“Këmisha e njeriut të lumtur”


Nga Shaqir Skarra

Para një viti shkrimtarit Xhafer Martini nëpërmjet WhatsApp-it i vjen ky mesazh:
“Mirdita Xhafer, jam Bardhyl Adem Selimi, mësues në pension (në fakt ka qenë pedagog i filozofisë), 75 vjeç, mik i Vesel Hoxhës dhe i Ylli Xhaferit. Para ca vitesh lexova përrallën tuaj “Këmisha e njeriut të lumtur”. Më pëlqeu. E përktheva në esperantisht dhe e futa në një nga numrat e Buletinit elektronik dymujor të Shoqatës Shqiptare të Esperantos. Një mikeshë hungareze e pëlqeu dhe dëshiron ta përkthejë në hungarisht, pastaj ta përfshijë në një përmbledhje përrallash. Ajo kërkon miratimin tënd për këtë. Nëse pranon , formulo miratimin në shqip.
Shpresoj në mirë kuptimin tënd”.
Martini i bëri një deklaratë ku u shpreh se ishte dakord që tregimi tij të përkthehej në hungarisht dhe të botohej në përmbledhjen përkatëse, duke falënderuar njëkohësisht të gjithë ata që e nisën dhe do të merreshin me këtë punë.
Dhe tani (22 korrik 2021) vjen lajmi nga zoti Selimi se tregimi “Këmisha e njeriut të lumtur” është botuar në librin dygjuhësh hungarisht dhe esperantisht, një përmbledhje autorësh të ndryshëm nga shumë vende. Autorit i vjen edhe tregimi i përkthyer bashkë me kopertinën e librit.
Tregimi “Këmisha e njeriut të lumtur”, është botuar në librin voluminoz të Xhafer Martini me titull “Dasma me 300 nuse” (Tiranë 2010), ku në 660 faqe përfshihen tregime të lashta popullore, legjenda, gojëdhëna, përralla, margaritarë nga jeta e popullit(praktika kanunore, rrëfime, ngjarje të jetuara, alegori, dialogë filozofikë, anekdota etj.)
Tregime të lashta popullore, ku bën pjesë edhe tregimi ”Këmisha e njeriut të lumtur”, hapin vëllimin dhe shkojnë deri në faqen 133. Janë rreth dyzet tregime të një proze popullore që në të kaluarën diktatoriale jo vetëm nuk mblidhej, botohej dhe arshivohej, por edhe emrin nuk ia zije dot në gojë, pasi, sipas përcaktimit të Leninit për dy kulturat, kjo krijimtari bënte pjesë në kulturën e klasave sunduese.
Në të vërtetë kjo kulturë përbën shtresën më të hershme të folklorit gojor, ku “bashkëjetojnë” në harmoni të plotë shpirti dhe trupi, bota e këtushme me botën e përtejme, realiteti dhe fantazia, perceptimet konkrete dhe asociacionet. Problematika e këtyre tregimeve është shumë e pasur. Trajtohen probleme filozofike, morale, ekonomike, shoqërore, familjare, estetike, fetare, mitike etj. Në këto tregime kemi një galeri të pafundme karakteresh dhe tipash: të mirin dhe të keqin, të mençurin dhe budallain, tolerantin dhe intolerantin, të drejtin dhe të padrejtin, të ndershmin dhe batakçiun, shpresëdhënsin dhe nihilistin, bujarin dhe kopracin, fisnikun dhe vulgarin, të përkorin dhe grykësin, trimin dhe frikacakun etj.
Rreth 40 tregime të kësaj natyre Martini ka mbledhur dhe ka botuar edhe në librin “Fjala priu”, Tiranë 2008, si dhe në shumë libra të tjerë ku paraqiten si lëndë ilustruese. Po t’i mbledhësh të gjithë bëjnë rreth njëmijë faqe. Po kryesore nuk është sasia e tyre, por cilësia. Lexohen me kënaqësi dhe të sjellin emocione për subjektet interesante, për humorin, për skenat dhe situatat që krijohen, zgjidhjet, gjuhën e gjallë dhe të figurshme, stilin elegant dhe metaforik.
Përmbajtja e tregimit “Këmisha e n jeriut të lumtur” është e thjeshtë dhe interesante: mbreti i një vendi, me anë të propagandës dhe mjeteve që kishte në dispozicion, kishte krijuar në popullin e atij vendi përshtypjen që qeveris me drejtësi dhe se për këtë arsye njerëzit ishin të lumtur.
Dikur në qeverinë e atij vendi kishte ekzistuar një zyrë ku paraqiteshin ankesat dhe kërkesat e popullit, por edhe atë e shkrinë përderisa, thonin ata që merreshin me propagandën, asnjë letër nga populli nuk kishte ardhur prej shumë vjetësh. Nuk kishte më ankesa dhe kërkesa.
Në këtë eufori sëmuret vetë mbreti dhe nuk la doktorë, brenda e jashtë vendit, pa thirrur për ta vizituar. Por të gjithë ngritën supet dhe thanë: është një sëmundje e padëgjuar, nuk jemi ndeshur kurrë me të. Ndërsa mbreti po tretej e thahej nga mungesa e oreksit, dhe po i shkriheshin kockat nga zjarrmia, kalon para pallatit mbretëror një plak, që thotë se ai mund ta shëronte mbretin. Mbreti dha urdhër të futej në pallat, por nuk bisedoi me të sy për sy. Plaku u takua me ministrin e Informacionit dhe doli që mbreti nuk shërohej nga doktorët dhe ilaçet, por vetëm po të vishte këmishën e një njeriu të lumtur në mbretërinë e tij. Ky njeri nuk duhej të ishte në oborrin mbretëror, por larg në vendet më të thella të mbretërisë ku nuk dihej asgjë për sëmundjen e mbretit dhe për mënyrën se si mund të shërohej ai. U nis komandanti i gardës bashkë me një trupë kalorësish për të kërkuar njeriun e lumtur që t’i merrnin këmishën. Kërko këtu e kërko aty, nuk gjetën. Edhe më të pasurit, ata për të cilët betoheshe se do të ishin të lumtur, jepnin shembuj dhe të dhëna për të treguar se jo vetëm nuk ishin të lumtur, por ishin fatkqinj.
Kur ishin rraskapitur së kërkuari dhe kur e kishin vendosur të ktheheshin misiondështuar, kalojnë bregut të një lumi ku ishte një arë me misra të vonë, ende të gjelbër. Aty ata dëgjuan një burrë që po këndonte. Pamjen ua pengonte gardhi i hideve por, si kapërcyen atë, para syve u doli një burrë i shëndetshëm, në gjysmë të moshës, por i veshur keq, mbuluar me një antari rupa – rupa. Kthehemi ta pyesim mos është i lumtur, thotë komandanti i Gardës Mbretërore dhe kur e pyetën ai pohoi me plot gojën që ishte i lumtur. Piqte misra të njomë në zjarr dhe këto ishte vaktet e ngrënies së tij. Kur e pyetën pse ishte i lumtur, tha”jam”, por as vetë nuk e dinte shkakun. Nxire këmishën të ta blejmë me flori, se kështu e kështu e kemi punën, i thanë të gëzuar të dërguarit e mbretit.
– Po unë nuk kam këmishë, zotëri, – tha burri dhe si hapi kinat e antarisë doli gjoksi i tij i zhveshur.
Kështu me subjekte interesante dhe me të papritura shumë herë jo të këndshme janë të gjitha tregimet e këtij autori. Këto tregime me siguri nuk do të linin asnjë lexues pa i ngjallur emocione, por ne nuk kemi forma dhe mënyra për ta “ekspozuar” krijimtarinë tonë dhe, nëse ndonjëherë kjo edhe ndodh, bëhet për autorët dhe veprat që në asnjë mënyrë nuk e përfaqësojnë dot letërsinë shqipe.
Tregime të këtij autori, kështu në mënyrë krejt spontane, pa asnjë suport nga jashtë, janë botuar edhe më parë në gjuhë të huaja. Kështu si shembull, tregimi “Telefoni”, (Vëllimi “Fëshfërinte pylli mështeknave”, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1979), është botuar në suedisht në një revistë të ilustruar. Kam bindjen se krijimtaria e këtij autori do të mund të përhapet dhe të çajë në botë për shkak të nivelit artistik që buron nga tema dhe motive krejt të reja, të freskëta dhe nga mënyra se si i ka paraqitur autori. Po deri atëherë mund të shkojnë edhe shumë vjet, se nxitje dhe përkrahje të posaçme nuk ka.