Selim Çerpja vjen me Gonxhe në muzg


Këto ditë sapo doli nga botimi libri me poezi “Gonxhe në muzg”, i autorit Selim Çerpja. Në 76 poezi të këtij vëllimi poetik trajtohen tema të larmishme e në veçanti tema të ditës, fenomene të shoqërisë së sotme. Poezia e tij lexohet rrjedhshëm, ka gjetje artistike, ka muzikalitet me rimë të zgjedhur që tingëllon bukur. Një veçanti e kësaj përmbledhje me poezi është këndvështrimi i autorit mjaft origjinal të ngjarjeve e fenomeneve të jetës së përditshme.
Selim Çerpja e ka librin e parë me poezi , por ai ka vite që shkruan, ka lexuesit e tij që e lexojnë në dorëshkrim, në rrjetet sociale por edhe në disa Antologji poetike, ku është pjesëmarrës me poezinë e tij. Vet Selimi vjen nga një trevë ku shquhet për art e kulturë, siç është Dardha, jo vetëm me muzikantë, këngëtarë, instrumentistë e valltarë virtiuoz, por dhe shkrimtar e poet që kanë botuar letërsi artistike. Vetë Selimi vjen nga një familje me tradita kulturore. Gjyshi i tij, Qazim Selim Çerpja, është një nga themeluesit e grupit artistik të Dardhës, më 30 qershor 1949, e më vonë u bë bërthama e grupit që përfaqësoj Shqipërinë në Festivalin Botëror të Rinisë në Moskë.
Poezitë si: “Në diçka më ngjanë”, “Sy të përlotur”, “E vërteta”, “Ndenjë e heshtur”, “Nëse të mungoj” etj., duken si tituj të thjesht, por brenda rreshtave të poezive ka një fabul, ka një poezi që të shijon leximi dhe mbetet në kujtesë. Poezitë mbajnë brenda tyre sinqeritetin e autorit, shpesh gjenë unin poetik, që poezia ka indicje një moment gati intim apo personal e pas leximit lexuesi gjen diçka nga vetja e tij e ngritur në art.
Një vend të veçant në krijimtarinë e Selim Çerpes zë dhe poezitë me motive të dashurisë, të asaj dashurie të pastër e njerëzore e të jetuarit gjatë me dekada një jetë me dashuri. Në poezi nuk ka asgjë personale, por konceptimi filozofik i autorit, duke dhënë mesazhe të qarta artistike e filozofike të konceptit të dashurisë, të asaj dashurie të madhe që njerëzit i bën të lumtur.
Interesante dhe shumë prekëse është poezia “Puthje mes hekurave”, që të kujton letërsinë e burgut, trajtuar nga shumë shkrimtarë e poetë europianë e shqiptarë. Poezia qëndron mes fantazisë dhe realitetit, e fantazia poetike e poetit, këtë moment që ndodhi apo ka ndodhur, e ngre në art, i jep vlera artistike universale:
E kujtoi puthjen e parë, / Se do ndodhte se kisha menduar,/ Shumë më e ëmbël se puthja e parë,/ Dhe pse mes hekurave të përqafuar… (Faqe 27).
Poezia vjen në laboratorin krijues të autorit ashtu si moment, si një çast dhe i jep jetë në vargje të shkruara bukur e me frymëzim, siç janë poezitë “Për nënën”, “Sytë e tu”, “Motrat”, “Luleboret e vëllait tim” etj., ku atë ndjenjën njerzore mes njerzëve të dashur e vesh me petkun artistik, duke na dhënë poezi të frymëzuara, pa fjalë të tepërta, na jep atë momentin magjik të ndjenjës së çastit njerzor.
Edhe pse është larguar shume shpejt nga vendlindja, rreth viteve 1980, duke ardhur në Tiranë, në poezin e Selim Çerpes gjen motive të vendlindjes të shkruara me mall e nostalgji, ku mes tyre do të veçoja poezit “Malli për vendlindjen” dhe “Viset ku linda”, ku çdo lexues do përjetonte emocione e nostalgji për vendlindjen e tij.
Libri është botuar nga Botimet M&B, është paraqitur bukur nga ana grafike. Së shpejti poeti Selim Çerpja do jetë para lexuesi me librin e dytë me poezi “Nën pemën e mjerimit”, që është në proces botimi.
AH, SIKUR…

Çdo festë bashkë mbi tavolinë,
Avitur rreth saj ata që jemi,
Pjatat mbushur me gostinë,
Mungojnë të afërmit që si kemi.

Sa emocione…ngec kafshata,
Mundohesh ta fshehesh, por s’je i qetë,
Në sofrën e ngrohtë as sot s’i pata,
Patjetër lotët rreshqasin vetë.

Kërkojmë të flasim me Perëndinë,
Mëshirë për ëndrrat që s’ua plotësuam,
Vargje elegjie për ata që s’e dinë,
Dhe për ne, që prinderit na munguan.

MALL PËR VENDLINDJEN

O lotet e mi, që bini mbi gurë,
Njomeni pak nga pak se kam kujtime,
Janë gurët që lozja me ta unë dikur,
Të thjeshtat lojëra, që gezonin zemrën time.

Sytë derdhin lotë edhe mbi ferra,
Ndjejmë mall edhe pse të gjëmbonin,
Rreze tyre çelnin lule që u vinte era,
Fëmijet i mblidhnin, tjerëve ua dhuronin.

Jeta është luftë, nga do të shpënë,
Mund të ndjehesh diku tjetër mirë,
A harrohen vallë, çukat ku ke rënë,
Dhe pse të kujtojnë një jetë të vështirë.

Jetë përrallore, ndoshta në Dubai,
Diku tjetër mund të bëhesh Mbret,
Vendlindjen, në zemër do ta mbajë,
Frymën do ma marrë, trupin do ma tretë…

ERDHE TI…

Çdo gjë me dukej se ndaloj,
Dhe jeta s`po gjen lumturi,
Thash, dikush më mallkoi,
Kur papritur…erdhe ti.

Acar, stuhi u ba moti,
As rrezja diellit nuk po ndrijë,
Mendova, njeriu bën jetë koti,
Kur papritur, erdhe ti.

Nuk shihja pranverë të lulëzojë,
As natyra s`kish stoli,
S`dëgjoja bilbilin të këndojë,
Kur papritur, erdhe ti.

Si një libër qënka jeta,
Tek fleta e fundit s`dua t`arrijë,
I pa ngopur me jetën mbeta,
Kur papritur, erdhe ti.

MË BËRË TË JETOJ

Si i dehur rend nga pas,
Bukurisë sate mëkatare,
Zemr e gjora sa nuk plas,
Nga ikjet tuaja lozonjare.

Nuk me ikën ketrushe sot,
Ta kam zënë me kohë pusinë,
Kam ardhe enkas në këtë botë,
Veç për t`falur dashurinë.

Do të mbaje n`bahçe si zanë,
Me aromë bjeshke dhe duke qesh,
Me lot malli i dola mbanë,
Mbas teje zemër, moj konteshë.

Çdo ditë ty unë të prisja,
Mendoja vallë pse vonoj,
Nga meraku doja të vdisja,
Më bëre ti…të jetoj.