Resorti “Beça” në Podgorcë, një biznes që rritet pak nga pak në shërbim të turizmit


Shaban Beça nga Potgorca, buzë Drinit, gati po mbush 70 vjet, ku 50 prej tyre i ka punë. Kështu ishte gjithë jeta e tij, energjike, e vrullshme, dinamike, si një përrua malor, i mbushur plot nga reshjet pranverore.
Në vitin e largët 1972 mbaroi teknikumin e minierave, por nuk rendi në kërkim mineralesh. Arsye të ndryshme e detyruan të shkojë pranë familjes dhe punoi për një dekadë në S.M.T në e asaj kohe. Punoi me traktor dhe me kombanjë, plugoi toka e korri grurin e shëndetshëm, derisa një ditë pësoi një aksident. Dëmtoi këmbën dhe nuk mundej më të vazhdonte në këtë profesion të vështirë.
Tregtia dhe pse me plot probleme e vështirësi, iu duk më e lehtë, të paktën fizikisht. Mbaroi një kurs tregtie në Shkodër dhe viti 1984 e gjeti si shitës dyqani në fshatin e tij, në Potgorcë. Në të njëjtën kohë bënte dhe detyrën e kryetarit të këshillit për fshatin dhe antar i këshillit të bashkuar. Kështu vazhdoi deri në vitin 1990, viti ndarës i dy epokave të shoqërisë shqiptare. Njerëzit fluturuan si gjethet e vjeshtës. Askush nuk e dinte si mund të organizohej në epokën e re që po agonte.
Shabani punoi dhe pak kohë me tregëti dhe pastaj ndërroi mendje. U mor me bujqësi e blektori. Familja e tij dispononte pak tokë dhe ajo ishte shumë pjellore. Mbolli shalqin e bostan, lakër e perime dhe fitonte mjaftueshëm. Më pas, ishte ndër të parët e Maqëllarës, që mbolli bostanore, duke përdorur plasmasin e zi, në një sipërfaqe prej dhjetë dynymësh. Bujqësia ecte paralel me blektorinë. Katër krerë lopë dhe 50 të imta do të ishin gjithmonë prezente në familjen e tij. Të gjitha këto krijonin goxha të ardhura dhe pse kërkonin shumë mund e sakrifica.
Pas punës së lodhshme të ditës, sidomos në muajt e verës, Shabani lahej në ujrat e Drinit, që i kishte fare pranë. Lahej e “shullahej” në diell. Kështu kishte bërë që i vogël dhe të gjithë banorët e këtij fshati të vogël shquheshin si notarë të mëdhenj. Një ditë qëndroi më gjatë në breg. Kishte marrë dhe pak ushqim me vete, dhe pse shtëpinë nuk e kishte larg. U ul nën hijen e disa pemëve, që po hidhnin shtat në breg të lumit. Shabani ishte kujdesur që të mos i dëmtonte njeri, pasi ishin në territorin e tij. Mbaroi së ngrëni dhe mendoi se aty mund të ngrinte një restorant të vogël e të bukur e njerëzit të vinin aty për një pushim të shkurtër, apo më të gjatë, të pinin ndonjë kafe e të konsumonin pak ushqim. E dinte që do ti duheshin shumë para për tavolina e karrige, për guzhinën e vendqëndrimet e klientelës. Por, ai shpesh kishte guxuar në jetë dhe ja kishte dalë mbanë. Kishte provuar disa profesione dhe në të gjitha kishte treguar aftësi. Madje, kjo do të ishte një lloj tregëtie a biznesi dhe ai kishte punuar shumë vite në këtë drejtim.
Një barakë prej druri, që e bleu në Maqëllarë, ishte si guzhina e tij e parë. Ca trungje druri do të shërbenin si tavolina e karrige. Bëri disa kolibe, që i veshi me thupra, kurse mbulimin e tyre e bëri me kashtë thekri. Thjeshtë dhe bukur. Njerëzit ndiheshin rehat aty dhe u dukej vetja si në antikitet. Çdo ditë kishte një ndryshim pozitiv në resortin që hidhte shtat. U hapën dy kanale, që sillnin ujë për freskim dhe u veshën ato me gurë të bukur. U ndërtua një hark dekorativ, u rritën dhe u shtuan pemë të tilla si plepa, shelgje, akacie dhe verrinj. Lule dhe zëmbakë e shtuan akoma hijeshinë dhe kënaqësinë e qëndrimit aty. Shpesh herë, në periudhën e verës, resorti i familjes Beça detyrohet të presë një numër të jashtëzakonshëm njerëzish, që mund të shkojë deri në 200 veta. Një pjesë e tyre janë dhe turistë të huaj, të cilët qëndrojnë një apo disa net dhe ndjejnë siguri e rehati në këtë zonë të bukur. Dhe në këto raste stafi arrin ti përballojë në kërkesat e tyre dhe të gjithë të dalin të kënaqur nga qëndrimi aty.
Familja Beça ka një minifermë në dispozicion të vetes së saj dhe pushuesve të shumtë. Tetë lopë, një sasi qingjash, si dhe një dynym me patate e perime e bëjnë akoma më bio ushqimin dhe sjellin akoma më shumë të ardhura në buxhetin e familjes. Diku nga viti 2007 Shabani mendoi të verë dhe një sasi koshere bletësh. Punët shkuan për mbarë dhe nga 14 që kishte në fillim, tani janë dhjetëfishuar. Vetë Shabani u shërben atyre, por dhe bashkëshortja e tij është shumë e aftë në këtë drejtim. Dihet që bleta ka mjaft shërbime dhe Shabani thotë se ajo është më e rëndë se delja.
Habitesh se si funksionojnë gjërat në këtë familje, ku secili i din dhe i përmbush më së miri detyrat e tij, tamam si një koshere bletësh, që i përmendëm në fillim. Tashmë, familja e Shabanit është shtuar ndjeshëm. Safeti është djali i tij i madh dhe është dora e djathtë e babait. Pasi kreu një kurs për gatim e pica në Maqedoni, shumë vite më parë, tani drejton guzhinën, ku punojnë gjashtë persona, që të gjithë njerëz të familjes. Djali i tij, Ledioni shkoi në Tiranë dhe u specializua për guzhinën në përgjithësi e gatimet e detit.Të gjithë këtij stafi i shtohen dhe katër kamarierë, që e çojnë në dhjetë numrin e të punësuarve.
Një gamë e gjërë shërbimesh dhe asortimentesh afrohen nga guzhina. Mish qingji e keci, të pjekur në furrë, apo në zgarë, pulë fshati me jufka ose me qull, gatime deti, si dhe ëmbëlsira të traditës, ku mbizotërojnë hallva dhe sheqerparja.
Shabani dhe familja e tij bënin këto investime, por një frikë, që sa vinte e rritej, u trazonte nganjëherë dhe gjumin. Verës, lumi rridhte i qetë dhe pa ndonjë problem, porse dimrit e pranverës ai egërsohej dhe merrte përpara gjithçka. Nuk kursente as tokën pjellore dhe drunjtë, që i shkulte pa mëshirë. Fare mirë një ditë ai mund ta vinte përpara gjithë resortin, me karrige, tavolina, kolibe e ndërtesa e ta hidhte në det. Shabani kishte bërë ca investime për tu mbrojtur me gurë e rrjeta, por ata ishin të mjaftueshme. Vetë shteti ndërhyri fuqishëm, duke e shmangur rrezikun përfundimisht. Gurë të rëndë që vinin nga Bulqiza, rrjeta teli të mbushura me këto gurë, u vendosën në një gjatësi prej qindra metrash. U shpenzuan mbi një milion euro, për një periudhë gati trevjeçare dhe në gjithëgjatësinë e digës u vendosën panele, ose dhëmbë mbrojtës. Përfitoi jo vetëm Shabani dhe resorti turistik, por gjithë fshati ndihet falenderues.
Një element shumë i rëndësishëm në ndihmë të këtij aktiviteti, padyshim që do të ishte dhe rruga. Një linjë ishte ajo që vinte nga fshati i Allajbegisë, por duhej dhe një tjetër, që do të vinte nga ura e Topojanit. Ishte një investim personal i familjes, nga e cila përfituan jo vetëm ata, por i gjithë fshati. E gjitha kjo kushtoi mbi dhjetë milion lekë, por çdo vit duhet nga një mijë euro për ta mirëmbajtur. Kjo të kujton se nga investimi i dikujt, shpesh përfitojnë dhe të tjerët, ndaj nuk duhet të jemi ziliqarë e cmirëxhinj.
Projekte të reja shpresohet të realizohen në të ardhmen. Një bujtinë trekatshe, do të ngrejë shtat, fare pranë resortit, duke mundësuar qëndrime më të gjata, si të banorëve vendas, ashtu dhe turistëve të huaj. Ajo pritet të ketë 16 dhoma, që të gjitha me kushte speciale, që i nevojiten një pushuesi. Pjesë tjetër e projektit do të jetë dhe një urë me funksion të dyfishtë, për kalim njerëzish, por dhe e shoqëruar me dy tavolina të mëdha ngrënje. Veç këtyre duhet shtuar një park lojrash për fëmijë, pasi dhe ata e kanë të drejtën e tyre për tu argëtuar e kënaqur sa më shumë.
Shaban Beça ka qenë e mbetet një menaxher me vlera, jo vetëm për familjen, por më gjërë akoma. E përmendëm që për gjashtë vite kreu dhe detyrën e kryetarit të këshillit, deri në vitet nëntëdhjetë. Para tetë vitesh banorët e fshatit i’a besuan sërish këtë detyrë dhe Shabani nuk i ka zhgënnjyer. Fshati nuk kishte xhami dhe para dy vitesh, falë përpjekjeve të tij, u mundësua një objekt i tillë, shumë i bukur, tamam në qendër të fshatit. Iftari promovues me shumë pjesëmarrës u mundësua nga vetë familja Beça, Zoti i shpërbleftë me mirësi. Po kështu u mundësua restaurimi i çezmës publike të fshatit, që sjell ujë të bollshëm. Shabani dëshiron që të shtojë dhe një gabinë elektrike, që do të lehtësonte disi ngarkesën që ka ajo ekzistuese, kur nevojat e banorëve për energji janë rritur mjaft.
Rruga e Arbërit është shumë afër fshatit të Potgorcës. Shabani e sheh si një mundësi mjaft të mirë lidhjen e fshatit me këtë rrugë kaq të rëndësishme, që do të ndikonte mjaft në zhvillime pozitive për banorët. Të gjitha këto përpjekje e realizime e kanë rritur ndjeshëm autoritetin e tij dhe në këtë prag 70 vjetori i urojmë jetë të lumtur, duke i shtuar vlera jo vetëm familjes së tij, por dhe komunitetit, që ai përfaqson.