Dr. Fatmir Doda, mjeku i përkushtuar, personaliteti mjekësisë shqiptare


Ulind me 21 dhjetor 1933 në Durrës, ndërsa i ati, Xhelili ka lindur dhe është rritur në Reç të Dibrës. Në vitet 1955-1960 ka kryer Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1961, menjëherë pas përfundimit të studimeve, për rezultatet e larta të arritura në këto studime, u emërua as/pedagog në lëndën e Anatomisë Normale, pas një peripecie paraprake që lidhej me emërimin e tij fillestar në Kardiologji. Në takim me Dr. Fatmir Dodën, ndonëse ai nuk “shprehej” për rezultatet e tij të larta që kishte arritur në studimet universitare, më ka pranuar se ndërkohë që ishte student, ishte përgjegjës i grupit mësimor ku bënte pjesë, duke qenë kështu një përfaqësues i zgjedhur i tyre. Kolegë të lëndës së Anatomisë që e kanë njohur dhe kanë punuar me të, janë shprehur se ai ishte një pedagog i aftë dhe mjaft i përgatitur. Por ndonëse Dr. Fatmir Doda qëndroi si as/pedagog i lëndës së Anatomisë Normale vetëm për një kohë të shkurtër dhe më pas për interpretime politike të kohës u largua nga fakulteti, ai ka lënë gjurmë në Katedrën e Anatomi-Histologjisë (sot Departamenti i Morfologjisë), si një pedagog i zoti i kësaj lënde, nga më të vështirat në Fakultetin e Mjekësisë. Më pas u transferua në Spitalin e Kukësit, si drejtor i këtij spitali, të cilin e drejtoi në vitet 1965-1971. Në periudhën 1972-1993 u transferua në Tiranë, ku kreu funksionin e Drejtorit të Shërbimit Shëndetësor në Ndërmarrjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov”. Njohës i disa gjuhëve të huaja; i specializuar në Patologji dhe Radiologji. Pas daljes në pension, punoi për një kohë të gjatë në klinikën e tij private në Sauk të Tiranës, duke iu ardhur në ndihmë banorëve të zonës me shërbimin e tij shëndetësor të kualifikuar. Dr. Fatmir Doda ishte një mjek i përkushtuar, personalitet në fushën e mjekësisë shqiptare, që la gjurmë të pashlyera për aftësitë profesionale dhe për humanizmin e tij të pashoq.
Nga biseda me Dr. Fatmir Doda, si ish student i Fakultetit të Mjekësisë dhe si ish as/pedagog i lëndës së Anatomisë Normale në periudhën 1961-1962, në një takim të realizuar me të në janar të vitit 2020 në Kafe ‘Europa”,  Dr. Fatmiri më ka treguar, se kur ai kishte ardhë as/pedagog në Lëndën e Anatomisë Normale, siç tregon ai, kishte patur “dy shefa, dy Skënderë”: Dr. Skënder Dauti, Shef i lëndës së Anatomisë Normale dhe Doc. Skënder Çiço, Shef i lëndës së Histologji-Embriologjisë njëherësh dhe Shef i katedrës së Anatomi-Histologjisë. Për Dr. Skënder Dautin ai më ka sjellë në kujtesë thënien e një shokut të tij të fakultetit në Bukuresht, të Dr. Klement Shtetos, sipas të cilit Dr. Skënderi ishte një gjeni. Atë nuk e arrinte asnjë nga kolegët e tij. – Ngaqë kishte shumë dëshirë kirurgjinë, ndonëse s’u bë kurrë kirurg, shpesh herë ndodhte që grupet e tij të mësimit praktik t’i bëja unë, – tregon Dr. Fatmiri, – dhe ai shkonte të merrte pjesë në operacione deri në Berat, ku operonte kirurgu i talentuar Maksut Drrasa… Kishte qenë në fillim në Anatomi edhe Dr. Fiqiri Basha, por ai kishte kaluar në Anatomi Topografike. Kështu që në Anatominë Normale kishte mbetur vetëm Dr. Skënder Dauti. Pas tij erdhi Dr. Petro Papdhopulli nga Hungaria. Qe burrë i mirë dhe pedagog i zoti Dr. Petro, po ashtu Dr. Fiqiriu. Kështu pra, në fillim në Anatomi Normale kanë qenë Fiqiri Basha dhe Skënder Dauti. Më pas Dr. Fiqiriu kaloi tek Anatomia Topografike dhe në Anatominë Deskriptive-Normale, përveç Dr. Skënder Dautit  erdhi Dr. Petro Papadhopulli. Në vitin 1957 erdhën dhe Dr. Klementina Llanga e Dr. Gazmend Velçani, nga kontigjenti i studentëve të porsambaruar të Institutit të Lartë Mjekësor. Më pas erdha unë, por qëndrova pak…. Dhe emërimet në Lëndën e Anatomisë vazhduan… – Kam ardhë pedagog në Lëndën e Anatomisë Normale në vitin 1961, pas një peripecie që lidhej me emërimin tim fillestar në Kardiologji tek Prof. Nikolla Shurbani – vazhdon të më tregojë Dr. Doda. –  Por shpejt emërimi u ndryshua dhe përfundova në Anatomi. Jemi emëruar në Fakultetin e Mjekësisë në një kohë me Prof. Besim Elezi (Kirurgji) dhe Prof. Ilir Gjylbegu (Obstetrikë-Gjinekologji)”. – Natyrisht, ardhja si pedagog në fakultet, direkt nga bankat e shkollës, lidhej në radhë të parë me rezultatet e larta në mësime – i them. – Siç do të ketë qenë dhe rasti juaj. Dhe Dr. Fatmiri me modestinë e tij e anashkalon këtë fakt me elegancë, por pranon atë që ndërkohë ishte student, ishte përgjegjës i grupit mësimor ku bënte pjesë, duke qenë kështu një përfaqësues i zgjedhur i tyre. Doktori vazhdon të më tregojë, për kohën që ai qëndroi si pedagog i Anatomisë Normale dhe më pas, për interpretime politike të kohës, u largua nga fakulteti dhe punoi për një kohë në Spitalin e Kukësit, si drejtor i këtij spitali dhe më tej në Tiranë, si Drejtues i Shërbimit Shëndetësor në Ndërmarrjen Bujqësore ‘Gjergj Dimitrov” deri sa doli në pension. Dr. Fatmiri, përfundoi bisedën e tij me konsiderata vlerësuese për kolegët, ndërkohë që më foli shumë pak për vete…

Drejtues i Departamentit të Morfologjisë në Fakultetin e Mjekësisë