Dibranët në diasporë mbledhin ndihma për spitalin e Dibrës së Madhe


Nga Beqir SINA – New York

Ndihmat financiare mblidhen përmes GoFundMe. Brenda 48 orësh janë mbledhur mbi 63 mijë dollarë nga 124 donatorë dhe synimi i Shoqatës Atdhetare Dibra në New York është që të mblidhen 100 mijë dollarë.
Dy donatorët më të mëdhenj deri më tani janë biznesmeni Avdul Bajro me 11 mijë dollarë dhe këngëtarja Bebe Rexha me 10 mijë dollarë.

Spitali i Dibrës nuk ka mjaftueshëm furnizime, ndërsa ditët e fundit është i stërmbushur me pacientë me koronavirus. Për këtë arsye dibranët në diasporë kanë ngritur një fushatë për ngritjen e fondeve financiare që të ndihmohet Spitali i Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut.
Dibra e Madhe, qyteti ku u shfaq rasti i parë me Covid 19 në Maqedoni në muajin mars, nuk mund ta përballojë e vetme një valë të re, më të fortë të të infektuarve. Shtypit lokal njofton se aktualisht ka 53 raste aktive, por mjekët thonë se nuk ka shtretër të mjaftueshëm për pacientët në spital dhe nuk ka personel mjekësor.
Kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibra në Staten Island (NY), Dashnor Miftari, në një bisedë për gazetën tha se “gjendja në spitalin e Dibrës është shumë e keqe”.
“Sapo jam kthyer nga sesioni veror në vendlindje, tha ai. Spitali i Dibrës, i cili është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë, ka një mungesë të madhe të pajisjeve spitalore, sidomos në këtë kohë të kësaj pandemie globale dhe gjendjes së rënduar në Maqedoninë e Veriut. Spitali nuk kishte as oksigjen për trajtimin e pacientëve, as aparatura për skaner dhe as ilaçe të tjera të tjera që janë më se të nevojshme në këtë pandemi”, -tha Miftari.
Miftari tha se “kemi bërë një thirrje për ndihmë financiare, linku i së cilës është i lidhur me GoFundMe, ku mund të dhurohen online të ardhura për të ndihmuar spitalin”. Sipas tij, vetëm gjatë 72 orëve të para janë mbledhur mbi 63 mijë dollarë, ndërkohë që qëllimi është të mblidhen 100 mijë dollarë”.
Në spitalin e Dibrës ishte këto ditë z.Bekim Paçuku, drejtues i degës bamirësisë nga Shoqata Atdhetare Dibra (SHAD), i cili bëri pagesën në vlerë prej pesë mijë dollarë për furnizimin me oksigjen për nevojat e pacientëve të shtrirë me Covid-19.
Për këtë qëllim, një ndihmë të madhe ka dhënë edhe këngëtarja Bebe Rexha, e cila ka dhuruar 10 mijë dollarë për spitalin e Dibrës. Ajo u bëri thirrje ndjekësve të saj që të vazhdojnë të dhurojnë.
Bebe Rexha, “Dibranja nga Brooklyni”, nuk e harron asnjëherë prejardhjen e saj, pasi shpeshherë në intervista ajo përmend vendin nga vjen e flet edhe për traditat. E kur vendi i saj i origjinës ndodhet në vështirësi, duket se ajo nuk heziton që të ndihmojë me aq sa ka mundësi. Nga pasqyra e bërë mbi këtë fondacion online, mund të shihet se vet Bebe Rexha ka dhuruar plot 10 mijë dollarë (rreth 8,400 euro) për të ndihmuar furnizimin e spitalit.
Rekordin e donacioneve e theu deri më tani Avdul Bajro, i cili ka dhuruar shumën prej 11 dollarësh.
Nga 5 mijë dollarë kanë dhuruar Reggie dhe Jule Ballanca, Argjent Duka, Fato Koxha dhe Eglantina Kica kanë dhuruar nga 2 mijë dollarë, ndërsa Valon Duka, Bedri Qoku, Bleron Canka, Atdhe Canka, Vebi Canka, Bedri Sela, Rober Mela, Arti Mela, Feta Fishta, Shpëtim Dema, Fatmir Duka kanë dhuruar nga 1 mijë dollarë secili.
Veprimtari dibran në Florida – SHBA, Turan Rusi, i cili së bashku me fëmijët e tij, në emër të Familjes Rusi, vitin e kaluar kur nisi pandemia dhe masat u shtuan, ka bërë dy donacione njëri pas tjetrit, duke ndihmuar fillimisht 100 familje dibrane me paketa ushqimore, dhe një ndihmë të dytë për 200 familje të tjera.
Ndërkohë, bëhet e ditur se Turan Rusi, së bashku me fëmijët e tij, në emër të Familjes Rusi, sipas bisedës telefonike që ka pasur ai me drejtorin e spitalit, Dr. Baki Alili, këto ditë në ambientet të Spitalit – Dibër bëri pagesën të faturave për bombolat e oksigjenit. Për çka ai mori edhe një Mirënjohje nga drejtori dhe të punësuarit të Spitalit në respekt për familjen Rusi.
Reparti kirurgjik në Dibër është kthyer në repart për trajtimin e pacientëve me Covid19 në Dibër.
“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të të prekurve me Covid19 edhe reparti kirurgjik e kemi kthyer ne repart për trajtimin e të prekurve nga virusi, pasi atij te Internos” – i tha Baki Alili, drejtor i spitalit, një media lokale në Dibër.
Sipas Alilit, momentalisht janë të hospitaliziar 30 pacientë, 28 prej tyre janë në aparatet respiratore.

Dhuro duke klikuar mbi linkun: https://tinyurl.com/57b9uxst