Kontribut në zhvillimin e novelistikës sonë


 

Pas romanit “Kur vdiste Kanuni”, shkrimtari dhe kulturologu shqiptar Xhafer Martini botoi vëllimin me novela. Këto novela të japin një kënaqësi të madhe kur i lexon. Po të shprehemi me gjuhën e popullit, do të thoshim se janë njera më e bukur se tjetra. Por, për mendimin tim, e pakrahasueshme me asnjë nga novelat e këtij vëllimi, një nga më të bukurat e letërsisë shqiptare, është ajo me titull “Korbin Kosta”, që hap vëllimin. Ngjarja është e thjeshtë, por e shtjelluar shumë bukur, çdo gjë rrjedh natyrshëm, procedohet me thjeshtësi dhe vërtetësi, çka tregon se autori është një mjeshtër i madh i kompozicionit, ka ndjenjën e ruajtjes së masës, prandaj gjithçka që thonë e veprojnë personazhet e tij është e besueshme. Korbini është një djalosh i vogël, që nuk dihet se nga është dhe i kujt është. Ai, mbasi i vdiqën të dy prindërit, mbet në moshë fare të vogël në dorë të xhaxhallarëve, gratë e fëmijët e të cilëve e trajtonin keq. Për të shpëtuar nga ky keqtrajtim, ai ikën nga shtëpia, pa ndonjë drejtim të caktuar. Ec e ec dhe përfundon gjysmë i vdekur, në një fshat, pranë lokalit të Kosta Bregsanës dhe gruas së tij Lena, pleq të urtë dhe të mirë, por që Zoti nuk u ka dhënë fëmijë. Ata gëzohen që Zoti ua çoi si me porosi këtë djalë dhe e ushqejnë dhe e mbajnë sikur ta kishin pjellë të tyre. I rrethuar me ngrohtësi dhe dashuri, Korbini lulëzon si bari i ri në pranverë, lëshon shtat dhe bukuri dhe bëhet një djalosh shumë elegant që tërheq vëmendjen e të gjithëve. Ai ka flokë të kuq, shumë të bukur, që i lë të gjatë dhe ato i duken si krifë luani. Sytë i ka të kaltër, vështrimin të zgjuar dhe të ngulitur, herë me përkëdhelje dhe ëmbëlsi, herë me zymtësi dhe brengë. Në shikimin e tij, thotë autori, është edhe pëllumbi, edhe gjarpri, që alternohen sipas rastit dhe sipas rrethanave. Nuk ia fut kot autori kur nënvizon një gjë të tillë. Autori është edhe një studiues i thelluar dhe, siç duket, ka parasysh thënien e Martin Luter Kingut, që thotë: “Të kesh cilësinë e gjarpëit pa atë të pëllumbit, do të thotë të jesh i ftohtë, meskin dhe egosit; të kesh cilësinë e pëllumbit pa ato të gjarpit, do të thotë të jesh sentimental, anemik dhe i paqëndrueshëm”: Autori i është përmbajtur kësaj linje në dhënien e personazhit të Korbinit. Korbini bëhet jo vetëm djalosh i bukur dhe elegant, por edhe i fortë, i qëndrueshëm, kurajoz, me vullnet të hekurt, me dëshirë për të ecur përpara. Ai e ngre ekonominë e Kosta Bregsanës jo vetë duke u kujdesur për lokalin, që e zgjeron dhe e pajis me të gjitha asortimentet, por mbjell edhe vreshta, ndërton kaiken për të lidhur dy krahinat që i ndante lumi, mbjell perime, rrit një kope me dhi dhe bëhet furnizuesi më i madh i qytetit me fruta, perime, mish, bimë mjekësore etj. Korbini karakterizohet nga një inteligjencë e jashtëzakonshme, mëson shpejt dhe nuk ka gjë që nuk kupton dhe nuk është në gjendje ta zgjidhë. Kosta Bregsana dhe Lena, që janë të lumtur me dhuratën e Zotit, duan ta bëjnë bir në shpirt, por kjo nuk është e lehtë dhe nuk varet prej tyre, sepse, sipas kanunit, Bregsanet që janë shumë, sa leshi qenit, i thonë që ai, meqë nuk i ka dhënë Zoti djalë, le të zgjedhë cilin djalë të dojë nga të gjithë Bregsanet dhe ta birësojë. Atë që e ka gjetur në rrugë, siç është Korbini, nuk ka të drejtë ta bëjë djalë në shpirt. Korbini, kur merr vesh brengën dhe hallin e Baba Kostës, siç i thërret, thotë t`ia lërë atij në dorë çështjet e birësimit dhe, me mjetet dhe marifetet që përdor, arrin t`i bind Bregsanet dhe bëhet djalë në shpirt i Kostës dhe i Lenës.
Kur gjithçka po shkonte mirë e bukur, kur Korbin Kosta Bregsana forcohej dhe zbukurohej, kur ekonomia e tyre merrte vetëm lart, ndodhi një ngjarje që u jep të gjithave rrokullimën…
Në një ditë të praruar vere, i pari i krahinës së Ndërmale, Verdin Kucbashi, shoqëruar nga trimat e tij dhe nga vajza Ujvara Kucbashi, me bukuri mahnitëse, rrugës për në qytet, ndalet për të pirë një kafe në lokalin e Kosta Bregsanës. I pret dhe u shërben Korbin Kosta, i bukur si një yll, me një dritë të praruar që buronte nga shpirti i tij. Ai i bëri kaq shumë përshtypje babait dhe të bijës sa ata u ndanë tepër të kënaqur dhe premtuan që, sa herë të bënin atë rrugë, do të kthenin dhe të pinin kafe në lokalin e tij, i cili ndrinte nga bukuria dhe pastërtia, si vetë i zoti.
Por Korbini që nga ajo ditë e humbi qetësinë. As nuk i hahej, as nuk i pihej, as vendi në vend nuk i rrihej. Shkoi në qytet mbas Ujvarës, por nuk mundi ta takonte. Mbas shumë përpjekjesh, mori vesh se ajo banonte në një vilë, në periferi të qytetit, rrethuar nga një bahçe e madhe me shumë pemë frutore dhe jofrutore, që nuk e linin as dritën e diellit për të depërtuar. Ai e takon Ujvarën në këtë bahçe, larg syve të njerëzve të tjerë…Se çfarë ndodh midis tyre, si rrjedh jeta e njërit dhe e tjetrit, si përfundon Korbini, nuk është mirë t`ia zbulojmë dhe t`ia tregojmë lexuesit. Për këtë duhet lexuar novela që të jep një kënaqësi të jashtëzakonshme. Novela lexohet me një frymë. Megjithëse ajo është e gjatë, mbi tetëdhjetë faqe, ti si lexues, ke frikë se po mbaron shpejt, se po të ikën nga dora. Të paktën këtë ndjenjë kam provuar unë, ndjenjë që nuk ma ka krijuar asnjë libër tjetër deri më sot.
Në novelën “Luna Kuna”, tregohet dashuria e një beu të ri me shërbëtoren e shtëpisë së vet. Është një dashuri e thellë, e sinqertë, që nuk pyet për pengesa që krijohen nga hendeku klasor. Beu, nga ana e vetë, duke qenë edhe njeri i shkolluar, që ka parë botë me sy, nuk vuan nga këto paragjykime. Kështu, të paktën, shfaqet në fazën e parë të njohjes dhe të dashurisë së tij me Luna Kunën. Përkundrazi, Luna, megjithëse vajzë e re, pa përvojë jete, nuk i përgjigjet dashurisë së Kutulis beut, sepse ajo e di mirë se këto lloj dashurish nuk kanë kurrë fund të lumtur. Ajo i reziston shumë beut të bukur dhe të ditur, dhe, kur më në fund, edhe ajo fillon ta dashurojë, ky krisën dhe ikën nga shtëpia, i lodhur dhe i mërzitur nga jeta monotone në fshat. Luna Kuna vrapon pas tij, pa turp, ta kthejë nga rruga, duke i thënë se e dashuron. Ai, Kutulis beu, nuk kthen. E gënjen Lunën dhe i thotë se do të shkojë deri në qytet dhe në mbrëmje do të jetë aty, në shtëpi…Por ai kthehet mbas një viti…Tani Luna nuk është ajo që ka qenë. Ajo nuk mund t`i përgjigjet më dashurisë së Kutulis beut dhe jeta e saj përfundon në mënyrë tragjike. Kjo është si ngjarje, ose, më saktë, gjysma e saj, por rëndësi ka mënyra se si e ka dhënë atë autori, mënyra se si i alternon kohët, si i jep planet retrospektivë, si kalon nga e tashmja në të kaluarën dhe anasjelltas. Mbi të gjitha të bën për vete Luna Kuna, vajzë e thjeshtë, e varfër, por e bukur dhe me dinjitet. Ajo lartësohet duke rënë… Në fund fare, kur do të përfundojë në greminë, ajo ngrihet mbi të gjithë, mbi të gjithë shtresën e bejlerëve, edhe mbi më të mirin e tyre, Kutulis beun. Autori ka treguar shumë mjeshtri në dhënien me vërtetësi të njeriut të thjeshtë. Simpatia dhe dashuria e tij është për njeriun e thjeshtë, sadoqë asgjë nuk e bën hapur dhe në mënyrë deklarative. Autori ngrihet kundër moralit të kalbur dhe shtirjes. Ai kërkon të lulëzojë një rasat i ri njerëzor kur njeriu të mos vlerësohet nga prejardhja dhe nga pasuria, por nga cilësitë shpirtërore.
Tek novela “Bolsheviku i vogël” kemi po dashurinë e një të pasuri me një të varfër. Është dashuria e zotërisë me shërbëtoren, por që vështrohet nga një kënd krejt i ndryshëm. Bëhet fjalë për dashurinë e Elbës me Bep Koltranin. Bep Koltrani është i pasur, ai është pronar i një çifligu të madh. Ai është njeri i ditur dhe i kulturuar. Nuk ka prejardhje fisnike, por ka fisnikëri shpirtërore. Jeta e tij familjare është shumë e varfër, atë e ka martuar i ati me një vajzë beu, një bej shumë të fuqishëm, vetëm e vetëm për të forcuar pozitën shoqërore. Midis Bep Koltranit dhe Zonjës Kabashe, siç e quajnë gruan e tij, nuk ka lidhje shpirtërore. Zonja Kabashe ka mendjemadhësinë e klasës së bejlerëve të cilëve u përket. Ajo do që ta mbushë shtëpinë me shërbëtorë dhe shërbëtore, duke imituar të pasurit në vende të ndryshme të Evropës. Ajo e detyron të shoqin, Bepin, t`i gjejë një shërbëtorkë personale, që ta ujdisë dhe ta stolisë që të duket më e bukur se ç`është. Bepi e kundërshton një marrëzi të tillë, por, më në fund, detyrohet dhe ia gjen. Dhe shërbëtorka e re është një vajzë varfër, që, prej varfërisë, detyrohet ta lërë shkollën përgjysmë. Janë nga faqet më të bukura të novelës ato kur autori përshkruan udhëtimin e Bepit me shërbëtorkën për të shkuar në shtëpi. Rruga kalon brigjeve të lumit. Përshkrimet e natyrës janë me masë dhe shumë të bukura. Kudo ka harmoni dhe lumturi. Dy të rinjtë ecin në heshtje, ato sapo janë njohur. Nuk kanë ç`të thonë, për më tepër kur njëra është shërbëtorja dhe tjetri është zotëria. Po, megjithatë, thyhen klishetë, paragjykimet, thyhen të gjitha nga forca e dashurisë që buis ashtu në heshtje dhe rritet brenda tyre, pa e ndjerë, si rriten bimët dhe lulet. Autori, me gjithë se merret me përshkrimin e natyrës, tregon se harmonia dhe bukuria është tek këta, që ecin pranë njeri-tjetrit me një simpati të ndërsjellë, me një dirë që buron nga shpirtrat e të dyve. Autori di të zgjojë parandjenja. Ai e vë fantazinë e lexuesit në lëvizje. Ai e gjallëron përfytyrimin e lexuesit. Ky udhëtim, i dy njerëzve që sapo janë njohur, është diçka e thjeshtë, shumë e zakonshme në dukje. Por ka brenda tharmin e një gjëje të madhe. Kur Bepi shkon afër shtëpisë, shoqëruar nga Elba, shërbëtorë e shërbëtore, kush është gjallë në atë shtëpi, dalin për ta parë bukuroshen e re që afrohet me atë hapin sikur vallëzon. Vetëm zonja Kabashe që e ka kërkuar me aq ngulm, mbyllet në odën e saj dhe nuk del për ta parë. Për kë e more ti këtë?- e pyet ajo të shoqin, Bepin. Ai vë buzën në gaz me një ironi të lehtë dhe të hollë dhe i thotë se ajo ishte shërbëtorja e saj…Përse e quajnë dhe kush e quan Bep Koltranin “Bolesheviku i Vogël”, si do të jenë marrëdhëniet e tij me të shoqen dhe rrethin e tij, si do të jenë marrëdhëniet e zonjës Kabashe me Elbën, shërbëtoren personale? Si do të jenë marrëdhënien e Bepit me Elbën? Si do të jetë fundi i tyre? Këtyre pyetjeve u përgjigjet novela, por gjithmonë në mënyrë shumë artistike, në mënyrë shumë të natyrshme.
Një novelë e bukur, që të sjellë kënaqësi është edhe “Balada e Drenushës”. Jemi në vitin e fundit të sistemit diktatorial. Ai po shembet. Kjo ka filluar herët, por nuk ka qenë e dukshme për sytë e të gjithëve. Shkrimtari merret me një grup të vogël turistësh që vinë në vendin tonë për t`u ngjitur në male. Ata kanë nevojë për një shoqërues dhe për një përkthyes. Ua gjejnë dhe, më në fund, grupi i vogël, niset. Por nuk ngjiten dot në mal, se u del një pengesë tjetër…Një drenushë e sëmurë, që ka thyer këmbën…Drenusha bëhet, si të thuash, një personazh interesant. Rreth saj bashkohen dhe ndahen njerëzit. Dalin në pah botëkuptimet, interesat, prirjet, idealet, formimi shpirtëror i secilit. Drenusha bëhet, si të thuash, guri i provës për të gjithë personazhet e tjerë, që ndeshen me ashpërsi dhe egërsi…Duhet të jesh mjeshtër, që të japësh ndeshjen e dy botëve duke pasur parasysh vetëm një kafshë të sëmurë, e cila ngrihet në simbol… Një novelë tjetër është… Por ç`t`i përmendim të gjitha. Një shkrim kritik nuk ka një qëllim të analizojë secilën prej tyre, por të tregojë mënyrën e procedimit artistik të shkrimtarit.
Ky shkrim i imi është më shumë një shfaqje entuziazmi që buron nga leximi i parë i një libri të mirë. Duhet një lexim i dytë dhe thellim në prozën e këtij autori për të nxjerrë gjithë ato vlera dhe cilësi pozitive që mbart. Xhafer Martini është nga shkrimtarët e moshuar që sa vjen e bëhet më i ri në kuptimin jo vetëm të prodhimtarisë së madhe, por, në radhë të parë, për vlerat artistike që sjell. Analiza e kompozicionit, gjuhës, stilit, mënyrave të ndryshme të procedimit artistik, veçorive të dhënies së personazheve etj., janë probleme që kritika letrare, po të ketë një të tillë, ka shumë për të thënë për prozën e këtij shkrimtari.
Marrë nga libri “Përballë sfidave të kohës”, botim i vitit 2019