Një “kala” në Kalanë e Bashtovës


Nga Gafur Muka

Që nga 14 gushti 2021, brenda Kalasë së Bashtovës vizitorët do të njihen edhe me “kalanë” që ndërtuan Ismail e Gjetan Keta, duke i dhënë sportit të boksit kampionë të mëdhenj dhe kalasë së vjetër një shkëlqim të ri.

Në përfundim të aktivitetit ndjehesh krenarë: për kurorëzimin me shumë sukses të punës së palodhur të Ismail e Gjetan Ketës, për trofeun e madh të Ferit Ketës, për nismën premtuese të Ervin Ketës, për sedrën garuese të Mikel Alliut, për konfirmimin e formës së mirë sportive të Lulzim Ismailit, për rritjen e koleksionit të fitoreve të Ardit Murjes

Përzhitës ishte dielli dje, e përflakur u bë mbrëmja në Kalanë e Bashtovës. E përflakur në shkëlqim, e përndritur në fitore dhe e malkulmuar për arritjen e madhe-kurorëzimin kampion bote në KikBox për një djalë Bulqize, nxënës të kampionit të madh Ismail Keta, Ferit Ketën.
Shumica e atyre që u nisën drejt Kalasë udhëtonin përherë të parë. Pejsazhi gjatë gjithë rrugës të ofronte fushë, ndërsa udhërrëfyesi ishte i regjistruar për tek Kalaja. Çfarë kalaje mund të ketë këtu midis fushës? – pyesnin të gjithë ata të herës së pare. Kur ja, midis fushës, krejt afër detit dhe pothuajse në lartësinë e tij, ngrihen muret e një kalaje. Tani nuk është më nevoja e internetit për të të shpjeguar historinë e saj, atë e dinë të gjithë ata që banojnë aty pranë. Gjithë kjo prurja e sotme për to ngjan me një karvan furnizues. Po me çfarë do të furnizojnë ardhësit e sotëm këtë kala të moçme? Padyshim me vlera-mendojnë vendasit. Dhe nuk gabojnë. Këtë radhë kjo kala do të marrë aq vlera sa me to do mjaftonte të ngrihej një “kala” tjetër, ajo e vlerave.
E pati këtë fat Kalaja e Bashtovës në sajë të angazhimit të ish kryetarit të saj të ndjerë Haxhi Memolla. Një takim i rastësishëm me të- tregon kampioni, trajneri, atdhedashësi dhe humanist i rrallë Ismail Keta- më bëri t’ja premtoj një aktivitet në këtë kala, pikërisht atij burri që me heshtjen e tij fisnike këmbëngulte për të promovuar vlerat e veçanta turistike të saj. Por…Haxhiu ndërroi jetë në stadiumin e vendlindjes sime, Dibër. Duket se u prishën planet, kur një ditë mësoj se kryetari i ri i bashkisë së Rrogozhinës ishte nipi i të ndjerit Haxhi, Edison Memolla, i cili më telefonoi për ta shpënë në vend amanetin e xhaxhait të tij. Të them të derjtën m’u bë qejfi për interesimin por…kush ishte ky Edisoni?!. Për ta njohur më nga afër organizuam një takim. Gjatë takimit unë u binda që të angazhohesha për t’a shpënë në vend amanetin e Haxhiut.
Dhe sonte, në këtë aktivitet e mori fjalën, i emocionuar sa më s’ka, edhe Edisoni. Ai e falënderoi në mënyrë të veçantë Ismailin dhe ekipin e tij. Ai falënderoi me gjithë zemër pjesëmarrësit në aktivitet. Po ashtu ai u blatoi respekt dhe mirënjohje atyre që sponsorizuan dhe e mundësuan këtë garë të madhe sportive aty, në kështjellë të Boshtovës.
Dhe gara qe vërtet e madhe jo vetëm nga pjesëmarrja e sportistëve, jo vetëm nga pjesëmarrja e të ftuarve por, e në radhë të parë, nga cilësia e saj dhe trofetë që u fituan. Pikërisht, aty në Bashtovë, u kurorëzua një Kampion Bote, nxënësi dhe njëkohësisht vëllai i Ismailit e Gjetanit, Ferit Keta. Aty u rikonfirmua si kampion Europe gjermani Pascal Wollters, aty nisi karrierën me fitore kundër një boksieri të fortë serb, Ervin Keta, aty fitoi me dinjitet një ndeshje dinjitoze tetovari Lulzim Ismaili, aty regjistroi edhe një fitore të radhës boksieri durrsak me origjinë dibrane Ardit Murja, aty dy boksierë rreth 10 vjeçarë matën forcat e tyre me premtimin që një ditë do të bëhen zotër të ringut.
Në këtë kala të Bashtovës ishin të pranishëm shumë personalitete, ku nuk mund të mos përmendet prezantuesi i shquar amerikan Mike Matham, i cili krahas Dëfrim Methasanit e Hygerta Sakos bënë që këtë ndeshje ta ndiqnin e t’a shijonin miliona shikues. Po ashtu platforma televizive gjermane Bild ua përcolli mbi 120 milion shikuesve të saj drejtpërsëdrejti Kalanë e Bashtovës, aktivitetin brenda saj por edhe një pjesë të potencialeve turistike të vendit tonë.
Në përfundim të aktivitetit ndjehesh krenarë: për kurorëzimin me shumë sukses të punës së palodhur të Ismail e Gjetan Ketës, për trofeun e madh të Ferit Ketës, për nismën premtuese të Ervin Ketës, për sedrën garuese të Mikel Alliut, për konfirmimin e formës së mirë sportive të Lulzim Ismailit, për rritjen e koleksionit të fitoreve të Ardit Murjes, për organizimin e suksesshëm dhe mbështetjen me zemër të Bashkisë Rrogozhinë si dhe për kontributorët shumë të vlefshëm që sponsorizuan këtë aktivitet.
Që nga 14 gushti 2021, Brenda Kalasë së Bashtovës, vizitorët do të njihen edhe me “kalanë” që ndërtuan Ismail e Gjetan Keta, duke i dhënë sportit të boksit kampionë të mëdhenj dhe kalasë së vjetër një shkëlqim të ri.