“Mjeshtër i madh”, titull i merituar për Muharrem Gjokën


Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ka dekoruar me Titullin “Mjeshtër i Madh”, zotin Muharrem Gjoka, president i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”. Vetë motivacioni që mban dekorata: “Në vlerësim të veprimtarisë dhe mbështetjes së shumanshme në lartësimin e kulturës kombëtare, vlerave atdhetare, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare, veçanërisht asaj dibrane, si dhe të kontributit të veçantë në zhvillimin dhe përparimin e vendit”, është vlerësimi më objektiv i rolit të këtij personaliteti dibran. Në fjalën e tij, kreu i shtetit do të vlerësonte se: “Prej vitesh pranë këtij grupimi artistik, si një dorë e ngrohtë, inkurajuese dhe mbështetëse, është një emër, i cili e nisi jetën e tij artistike si një talent i skenës dhe i valles dibrane dhe sot është president i këtij ansambli, ish-valltari virtuoz, një burrë Dardhe dhe Dibre, i vlerësuar edhe me Titullin ‘Nderi i Qarkut Dibër’, zoti Muharrem Gjoka. Roli i tij është i padiskutueshëm si artist dhe si njeri me zemër të madhe, me një kontribut më shumë se 50-vjeçar, duke gëzuar respektin e merituar në shoqëri, edhe si një humanist”.
Muharrem Gjokën, si mishërues dhe përçues i fjalës së mençur dibrane u “diplomua” në kantieret e ndërtimit e asfaltimit të rrugëve në gjithë vendin, ku implementoi suksesshëm dijet e marra në “Universitetin e Dibrës”, leksionet e të cilit i përvetësoi nëpër odat e kuvendet dibrane….
Muharremi lindi në vitet e luftës, në Zall Dardhë, Dibër më 16 qershor të vitit 1943. Kaloji një fëmijëri të vështirë, por kjo e bëri më të fortë dhe të vetëdijshëm për të çarë rrugët e jetës.
Që në vitet e rinisë së tij u inkuadrua në kantierët e ndërtimit të rrugëve, fillimisht në Kurbnesh dhe më pas në Skuraj, duke afirmuar cilësi të jashtëzakonshme, të njeriut punëtor, korrekt, kreativ, por edhe drejtues i aftë.
Vitet e shërbimit ushtarak e largojnë prej këtu dhe mbrojtja e Atdheut e kërkon në Bilishtin e largët, në kufirin me Greqinë. Prej aty, ai shërben syshqiponjë edhe në Poçarin e largët në Leskovik, duke lënë gjurmët e mira të një patrioti të guximshëm dhe të një ushtari e djali të mirë.
Sërish pas shërbimit ushtarak në kantieret e ndërtimit, nga njëri fshat në tjetrin, si në Spaç, Shupal, Reps, Arrëz, Miliska, Fierzë, Gropa, Haprripe etj, Muharrem Gjoka stamponte çdo ditë me punën dhe sjelljen e tij, emrin e mirë, duke fituar një personalitet të padiskutueshëm.
Veçanërisht aftësitë e tij organizuese dhe drejtuese spikatën në vitet 1965-1955 në ndërtimin në një kohë rekord të rrugës Qafë Bari – Fierzë dhe në vitin 1972 për asfaltimin e rrugës nacionale Peshkopi-Bulqizë.
Më pas, cilësitë e tij dhe vrulli i punës e afirmojnë edhe në Vaun e Dejës, madje aty kreu edhe studimet e shkollës së mesme në teknikumin e ndërtimit, duke rritur më shumë nivelin e tij jo vetëm profesional, por edhe intelektual.
Tashmë shkollimi i jep mundësinë që të zgjidhet në detyra të rëndësishme, duke qenë edhe drejtuesi i transportit. Jo rastësisht ai mori përsipër mjaft punë të mira në asfaltimin e rrugëve të Pukës, Shkodrës, Kukësit, Bulqizës, Rrëshenit, etj.
Viti 1979, solli një shpërblim të gjithë këtij angazhimi dhe pune titanike, duke u pozicionuar në qytetin e Laçit, ku zgjedh edhe të banojë me familjen e tij të re dhe aty vijon të jetojë e kontribuojë për shumë vite. Këtu kryen edhe shkollën ekonomike, çka i mundësoi ngjitje ne shkallët e karrierës deri Shef i Transportit të Ndërmarrjes së Asfaltimit që mbulonte gjithë Veriun e Shqipërisë.
Pas viteve 90, kantieri ku ai punonte, Rruga Ura u privatizua, konkretisht në vitin 1994, por Muharremi vijoi të ishte sërish aty, si drejtues kantieri deri në vitin 2002. Dy vjet më pas, pra në vitin 2004, ai del në pension, por kjo shkëputje, asnjëherë s’e ndali atë në vrullin e përjetshëm të angazhimeve dhe punëve të mira në dobi të familjes, vendlindjes dhe Shqipërisë.
Muharrem Gjoka, mbetet në ajkën e njerëzve të mirë dhe burrave të ndershëm e të përkushtuar, që përmes punës fjalës, sjelljes, por mbi të gjitha veprave të mëdha në shërbim të komunitetit, kanë një vend te merituar në shoqëri dhe komunitet.
Prej më shumë se dhjetë vitesh Muharrem Gjoka kryen funksionin e Presidentit të Grupit Artistik “Folk Alb Hazis Ndreu”, i cili ka konkurruar dhe fituar çmime të para në festivale ndërkombëtare si në Ulqin, Tetovë e Prishtinë. Po ashtu, që nga Kuvendi i shtatë i OBVL është zgjedhur Nënkryetar i kësaj organizate, funksion të cilin e kryen me përkushtim të rrallë.
Aktiviteti i tij i mësipërm është vlerësuar me Certifikatë Nderi nga Shoqata Kombëtare e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali; me Mirënjohje nga Qendra për Kulturë në Ulqin; me Certifikatë Mirënjohje nga Ansambli Artistik “Kuvendi” Zall Dardhë, si dhe me Titullin “AMBASADOR I PAQES” nga Federata e Paqes Universale.
Me Vendimin Nr.03, datë 24.03.2021, Këshilli i Qarkut Dibër i ka dhënë Z.Muharrem Gjoka Titullin “NDERI I QARKUT DIBER”, me motivacionin: “Për për mbajtjen gjallë të vlerave etnokulturore, për kontributin e çmuar në mbështetjen dhe promovimin e vlerave të LANÇ, dhe si ish-drejtues në fushën e ndërtimeve dhe infrastrukturës rrugore në gjithë vendin”. Pas gjithë këtyre titujve dhe vlerësimeve ai thotë se dekorimi nga Presidenti Meta me Titullin “Mjeshtër i Madh”, atë dhe Familjen e tij i bën më krenarë se kurrë.
Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu me Titullin “Naim Frashëri” Ansamblin Artistik “Hazis Ndreu”, me motivacionin: “Për veprimtarinë e shquar në mbartjen, ruajtjen dhe përsosjen e traditave, folklorit dhe trashëgimisë së çmuar etnokulturore të trevës së Dibrës. Me mirënjohje për përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin që ka shpalosur në skenat shqiptare dhe të huaja këngët dhe vallet tradicionale, veshjet koreografike si dhe meloditë e pasura burimore të shumë brezave dibranë.”
Presidenti Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” edhe Avni Ndreun i cili është nderi i kulturës dibrane dhe qytetar nderi i Dibrës dhe prej shumë dekadash në krye të këtij ansambli, duke mbajtur gjallë dhe duke transmetuar sidomos tek brezat më të rinj, cilësi dhe vlera artistike të shumta.
“Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu”, – tha Presidenti Meta. Për kreun e shtetit “Talenti i Avni Ndreut, si koreograf, valltar e poet si dhe aftësitë e tij artistike organizuese i kanë dhënë ansamblit ‘Hazis Ndreu’ një emër të madh në botën e kulturës shqiptare dhe përtej saj, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë.”