Luiza – kampionia olimpike përpara së cilës duhet të ndjehemi të turpëruar


Nga Arben Malaj

Gara e 3000 metrave me pengesa

Gega zë vendin e 13 në botë

Luiza Gega doli e 13-ta në botë në finalen e atletikës për 3000 metrave me pengesa më Olimpiadën e Tokyos. Ajo shënoi kohën 9:34.10. Gega është sportistja e parë që arrin në finalen e lojrave Olimpike deri më tani. Ajo u bë sportisja e parë shqiptare që fitoi një medalje në atletikë në kampionatet evropiane në 3000 metra për femra në vitin 2016 në Amsterdam, Holandë. Ajo doli e katërta në Kampionatin Evropian në vitin 2018, në Berlin me kohën 9:27.78.

Ishte ftesa e Robb, PAM dhe ekipit të Qendrës Lincoln (https:// lincolnalbania.org/) që më krijoi mundësinë e jashtëzakonshme të njihja nga afër Luiza Gegën, atleten tonë olimpike dhe fituese të shume çmimeve ndërkombëtare dhe trajnerin e saj Taulant Stermasin, vlerat e tyre humane dhe sukseset e përbashkëta sportive.

Rrëfimi jetësor i Luizës dhe Taulantit, vështirësitë e saj kritike për të arritur këto rezultatet, kushtet minimale të stërvitjes aq sa në Tiranë stërvitet në një pistë të shtruar me mbetje qymyri që janë të dëmshme për shëndetine saj.
Stërvitjen bazike të përditshme duhet ta bëj në stadiumin e Elbasanit, ku i kërkonin të paguante për përdorimin e pistës – shpresoj të jetë zgjidhur.
Ndërsa Universitetet më elitare në botë u ofrojnë bursa sportistëve dhe artistëve që krijojnë modele suksesi, Luiza kishte paguar edhe tarifa studimi penalizuese sepse nuk i kishte dhënë në kohën e duhur provimet duke e paguar vetë një kosto rreth 1 milion lekë më shumë për arsimimin e saj në Akademinë e Sporteve.
Mbështetja nga Ministria dhe Bashkia e Tiranës është minimale.
Fisnikëria e Luizës u shfaq në faktin se, trajneri i saj dhe Luiza, kanë bindjen se një brez i ri i vajzave atlete me premisa për të qenë kampionët e ardhshme, ekziston në Shqipëri, por kërkohet një përkujdesje e veçante dhe një proces trajnimi intensiv dhe thellësisht profesional kanë një perspektivë shumë premtuese. Por përgjigjja burokratike e MASR për të filluar një program trajnimi të dedikuar për to për një prezantim dinjitoz në Olimpiadën e Parisit 2024 – ishte jo vetëm zhgënjyese.
Mbështetja financiare për Luizën, trajnerin e saj dhe atletet e reja me perspektive sfiduese është në nivele minimale dhe penguese për trajtimin e përditshëm dhe për përgatitjet intensive në prag dhe gjatë garave në nivele rajonale, evropiane dhe olimpike.
Ekipi i stërvitjes së Luizës që bënë krenar gjithë shqiptar është i cunguar, pa mjek profesional, pa psikolog, pa seanca coaching që maksimalizojnë dhe harmonizojnë faktorët psikologjikë të sukseseve të saj.
Nga ajo darkë dhe ai aktivitet i mrekullueshëm fisnik i qendrës “Lincoln” dhe me fokus mirënjohjen ndaj Luizës – ika i trishtuar.
Luizës publikisht i premtova se do të loboja dhe ndihmoja të financonte kostot shtesë të përditshme fillimisht me një mbështetje 2000 euro në vit të ndara proporcionalisht për çdo muaj.
Fatmirësisht kompania e parë që kontaktova u shpreh menjëherë e gatshme për këtë financim. Besoj dhe këmbëngul se në komunitetin e biznesit por edhe shoqëria jonë në tërësi ka shumë njerëz fisnikë mirënjohës për Luizat dhe çdo sportist apo artist që na bën krenarë. Shumë prej tyre nuk i njohin këto vështirësi fizike dhe financiare të Luizave kampione.
Luiza është një heroinë e heshtur, e ndrojtur të flasë për jetën, vështirësitë dhe sukseset e saj, deri e zverdhur në fytyrë për të mos e bërë publike jetën dhe karrierën e saj të vështirë.
Një kërkesë publike për mediat e vendit tim- i ftoni ose i “detyroni” ata që na bëjnë krenarë me arritjet e tyre – të ndajnë me publikun rrugëtimin e tyre, t’i tregojnë vështirësitë e suksesit, të inspirojnë të rinjtë në çdo lagje, fshat dhe qytetet të vendit tonë për të qenë më ambiciozë, për ta arritur dhe jo pritur suksesin.
Një kërkesë publike për ata që nuk lënë rast për t’ua “vjedhur” një pjesë të suksesit kampionëve tanë – me foto, me lajme, me vizita apo takime publike të “rastësishme” – edhe pse mbështetja e tyre reale për suksesin e Luizave është më pak se minimale – financoni me prioritet kampionet jo thjeshtë këngëtaret e koncerteve elektorale apo koncertet qiellgërvishtëse.
Mirënjohje Luizës për krenarinë që i dhuron shqiptarëve!!
Mirënjohje Taulantit – trajnerit të Luizës së suksesshme!!
Falënderim të veçantë Pam, Robb dhe kolegëve të mrekullueshëm të“LincolnCenter”.
Le të bashkohemi me kontribute sado modeste që t’i inspirojmë, mbështesim dhe t’iu shprehim mirënjohjen reale talenteve dhe kampionëve tanë në sport, në art, në shkencë.
* Publikuar për herë të parë në faqen personale të autorit në Facebook.