Shqipëria ka bukuri të pamata


Nga Osman Xhili

E kush mund ta refuzonte një ftesë zemre, për të vizituar disa atraksione të turizmit malor në Kosovë dhe në Shqipëri? Dy miqtë e mi të nderuar Izet Shulku dhe Lulzim Plaku e kishin menduar mirë e bukur programin e udhëtimit tonë dhe nuk na ngelej tjetër, vetëm se për ta zbatuar atë. Paketa e kësaj fundjave, në këtë fund korriku përfshinte një vizitë në Pejë të Kosovës dhe një tjetër në Valbonë të Tropojës.
Udhëtimi nisi herët në mëngjes, në mënyrë që ditën ta kishim përpara. Shumë shpejt lamë pas qytetin e Peshkopisë, Kalanë e Dodës, Qafën e Kolesjanit, Aeroportin e ri të Kukësit. Pasi kaluam dhe doganën, u drejtuam për në destinacionin tonë, që e arritëm pa shumë vështirësi.

Ujëvara dhe shpella e Kavadarcit
Ishte ora dhjetë. Vendi gëlonte nga turistë të huaj e vendas. Pak minuta më pas një ujëvarë e bukur na u shfaq para syve tanë dhe ne u afruam akoma më tepër. Uji i kristaltë binte nga dhjetëra metra lartësi, duke u shpërbërë në miliona grimca të vogla, ashtu siç ishin bashkuar në fillim, për të krijuar atë masë gjigante uji. Natyrisht, po të kishim ardhur pak muaj më parë përmasat e ujëvarës do të kishin qenë akoma më të mëdha dhe hiret e saj do të ishin akoma më dinjitoze. Ujëvara kishte zhurmën e saj, që më mirë duhet quajtur gjuha e saj, melodia e saj. Nuk është faji i saj, që ne nuk e kuptojmë këtë gjuhë, që mund të jetë adhurim për Krijuesin e Gjithësisë, që mund të jetë ftesë për ne njerëzit, muzikë për ne vizitorët, për të na hequr stresin dhe shqetësimet tona.
Izet Shulku, i çmenduri pas natyrës, nuk pret gjatë. Bën gati kostumin e notit dhe merr me vete flamurin. Flamuri për Izetin ka kuptim të madh. Ai duhet të jetë në lartësitë dhe majat e maleve, ai duhet të jetë aty ku ka bukuri, për ti shtuar ato akoma më shumë, ai duhet të jetë në evente dhe gëzime familjare, për tu dhënë atyre akoma më shumë kuptim e vlerë. Ai duhet të lartësohet sa më shumë të jetë e mundur, siç e lartësuan të parët tanë në mbrojtje të trojeve kombëtare. Vajmedet, në ç’ duar të pista e grabitqare ka rënë sot flamuri shqiptar! Vajmedet, për ne që bëjmë shqiponjën me duar, duke vjedhur e shitur pasuritë kombëtare për pak interesa vetjake!
Izeti vendos flamurin në një shkëmb pranë ujëvarës dhe hidhet në ujërat e kristalta. Ata janë tejet të ftohta, por trupi i Izetit është mësuar me gjëra të tilla. Unë dhe miku tjetër, Lulzim Plaku vetëm filmonim këto pamje të rralla e të mrekullueshme, duke freskuar duart e fytyrën.
Nuk duhet të ecësh shumë për të vizituar mrekullinë tjetër të këtij qyteti, shpellën e Kavadarcit. Falë një bashkëpunimi të komunës me Bashkimin Europian, ajo është bërë e vizitueshme për njerëz të ndryshëm dhe emrin e shpellës e lexojmë si “Sleeping beauty cave”. Në hyrje të saj janë dy vajza cicerone, të gatshme për të dhënë shpjegimet për historinë e shpellës. Mjafton një pagesë prej vetëm dy eurosh për të shijuar mrekullitë e kësaj shpelle, bashkë me shpjegimet për të.
Vajza me emrin Arona na thotë se shpella ka një moshë dy milion vjeçare dhe është formuar si rezultat i kalimit të ujit, pikërisht në këtë shtrat e në këto hapësira. Ajo është e gjatë 3.6 kilometër, por deri tani vetëm 250 metra janë të vizitueshme. Shpella ka si të thuash katër ndarje, ose katër kate, ku e para është pjesa hyrëse. Më tej vijon pjesa e shkëmbinjve, ajo e lakuriqëve dhe mbyllet me pjesën e vaskave, që ndoshta është dhe më e bukura. Uji duke rrjedhur pa shumë forcë në këtë pjesë, ka krijuar disa vaska të madhësive të ndryshme, që ngjasojnë dhe me hoje bletësh. Lulzim Plaku, që punon mrekullisht me allçi e çimento, i kishte zili këto punime shumë interesante.
Gjithë shpella ishte një mozaik i mrekullueshëm. Hyrje e dalje, kthesa e gjarpërime pa mbarim, gurë me madhësi e forma të ndryshme, që asnjë piktor e skulptor nuk bën dot të ngjashme si këto. Stalaktitet dhe stalagmitet janë vërtet si ato erëzat që i japin gjithë shijen gjellës. Specialistët thonë se një centimetër i tyre të jep njëqind vite moshë. Aty pranë kemi një shkëmb të madh, në formën e dorës së njeriut të krijuar nga bashkimi i stalaktiteve dhe stalagmiteve, duke krijuar një ide se sa e vjetër është shpella që ne po vizitojmë.
Zbresim ngadalë, ashtu siç dhe u ngjitëm ngadalë, për të mos lënduar këmbën, apo për të mos përplasur kokën diku. Brenda ishte një freski shumë e madhe, në kontrast të madh me temperaturën jashtë. U ndjemë të kënaqur e të çlodhur dhe menduam se vërtet ja kishte vlejtur të vije deri këtu. Gjithandej lokale e mjedise çlodhëse rreth e qark dhe ne u ulëm tek njëri prej tyre për të drekuar. Izeti ngriti sërish flamurin tek tavolina ku ishim ulur. Dikush na pyeti nëse kishim ndonjë festë. Izeti u përgjigj se kur njeriu është i lumtur ka gjithmonë festë e gëzim.
Një mesoburrë nga Istogu, që punonte në Amerikë, kishte ardhur për pushime, bashkë me dy djemtë e tij. Ai e njohu Izetin dhe i tha, mos je ti, ai që bën video në borë. Vërtet ai nuk gabohej. Izeti ishte i bërë i njohur me atë dashuri e pasion për të njohur, eksploruar e promovuar natyrën e bukur shqiptare.

Don Paulo dhe bujtina “Adora”
Morëm rrugën e kthimit sërish për në Shqipëri, në drejtim të Tropojës. Ishte pasdite vonë dhe mbrëmja po lëshonte mantelin e saj të zi mbi tokën, pemët, njerëzit. Izeti kishte lexuar në internet për një bujtinë të re, që ishte promovuar kohët e fundit. “Adora” duhet të ishte emri i saj. Ndoshta mund të qëndronim tek ajo për të fjetur. U nisëm drejt saj dhe pasi ndoqëm për dy kilometra një shteg të paasfaltuar, gjendeshim pranë bujtinës. Lokali funksiononte, kurse për të fjetur jo, akoma. Shumë njerëz punonin për të bërë gati nëntë pushimore, me një kapacitet total prej 50 shtretër. Një mesoburrë po qëndronte ulur në një stol, bashkë me një grua të imët, të vjetër, që mund të ishte nëna e tij. Menduam se pikërisht ai ishte pronari i këtij kompleksi dhe nuk u gabuam. U përshëndetëm me ta dhe u thamë se donim të qëndronim aty atë natë. Bujtina akoma nuk ishte gati për të pritur vizitorët e shumtë,që donin të bënin prenotime. Pronari që ishte ulur në stol, bashkë me nënën e tij, nuk ishte tjetër, veçse Paulo Gjoka, ose Don Paulo, siç e thërrisnin shumë njerëz. Më pas e kuptova se kisha parë një emision televiziv, që i kushtohej atij dhe sipërmarrjes së tij.
Ai kish bredhur shumë shtete europiane dhe mund të kishte ndenjur rehat në ndonjërin prej tyre. Kishte vendosur të qëndrojë në Tiranë, ku kishte një dyqan të famshëm lulesh e sërish zemra nuk i bënte rehat. Kujtime të hershme i dilnin përpara, sa herë që i trazohej gjumi. I bëhej se ishte atje në shtëpinë e vjetër, mes kodrinave të gurta, atje ku Valbona përfundonte rrugëtimin e shkrihej me ujërat e liqenit të Komanit. Donte të shkojë atje ku kishte kullotur bagëtinë në fëmijërinë e hershme dhe gjakoste gjunjët, duke luajtur futboll me topa lecke.
Tani, pas shumë e shumë vitesh, pasi kishte grumbulluar shumë eksperiencë, pasi kish mësuar disa gjuhë të huaja, donte të bëjë diçka. Jo thjeshtë për vete, por dhe për ata njerëz që vazhdonin të qëndronin aty, në trojet e hershme. Don Paulo do të donte ta shohë krahinën e tij të lulëzuar e të begatë. Vendlindja e tij i takonte Nikaj Mërturit, një zonë që ndodhet gati në mes të Tropojës, Shkodrës e Pukës. Akoma pa mbaruar punimet, vizitorë të shumtë vinin e drekonin në bujtinë. Ai kishte zbarkuar me mijëra metër kub dhè, kishte bërë mure të gurta antike, kishte shtruar qindra metra katrorë pllaka, kishte mbjellë shumë lule e pemë dekorative dhe ky ishte vetëm fillimi. Sa projekte të tjera kishte në kokë ky njeri ! Do të mbillte perime e pemë frutore, të mbarështonte qingja e keca, për klientët e tij të shumtë, si dhe të vendoste një teleferik, që vizitorëve tu shërbehej më lehtë e më bukur. Don Paulo kishte tre varka, me të cilat mund të vozitej lehtësisht për në lumin e Shalës. Sa do të donim dhe ne ta realizonim një vizitë të tillë! Por tjetër herë ndoshta do të na mundësohej kjo dëshirë. Atëherë, ndoshta dhe kampingu do ishte gati, bashkë me shtretërit e shumtë. Ishim dhe miq me don Paulon, pasi nusen e kishte nga Maqellara. Djali i tij studionte për arkitekturë dhe për shef kuzhine në të njëjtën kohë. Sa njerëz punëtorë e vizionarë dhe sa pak ndihmohen nga shteti. Por nëse nuk e kanë ndihmën e shtetit, shpresojmë ta kenë ndihmën e Zotit, pasi ajo është më e rëndësishme nga çdo gjë.

Valbona
U kthyem nga kompleksi “Adora”, duke i uruar don Paolos shumë suksese në biznesin e ri që kish nisur dhe atë natë pushuam në një hotel të zakonshëm, diku në mes të qytetit “ Bajram Curri”. Pimë kafen e mëngjesit dhe ashtu të çlodhur e të freskët morëm për nga lugina e Valbonës. Kishim lexuar që kur ishim nxënës për bukuritë e kësaj lugine e të këtij lumi e ja tani që ishim fare pranë. Ecnim me makinë dhe hera herës ndalonim pranë ndonjë bujtine, që në fakt ishin të shumta në numër. Pema e arrës ishte shumë e përhapur në Luginë. Jo vetëm vila, por kishte dhe banesa fshatarësh, ku tek e tek e herë tjetër më të shumta në numër. Kishim arritur në Dragobi, një qendër e vogël, që mund të kishte rreth 50 shtëpi. Shpella e Dragobisë kishte lidhje me Bajram Currin, trimin e maleve, por nga Dragobia ishte dhe këngëtarja e njohur dhe e dashur për publikun, Fatime Sokoli. Njeriu që na shpjegonte ishte Hysni Sokoli, kryetar i këshillit, por dhe kushëriri i këngëtares.
Pak më tej ndalojmë tek një tjetër resort, “Kosova Relaks”. Punime të bëra me gur dhe dru. Guri e druri, gjithnjë në harmoni me natyrën, me lumin, me malet rreth e rrotull. Rasti e solli që të takojmë dhe Velidin nga Arabia, që kishte ardhur që larg, bashkë me familjen e tij, për të shijuar natyrën e bukur shqiptare.
Bëjmë dhe pak kilometra, por Izeti nuk mund të duronte pa u larë në ato ujëra të ftohta e të kristalta. Këtë radhë e ndoqa dhe unë me Lulzimin. U freskuam mirë e mirë, bëmë ca foto dhe u nisëm. Një çift të rinjsh, që mesa dukej ishin të huaj, na nxorën dorën për ti marrë në makinë. Po, normalisht, nuk mund ti refuzonim. Ecëm së bashku deri aty ku mbaronte rruga e asfaltuar. Për të shkuar deri tek burimi i Valbonës duhej të ecje dhe dy orë në këmbë, kështu që u mjaftuam me kaq. Të huajve u propozuam një kafe dhe ata e pranuan me kënaqësi. Vajza ishte nga Holanda dhe studionte në Izrael për biologji, kurse djali për shkenca kompjuterike. Që aty do të shkonin në Theth, që mbante 6 orë në këmbë që aty.
U përshëndetëm me miqtë dhe morëm rrugën e kthimit. Sa energji pozitive kishim fituar! Sa ajër të pastër kishim thithur e sa gjëra të reja kishim parë. Na u shtua akoma më shumë ideja se Shqipëria ka bukuri të pamata, se Zoti na ka bekuar me malin, me ujin, me detin, me minerale e shumë gjëra të tjera. Sikur të shtonim dhe pak dashurinë për Atdheun, shumë shtete të tjera do të na kishin zili.