Nin Rajta – poeti i Lurës


Ai që më shoqëroi në sallë ishte një fytyrë e njohur. Pas pak u kujtova se ku e kisha parë, në Krej-Lurë. Isha duke shëtitur në një pllajë të gjelbër, ndoshta një rudinë, me Bibë Doçin, drejtorin tim për 10 ditë, se më transferuan në Fushë Lurë, ai më foli për të. U afrua dhe u takuam. E kam takuar dhe në Fushë-Lurë. Bëheshin një grup më i madh, midis tyre kishte mësues, agronomë, Sul Vladi, rapsodi Ali Peka, (në e them saktë emrin). Oficerë, kujtoj Veip Lushën, doktorin e zonës etj. E kisha parë dhe në qytet. Që ta njoh më ndihmoi dhe ngjashmëria me të vëllanë Sokolin. Ishte Nin Rajta. Në almanakun “Dibra” dhe në gazetën lokale “Ushtima e maleve” kisha lexuar krijime të tij. Më së shumti artikuj dhe prozë. Kishte një problem shëndeti dhe me rekomandim të mjekëve e emëruan në qytet, për të qenë pranë tyre.
Duke parë fondin e librave dhe revistave në gjuhë të huaj, u befasova me disa libra dhe revista në rumanisht. I lexova me zë titujt e revistave. Ndoshta nga befasia se mund të gjeja botime në gjuhën rumune në Peshkopi. “Industria a lemnului” (Industria e drurit) dhe “Pëdurea mare”(Pylli i madh “). Nini, si pikasi habinë time më tha:- Peshkopia ka shumë pyje, ka disa stabilimente sharrash, ka dhe një fabrikë mobiliesh. Këtu, kohë pas kohe, janë emëruar inxhinierë që kanë studiuar për pyjet në Rumani. Librat në rumanisht që shikon janë dhurime të tyre, i linin kur transferoheshin. Mbaj mend një roman të Ion Sllavicit. Dhe një pjesë e librave në greqisht janë dhuratë nga kuadro minoritarë.
U kthyem tek zyra e drejtorit. – A i jepni jashtë bibliotekës revistat në rumanisht? – i them drejtor Ulviut. Ai u mendua pak dhe tha:- Në fakt nuk i nxjerrim jashtë, por meqë kanë vite pa i hapur njeri, do të ta bëjmë një lëshim. . . .
U hodha një sy revistave. E para “Industria e drurit” ishte teknike, e dyta “Pylli i madh”, më ngjau pak me revistën tonë “Bujqësia socialiste”. Ishte një revistë mozaik dhe shkencë për pyjet dhe kulturë dhe gazetari. Mora disa numra të “Pylli i madh”. Kisha filluar mësimin e rumanishtes, do të më ndihmonte.
Nini i thirri drejtorit se po dilja. Ai më përqafoi dhe më tha se do të vinte në Zall- Dardhë.
Dhe vërtet erdhi. Unë me ndihmën dhe të një grupi nxënësish me përgjegjës Shefki Barën, gati e kisha mbaruar inventarin dhe skedimin e librave.
E ftova në shtëpi dhe kaluam një natë magjike. U bë magjike se u prish monotonia, e bënë të tillë biseda për librin dhe letërsinë. Të bisedoje për librin dhe letërsinë me Ulvi Shehun, ishte një kurs i shkurtër për letërsinë dhe artin. Ai njihte pikturën, ishe një enciklopedist. Njihte dhe shkrimtarë minoritarë, ata që ishin në fondin e bibliotekës. Atë mbrëmje njoha në thellësi këtë njeri me kulturë. Ai mishëronte virtytet dhe cilësitë e qytetit të tij të origjinës, Dibrës së Madhe, shehrin e Dibrës, siç i thoshin andej nga ana e Maqellarës dhe Shupenzës. Atë natë dhe fëmijët fjetën vonë. Kishim mik në shtëpi, gjë e rrallë për ta.
Ai kishte shumë miq nga e gjithë Shqipëria. Ata ishin që nga lexuesit e vegjël të shkollave të qytetit, kuadrot dhe specialistët vendas e deri tek kuadrot e ardhur nga rrethet e vëndit. Ata tek Ulvi Shehu gjenin një mbështetje të madhe për punët studimore dhe zbatimet shkencore në ndërmarrjet ku punonin. Falë njohjeve të tij në Bibliotekën Kombëtare dhe emrit të mirë që kishte atje, ai e pajisi bibliotekën me një bibliografi të pasur teknike dhe teorike në gjuhë të huaj. Miqtë e tij ishin mësuesit, mjekët, oficerët. Në sajë tij biblioteka e Peshkopisë ishte kthyer në një institucion në ndihmë të prodhimit dhe formimit teoriko-shkencor të inteligjencës së kohës, ajo kishte një emër të mirë në fushën e bibliotekave dhe botën shkencore të kohës.

Intermexo
Kur shkova në një seminar në Peshkopi i vajta për një vizitë në shtëpi. Na kishte ftuar atë mbrëmje në Zall- Dardhë.
– Banoj në Dobrovë, – më tha. Pyet për mua dhe do të ta tregojë dikush pallatin ku banoj. Dhe e gjeta kollaj apartamentin e tij në lagjen në hyrje të Peshkopisë. Aty njoha dhe të shoqen, Natashën, mësuese në qytet, e cila pas vitit 1990, u zgjodh deputete në Kuvendin e parë pluralist, me opozitën. Nuk e pashë më vonë në Kuvend. Unë që e njoha këtë çift të kulturuar nuk mund të përshtatej me atë klimë politike të atyre viteve. Mbaj mënd mobilimin e sallonit dhe bibliotekën e pasur. Ishte një vizitë plot ngrohtësi dhe kulturë që rrezatonte çifti Shehu.

Epilog
Mësimet që mora nga Ulvi Shehu i vura në dobi të bibliotekës në Ulëz dhe të shkollave Bushkash, Shkopet, Stojan dhe Baz. Isha kryetar komisioni i lëndëve dhe me nxitjen dhe të metodistes së kabinetit pedagogjik Anthulla Kristo, bëra skedimin dhe inventarizimin e librit. Në një seminar të zhvilluar në Klos më habiti puna e Gjok Dabajt në bibliotekën shumë të madhe të shkollës.
Në bibliotekat e zonës së Baz-Shkopetit gjeta libra të mrekullueshëm, zgjodha disa dhe i ndërrova me libra të Ulzës. Jam penduar që në vitin 1992, koha kur ika, nuk mora disa nga këta libra, sidomos botimet e ciklit “Biblioteka e traditës”, botime të cilat nuk do të përsëriten më.
Sa herë që më bien në dorë ose që i shoh në trotuare libra të skeduar, më kujtohet miku im, i miri dhe i paharruari Ulvi Shehu. Ndoshta bashkia e Dibrës e ka nderuar duke i vënë emrin e tij një rruge të qytetit verior.
(Marrë nga Facebook-u i autorit)