Gëzuar festën Dibër!
Nga Besnik Lami


Qielli i pastër e me ca avuj flakërues në horizont na tregon se edhe sot do të jetë ditë e bukur dhe e nxehtë si shumë ditë të tjera të kësaj vere të jashtëzakonshme. Bulevardi i bukur i Peshkopisë, bulevardi i blinave, që mban emrin e patriotit Elez Isufi, ka ditë që hijeshon nga flamujt, banderolat dhe parullat për 77 vjetorin e krijimit të Brigadës 18 S dhe 77 vjetorin e çlirimit të qytetit. Dita e sotme më duket më e freskët e më gjallëruese, sepse qytetarët dhe të rinjtë e të rejat e Dibrës do të kujtojnë e do të festojnë ditën e çlirimit të rrethit. Sheshi para Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” gjallëron e hijeshon më shumë. Fasada e tij e zbukuruar me flamuj kombëtarë dhe parullën: “Rroftë 23 gushti”, si dhe muzika popullore e dalë nga qendra e zërit e Pallatit të Kulturës që në orët e para të mëngjesit ndezin atmosferën e qytetit. Peshkopia është në festë. Populli dibran sot do të festojë 77 vjetorin e krijimit të Brigadës 18 S dhe çlirimin e Dibrës nga pushtuesit nazifashistë e forcat kolaboracioniste, por do të kujtojë dhe heroizmin partizan të atyre viteve të stuhishme, si dhe gjakun e dëshmorëve e heronjve të rënë për çlirimin e Dibrës.
Ora 10.00. Para Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” janë mbledhur qindra qytetarë e veteranë, pasardhës veteranë, të rinj e të reja. Pushon muzika. Moderatori Defrim Methasani dhe një grup vajzash të reja, valltare të talentuara, hapin siparin e festës së Çlirimit. Pastaj për këto dy evente e sidomos për ditën e çlirimit të Dibrës dhe gjakun e dëshmorëve të rënë e rëndësinë historike të kësaj lufte çlirimtare që është faqja më e lavdishme e historisë së popullit tonë në shekuj, foli kryetari i bashkisë Shkëlqim Murrja e kryetari i Organizatës së Veteranëve të rrethit shoku Alush Stojku. Përveç dhjetëra qytetarëve, të rinj e të reja e pasardhësve të veteranëve merrnin pjesë dhe përfaqësues të pushtetit lokal si kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër zonja Valentina Haliti, sekretarja e përgjithshme e Prefekturës Dibër, zonja Donika Hyseni, deputeti i zonës Lavdrim Krashi, përfaqësues të Luftëtarëve të Maqedonisë së Veriut nga Dibra e Madhe, z. Nazmi Kurtishi e Sami Strikcani si dhe përfaqësues të organizatës së veteranëve nga të gjithë zonat e rrethit. Merrte pjesë dhe ish deputetja e Dibrës, ish Ministre e Arsimit, shoqja Tefta Cami, bijë dëshmori. Pas përshëndetjeve të autoriteteve të sipërshënuar, nën udhëheqjen e bandës së qytetit, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të Organizatës së Veteranëve dhe qindra qytetarë të thjeshtë e punonjës të institucioneve shtetërore u vunë në radhë për të shkuar te varrezat e dëshmorëve.
Ora 11.00. Pas ekzekutimit të Himnit kombëtar u vunë kurora me lule te lapidari i dëshmorëve të rrethit nga Prefektura, Bashkia, Këshilli i Qarkut, Org. e Veteranëve dhe ajo e Dëshmorëve të rrethit, nga grupi i deputetëve dhe pastaj u bënë homazhe nëpër varrezat e dëshmorëve të Luftës NÇl, ku prehen eshtrat e 220 dëshmorëve. Veprimtarinë e kësaj dite festive, ditë përkujtimore, e ndoqën dhe e filmuan 2-3 stacione televizive, si kujtim të kësaj dite plot lavdi e nder për të rënët e kombit. Pas kryerjes së homazheve në varrezat e dëshmorëve të rrethit, njerëzit u kthyen në qytet grupe-grupe, duke biseduar e kujtuar heroizmin e lavdinë e partizanëve tanë trima.
Ora 13.00, përfaqësues të organizatave të veteranëve nga qendra e zonat, përfaqësues të pushtetit lokal e të familjeve të dëshmorëve morën pjesë në një drekë te Hotel- Turizmi i qytetit, organizuar e përgatitur nga bashkia Peshkopi, e cila kaloi bukur e bollshëm, pasi u ngritën dhe shëndete.
Siparin e kësaj dite të bukur festive e mbylli koncerti i bukur artistik i përgatitur nga Shtëpia e Kulturës Peshkopi me regjisor z. Xhelil Imeri dhe skenarist e prezantues z. Defrim Methasani. Koncerti qe i bukur e mbresëlënës. Atë e hapi tenori Kastriot Tusha, i ardhur apostafat nga Tirana, me këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të cilin e pasuan me këngët e tyre të bukura patriotike e lirike këngëtarët e njohur dibranë si Arif Vladi, Dritan Jashari, Lirie Rasha, Vera Laçi, Elida Shehu, Agim Skara, Ingrit Lushi, Edmond Përnezha si dhe këngëtari nga Dibra e Madhe, Ivzi Kraja (Xiu) e një grup këngëtarësh nga Mirdita. Tingujt e muzikës dhe tekstet e këngëve dibrane shpërndahen e mblidhen nëpër bulevard si ujëvarat e Korabit e valët e Drinit. Koncerti i përgatitur nga shtëpia e kulturës dhe i dirigjuar e prezantuar bukur nga gazetari Defrim Methasani e Vali Zhuka me plot improvizime e batuta kënaqi qytetarët dibranë, të rinjtë e të rejat e këtij qyteti dhe na kujtoi nostalgjinë e dikurshme, kur këto festa e evente historike organizoheshin e festoheshin me krenari e rigorizitet, me një organizim perfekt e të gjithanshëm. Me intervistat e shkurtra e zhbiruese të D.Methasanit, këngëtari me zë Arif Vladi, që është dhe drejtor i Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” thotë:
-Dibra më rriti, Dibra më dha emër e më dha shpirt, Dibra më dha krenari. Kurse kryetari i bashkisë këtë natë do ta cilësonte si natë të bukur, natë magjike. Këngëtari mirditor Kol Zefi në intervistën e shkurtër të bërë nga prezantuesi tha: – Kështu siç bëri Dibra sot, duhet të bëjnë të gjitha rrethet e Shqipërisë në kujtim të ditës së çlirimit dhe gjakut të dëshmorëve, ngahera e çdo vit se kështu trashëgojmë vlerat e bukura qytetare e liridashëse të brezave të kaluar. Në fund të koncertit me këngën e Dritan Jasharit: “Hej, kjo Dibra maja-maja” publiku u çua në këmbë e në valle për të përjetësuar fjalët himn të kësaj kënge patriotike dibrane.
Autori i këtij reportazhi ka marrë pjesë vazhdimisht në ceremonitë festive të festës së 23 gushtit, por festimi i kësaj ngjarje sot me 23 gusht 2021 ka qenë i bukur e madhështor, më mirë se çdo herë tjetër, pasi kryetari i bashkisë z.Shkëlqim Murrja i dha rëndësinë e duhur organizimit të kësaj feste në të gjitha aspektet. U morën masa organizative 2 javë para festës, pjesëmarrja e popullit dhe e kuadrove në homazhe të varrezat e dëshmorëve qe më e mirë se çdo herë tjetër, dekori festiv i qytetit u bë herët e bukur dhe organizimi i koncertit u bë shkëlqyer në sajë të impenjimit maksimal të drejtorit të Pallatit të Kulturës Arif Vladi e të regjisorit Xhelil Imeri. Sharm i dha kësaj feste dhe prezantuesi dibran Defrim Methasani, mjeshtër i organizimit të eventeve të tilla. Kështu festofsh ngahera Dibra e kuqe, Dibra e pushkës dhe e punës, Festen e Çlirimit të rrethit, në kujtim të dëshmorëve që dhanë gjakun për lirinë që ne gëzojmë sot.
Peshkopi, 23 gusht 2021