Vasilika Vladi, bija e Lurës, që i kishte hije rroba ushtarake dhe fisnikëria…


Nga Musa Riçku
Gëzim Loka

Të shkruash për një bijë luriane që u nda nga jeta në një moshë ende të re, me gjurmë të lëna në kujtesën e lurianëve dhe jo lurianëve, është obligim dhe dhimbje, pasi për të duhet të flasim në kohën e shkuar. Ajo la pas një vepër dinjitoze në karrierën e saj ushtarake, la gjurmë fisnikërie për njerëzit që e deshën dhe e çmonin për atë që ajo ishte dhe për çfarë përcillte si mesazh me jetën e saj.
Të gjithë ata që e njohën e nuk e njohën, lurianë e dibranë, mirditorë dhe njerëz nga e gjithë Shqipëria, ushtarakë dhe civilë, e përcollën me lot në sy e dhimbje në zemër, bijën e Lurës, ushtaraken shembullore, vajzën fisnike Vasilika Vladi, që u nda nga jeta në një moshë ende të re, kur kishte aq shumë për të dhënë për familjen e saj, Atdheun dhe shoqërinë. Ajo ishte e bija e Nikoll Vladit, një ish ushtarak shembullor, kryetar i Veteranëve të LANÇL në Lurë, trashëgimi e një familje atdhetare, ku gjyshi i Vasilikës, Bibë Vladi ka qenë partizan dhe xhaxhai, Gjergj Vladi, gjeneral në radhët e Forcave të Armatosura të Republikës.
Mbi bazën e kësaj tradite, ajo u rrit dhe u brumos me frymën e atdhedashurisë, të respektit për vendlindjen e saj, të nderimit të prindërve dhe të moshuarve, të gatishmërisë për të ndihmuar hallexhinjtë dhe të pamundurit.
Jeta e saj në çdo ditë dëshmoi energji dhe vlera pozitive, u bë një burim frymëzimi për të gjithë ata që kërkonin një model për të ecur përpara në jetë, pa u dorëzuar para asnjë sfide dhe vështirësie.
Lindi më 8/08/1966 në Fushë Lurë Dibër dhe deri në frymën e fundit mbajti veshur rrobën ushtarake, të cilës i shërbeu me ndershmëri e pasion, duke lënë pas gjurmë të bukura në jetën dhe karrierën e saj.
E nisi karrierën në vitin 1995, duke punuar si daktilografiste në repartin nr.7007, për të vijuar më tej si magaziniere kujdestare në një repart tjetër ushtarak, më tej ka qenë sekretare operative”, për të vijuar si “instruktore për stërvitjen”, ka kaluar më pas në pozicionin “nënoficere stërvitje” e kudo ka shkëlqyer për zgjuarsinë, intuitën, dashurinë për rrobën e ushtarakut, përgjegjshmërinë dhe shpirtin e sakrificës.
Më tej do të vijonte në detyra të tjera si nënoficere stërvitje dhe planizimi, nënoficere-specialiste sigurie, nënoficere stërvitje kursi fillestar, nënoficere, instruktore përgjegjëse për kursin fillestar, nënoficere për ruajtjen e sigurinë, gjersa doli në rezervë, me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm nr. 62, datë 22/01/2020, karrierë gjatë së cilës mbajti gradat kaptere IV, Rreshtere dhe në fund kaptere.
Ishte e motivuar në punë nga përgjegjësia e plotë për detyrën dhe misionin e ushtarakut, ku me pasion e përkushtim shembullor ia doli në krye çdo pune e misioni, duke qenë shembull korrektese e përgjegjshmërie për të gjithë ata që e rrethonin në përditshmërinë e saj.
Ishte një vajzë dinjitoze, ushtarake model, njeri shpirtmirë e zemërpastër, e cila bënte aq shumë për lurianët e saj dhe të gjithë ata që kishin nevojë për të dhe të cilët e donin dhe e çmonin si ta kishin motër.
Ishte e gjendshme, e papërtuar, fjalëmbël, modele e lurianes së edukuar, në një shtëpi të mirë e të fisme, në një familje ushtarakësh e atdhetarësh, që në breza kanë dhënë kontribute atdhetare.
Buzagazi dhe çiltërsia e saj të shoqëronin gjatë pas çdo takimi me të, pasi ajo dinte të respektonte gjithkënd e të ndihmonte cilindo që mundej, pa u lodhur dhe pa u ankuar asnjëherë.
Unë bashkautori Musa Riçku e kam pasur nxënëse dhe, kur më takonte, pas dekadash që nuk e kisha parë, më përqafonte me mall. Ishte shumë e shkathët dhe në garat sportive kishte zhdërvjelltësinë e një djali.
Korrektesa e saj, zgjuarsia dhe intelekti, fisnikëria dhe mirësia, shpirti human dhe gatishmëria për të ndihmuar lurianët, ishin disa cilësi, që ajo i përcolli çdo ditë në punën e saj, në çdo gjurmë që la pas.
Dashuria për lurianët ishte dhe mbeti kryelajtmotivi i jetës së saj, shtytje drejt veprave fisnike e punëve të mira, drejt realizimeve të bukura, që mbartin farët e dashurisë dhe të mirësisë njerëzore.
Vasilika tani nuk është më midis nesh, nuk na ngroh me buzëqeshjen e saj të shpenguar, me vrullin dhe energjinë që e karakterizonin në çdo punë, në çdo bisedë e komunikim njerëzor.
Por mbeten pas dhe nuk shlyhen kurrë kujtimet për të, për vajzën luriane që aq shumë e donte jetën dhe njerëzit, mbeten shenjat që ajo la në kohë, përkushtimi dhe dashuria për lurianët e saj, që ishin dhe mbetën deri në fund dhuntia e saj njerëzore, si bijë e Lurës dhe si bijë e shqiptarisë…