Hidhet asfalt në rrugën e Arbrit, por trafiku i makinave është akoma i kufizuar


Me gjithë premtimet për nisjen e trafikut gjatë verës së këtij viti, përmes bypass-it që kalon nga Qafa e Murrizës, kjo nuk është e mundur për të gjithë qytetarët. Lëvizja mbetet një privilegj për zyrtarët lokalë, deputetët, njerëzit pranë qeverisë dhe të afërmit e tyre.

Pamje nga sheshi i ndërtimit përpara hyrjes në tunelin e Murrizit. Deri më tani thuhet se kompania ka realizuar mbi 75% të punimeve. Tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e këtij aksi rrugor, parashikohet që dy anët e tij të bashkohen në fund të këtij viti.
Foto e datës 2 shtator 2021.

Për nisjen e qarkullimit në rrugë kërkohet një vullnet bashkëpunimi me kompanisë ndërtuese dhe qeverisë. Ndërsa deputetët, të zgjedhurit vendorë dhe zyrtarët lokalë, përpara se ta përfitojnë lëvizjen në këtë rrugë si privilegj të pushtetit, duhet të ushtrojnë presion te institucionet vendimmarrëse që rruga të jetë e lirë për publikun sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kur të piqen qershitë, do të më thoni mua dhe do t’ju lejojmë të kaloni nga rruga e re, në mënyrë që ta kapni pazarin e Tiranës sa më shpejt”.

Kështu premtonte një kandidat për deputet në prill 2021, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare. Dhe kjo ishte e besueshme gjatë fushatës, pasi rreth 200 makina në ditë kalonin trarët e vendosur gjatë kantierit të ndërtimit përgjatë Rrugës së Arbrit nga Klosi deri në Qafën e Tujanit në Tiranë.

Pamje nga rruga e asfaltuar në Xibër, Mat. />Pas bllokimit të rrugës për disa javë menjëherë pas zgjedhjeve, trafiku ka filluar të lëvizë sërish, megjithëse rruga vazhdon të ketë akoma statusin e një kantieri ndërtimi.
Foto e datës 2 shtator 2021.

Por kalimi i makinave në këtë aks gjatë fushatës elektorale ka sjellë shqetësime për drejtuesit e kompanisë, aq sa presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka, ia shprehu shqetësimin kryeministrit Rama gjatë vizitës në kantier me 14 prill 2021.
“Për tu vu në qarkullim, duke marrë parasysh bashkëpunimin, bëhet shumë shpejt. Nga tuneli i Murrizit tek Ura e Vashës ne kemi edhe 1-2 muaj punë. Pastaj e gjithë rruga është e shtruar me asfalt, përveç Planit të Bardhë dhe atij segmentit rreth 2 km në Qafë të Tujanit. Kam hallin e trafikut, por njerëzit nuk e kuptojnë, vijnë dhe zihen me rojet”…
Prej atëherë kanë kaluar 4 muaj, por punimet nuk kanë mbaruar. Aksi lidhës me Klosin, rreth 3 km, nuk ka mbaruar ende, ndërsa vazhdojnë punimet për hapjen e tunelit të Murrizit. Fushatë përpara nuk duket të ketë, ndaj edhe premtimet për hapjen e rrugës për trafik nuk duken në skenë.
Premtimet për hapjen e qarkullimit të mjeteve nisën që tre vjet më parë, më 17 qershor 2018, kur u zhvillua ceremonia e inaugurimit të punimeve në Klos.

“Do ta hapim rrugën 6 muaj para afatit”, pati premtuar presidenti i kompanisë ndërtuese.
Këtë premtim ia kujtoi kryeministri presidentit të kompanisë edhe më 9 qershor 2019, gjatë një vizite në kantierin e rrugës, tek Ura e Vashës. Pyetjes së kryeministrit se kur do të mbarojë, ministrja Balluku iu përgjigj: Nëntor 2021.
“Jo, jo – ia ktheu kryeministri. Ju nuk keni qenë fare atëherë” dhe, duke iu drejtuar presidentit të kompanisë Gjoka, i tha: “Ne e kemi lënë këtë në pranverën e 2021”.
Disa ditë më pas, më 15 qershor 2020, kryeministri njoftoi nisjen e asfaltimit në 10 km e para të rrugës, ai shkroi në faqen e tij në facebook se rruga “pritet të jetë e aksesueshme brenda verës së vitit 2021!”.

Zyrtarë lokalë dhe njerëz pranë qeverisë nuk kanë ngurruar vazhdimisht të bëjnë publikë në rrjetet sociale “besimin dhe durimin që duhet kemi te kryeministri Edi Rama, si burrë i fjalës së mbajtur”. Kur ata kalojnë nga rruga, hedhin fotografitë e tyre bashkë me lavdet për kryeministrin dhe urimin: “Ta gëzojnë dibranët e matjanët rrugën”.
Në realitet, fjala e mbajtur ka qenë vetëm për të zgjedhurit vendorë, zyrtarë lokalë, deputetët apo ndonjë i “fortë” pranë tyre, ndërsa populli duhet të vazhdojë t’ia mbajë nga rruga e vjetër.

Të njëjtin qëndrim për nisjen e qarkullimit në rrugë e ka mbajtur edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Gjatë analizës vjetore të kësaj Ministrie në tetor 2020, ajo tha se “mes rrugëve që duhen përfunduar gjatë 2021 është Rruga e Arbrit, e cila do të përfundojë përpara afatit të parashikuar”.
Të njëjtin besim për përfundimin e punimeve para afatit ka shfaqur edhe Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. “Rruga e Arbërit do të përfundonte para zgjedhjeve të 25 prillit (2021)”, deklaroi ajo në emisionin “Zonë e Lirë” në TV Klan.
Që nga mesi i vitit 2019, kur u shemb një pjesë e tunelit të Murrizit, afatet zyrtare për përfundimin e punimeve mbeten të paqarta.
Ministrja Belinda Balluku në emisionin “Absolut 2” në televizionin A2, tha, megjithëse nuk ishte e sigurt, se afati i kontratës është deri në nëntor 2022”.
Më 19 prill 2021, në një përgjigje të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për faktoje.al thuhet se “përfundimi i punimeve në total sipas kontratës është në prill 2022. Sipas ecurisë së faktit pritshmëritë dhe mundësitë janë edhe më herët se ky afat”.
Por, ndërkohë që zgjatet afati, nuk u la asnjë fije dyshimi se qarkullimi do të niste më herët. Kompania dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ranë dakord për asfaltimin e by-passit, 9 km të gjatë, e cila do të mundësonte nisjen e trafikut para mbarimit të tunelit të Murrizit.
“Kemi folur me ministren për një zgjidhje, e cila më kushton mua, por përfitojnë fshatrat që lidhin Xibrin me Bastarin” – tha Rrok Gjoka në prill 2020, gjatë një vizite të kryeministrit Rama dhe ministres Balluku në kantier. Sipas tij, do të ndërtohet një by-pass 9 kilometra, i cili do të bëjë bashkimin nga njëra anë e tunelit në anën tjetër.

***

Hyrja në Tunelin e Murrizit në Xibër, Mat. Punimet priten të mbyllen në dhjetor 2021.

Zyrtarë lokalë dhe njerëz pranë qeverisë nuk kanë ngurruar vazhdimisht të bëjnë publikë në rrjetet sociale “besimin dhe durimin që duhet kemi te kryeministri Edi Rama, si burrë i fjalës së mbajtur”. Kur ata kalojnë nga rruga, hedhin fotografitë e tyre bashkë me lavdet për kryeministrin dhe urimin: “Ta gëzojnë dibranët e matjanët rrugën”.
Në realitet, fjala e mbajtur ka qenë vetëm për të zgjedhurit vendorë, zyrtarë lokalë, deputetët apo ndonjë i “fortë” pranë tyre, ndërsa populli duhet të vazhdojë t’ia mbajë nga rruga e vjetër.
Pas bllokimit të rrugës për disa javë menjëherë pas zgjedhjeve, trafiku ka filluar të lëvizë sërish, megjithëse rruga vazhdon të ketë akoma statusin e një kantieri ndërtimi.
Gjatë një vëzhgimi në terren me 2 shtator, nga ora 14.00 deri në orën 16:00, mbi 40 makina kaluan Qafën e Murrizit.
“Përderisa rruga ka statusin e një kantieri ndërtimi, aty nuk duhet të lëvizë asnjë makinë, përveç atyre të punës”, tha një ekspert i sigurisë rrugore për gazetën.

Pamje nga Tuneli T3 i Rrugës së Arbërit. Në sfond ura e fshatit Fshat. Asfaltimi i rrugës në këtë segment nisi në korrik dhe ka mbaruar në gusht 2021.

Ne iu drejtuam në emailin zyrtar kompanisë për një leje për ta vizituar zyrtarisht kantierin dhe për të marrë informacion më të hollësishëm për ecurinë e punimeve, por nuk morëm përgjigje.
Një burim pranë kompanisë tha në kushtet e anonimatit se “rruga tashmë mund të hapet që nesër, por janë shërbimet e policisë rrugore që nuk janë të gatshme për ta marrë rrugën nën kontroll”.
Gjatë këtij viti ka pasur disa aksidente në disa segmente të rrugës, me pasojë tre të vdekur dhe dy të plagosur.
“Aksidentet kanë ndodhur si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit, – tha një ekspert i sigurisë rrugore. Në rrugë mungojnë pothuajse krejtësisht tabelat informuese, sinjalistika e përkohshme si dhe vizimet në rrugë”.
“Aksidente në rrugë do të ketë edhe kur ajo do të vihet në shfrytëzim, tha eksperti, për sa kohë ka drejtues mjetesh që nuk i respektojnë rregullat e qarkullimit, por kjo nuk duhet të shërbejë si pengesë për hapjen e rrugës për trafikun e makinave”.
Më herët këtë vit u vu në shfrytëzim by-passi i Vlorës, megjithëse punimet nuk kanë përfunduar.
Për nisjen e qarkullimit në rrugë kërkohet një vullnet bashkëpunimi me kompanisë ndërtuese dhe qeverisë. Ndërsa deputetët, të zgjedhurit vendorë dhe zyrtarët lokalë, përpara se ta përfitojnë lëvizjen në këtë rrugë si privilegj të pushtetit, duhet të ushtrojnë presion te institucionet vendimmarrëse që rruga të jetë e lirë për publikun sa më shpejt të jetë e mundur.

Kosto e rrugës: 33.6 miliardë lekë

Buxheti i shtetit ka paguar deri më tani mbi 7.5 miliardë lekë
Rruga e Arbërit është dhënë me koncesion nga qeveria shqiptare për 13 vite, ku përfshihet ndërtimi dhe mirëmbajtja gjatë gjithë periudhës së koncesionit.
Kontrata është miratuar nga Këshilli i Ministrave më 28 mars 2018 dhe është botuar në Fletoren Zyrtare më 11 prill 2018.
Kompania ka marrë një kredi nga Banka Kombëtare Tregtare me një garanci shtetërore në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për infrastrukturën, të njohur ndryshe si programi “1 miliardë dollarë”.
Kompania “Gjoka 87”, duke nisur nga 22 janar 2019, ka marrë deri më tani 7 miliardë e 560 milionë lekë (mbi 61 milionë euro), ndarë në këste të barabarta prej 630 milionë lekësh.
Kosto totale e rrugës, sipas kontratës së firmosur në vitin 2018 është 33.6 miliard lekë.
Revista “Monitor” e specializuar në lajmet ekonomike, pati njoftuar në nëntor 2019 se, pas shembjes së Tunelit të Murrizit, kosto e rrugës ishte rritur me 45 %, pra nga 33.6 miliardë lekë në 58 miliardë (460 milionë euro), por kjo shifër është kundërshtuar nga autoritetet zyrtare.
Ish-kryeministri Erion Braçe më 25 prill 2020 publikon një foto të Urës së Fshatit Fshat në ndërtim, ku mes të tjerash shkruan se rruga e Arbrit kushton 33.6 miliardë lekë. Të njëjtën shumë konfirmon edhe Ministria së Infrastrukturës dhe Energjisë për faktoje.al.
Deri më tani thuhet se kompania ka realizuar mbi 75% të punimeve. Tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e këtij aksi rrugor, parashikohet që në fund të këtij viti të bashkohen dy anët e tunelit.

Ecuria e punimeve në Rrugën e arbrit

Segmenti 1: Dalje në Tiranë – Ura e Brarit, 1.153 km: E asfaltuar.
Segmenti 2 : Ura e Brarit – Zall Bastar, me 5.46 km: E asfaltuar pjesërisht. 2 km akoma e pa asfaltuar.
Segmenti 3: Zall Bastar – Dalja e Urës së Vashës, 23.188 km. E hapur për trafikun dhe e asfaltuar.
Segmenti 4: Dalja e Urës së Vashës – Bulqizë, me gjatësi L=9.715 km. E mbyllur për trafikun. E pa asfaltuar.
Segmenti 5: Bulqizë-Ura e Çerenecit, me L=20.12 km, i përfunduar në v. 2009 dhe 2011 (E hapur për trafikun. Nuk është pjesë e koncesionit).
Segmenti 6: Urën e Çerenecit – Maqellarë – Pika kufitare Bllatë; 9.111 km: Jo zyrtarisht, e hapur për trafikun. E asfaltuar.
Segmenti D (7): Maqellarë-Pika kufitare Bllatë – E hapur për trafikun. E asfaltuar.
Segmenti K (8): Dalje Ura e Vashës – Klos, me L= 3.092 km. Në proces ndërtimi