Alma Cani dhe Edmond Puca marrin titullin “Qytetar Nderi” të Bulqizës


Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka nderuar me titullin “Qytetar nderi” dy mjekët e njohur, Alma Cani dhe Edmond Puca, për kontributin e tyre në fushën e mjekësisë, kryesisht gjatë periudhës së pandemisë.
Dhënia e titujve të nderit u krye në dy ceremoni të ndara, në prani të personaliteteve të ndryshme, anëtarëve të këshillit bashkiak, miqve dhe familjarëve.
Ceremonia e dhënies së titullit për Dr. Edmond Puca u zhvillua më 5 qershor 2021. Titulli “Qytetar nderi” iu dha mjekut Puca me motivacionin “Për veprimtari të shquar në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive dhe për kontribut të çmuar profesional në përballimin e situatës së pandemisë të shkaktuar nga Covid-19”.
Gjatë ceremonisë, kryetari i bashkisë Lefter Alla tha se “Dr.Puca shquhet për një karrierë të gjatë në sektorin e shëndetësisë, duke kontribuar sa në angazhimin profesional në ndihmë të pacientëve nëpër spitale, po aq edhe për produktin shkencor që ka ofruar në këtë drejtim. Ai tashmë është nga emrat e njohur të mjekësisë shqiptare, ku përmes pjesëmarrjeve në konferenca shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, publikimeve të shumta në periodike vendase dhe të huaja, ka arritur të përfaqësojë denjësisht shkencën shqiptare”.
Gjatë fjalës së tij, Alla tha se “Dr.Mondi, me punën dhe përkushtimin e tij është kthyer në një pikë motivimi për shumë të rinj bulqizakë. Është detyra jonë të vlerësojmë dhe promovojmë siç duhet kapacitetet intelektuale të bashkive, qoftë për t’u dhënë atyre vlerësimin e merituar, po ashtu edhe për të zhvilluar vizionin e brezave drejt arritjes së suksesit. Shembulli i dr.Mondit është nga rastet e veçanta për të treguar se për më të mirët gjithmonë ka perspektivë. Nuk mjafton të lindësh dhe rritesh në qendër të metropoleve për të qenë i suksesshëm në jetë. Mjafton vullneti dhe dëshira e mirë për të punuar dhe ecur përpara, dhe suksesi do të jetë i garantuar për gjithkënd.”
Ceremonia për dhënien e titullit mjekes së njohur Alma Cani u zhvillua më 20 qershor në pallatin e Kulturës së Bulqizës. Në ceremoninë e organizuar merrnin pjesë shumë emrave të njohur nga arti, kultura, media, politika, akademia dhe shumë të afërmve e kolegëve të saj.
Dr.Alma Cani, mori titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin “Për veprimtari të shquar në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive dhe për kontribut të çmuar profesional në përballimin e situatës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19”.
Pjesëmarrësit në takim, mes të cilëve edhe aktori i njohur i humorit, Agron Llakaj, ndanë me të pranishmit mbështetjen që Dr.Cani u kishte dhënë gjatë periudhës kur kishin qenë të infektuar me Covid-19. Të tjerë emra si Tritan Shehu, Ardit Gjebrea, Inva Mula, Zala Çela, Manjola Nallbani etj., përmes video-mesazheve vlerësuan kontributin dhe mbështetjen e Dr.Canit gjatë përballimit me sëmundjen.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Lefter Alla e vlerësoi figurën e Dr.Canit si një vlerë jo vetëm për Bulqizën, por për të gjithë Shqipërinë. “Aftësitë e saj profesionale, të bëra bashkë me humanizmin që e karakterizon atë, u kthyen në shpresë dhe shërim për gjithkënd që iu drejtua qendrave spitalore ku ajo angazhohej, kryesisht në reanimacionin pranë klinikës së kirurgjisë në Spitalin Universitar Shefqet Ndroqi.”, tha ai.
Kryetari i Bashkisë, Lefter Alla vlerësoi, gjithashtu, edhe figurën e babait të saj, mjekun e njohur Dr.Mehdi Cani.
“E sigurisht, nuk mund të ndodhte ndryshe, kur doktoreshë Alma ishte edukuar nga dy prindër të mrekullueshëm, nga një baba si Mehdi Cami, i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e qendrës shëndetësore në Bulqizë që në vitet 1950-1960, e që më pas arriti të hapte dhe organizonte edhe pavijonet e pediatrisë, kirurgjisë, infektivit e tjerë. Mirënjohje të thellë edhe për Dr.Mehdiun, i cili edhe sot e kësaj dite kujtohet si një nga mjekët më të mirë që kemi pasur në qytetin tonë, por edhe në Peshkopi ku shërbeu për vite me radhë”, tha në fjalën e tij kryetari i bashkisë së Bulqizës.
Alma Cani dhe Edmond Puca, gjatë përshëndetjeve të tyre në ceremonitë përkatëse e titullin “Qytetar Nderi” si më të rëndësishmin që kanë marrë gjatë karrierës së tyre. Teksa falënderuan Këshillin Bashkiak Bulqizë, kryetarin e bashkisë dhe të pranishmit në ceremoni, ata u shprehën se ky titull do të shërbejë si një burim motivimi për t’iu përkushtuar edhe më shumë profesionit të tyre, në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.