ruajtjen e ekosistemit dhe ndalimin e vrasjes së peshqve me dinamit.
“Veprimtaritë me rafting në lumin Drin i Zi janë një mundësi e mirë për të mbështetur të rinjtë e Dibrës t’i përkushtohen dhe të shfrytëzojnë zhvillimin e qëndrueshëm që të ofron bukuria e zonës. Por, fatkeqësisht, përtej bukurisë përrallore, plasjet me dinamit, në mes të ditës, për të peshkuar na indinjojnë”.
Organizata që ai përfaqëson, “North Green Association” ka ndërmarrë “Ndal Dinamit” dhe në bashkëpunim me pushtetin lokal, shoqërinë civile dhe organet e rendit po përpiqen të ndalojnë gjuetinë e paligjshme. Për këtë arsye ata kanë krijuar edhe hashtagun #dinamitndal dhe #unejamDriniiZi, në mënyrë që të përfshijnë banorët në këtë projekt dhe të identifikojnë sa më shpejt shkelësit e ligjit dhe dhunuesit e natyrës.

Guida jonë, Edi Truka dhe Blerim Haliti, inspektojnë terrenin për një kalim të sigurt. Ata vendosin drejtimin nga do të mbajë gomonia dhe se si ana e majtë dhe e djathtë do të duhet t’u japë lopatave….

Ndalesa e parë është në Gradec. Lumi aty bie pak në një pjerrtësi mes gurësh dhe krijon dallgë, gjë që e rrisin adrenalinën. Ndërsa ne kemi mundësi të bëjmë fotografi, të lahemi në lumë dhe të shijojmë ndryshimin mes lumit të qetë si valë dhe valëve të rrëmbyeshme. Guida jonë inspekton terrenin për një kalim të sigurt. Ata vendosin drejtimin nga do të mbajë gomonia dhe se si ana e majtë dhe e djathtë do të duhet t’u japë lopatave. Aty edhe ne i japim të drejtë Blerimit në fillim të udhëtimit, që e ngrinte pak zërin dhe kërkonte vëmendje.
Megjithëse me pak ujë, valët kalojnë lehtë. Disa dallgë ngrihen lart dhe nuk shpëton kush pa u lagur. Guida jonë, Blerimi, që qëndron në fund të varkës, ka punën më të vështirë. Grupi i turistëve e kanë mendjen te adrenalina që të japin përplasjet, ndërsa ai mendon për sigurinë tonë.

Bimësia e egër brigjeve të Drinit…

 

 

 

 

 

 

Pas kalimit të Gradecit përpara kemi kanione të thella, ura të vjetra që lidhin fshatrat dhe mbeturina të ujësjellësit të prishur, që dikur lidhte fshatrat mes tyre.

Kalaja e Grazhdanit

Para ndalesës së Gradecit mund të shohësh rrënojat e kalasë së Grazhdanit. Ajo është shpallur Monument Kulture që në vitin 1963 dhe shtrihet në një terren të rrafshët, duke zënë një sipërfaqe prej 34 ha.
“Kalaja ndodhet në veri të pellgut të Dibrës, thuajse në mesin e rrugës që lidh qytetin e Peshkopisë dhe atë të Dibrës, përkatësisht në distancat lineare jugore dhe veriore 11 dhe 10 km. Ajo është vendosur në fushën e fshatit homonim, në perëndim të malit të Deshatit, midis përroit të Kamenicës në veri dhe atij të Bresnicës në jug.

Rëndësia historike e kalasë së Grazhdanit i ka nxitur thesarkërkuesit që t’i dëmtojnë muret e saj.

Muri lindor i kalasë kalon disa metra në lindje të rrugës nacionale, ndërsa ai perëndimor i afrohet bregut të djathtë të Drinit të Zi deri afër 2 km. Kalaja e Grazhdanit shtrihet në të gjithë këtë hapësirë, midis kuotave 550 – 593m, në një terren fushor në lindje dhe të pjerrët në perëndim.
Ajo ka një pozitë të rëndësishme strategjike në kontroll të rrugës së Drinit të Zi, që e lidh atë me dy arteriet më të rëndësishme transballkanike të periudhës romake: via Egnatian në Jug dhe atë Lissus – Naissus në veri. Rëndësia e kësaj pozite rritet edhe nga fakti se ajo ndodhet në pikëtakimin e provincave të Epirit të Ri, Macedonia Secunda, Prevalitanisë dhe Dardanisë. Kalaja e Grazhdanit është monumenti më i madh sipërfaqësor i rajonit të Dibrës dhe castrumi më i madh në Shqipëri e ndër më të mëdhatë në rajon. Për përmasat e saj ballkanike e mesdhetare dhe pozitën qendrore në luginën e Drinit të Zi, ajo ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve, mes të cilëve gjeologu dhe gjeografi francez A. Boué, sipas të cilit Grazhdani zinte një vend qendror në sistemin rrugor ndërkrahinor. J. G. Hahn mund të konsiderohet si studiuesi i parë serioz i kalasë së Grazhdanit. Që në vitin 1863 ai shënonte se territori kur është ndërtuar kjo kala njihet me emrin “shehër” dhe mendon se aty duhet të ketë pasur një “qytet të rëndësishëm dhe të lashtë”, i cili ishte rrënuar përdhunisht dhe nuk ishte rindërtuar përsëri në të njëjtin vend. Shënime interesante mbi këtë kala ka lënë edhe konsulli rus në Shkodër, I. S. Jastrebov. Sipas tij, kalaja e Grazhdanit nuk ka qenë as qytet e as kala, por “një koloni e vjetër romake në rrugën Egnatia për në veri”. Ai mendon se në periudhën romake “Grazhdani duhet të ketë qenë qendra e të dy Dibrave”, por beson se “ si çdo qytet romak ishte rrënuar plotësisht nga Atila”.
Informacionet e mësipërme rreth Kalasë janë citime nga një studim i prof. Adem Bungurit, botuar në vitin 2009, por dy guidat lokale në Dibër, Grehans Uka dhe Orges Cara, flasin jo vetëm për Kalanë e Grazhdanit, por edhe për kalatë e tjera në Dibër, për historinë e Kastriotëve, etj. Ata janë trajnuar nga organizata të ndryshme joqeveritare për të njohur vendet historike dhe monumentet natyrore, për t’u përcjellë turistëve informacion të saktë dhe të shkurtër, pa i bezdisur me hollësi.
Rëndësia historike e kalasë së Grazhdanit i ka nxitur thesarkërkuesit që t’i dëmtojnë muret e saj. Ajo shihet me sy të lirë gjatë vozitjes dhe përpjekjet për të ndaluar fenomenin, por çon në dëmtime të sajteve arkeologjike jo vetëm në Kalanë e Grazhdanit, por të të gjitha vendeve ku populli njeh një kala të vjetër apo një kishë.

Një ndalesë te Kanioni i Fluturave

Një ndalesë më e gjatë dhe e përhershme është te Kanioni i Fluturave. Aty mund të pihet një kafe, një gotë raki, mund të shihen shumëllojshmëri fluturash, si dhe mund të ngjitesh mbi urën e rikonstruktuar për foto të bukura dhe peizazhe fantastike.

Guida jonë, Blerim Haliti, që qëndron në fund të varkës, ka punën më të vështirë. Grupi i turistëve e kanë mendjen te adrenalina që të japin përplasjet, ndërsa ai mendon për sigurinë tonë.

Gjatë udhëtimit, ndërsa i afrohesh Luznisë, shihet në majë të një kodre kulla e rrënuar e Elez Murrës, një udhëheqësi popullor i rezistencës antiturke. Një projekt për të rindërtuar kullën, në një mënyrë që të ndërthurë historinë me turizmin, mund ta kthente zonën në një pikë të rëndësishme turistike, ashtu siç është kthyer tashmë “Kanioni i Fluturave”.

 

 

 

 

Një ndalesë më e gjatë dhe e përhershme është te Kanioni i Fluturave. Aty mund të pihet një kafe, një gotë raki, mund të shihen shumëllojshmëri fluturash, si dhe mund të ngjitesh mbi urën e rikonstruktuar për foto të bukura dhe peizazhe fantastike.

Qetësi te “Kanioni i Fluturave”…

Ura ka qenë e dëmtuar vitet e fundit. Dikur ka funksionuar për lidhjen e fshatrave në dy anët e lumit, Pejkë dhe Hotesh, ndërsa këtë vit është rikonstruktuar falë një projekti ndërkufitar të organizatës “Cross-Border Biking”, me qëllim ringjalljen e turizmit malor dhe ecjes me biçikleta. Kjo urë tashmë është funksionale jo vetëm për turistët apo të pasionuarit e udhëtimeve me biçikleta, por do t’u shërbejë drejtpërdrejt rreth 4500 banorëve në dy anët e lumit.

Pasi lë pas Kanionin e Fluturave, udhëtimi po shkon drejt fundit. Deri te ndalesa në Luzni ka akoma shumë për të parë: kryesisht një natyrë të paprekur, vende-vende me lëndina të bukura, me pyjet e dushkut që po rigjallërohen dhe me bimësi të dendur e të egër anës lumit.
“Mund të vazhdohej më gjatë, por deri këtu është e mjaftueshme për ata që duan ta provojnë këtë sport ujor”.

Gjatë udhëtimit, shihet në majë të një kodre kulla e rrënuar e Elez Murrës, një udhëheqësi popullor i rezistencës antiturke. Një projekt për të rindërtuar kullën, në një mënyrë që të ndërthurë historinë me turizmin, mund ta kthente zonën në një pikë të rëndësishme turistike

Edi Truka tregon se kanë kryer një vëzhgim gjatë gjithë rrjedhës së Drinit dhe një guidë e re mund të jetë udhëtimi nga Zall Dardha deri në Skavicë, të cilët janë duke bërë përgatitjet e fundit dhe së shpejti edhe ky udhëtim do të shtohet në listat e guidave të rafting-ut.

Si të përgatiteni për udhëtimin

Që të realizoni dëshirën tuaj për rafting në Dri, mjafton të jeni mbi 6 vjeç. Grupet fillojnë nga 6 persona deri në 10, por në qoftë se shoqëria juaj nuk është aq, mos u demoralizoni. Ka të tjerë si ju që, duke rezervuar, bëheni grupe të ndryshme për më shumë shoqëri dhe adrenalinë.
Nëse mendoni se bie shi, mos e anuloni rezervimin. Shiu i verës vetëm i shton emocionet e udhëtimit.
Nuk duhet të keni frikë: guida njihet zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Rafting. Kanë një licensë profesionale dhe kanë kaluar provimet rigoroze të marrjes së licencës, si dhe kanë njohuri të përsosur për çdo rast.
Siguria juaj është prioriteti kryesor i guidave të “Black Drin Adventure”. Me mbi 6 vjet përvojë në organizimin e aktiviteteve në natyrë dhe sporteve ekstreme në Qarkun e Dibrës, siguria dhe cilësia janë gjithmonë të parat.

Kini parasysh se pajisjet tuaja elektronike do të lagen në qoftë se i mbani për të bërë video dhe fotografi. Nëse nuk keni mundësi t’i siguroni kundër lagies, guidat do të kujdesen për celularët tuaj dhe do të sigurohen që ju të keni foto dhe video si kujtim.
Ju duhet të kujdeseni për veshjet personale të nevojshme për një zbritje rafting. Duhet të keni rroba banje ose pantallona të shkurtra, atlete ose veshje të përshtatshme për sportet ujore, këmishë ose bluzë me mëngë të gjata, peshqir dhe ndërresa. Një person nga guida do t’ua sjellë çantën tuaj në pikën e zbritjes.
Guidat do t’ju ofrojnë xhaketë shpëtimi dhe kaskë mbrojtëse, sigurisht të pastruara dhe të dezinfektuara, për një udhëtim të qetë dhe të sigurt.
Çmimet e rafting-ut nisin nga 35 euro/personi; ndërsa ofrohen edhe guida të plota 2-ditore me udhëtim nga Tirana dhe kthim, qëndrimi në hotel, ushqim, rafting dhe veprimtari të tjera për një çmim që nis nga 96 euro.

Djemtë e “Black Drin Adventure” ofrojnë edhe destinacione të tjera turistike në Dibër, që përfshijnë edhe udhëtime në mal, duke bërë të mundur vizita në më shumë se 23 vende turistike dhe më shumë se 34 destinacione.
©Fotot dhe teksti: B.Karoshi