Hysen Kuka, biri i rrallë i Rremullit të Matit


 

Hysen Kuka është bir i Rremullit të Matit, i njohur për cilësitë tipike të malësorit të kësaj zone me emër, që manifestohen te shpirt-liria, dituria, thjeshtësia, krenaria për gjurmët e djersës së punës, për familjen fisin, për vendlindjen e tij.
Ai u lind më 9 korrik 1942 në Rremull. U edukua nga prindër atdhetarë, pa harruar traditën e fisit që e mëkojmë me bujarinë e shpirtbardhësinë.
Gjithë këto vlera Hysen Kuka nuk i përvetësoi për inerci, por diti që ato t’i përçojë, me çfarë i sillte si mundësi, edhe formimi i tij vetjak.
Që në shkollën 7-vjeçare të Rremullit si dhe në shkollën e mesme për zooteknik pranë Institutit të Lartë të Veterinarisë, pastaj në studimet e tij (1968-1972) në Institutin “Vojo Kushi” për kulturë fizike, ai mundi të korrë rezultatin e studimeve të tij, që i kishte përgatitur me korrektesë e vullnet.
Duke punuar më pas në gjimnazet “Haki Fejza” dhe “28-Nëntori” në Mat si mësimdhënës i lëndëve edukim fizik dhe ushtarak, Hysen Kuka u dallua për përkrahjen e talenteve të reja, në respektimin e rregullave dhe normave shoqërore, si dhe në ndërtimin e urave të komunikimit me komunitetin.
Këto ditë e rilexova edhe një herë librin e Bajram Canametit “Rremulli-zemra e Matit” dhe u ndala te shkrimi “Bir i Rremullit Hysen Kuka” (f.313-314) dhe, midis të tjerash, shkëputa këtë pasazh:
“Hyseni ishte bir i Hazis Kukës, një burrë i rrallë, i ndershëm dhe i zgjuar, human dhe i sakrificës; prandaj Hyseni qëndroi përballë stuhive të politikës që u lëshuan mbi të si një breshër i çmendur. Ai punoi dhe drejtoi me durim e modesti, dhe këmbëngulje, me drejtësi dhe sinqeritet, pa u korruptuar dhe pa u përkulur. Remulli krenohet me birin e tij, që u priu matjanëve për një ndryshim të sistemit shoqëror pas 45 vitesh të pushtetit monist”.
Hyseni, përmes meritës u gjend gjithnjë në ballë të veprimtarive, pa urrejtje, pa zemërata apo etje karriere, gjithnjë përmes guximit dhe të shpirtmirësisë për t`i gjykuar njerëzit pa ngjyra partiake.
“Si intelektual i provave dhe i vlerave organizative, ai ishte veprimtari i përkushtuar për demokracinë e vërtetë” – shprehet Haxhi Losha, një nga farmacistët më të mirë të Matit.
Si bir i Rremullit të Matit, Hyseni ka kaluar nëpër sprova të vështira, por gjithnjë ka ditur t`i përballë ato me durim e zgjuarsi. Për këtë, dhe për të, mund të bëhen dhjetëra shkrime, pse jo, edhe monografi. Edhe pse kanë shkruar të tjerë për të, për bashkëshorten Farije – ndjesë pastë, sërish për jetën e njeriut të vërtetë gjenden momente që nuk janë prekur dhe ndriçuar.
Kur shoh një fotografi të Cen Kukës si futbollist, ajo më shpie ndër vite të shkuara dhe vetvetiu ndjek me sytë e mendjes pasionin e tij për sportin dhe sesi ai me këtë arriti të japë aq sa mundej në atë kohë në këtë fushë.
18 vite futbollist, mësues e veprimtar, një jetë e mbushur me emocione dhe përgatitje të lartë. Shoqëria, e veçanërisht vëllezërit e tij Mehmeti e Neziri, motrat Hane, Bardha, krenohen me të. Është një krenari e ligjshme.
Ai të flet për shokët, për fisnikërinë matjane, si dhe, në kujtesën e tij, janë gdhendur futbollistët, që krahas tij, kanë bërë epokë në Mat si: Zyber Xhetani, Astrit Maçi, Qirjako Kola, Shefki Çupi, Dali Farruku, Bashkim Mata, Edison Muça e plot të tjerë. Në këto vlerësime të tij gjen vend një shprehje e urtësisë matjane: ”I miri vlerëson të mirin, se është vëlla me xhevahirin, i ligu përbuz të mirin, se është njësoj me vampirin”.
Ky nderim i tij shtrihet më gjerë si për Esat Rukën – “Mjeshtër i Madh”, Bajram Canametin – poet, studiues dhe publicist, autor i disaa librave me poezi e sidomos me studime biografike, për Kastriot Xhelal Selitën, për Bajram Çupin – ish-mësues i Cenit, Hamit Osmanin – mjek, Gjergj Xhaçkën, Islam Kosovën, Taxhedin Shehun e plot të tjerë.
Hysen Kuka është një arkiv jetësor, shembulli i njeriut – demokrat e me vlera, kryetar i parë i PD, Mat-Martanesh, ish nënprefekti i parë i Matit, ”Qytetar Nderi” së bashku me mësuesen e talentuar Farie Kuka, bashkëshorte e tij.
Hyseni gjithnjë ka ditur të mësojë nga shokët, por pa harruar të jetë vetë në ballë të punës dhe të përvojave vetjake e kolektive. Modest, kurrë nuk flet për vete, por krenohet për fisin, me të parët, Gjergj, Pal e Hoxhë Kukën. Pal Kuka si katragjysh i Cen Kukës, e ka emrin të shkruar në pllakë në Krujë si gjeneral dhe si besnik i Skënderbeut.
Kur lexova shkrimin “E lindur dhe e përkushtuar për fëmijët” të autores Mimoza Keçi, zëvendës-drejtoreshë e shkollës së mesme të Burrelit “28 Nëntori”, mora të dhëna dhe mësova për portretin e Farie Kukës (Kaziu), si mësuese e talentuar dhe mjeshtre e didaktikës dhe komunikimit pedagogjik me nxënësit. Ajo nuk jeton më, sepse më 2 maj 2020, u nda nga jeta.
Hyseni me Farien ka rritur dhe edukuar dy djem: Arbenin dhe Sajmirin, ky i fundit, specialist e mjeshtër, drejtues i Elektrikut. Me bashkëshorten e nderuar mjeken Alkida u prijnë punëve me përkushtim.
Njerëz të tillë bëhen shembull frymëzues për ata që i njohin e bashkë me atë që kanë shënuar si prova të vitalitetit jetësor dhe shoqëror, sjellin njëkohësisht edhe gjurmët e kohës, duke dëshmuar se koha nuk ka qenë e lehtë, por nëse e kupton atë dhe ndjek rrjedhat e saj me ndershmëri, ia del dhe ke me çfarë krenohesh. I tillë është Hysen Kuka, ky intelektual i Matit dhe njëkohësisht njeri i provave që transmetojnë vlera…