Këngë dhe fjalë të urta popullore


Nga dr. Fejzulla Gjabri

Studiuesi Hajri hehu është kthyer në vendlindje për së dyti herë. Herën e parë, me fjalën e Ujemujës*. Tani, me krijimtarinë folklorike të Ujemujës.

Libri ka gjashtë pjesë: këngë djepi; këngë motmoti; këngë dashurie; këngë dasme; fjalë të urta; gjëegjëza. Autori nuk zgjatet në komentimin e tyre, pasi ato flasin vetë. Por aty ku ia ka dashur puna, jep komente e shpjegime letrare, gjuhësore, stilistike etj.

Një si hyrje, me titull “Në vend të një fjale të dytë” i paraprin tërë lëndës folklorike. Te “Fjalë të urta” ka një parathënie të spikatur studimore, e cila na thotë çfarë janë e si janë fjalët e mençura popullore.

Trualli ku është mbledhur lënda, është Ujemuja, një zonë etnografike gjuhësore e Dibrës, në kufi me fshatrat e Lumës (në anën perëndimore të malit të Korabit). Në të dyja zonat visari popullor është i pashtershëm.

Siç dihet, populli ynë e ka përdorur folklorin për riprodhimin artistik të jetës dhe të ndërgjegjes kombëtare. Dhe si mjet vetedukimi artistik. Si i tillë, folklori është pasuruar dhe zhvilluar vazhdimisht bashkë me shijet dhe kërkesat e kohës. Por për shkak të veçantive të tyre, disa gjini e forma folklorike kanë shkuar drejt rënies (p.sh., legjendat e përrallat); ndërsa po bëjnë një jetë këngët epike-historike e këngët lirike. Por edhe anekdotat e fjalët e urta. Nxjerrja në dritë, veçanërisht e atyre gjinive, që pak aktivizohen, është mirë të bëhet, ende pa u zhdukur plotësisht, siç ka ndodhur në vendet e zhvilluara. Kjo përmbledhje ka, ndër të tjera, edhe këtë synim.

Këngët e djepit, të përkundjes ose të gjumit formojnë grup më vete e këndohen, zakonisht, duke përkundur djepin, që fëmijën ta zërë gjumi. Por, jo vetëm kaq. Nëna e do fëmijën të shëndetshëm, të bukur, të mirë, me shkollë e me dije: Nina, nona caucën-o, / Fij moj cauc e nonës-o, / Je orxhon i nonës-o. / Hajde xhum i amël-o, / Përsheshin me tamël-o. / Nona tai t’ka si moll, / Tashtai rraitesh, t’çoj në shkoll. Dhe nëna uron e lutet për më të mirën.

Këngët e dashurisë na vijnë me ngjyra, krahasime e epitete të bukura. Janë rreth 60 këngë. Për dashatarët. Dhe për dashurinë dashatarët nuk kursejnë asgjë. Sepse është ajo ndjenja e fuqishme njerëzore. Shih për këtë te kënga “T’i bohem Nailes”: Zog do që të bëhet djali, vetëm sa ta shohë vajzën, për të cilën i rreh zemra fort.

Këngët e dasmës. Dasma tradicionale është institucionale: Ajo ka normat e saj. Këto norma vijnë nga kohët e hershme. Por, sigurisht, kanë pësuar ndryshime të herëpashershme sipas pëlqimit të shumicës. Nga dasma vjen ripërtëritja e individit dhe nëpërmes tij – ripërtëritja e gjithë shoqërisë njerëzore. Me anë të institucionit të dasmës njeriu ka rregulluar biofilinë, dashurinë për jetën. Dhe respekti për biofilinë vjen në momentin më të rëndësishëm të një individi me këngë, valle, rite, lojëra etj. Dhe, duket se të gjitha këto së bashku e kanë mbajtur institucionin e dasmës tradicionale.

Këngët e dasmës nisin me shkuesin e shkuesinë e me zanien e nuses. E zanmja nuse është një ditë e rëndësishme familjare. Këngët këndohen te shtëpia e djalit (më pak, ose aspak, te shtëpia e vajzës). Janë këngët që japin lajmin për këtë gëzim. Në lagje dhe në katund.

Disa muaj para dasmës janë këngët e çerepëve. Gjithnjë, në shtëpinë e dhëndrit.

Nga këngët e dasmës, që jepen edhe në këtë përmbledhje, mund të veçojnë ato që këndohen kur berberi shkurton flokët e dhëndrit dhe ato të nusërimit. Te këngët e berberit, që përbëjnë një cikël më vete (të këngëve të dasmës), berberi vetë e zgjat qethjen e rrojën me qëllim: Ka kohë derisa të kthehen krushqit me nusen e prandaj “duhet me këndue”. Në këtë pjesë të ditës së dasmës, ky çast është, zakonisht i vetmi argëtim në shtëpinë e dhëndrit, kur në shtëpinë e nuses derdhen lot se po ikën një njeri nga ajo derë. Është interesant: Në të dyja shtëpitë ka lot. Dhëndri përlotet nga “kangët e cucave”, por edhe më pas, kur vishet e u jep dorën nënës, babës e gjithë të afërmve. Te pala tjetër, në shtëpinë e nuses, lotët derdhen kur vajza hipën në kalë (tani, në makinë). Thonë se lotët janë lehtësim shpirtëror. Ja një këngë e berberit e për berberin: O berber i pazanat, / Majte dhonrrin tre sahat.

Këngët e nusërimit janë ndër më të bukurat. Kur zbret nusja nga kali (tani, më së shumti, nga makina), ka një pauzë të shkurtër. Nuk këndohen këngë derisa të hyjnë cucat e gratë brenda. Moment çlodhjeje, krejt njerëzor. Te pragu i derës (që në këto anë i thonë shemë) ka kujdes të veçantë. Nusja nuk e shkel, por e kapërcen sepse “shema e derës asht e shejtë”. Studiuesit thonë se është rit që vjen nga lashtësia. Në anët tona ka një porosi nga më të mëdhenjtë për të rinjtë e për të rejat: Mos rri në shemë të derës! Riti na thotë: Kujdes! Shema e derës nuk asht vetëm “vend i shejtë, por edhe i rrezikshëm”. Fundja, shema e derës lidh “jashten me mbrenen”. Kama e djathtë është e pëlqyeshme të kapërcejë para. Jo vetëm për nusen që drejtohet nga njerëzit e afërm të shtëpisë, por për gjithkënd që hyn e del. Kur hyn nusja, shemës së derës i lëshohet sheqer.

Te këngët e nusërimit lavdërohet bukuria e nuses. Nuk ka nuse më të bukur se kjo që na ka hyrë në këtë shtëpi. Ndonjë shembull? Ja dy shembuj:

Nër dullak oj çiçe, ç’ar m’i kije?*

– Nër dullak oj çiçe, ç’ar m’i kije?   /dullak = duvak

                                                       / qyqe çfarë m’i ke

– M’i kam dada fjokët korb i zije.

– Po nër fjok, oj çiçe, ç’ar m’i kije?

– M’i kam dada ballin bukurije.

– Po nër ball, oj çiçe, ç’ar m’i kije?

– M’i kam dada vetllat gajtanlije.

– Po nër vetlla, oj çiçe, ç’ar m’i kije?

– M’i kam dada sait si rraush i zije.      / sytë

– Po nër sai, oj çiçe, ç’ar m’i kije!

– M’i kam dada hunën si çirije.            / qiri

– Po nër hun, oj çiçe, ç’ar m’i kije?

– M’i kam dada gjojën si kutije.

– Po nër gjoj, oj çiçe, ç’ar m’i kije?

 – M’i kam dada njekrën parelije.    / parelije = me qukë

N’at kraie si molla në maje                        

N’at kraie, si molla në maje.         / krye

N’at shtat, si molla n’bajrak.

N’at ftair, kulaçi inairë.           / yndyrë; si kulaç

N’ato duer, lum lala si t’muer!    yndyre

N’ato kam, kone rrait në Gram.    / Grama rrafshnaltë

                                                        nën Korab

Këngët e motmotit

Dita e Verës dhe Shëngjergji kanë këngët e veta. Këngët i këndojnë verës, ikjes së dimrit, por edhe natyrës etj. Ja një këngë për Ditëveren: Ori zogi ferrës, / Na erth Dita Verës. / Dita Verës erth, / Dukati me rreth.

Nuk mungojnë edhe këngët humoristike (p.sh., një grup vajzash të një fshati thurin vargje cytëse për vajzat e djemtë e fshatit tjetër). Djemtë luajnë lojëra popullore, si, brezahipas, rrasash etj. Për të gjuajtur me gurë të vegjël përdoret bahja (= hobeja). Aty ku vihet guri, është një cohë e endur me pe leshi, ngjyra-ngjyra. Anash, bahja ka dy gjalma të thurur gërshet, po me fije leshi ngjyra-ngjyra, të gjatë deri 70 cm, që përfundojnë – njëri me një vëng, ku hyjnë gishtat e mesit të dorës, kurse tjetri – me një tufë penjsh pambuku a mëndafshi, të cilët, kur lëshon gurin, japin një krismë karakteristike.

Fjalët e urta

Çdo popull ka, siç thotë edhe autori, fjalët e tij të urta, të ndërtuara sipas psikologjisë dhe përvojës së tij jetësore, historike e filozofike. Në libër duhet të jenë mbi 1000 fjalë të urta. Ato janë renditur në trajtë fjalorthi e lexuesi e ka shumë të lehtë t’i shohë e t’i ndjekë. Parathënia e autorit është, siç e cekëm edhe pak më sipër, një studim i mirëfilltë folkloriko-gjuhësor.

Dhe pastaj – gjëzat, të cilat, me përshkrimet e tërthorta na bëjnë të mendohemi shumë. Dhe, kur ngecim, i gjejmë me fjalën që na jepet në kllapa.

Mendojmë që ky libër folklorik i prof. Hajri Shehut vjen në kohë. Themi në kohë sepse brezat edhe ikin. Veç kësaj, lëvizja e popullsisë po bën punën e vet, duke lënë shumë fshatra me pak banorë. Sido që njerëzit marrin me vete shumë nga kjo pasuri e tyre, mund të ndodhë që diçka të humbasë rrugës. Dhe ne nuk duam të na humbasë asnjë këngë e popullit e asnjë fjalë e mençur e popullit. Mbase, mu për këtë, autori thotë në fjalën e tij, që i paraprin lëndës: I nderuar lexues! Në këtë libër – jo dhe aq vëllimor janë përfshirë më së shumti këngë lirike, fjalë të urta dhe gjëegjëza. E kemi librin vetëm me këtë tematikë (p.sh., pa këngë historike, pa këngë të rinjohjes etj.), duke menduar se në ndonjë rast, mbase është edhe si një përdorak e le të themi, ndonjë brezatare e sotme a e nesërme mërgimtare gjen ndonjë këngë për ta kënduar a një fjalë të urtë për ta thënë. Vetëm këngë këndofshim e vetëm fjalë të urta thënçim!

Libri mund të lexohet me ëndje, jo vetëm për këngët e bukura popullore e fjalët e mençura popullore, por edhe për shpjegimet letrare-gjuhësore që jepen si poshtëshënime.

Folkloristët kanë një lëndë të vyer në këtë libër, për të njohur këngën popullore dhe mendësinë popullore të Ujemujës e pse jo, edhe të Dibrës. Edhe etnografi ka se ç’sheh. Këngët na vijnë me të folmen e krahinës. Dhe për këtë arsye janë një burim autentik për një studim dialektologjik të kësaj të folmeje. Edhe për leksikologët – për studimin e fjalës dhe të shprehjes popullore. Me fjalët e urta, libri është edhe për mësuesit, për t’u dhënë detyra nxënësve, për të rritur fjalorin e tyre me fjalë, shprehje të figurshme e formime të panjohura fjalësh. Kurse gjëzat janë për nxënësit, për të zhvilluar më tej të menduarit e tyre.