“Histori qëndrese” në romanin e katërt të Dogjan Dervishit


Nga Halil RAMA

Me katër romane të botuara dhe të mirëpritura nga lexuesi , në harkun kohor të tetë viteve: “Zhgënjimi” (2013), “Shpresë e thyer” (2017), “Përandoria e medjave” (2019) dhe “Një histori qëndrese “ ( 2021); Dogjan Dervishi rënditet padyshim me elitën krijuese dibrane, dhe pse jo edhe me atë kombëtare.Nëse me romanin e parafundit “Përandoria e medjave” u njoha fillimisht gjatë promovimit të tij para dy vitesh në një nga sallat e Hotel Tirana international, me pjesmarrjen e dhjetra personaliteteve krijuese dhe me pas e lexova me një frymë, romanin e fundit të këtij autori “Një histori qëndrese” , pata fatin ta kemë në dorë që në dorëshkrim.
Kjo vepër letrare e këtij autori është e gjitha përformancë bashkëkohore që të imponohet që në faqet e para dhe në vijim, deri në faqen e fundit, me subjektin dhe përmbajtjen e veçantë si dhe me formën e bukur artistike të rrëfimit, të ndërtimit , të gërshetimit të linjave e të kapërcimeve kohore.
Trilli artistik i këtij autori nis që në hyrje, ku personazhi kryesor Artur Semini që ka humbur gruan nga një sëmundje e rëndë dhe ku në kulmin e dëshpërimit, vajza e tij Shpresa me banim në Danimarkë e fton për ta njohur me një zonjë të rrallë, me të cilën mund të kalonte vitet e pleqërisë , ndonse kjo qe një zonjë fisnike, Arturi refuzon ketegorikisht kur mësoi për orientimin seksual të djalit të saj. Reflektim ky i përnjëçastshëm i mentalitetit shqipëtar për ripërtritjen e jetës nëpërmjet martesave burrë-grua, kundër homoseksualizmit.
Më pas vijon, shtrirja e subjektit në dy kohësipas një ndërtimi kompozicional mjaftë original : para viteve ’90 kur personazhi kryesor i tij Artur Semini arrin të shkollohet dhe të krijojë një familje solide me mësuesen Filomena, si dhe në tridhjet vitet e fundit, kur jeta e tyre merr rrokullimën e fatit. Kësisoj ky roman sjellë befasi për lexuesin
Autori Dervishi, me një bagazh të pasur jetsor ka ditur të përveçojë ngjarje interesante të përjetuara intensivisht nga personazhet dhe të skalis asosacionet më pikante.Parë nga ndërtimi kompozicional, përshkrimi i ngjarjeve në dy kohë e bën më tërheqës këtë roman. Kjo për faktin se në pjesën e parë lexuesi, sidomos brezi i ri do të mësojë për vitalitetin e rinisë së asaj kohe, për nivelin bashkohor të sistemit arsimor që nxorri kuadro të denjë të konkuronin kudo denjësisht, si dhe për mundësinë që edhe rinia shkollore të përgatitej për të qenë e aftë ushtarakiaht në rast të një agresioni të mundshëm ndaj vendit tonë. Pikrisht në raste të tilla nis dhe njohja e ngjizja e dashurisë së sinqertë mes Artur Seminit nga Dibra dhe Filomena Priftit nga Kuqi i Vlorës, kur nxënësit e shkollës së mesme me drejtor Vasil Panon kryenin stërvitjen ushtarake në repartin kundërajror të Arturit.
Mjaftë bukur, me një gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante përshkruan autori bukurinë hyjnore dhe atë shpirtërore të Filomenës, çka të bën të dallosh tek ai stilin bashkohor të shkruarit të prozës sonë. Për dy nga personazhet gjallues të romanit, gjejmë edhe momente dramatike , sidomos pas incidentit në qitjen me kundërajror në Divjakë. Arturi po përjetonte peshën e fajit pas asaj që ndodhi me operatorin e aparatit të drejtimit të zjarrit Kastriot Muça, i cili kishte harruar të kthente çelsin në pozicionin “ Qitje me pasqyrë”, dhe në qoftëse qitja do të kishte qenë e preçizionit të lartë, do të ishte shkatërruar avioni dhe do të kishte humbur jetën piloti. Edhe në këto çaste, ndërsa Arturi përgatitej për llogaridhënien dhe eutokritikën në organizatën e Partisë, Filomena do t’i qëndronte pranë në çdo moment me këshilla shpresëdhënëse për t’ i larguar stresin bashkëshortit.
E gjithë kjo përbën një lëndë interesante të këtij romani , për të vazhduar më tej në retrospektiv, ku lëvrijnë mardhëniet dashurore të dy bashkëshortëve, që ksisoj arrijnë të krijojnë një familje solide. Mjaftojnë, qoftë dhe trillet e përdorura në përshkrimin e këtyre mardhënieve, për të kuptuar se Dogjan Dervishi e ka shkruar këtë roman më së pari me vizionin e një artisti.
Ndërkohë, krahas portretizimit artistik të dy personazheve burrë-grua, si personazhet kryesore që përshkojnëromanin, nga fillimi deri afër mbarimit të tij, në romanin e autorit Dervishi, ngjarjet i gjejmë tëgërshetuar me periudha historike kyçe të asaj kohe, si dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës apo shkëputja e mardhënieve me Bashkimin Sovjetik. Komenti i ngjarjeve të tilla dëshmojnë për një autor njohës të mirë të historisë dhe përçues eutentik të tyre tek lexuesi.
Në pjesën e dytë të romanit ngjarjet zhvendosen në tridhjet vitet e fundit të tranzicionit të tejzgjatur. Ndërsa vazhdon jetën ushtarake , madje në dikasterin kryesor, Arturi i brumosur me një atdhedashuri të zjarrtë, të trashëguar nga familja dhe të kalitur me punë e sakrifica, refuzon të drejtojë operacionin kundër popullsise civile në jug të vendit në ’97-tën e rebelimit të armatosur, duke dhënë dorëheqjen nga funksioni.
Ngjarjet rrjedhin vrullshëm, pas sëmundjes së bashkëshortes, vdekja e parakohëshme e sëcilës, i shkakton dhimbje të madhe. Por jeta gjithsesi vazhdon. Padyshim ngjarjet më interesante të kësaj pjese janë ato në Azilin e pleqëve, ku pas vetmisë së madhe, e gjen veten në Azil edhe ish ushtaraku Artur Semini. Pikërisht këtu vjen linja e dytë e dashurisë me ish shoqen e gjimnazit “Sami frasheri”, Donika Stërmasi, me të cilën vjen dhe martesa e dytë në mjediset e azilit, si dhe shoqëria me mësuesin Bastri Yzeiri. Edhe në këtë pjesë romani është tërheqës, me ngjarje e personazhe të përshkruara mjeshtërisht.
Autori Dogjan Dervishi ka skalitur veçanrisht portretin e Donikës, qoftë duke sjellë në memorie ngjarje nga jeta shkollore e para shumë viteve, qoftë dhe përjetimet gjatë infektimit me flamën covid-19 që e përballojnë me stoicizëm pranë njeri-tjetrit.
Duke e marrë në tërsinë e tij, mund të konkludojmë se ky roman është radiografi e shoqërisësocialiste, por edhe prognozë e zhvillimeve të këtij çerekshekulli. Pa hyrë me tej në detaje të subjektit, me qëllim që të mos zbehim kureshtjen e lexuesit, do të thoja se romani “Nje histori qëndrese” është një sprovë e forcës emotive të shprehjes, e një bukurie tërheqëse shkrimi, si dhe e një stili të krehur mirë e të veçantë të këtij autori. I uroj atij suksese në krijimtarinë e tij të mëtejshme, sa më produktiv dhe cilësor.