Zeni Talja i Dibrës së Madhe, modeli i modestisë dhe i bujarisë


Nga Osman Xhili

Rrënjët e kësaj familje janë në fshatin Shtushnje të Dibrës tonë, ashtu siç janë dhe të shumë familjeve të tjera. Mbiemrat Pocesta, Kllobçishta, Dovolani, Maqëllara, Erebara, Grezhdani e shumë të tjera si këto, tregojnë qartë fshatrat nga janë larguar këto fise e janë ngulur në Dibër të Madhe, ku jetojnë dhe sot e kësaj dite.
Arsye të ndryshme, ndoshta ekonomike, ndoshta dhe hasmërie, mund ti kenë detyruar të parët e kësaj familje e të këtij fisi, për tu vendosur në fshatin Kojnarë të Dibrës së Madhe. Në atë kohë, ky qytet shkëlqente për nga kultura, ekonomia, besimi e patriotizmi.
Ndoshta po të gërmosh më shumë në histori do të gjesh dhe shumë njerëz të shquar e me vlera, por ne po e nisim me gjyshin Islam, një burrë i ditur, punëtor e besimtar. Ai kish kryer shkollën e mesme për agronomi dhe kur bëhet fjalë për para 80 viteve, kjo nuk ishte pak. Në vitet 1948 – 1952 zgjidhet kryetar komune për pesë fshatra, duke punuar me nder e përkushtim. Më vonë merret me bujqësi e blegtori, duke shtuar mjaftueshëm sipërfaqen e tokës dhe numrin e blegtorisë me gjedhë e të imta.
Djali i tij, Zeni Talja, i ruajti fort këto vlera e tradita të punës, shkollimit dhe bujarisë, ndoshta për ti ngritur akoma më lart. Ai mbaroi shkollën e mesme mekanike dhe punoi për shumë vite në ndërmarrjen komunale të qytetit. Herë me mirëmbajtjen e sistemit të pompimit e herë si shofer i kësaj ndërmarrje. Në vitin 1982 ai hap një biznes familjar, një gatër sharre dhe zdrukthëtari. Aty përpunohej druri e bëheshin dërrasa të një cilësie të lartë, aty bëheshin dyer e dritare, por bëheshin dhe divane, që ishin një luks për kohën. Gjithë familja ishte punësuar, por dhe pesë apo gjashtë punëtorë të tjerë kanë qenë vazhdimisht prezentë në aktivitetin e këtij biznesi.
Kështu vazhdoi puna deri në rrëzimin e sistemit të vjetër, që më shumë se sa atje, tek ne kishte qenë akoma më i rëndë dhe i vështirë. Ai vazhdimisht kishte kthyer shikimin nga kufiri, andej nga kishin ardhur të parët e tij dhe mendonte se a do të vinte ajo ditë, kur të shkonte lirshëm për në Shqipëri. Ajo ditë tashmë kishte ardhur. U çel kufiri, sikur u çel dhe shpirti e zemra e Zeni Tales. Shtëpia e tij i hapte dyert tej për tej, për të njohur e të panjohur. Jo vetëm tenxhere, por dhe kazanë ndonjëherë, me supë, fasule, mish e çdo gjë tjetër viheshin për mysafirët e shumtë. Ata hanin e pinin e lusnin Zotin, që ti shtonte jetën dhe kurrë mos ja pakësonte riskun këtij njeriu bujar të pashoq.
Një ditë, teksa bënte punët e zakonshme, pa disa policë, që shoqëronin rreth dhjetë veta të arrestuar. U afrua dhe pak dhe e dalloi që ishin shqiptarë, nga matanë kufirit. I kishin kapur duke bërë ndonjë tregti të vogël dhe i kishin keqtrajtuar. Fytyra të mavijosura, rroba të grisura nëpër ferra për ti ikur policisë, trupa të dobët e të paushqyer. Por kjo nuk ishte asgjë me atë ç’farë i priste, dënimi me disa vite burg. Zeniut i pikëlloi zemra për këto njerëz hallexhinj, dhe pse nuk njihte asnjërin prej tyre. Po ç’rëndësi kishte kjo? Duhej bërë diçka sa nuk qe akoma vonë e nuk ishte dhënë dënimi! Takoi kryetarin e gjyqit dhe ju lut të mos i dënonte. Kryetari i tha Zeniut, se nëse e konvertoj dënimin nga burgim në gjobë, a e paguan ti?
– Sa është gjoba për to?
– Njëmijë marka, – u përgjigj kryetari i gjyqit.
Në vend të përgjigjes, Zeniu hapi një portofol të madh, ku mbante kursimet e familjes dhe u bë gati të nxjerrë shumën e kërkuar, por kryetari i bëri me shenjë të mos vazhdonte më tej. I bëri përshtypje kjo sjellje dhe ky veprim dinjitoz i këtij burri. Do ti falnin ato njerëz, le të shkonin të patrazuar në shtëpitë e tyre. Nga sytë e tyre dolën lot mirënjohje, për këtë njeri të habitshëm, që i kishte ndihmuar pa asnjë lloj interesi.
Lufta e Kosovës ishte një sfidë e madhe për Zeni Talen dhe familjen e tij. Shumë shpejt shtëpia e tij u bë një bazë e rëndësishme për të koordinuar punët e veprimet në dobi të saj. Njerëz dhe armatime hynin e dilnin nga shtëpia e tij për në drejtime të ndryshme. Ushtarë të plagosur mund të rinin me ditë të tëra, kurse të plagosurit më rëndë transportoheshin në bazat e tjera më të specializuara. Njohjet i tij të shumta bënin që gjërat të bëheshin me lehtësi e siguri të madhe. Zeniu nuk thoshte kurrë jo, dhe kur misioni ishte shumë i vështirë, në dukje i pamundur.
Si një hero i heshtur, ai nuk kërkoi kompensim pas lufte. Shumë mirënjohje i sollën nga Kosova dhe ai vihej në pozitë të vështirë, kur i përmendnin vlerat dhe meritat. “Unë kam bërë aq sado të bënte çdo shqiptar tjetër”, thoshte Zeniu me modesti. Duke gjykuar kontributin e tij të madh kosovarët kishin vendosur ti akordojnë dhe një pension, por Zeniu nuk e pranoi kurrsesi. Sa familje kishte akoma në Kosovë që kishin humbur shtëpitë dhe njerëzit e duheshin rehabilituar sa më parë!
Lufta e Kosovës mbaroi. Shumë gjak e viktima, shumë nder e shkëlqim. Zeni Talja kishte hapur konak në shtëpinë e vet, por dhjetëra të tjera në Kosovë, u hapën për të më pas, në këmbim të kësaj miqësie e të këtij heroizmi të pashoq. Ishte një miqësi e farkëtuar mes gjakut e barotit. Sa herë që ata kishin fejesa, dasma e gëzime, Zeniu do të ishte i ftuar në mesin e tyre.
Djali i tij, Artani, tregon për një nga vizitat e tyre të shumta atje: “Shkuam në Ferizaj, tek Etem Bajraktari dhe u çmallëm me njerëz. Mjaftoi një foto e nxjerrë në fejsbuk me ne miqtë nga Dibra, kur vërshuan postimet nga shumë qytete të tjera, si Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë, Kaçanik e Prekaz. Ata e donin Zeni Talen dhe familjen e tij në mesin e tyre. Kudo e prisnin si një mik të madh, si një hero”. Ja, kjo ishte ajo që do të kishte dashur Zeni Talja, respektin e miqësinë e vëllezërve kosovarë dhe jo paratë e pensionin, që donin t’ia jepnin në këmbim.
Lufta nuk preku vetëm Kosovën, por dhe Maqedoninë, pak vite më vonë. Zeniu sërish ishte në ballë të saj, me të gjitha mundësitë që kishte. Porse një ditë maji e vitit 2001, gati tingëlloi fatale për jetën e tij. E thirrën në rajonin e policisë, gjoja për të dhënë një intervistë. Në fakt punët shkuan ndryshe. Pesë ditë e net vetëm tortura e vuajtje të pafund. E pyetnin për emra luftëtarësh, për bazat e luftës dhe çdo pyetje shoqërohej me dhjetëra lloje torturash. Por, shpirti luftëtar i Zeni Tales, nuk u mposht. Ai e dinte se një vdekje e kishte dhe nëse kishte bërë detyrën ndaj atdheut e kombit, nëse kishte qenë në anën e drejtësisë, vdekja ishte nder e lavdi. Në një natë të errët pus, kur ai ishte gjysmë i vdekur e hedhin diku në pyjet mes Kërçovës e Ohrit. Rrigonte një shi i lehtë. Ai sikur e zgjoi nga kllapija, ia freskoi plagët dhe i ktheu vetëdijen. Mund të ishte dhe në të aguar. Dëgjoi një zhurmë makine dhe e kuptoi që rruga mund të ishte vetëm disa dhjetëra metra larg. Me forcat që i kishin mbetur u zvarrit deri atje.
Një taksi po vinte në krahun drejt Dibrës. I nxori dorën dhe mjeti u ndal. Shoferi i hodhi vështrimin dhe në dritat e makinës dalloi një fytyrë e një trup të dërmuar. Po ta kishte ditur se si ishte e vërteta nuk do ta kishte marrë.
– Punoj në mal, me dru, – u shpjegua Zeniu dhe më zunë përfundi. Më ço deri në Dibër dhe të paguaj!
Shoferi sikur u bind dhe pranoi. Në pak orë e dërgoi drejt te shtëpia dhe Zeniu e ftoi për kafe. U mblodhën shpejt njerëzit e rrethit familjar dhe u habitën se si ishte gjallë, kur e dinin për të vdekur. Ndoshta duatë dhe lutjet e atyre mijëra njerëzve, që kishte ndihmuar me bukë e ushqime e kishin bërë efektin e duhur! Vetëm atëherë shoferi e kuptoi të vërtetën.
Vite më parë, në Maqedoninë e Veriut u krijua shoqata ‘Nënë Tereza”, ku Zeniu jo vetëm ishte në rrethin drejtues, por dhe një nga financuesit e rëndësishëm të saj. Sa e sa ton oriz, sheqer, vaj dhe asortimente të tjera u përcollën në Kosovë dhe në vise të tjera, sa herë që ishte nevoja për këto ushqime jetike për popullsinë . Në jo pak raste dhe makinën e tij nuk e kurseu për transportin e këtyre mallrave.
Zeni Talja është modeli i modestisë dhe i bujarisë. Dhe tani që po shkruajmë këto rreshta, falë tregimit të Artanit për babain e tij, pasi vetë Zeniu ndodhet në Amerikë. Artani është më i vogli nga tre djemtë. Ka mbaruar universitetin e Shkupit për ekonomi dhe financë dhe sot punon si inspektor i tregut të qytetit. Djali tjetër, Islami ka emrin e gjyshit dhe është përgjegjës i biznesit familjar të zdrukthëtarisë, kurse djali i madh, Zudiu jeton e punon në Amerikë. Familja e Zeni Tales është e shpërndarë në Amerikë, në Itali dhe në origjinë, në Dibër të Madhe. Nipër e mbesa të shumtë po e shtojnë dhe po e fuqizojnë këtë familje të nderuar, modeli punës, i dijes, i bujarisë dhe patriotizmit.