Qeveria ecën përpara me projektin e Skavicës, firmos me ‘Bechtel’ fazën e parë të ndërtimit


Balluku: “Faza e parë përfshin kryesisht të gjithë punën përgatitore për sa i përket të gjitha studimeve që do të bëhen, duke nisur nga studimi ambiental, ai gjeologjik, ai teknik, social që është shumë i rëndësishëm dhe deri në përfundimin e kësaj faze, duke kaluar pastaj në fazën e dytë”.

Foto nga nënshkrimi i kontratës së fazës së parë për ndërtimin e HEC Skavica. Foto: MEI

Qeveria shqiptare ka nisur fazën e parë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, “një projekt me rëndësi të veçantë në sektorin elektro-energjetik shqiptar”, siç e konsideron ajo.
Në prani të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Justin Siberell, President Rajonal për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme të “Bechtel Infrastructure” është nënshkruar kontrata për fazën e parë të këtij projekti mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompanisë amerikane Bechtel.
“Është një kënaqësi të ndodhemi këtu sot dhe të materializojmë një projekt kaq të rëndësishëm për qeverinë shqiptare, por sigurisht mbi të gjitha për sektorin elektro-energjetik shqiptar. Kemi nisur prej kohësh një punë intensive dhe jemi munduar që t’i ruajmë të gjitha limitet kohore dhe afatet që kemi patur para nesh, pavarësisht situatës së vështirë të pandemisë edhe distancës që kemi pasur me njëri-tjetrin”, tha në fillim të fjalës së saj ministrja Balluku.
Gjatë fjalës së saj Balluku thuri elozhe ndaj kompanisë amerikane, por edhe për skuadrat e punës së KESH dhe Ministrisë.
“Duke qenë se pala tjetër për realizimin e kësaj kontrate është një nga kompanitë amerikane më të mëdha dhe më të suksesshme në fushën e infrastrukturës, pra, kompania “Bechtel”, por megjithatë, puna e mirë është bërë nga të gjithë skuadrat, si skuadra e KESH ashtu dhe “Bekhtel”, dhe sigurisht edhe skuadra që koordinon, ajo e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”.
“Këto kanë bërë që të arrijmë sot në një moment shumë të rëndësishëm, do ta quaja historik për sa i përket kësaj kontrate. Pra, firmosjen e kontratës për fazën e parë të ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës”.
Sipas Ballukut, ‘faza e parë përfshin kryesisht të gjithë punën përgatitore për sa i përket të gjitha studimeve që do të bëhen, duke nisur nga studimi ambiental, ai gjeologjik, ai teknik, social që është shumë i rëndësishëm dhe deri në përfundimin e kësaj faze, duke kaluar pastaj në fazën e dytë”.
Në fjalën e ministres Balluku nuk ka asnjë dyshim se puna për ndërtimin e Skavicës do të vazhdojë. Gjatë fjalës së saj lë të kuptohet se procedura e fazës së parë është vetëm një formalitet, që do të arrijë në rezultatet dhe përfundimet e dëshiruara prej qeverisë.
“Në këtë fazë kemi 18 muaj në dispozicion, të cilat do të shërbejnë për të gjitha ekipet për të bashkëpunuar, për të koordinuar dhe për të prodhuar materialet, të cilat sapo kam përmendur dhe më pas me të gjithë shpresën e mirë, që brenda këtyre 18 muajve do jetë koha e duhur pavarësisht se volumi i kësaj pune është gjigant, por ne do t’ia dalim që brenda 18 muajve që të dorëzojmë një produkt të mirë, i cili më pas do të na hapë rrugën për të kaluar në fazën e dytë dhe për të firmosur atë kontratë, e cila është kontrata e ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës”.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Balluku iu drejtua edhe publikut, me dëshirën e mirë që ai të kuptojë se kundërshtimet ndaj këtij projekti janë të kota dhe se përfitimet që vijnë janë më të mëdha dhe më të rëndësishme.
“Do të desha të thoja disa elementë të rëndësishëm, më tepër për publikun, për të kuptuar edhe njëherë pse ky projekt është kaq i rëndësishëm. Shpeshherë më ndodh që më pyesin cila është arsyeja që Skavica është ndryshe nga hidrocentralet e tjerë? Apo çfarë presim nga Skavica? Skavica është ndryshe nga hidrocentralet e tjerë të kaskadës së Drinit, për arsyen sepse është hidrocentrali, i cili do të luajë rolin e një rregullatori për hidrocentralet ekzistuese. Pra, jo vetëm do të rrisë me 20 për qind prodhimin vendas të energjisë elektrikë të prodhuar nga hidrocentralet në Republikën e Shqipërisë, por nga ana tjetër do të optimizojë dhe do të rrisë kapacitetet prodhuese dhe të hidrocentraleve ekzistuese sot në Kaskadën e Drinit”.
Ashtu si edhe në të kaluarën, kur flet për Skavicën, qeveria e ka mendjen te fusha e nën Shkodrës dhe nuk flet asnjë fjalë për fushën e Dibrës.
“Një element shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe me gjithë projektin, që ka qenë një projekt, siç ne e quajmë shpesh një ëndërr në sirtar të çdo qeverie, është minimizimi i përmbytjeve në fushën e nën Shkodrës. Pra, me ndërtimin e këtij hidrocentrali, me basenin që krijohet dhe të gjithë optimizimin e kësaj kaskade, ajo që ne do të ndjekim menjëherë do të jetë minimizimi i këtyre përmbytjeve dhe kontrolli i të gjithë derdhjeve i periudhës së shirave, pra, që përkon nga vjeshta deri në pranverë”, tha ministrja Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës u kujdes të thurte elozhe për Bechtel si dhe të përcjellë mesazhin se kjo kompani është zgjedhur në bashkëpunim me qeverinë amerikane, dhe si e tillë ajo do të dijë t’u japë zgjidhje problemeve sociale që do të dalin në zonë.
“Gjithashtu, çfarë është e rëndësishme të thuhet, – vazhdoi në fjalën e saj Balluku, – është se që në fillimet tona, kur jemi ulur me Bechtel, ne kemi qenë shumë të qartë dhe ata e kanë mirëkuptuar shqetësimin tonë, për sa i përket të gjithë impaktit social që ky projekt do të ketë në zonë. Bechtel është zgjedhur nga qeveria shqiptare edhe nga qeveria amerikane edhe për një arsye tjetër, për shkak të eksperiencës të pëlqyer që ka pasur në menaxhimin e projekteve të mëdha, infrastrukturore, por që padyshim krijoi një impakt social. Bechtel e ka këtë eksperiencë, është një nga kompanitë që di të menaxhojë më mirë se kushdo të gjithë raportin me grupet e interesit që ndodhen në zonat ku ndërtohen këto projekte, kështu që ne jemi besimplotë që gjithçka do të zgjidhet në të mirë të banorëve të zonës dhe padyshim në të mirë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për sa i përket pra sistemit elektro-energjetik dhe, pa asnjë dyshim, edhe në të mirë të të gjithë rajonit” – përfundoi Balluku.
Justin Siberell, President Rajonal për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme të “Bechtel Infrastructure”, gjatë fjalës së tij tha se “ne të Bechtel jemi shumë të kënaqur që bashkëpunojmë me qeverinë e Shqipërisë në këtë projekt historik dhe të rëndësishëm”.
“HEC i Skavicës do të sjellë të mira domethënëse për Shqipërinë. Përfshirë këtu 210 MWh të shtuar të energjisë së pastër të ripërsëritshme dhe vetëmjaftueshmëri të prodhimit të energjisë për Shqipërinë dhe kontrollin e përmbytjeve sezonale”, tha Siberell.
“Me marrëveshjen e sotme ne menjëherë do të fillojmë punët e hershme për të mbështetur këtë projekt. Kjo do të përfshijë projektin e detajuar, hetimin dhe studimin gjeoteknik, rrugët paraprake të ndërtimit dhe përfundimin e vlerësimit të ndikimit social dhe mjedisor në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare”, theksoi Siberell.
Nënshkrimi i kontratës së fazës së parë për ndërtimin e HEC Skavica u bë nga Drejtori i KESH, Ergys Verdho për palën shqiptare dhe Andrew Patterson, Drejtues Global i Business Development dhe Manaxher i Projekteve të Mëdha për Bechtel Infrastructure.
Verdho, në një postim në Facebook e cilësoi hidrocentralin e Skavicës si “një ëndërr të mbetur pezull që nga koha e projektimit të kaskadës së lumit Drin në vitet ‘60”.
“Në funksion të rritjes së kapaciteteve gjeneruese, të cilat do t’i shërbejnë interesave të KESH, firmosëm sot me kompaninë Bechtel kontratën për fazën e parë të projektit më ambicioz të Qeverisë Shqiptare, projekt i cili do ta shndërrojë në lider të padiskutueshëm në sektorin elektro-energjetik në rajon si edhe eksportues të energjisë elektrike. Ky Hidrocentral do jetë një rregullator si në gjenerim, ashtu dhe në konservim të rezervës hidrike”, shkruan drejtori i KESH.
Nga Zyra e saj në Londër Bechtel publikoi lajmin e marrëveshjes në faqen e saj në Internet.
“Bechtel është i kënaqur që u zgjodh si partner në ndërtimin e digës së Skavicës. Ne e dimë që ky është një projekt i rëndësishëm kombëtar dhe shpresojmë të punojmë me KESH si partner dhe të angazhojmë kompani lokale, një zinxhir furnizimi dhe njerëz në vend për të arritur përfitimet e menjëhershme dhe afatgjata ekonomike që vijnë me ndërtimin e një vepre të kësaj madhësie”, citohet Andrew Patterson, menaxher i projekteve të mëdha të Bechtel.

“Skavica”, një historik i dështimeve që nga viti 2005

Projektet me ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës kanë qenë vazhdimisht në qendër të qeverisë shqiptare.
Në vitin 2005 qeveria shqiptare dështoi t’ia jepte hidrocentralin një kompanie italiane. Në fund të vitit 2008 gjashtë kompani morën pjesë në një tender për marrjen me koncension të saj, por tenderi dështoi dhe qeveria nuk njoftoi për shkaqet e dështimit. Pas kësaj, në vitin 2013 qeveria shqiptare shpalli ambicien për ta ndërtuar vetë hidrocentralin. Në vitin 2014, pas ardhjes në qeveri të Partisë Socialiste, pati tentativa për t’ia dhënë hidrocentralin disa kompanive kineze të njohura në këtë fushë, por edhe në këtë drejtim pati dështime. KESH në këto kohë bëri publike ambiciet e saj për të ndërtuar dy hidrocentrale mbi Drin, një Skavicë në kuota të ulëta dhe HEC e Katundit të Ri. Në fund të vitit 2015 qeveria shqiptare i dha një kompanie turke bonus për ndërtimin e HEC të Katundit të Ri, por ky zhvillim pati reagime të ashpra edhe në parlament në fillim të vitit 2016. Damian Gjiknuri, ish-ministër i Energjisë në atë kohë, mbrojti variantin me dy diga.
“Vlera që pretendohet për shpronësimet janë të tilla që projektin e bëjnë të pamundur. Njerëzit atje do të privohen nga çdo lloj mënyre jetese për të ardhmen, duke kërkuar një zhvendosje dhe kompensim. Vlera e tokës mund të shkojë shumë lart dhe projekti shkon në kuadrin e disa miliardë dollarëve, që për mua pastaj bëhet utopi”, – thoshte në atë kohë Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë, gjatë një takimi me donatorë.
Skavica u rikthye sërish, këtë herë pa zhurmë në Samitin e Triestes më 12 korrik 2017, ku Shqipëria përfitoi mbështetje për zhvillimin e hidrocentralit. Ky lajm u mbajt i fshehtë nga qeveria në atë kohë.
Por rezultatet e Samitit të Triestes filluan të dalin në fillim të vitit të kaluar, kur kryeministri Rama shprehu angazhimin për ta ndërtuar Skavicën me 100% financim shtetëror. Në atë kohë, drejtori i KESH Benet Beci, bëri publike planet për dy opsionet e Skavicës, me një dhe dy diga.
Por në tetor 2020, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë amerikane Bechtel për ndërtimin e Skavicës. Marrëveshja ngjalli reagime dhe protesta, me gjithë aktin normativ në fuqi që ndalonte tubimet. Dy nga drejtuesit e shoqatës që kundërshtojnë Skavicën mbajnë akoma një gjobë prej 5 milionë lekësh.
Pas marrëveshjes me Bechtel, Komisioni Evropian që kishte dhënë mbështetje për zhvillimin e projekteve, u tërhoq, duke i kërkuar qeverisë shqiptare të bënte transparente marrëveshjen me kompaninë amerikane.
Qeveria shqiptare në mars të këtij viti miratoi në parlament ligjin e posaçëm që i hap udhë ndërtimit të Skavicës nga Bechtel. Ligji u miratua në parlament me 93 vota, vetëm 3 kundër.
Pas nënshkrimit të kontratës së fazës së parë, Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi ka bërë thirrje për protesta.
B.Karoshi