Një libër për traditat, fisnikërinë dhe vlerat kombëtare


Nga Mevlud Buci

 

Rrezatuese dhe tërheqëse, e thjeshtë dhe e madhërishme, e bukur dhe mbresëlënëse, një arkiv tradite, fisnikërie dhe vlerash njerëzore është pa mëdyshje libri publicistik i të përkushtuarit të pendës, Hamdi Hysuka. Cilido lexues, a çdo studiues që lexon e gjykon me sytë e zemrës e të mendjes, do të meditonte a vlerësonte realisht tematikën dhe shtjellimin e problemeve, të cilat pasqyrohen me mjeshtëri, humanizëm e korrektësi në librin publicistik “Gjerdan fjale”.
Më fort se kurrë në kohët që kalojmë, publicistika, libri i ditës, merr rëndësi të veçantë, sidomos si ky i penëndriturit Hysuka, ndërkohë kur shumë ngjarje, figura e dukuri jetësore mbeten nën hije, si i thonë, kur fshatra, zona a lagje janë pa muze, pa dëshmi të pasqyruara qartazi për brezat tanë.
Trinomi i z. Hysuka: tradita (kulturë), fisnikëri dhe vlera përshkon gjithë librin “Gjerdan fjale” prej 376 faqesh, botuar në maj 2021. Autori ka punuar me pasionin e gjeologut që gjen minerale të çmuara, që gërmon në tokën e shtrenjtë me pasion e frytshmëri. Ky autor i mirënjohur, ish-Normalist shembullor, krahas mësuesisë e drejtimit arsimor, krahas shembëllimit si veprimtar organizator e krijues, botues i disa librave poetikë, ka gdhendur në udhët e jetës tradita, fisnikëri e vlera, të cilat vërtetë janë dëshmi e pasionit, e zotësisë, dëshmi e atdhetarisë, e shpirtit human, janë gjerdani i shndritshëm në kulturën e popullit të Matit, të kombit e më gjerë.
Në caqet e një shkrimi, si ky i yni, kurrsesi nuk do të analizohej krijimtaria e gjerë e të palodhurit Hysuka. Theksojmë se për këtë nuk do të mjaftonin një apo disa libra. Libri më i ri “Gjerdan fjale” është vërtetë arkiv, një muze vlerash, traditash e fisnikërie. Pse? Në çdo shkrim lexuesi a studiuesi i zbulon nëpër gjetjeve, të të shkruarit thjeshtë e me argumente, të të shkruarit me shpirt e qartësi, me barrën e rëndë prej misionari e vizionari të kohës.
Publicisti Hamdi Hysuka shpërfaq gjurmët dhe vlerat e kulturës, të figurave, të jetës, të diturisë e mbi të gjitha të shpirtit të fisnikëruar njerëzor. “Autori i librit publicistik “Gjerdan fjale”, -shkruan studiuesi e krijuesi i talentuar Gjokë Dabaj, -ka bërë një punë të madhe, të përditshme, të lodhshme, por të domosdoshme, veçanërisht për kohën tonë, kur punë të tilla pakkush po i zë me dorë. Cilësia e parë e tij, si gazetar, por edhe si njeri, është kjo: Duke qenë matjan i Matit, është njëkohësisht edhe shqiptar i i krejt Shqipërisë, nga Prekazi e Presheva, në Margëlliç e Paramithí…”
Autori Hysuka me përkujdesje, saktësi e pasqyrim ka bërë kritikë reale (analizë e përshkrime) për shkrimtarë, artistë, këngëtarë, valltarë, ngjarje, mbresa e mbi të gjitha ka pasqyruar me pasionin e bletës gjurmët e kulturës, momente të jetës, tradita, të cilat përbëjnë arin e këtij libri publicistik. Është krenari legjitime jo vetëm për autorin Hysuka, por edhe për të gjithë ne e ata që do të vijnë, ajo që citon të madhin, të paharruarin Dritëro Agolli, i cili ka thënë: “Kombi shqiptar fillon nga Mati”.
Një poezi është brilante, testament dashurie, një trestrofsh hymn, krijuar me zjarr zemre, me shkulme malli për vendlindjen, Shëlliun e Matit:
Me freskinë djaloshare / drejt Shëlliut i çoj sytë,
pa dyshim them hapur fare: / -Si Shëlliu s’ka të dytë!
Në shkrimin “Skënderbeu, krenaria e kombit” autori Hysuka gdhend me mjeshtërinë e tij prej gazetari e studiuesi vlerat e kësaj figure legjendare, na pasqyron me gjetje krejt të re virtytet, qëndresën, vlerat dhe jehonën e Skënderbeut, deri te poezia e Kadaresë me titull “Portreti i Skënderbeut”. Te “Gjerdan fjale” shpërfaqet historia, tradita, jeta, fisnikëria, ku z. Hysuka përshkruan dhe argumenton se poezia nis me Budin e Gurit të Bardhë, gdhend fakte për martirin e fjalës (Pjetër Budin, autori MB), ku midis të tjerash shkruan: “Në kuadrin e 23 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit, më 23 prill 2016, në Gur të Bardhë e Klos u përkujtua 450-vjetori i lindjes së shkrimtarit të parë shqiptar, Pjetër Budi. Veprimtaritë nisën me vizitën në Gur të Bardhë, vendlindja e Budit, ku ka trashëgimtarë të Budëve të vjetër. Pas ndërrimit të fesë nga katolikë në myslimanë ato quhen Bode. Studiuesi Behar Gjoka, së bashku me grupin organizator, trokitën në shtëpinë muze të lindjes, ku u pritën nga zonja e shtëpisë, Sofie Bode. Një nga pasardhësit, Osman Bode, rrëfen se “kjo derë që nga Pjetër Budi i madh, sot ka gjashtëmbëdhjetë breza trashëgimtarësh”.
Ra në sy mënyra tradicionale e pritjes, ku veç të tjerash shquhej veshja specifike e gruas gurabardhëse, e trashëguar qytetëse me elementë dallues, që e bëjnë të zërë vend të veçantë në fondin e artë të veshjeve tona kombëtare. Detajet përshkruese si dhe fotot dëshmojnë fakte, ngjarje e vlera të traditës. Çdo shkrim që lexon të ngjall krenari, të bën të meditosh e mbi të gjitha të mëson gjëra të reja, të le mbresa të thella. Që në titull, “Gjerdan fjale”, metaforë mjaft e goditur e te çdo nënkapitull (pesë të tillë, autori MB) te çdo shkrim me vlera publicistike e studimore, lexuesi gjen tituj të goditur, mjeshtërorë e sintetizues, pas të cilëve shpërfaqen ngjarje, episode, fakte, emra e përshkrime frymëzuese, të cilat ngjajnë me prushet në acar, që ngrohin zemrat e lexuesit, që gurgullojnë fisnikëri njerëzore, thjeshtësi e realizëm në jetën tonë, në gjurmët e brezave, në vlerat e çmuara të provave për jetën, për kulturën, për atdhetarinë.
Janë të një bukurie e realizmi të veçantë shkrimet “Më shumë se grada e tituj pëlqente mbiemrin”, kushtuar guvernatorit dhe komandantit të përgjithshëm të Tripolit, Rexhep pashë Matit, “Ndihmesë në fushën e albanologjisë”,“Mes kolegëve danezë”,“Krenaria e detarisë shqiptare”, kushtuar komandantit të FLD Abdi Mati, nderi i ushtrisë dhe krenaria e Matit, “Ky është Gjokë Dabaj”, “Kjo Shqipni la lindun burra”, kushtuar patriotit të madh, Shahin Toçi, “S’iu tremb vdekjes për të drejtën”, kushtuar emigrantit qëndrestar, martir i përkushtimit për jetën, punën, të drejtën, birin e Matit e të shqiptarisë, Flamur Pisli, “Vlera natyrore e historike e Varoshit” etj, pasqyrojnë me argument ngjarje, fakte, si dhe nëpërmjet përshkrimit realist e frymëzues portretizon me korrektësi figura të ndritura, të cilat janë lavdia e Matit, nderi dhe fisnikëria e kombit dhe e brezave tanë.
Nëpërmjet krijimit e frymëzimit, fragmenteve e gjetjeve artistike, fakteve e saktësimeve, publicistika e gazetarit Hamdi Hysuka merr vlera për lexuesit, për kohën, për njohjen sa më mirë të traditave, të kulturës, të vlerave. Autori i këtij libri, i shkruar me përgjegjësi e humanizëm, rrok tema të rëndësishme, shpërfaq vlera, dukuri e ngjarje, ku autori u jep atë çka vlejnë, çka rrezatojnë e meritojnë. Tërheqin vëmendjen shkrimet “Historiku i himnit kombëtar”, “Aksioni i parë luftarak i çetës së Matit”, “Dita e të paharruarve”, ku saktëson 172 dëshmorët e paharruar të Matit historik. Autori, krahas përshkrimit, u kushton dhe vargje, të cilat mbartin idenë e përjetësisë e të heroizmit të dëshmorëve, krenarinë legjitime të atyre që vijnë në tokën tonë të regjur me luftra, të njomur me gjakun e dëshmorëve:
Zemrat na rrahin pranë lapidarëve,
flladi magjepës nëpër lirishta harliset,
pranverat do ulen dhe në prag
të dëshmorëve
shkundin mozaikë lulesh me mall për viset…

Këtë mozaik përjetësisht do ta mbledhim
dhe në kurora do ta lidhim çdo 5 Maj,
tokës së shtrenjtë me nderim do ia falim
si dekoratë në gjoks të lapidarëve të saj…

Libri “Gjerdan fjale” na dhuron ide, mesazhe e portrete për figura që mbartin vlera, na pasqyron integrim kulturor dhe artistik, hulumtime letrare, vlera trashëgimie të artit folklorik, arkiv të pushtetit të katërt.
Gjetjet në rrokjen e temave, pasqyrimet e përshkruara me thjeshtësi, qartësi e mjeshtëri artistike na japin vërtetë një libër arkiv, libër publicistik muze, me plot bukë, me përmbajtje të argumentuar, ku autori Hysuka shpërfaq bukur e krenarisht botën shqiptare, dritën njerëzore të pendës, rrezatimet e botimeve letrare, forcën dhe madhështinë e kulturës, të artistëve, të folklorit të popullit.
Pas rileximit të librit publicistik “Gjerdan fjale” (edhe letrar e studimor, autori MB) të vjen më mendje thënia filozofike e rilindasit të madh, Sami Frashëri: “Mos shiko çka ke fituar, shiko çka ke bërë, sepse pasurinë që ke fituar do ta humbasësh kur do të vdesësh, se mirësitë që ke bërë do të qëndrojnë në botë dhe shumë kohë, dhe do të bëjnë të përmendesh për të mirë”.
Autori Hamdi Hysuka ka punuar me pasion e korrektësi, ka gdhendur materiale, ka përshkruar e studiuar, ka bërë një punë pasionante me shpirt misionari për traditat, fisnikërinë, kulturën, vlerat; ka përthithur nektarin e jetës, ka dritësuar figura e ngjarje, vlera të botimeve, ka sintetizuar me mjeshtëri, ide, analiza, probleme që lartësojnë kulturën, artistët, botuesit, udhët e jetës, provat e atdhetarisë, të figurave të ndritura nga Mati, kombi ynë e më gjerë. Është vërtetë pikant, tërheqës e i mirërealizuar shkrimi “Reformator i fjalës poetike”. Autori udhëton që te Budi, Mjeda, Asdreni, Shiroka, te Fishta, Konica, Noli, Migjeni, arbëreshët Jeronim de Rada, Gavril Dara (i riu), Anton Santori, Zef Serembe, më tej Esad Mekuli, poeti i parë dhe më i njohur i Kosovës, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rifat Kuka, Eqrem Basha, Sabri Hamiti e deri në kohën e sotme. Autori Hysuka argumenton me kompetencë e realizën “shkallën e lartë e ndjeshmërinë poetike”, “vokacionin poetik krejt i veçantë dhe origjinal”, “çdo varg një figurë artistike (përkthime të Lasgushit të madh, autori MB), “mos e pifshim këtë gotë”. “Lasgush Poradeci, – shkruan autori Hysuka, – qe optimist për një çlirim të shpejtë të Kosovës dhe për bashkimin tonë në një shtet të vetëm”. Lasgushi është poeti i dhimbjeve, gjithnjë për t’u bërë fli e tyre, “e nëse dhimbjet venë e vijnë, / jam gati të vuaj më, / kush më njohu dhembshurinë, / s’pati njohur kurgjë…”
Shkrimet “Nderim për poetin Esad Mekuli”, “Libri, udhërrëfyes në jetë”, “Autoriteti i kritikës letrare”, “Art poetik me vlerë të përhershme” (ku autori pasqyron antologjinë e poezisë matjane), librin testament të krijuesve mbarëkombëtarë e më gjerë, te konkurimet në festivalin e poezisë “Muza Poetike Budiane”, shkrimet “Festë e fjalës budiane”, “Poetë që u njohën pa u parë” mund të quhen pa mëdyshje tribunë e baçevanëve të krijimtarisë, bij të pendës që hijeshojnë “Gjerdanin e fjalës”. Hulumtimet letrare kushtuar Aleksandër Moisiut, mbresat e krijimet për Driteroin, “Ushtarak edhe poet” për të paharruarin e të talentuarin Hysni Milloshi, “Ambasador i përjetshëm i Rusisë në Shqipëri” (për librin e Vasil Premçit për Eseninin), “Koha i dha emër” kushtuar poetit Basir Bushkashi (Eseninit të Matit, autori MB), shkrimet për poetin çam Namik Selmani dhe librin e tij “Gurra e Budit”, “Bukuria e mesazhit të një amaneti” kushtuar shkrimtarit Skënder Tuna, shkrimet për Bashkim Frangun, Jolanda Lilën, dr. Sali Kurtin “Mjeshtër i Madh”, për Isak Gutën, Trandafile Mollën, Bajram Canametin, Kasam Shaqirvelën e plot të tjerë janë thesare në duart e çdo lexuesi dashamirë i letërsisë, dritare për cilindo studiues e mësues të letërsisë, një kurorë që bleron dituri e fisnikëri për kohën e motet që vijnë, Autori i përkushtuar Hysuka analizon dhe argumenton mjaft bukur libra të autorëve Drita Llukovi (Aliaj), Xhavit Gasa, Gëzim Buna, Jani Thanas Caci, Hasan Pasha, Shefqet Merra, Faik Xhani, Riza Doda, Skënder Xhika, Shyqyri Koçi, Valbona Xhepi, mendimet dhe analizat, idetë e mesazhet që jepen qartë e kuptueshëm nga autori, i cili shpërfaq qartazi atë që kërkon analiza e një vepre letrare. Pasqyrimet mjeshtërore për vlera trashëgime të artit folklorik dhe arkivi i pushtetit të katërt përmbushin në plotësi tematikën dhe vlerat e këtij libri publicistik. E veçanta e librit është stili letrar-publicistik, përshkrimet, gjetjet artistike, të shkruarit thjeshtë, bukur e me kompetencë, pasqyrimi i traditave kulturore, letrare e mbi të gjitha gjurmët e atdhetarisë e të fisnikërisë.
Libri publicistik “Gjerdan fjale” është gjerdan i jetës, gjerdan i dritës së krijuesve, gjerdan i shpirtit dhe mençurisë së popullit, gjerdan që gdhend fjalën dhe vlerat, libër që përcjell mesazhe fisnikërie, kulture e vlerash, libër arkiv për brezat.