Zerqani, fshati që duhej të ishte turistik, por që po braktiset çdo ditë
Nga Dritan Kurti *


Fshati Zerqan në Bashkinë e Bulqizës është përzgjedhur si një nga fshatrat turistik në programin e qeverisë, për t’i dhënë një fytyrë të re turizmit në këtë zonë, por mesa duket edhe në terren, investime në kuadër të këtij projekti ambicioz nuk kanë ardhur ende deri në këtë zonë, duke i bërë banorët skeptik për procesin.

Fshati Zerqan në Bashkinë e Bulqizës është përzgjedhur si një nga fshatrat turistik në programin e qeverisë, për t’i dhënë një fytyrë të re turizmit në këtë zonë, por mesa duket edhe në terren, investime në kuadër të këtij projekti ambicioz nuk kanë ardhur ende deri në këtë zonë, duke i bërë banorët skeptik për procesin.

Banesa e Mustafa Shehut në Zerqan. Foto: D. Kurti

Fshati Zerqani , në njësinë administrative me po të njëjtin emër, ndodhet jo më larg se 17 kilometra nga qyteti i Bulqizës dhe 7 kilometra nga rruga nacionale Tiranë – Peshkopi. Në vitin 2018 qeveria shqiptare e përzgjodhi atë në paketën e 100 fshatrave turistik, mes propozimeve të bëra nga drejtues të Bashkisë Bulqizë në atë periudhë. Por që nga ajo periudhë fshati nuk ka përthithur investime, megjithëse mund të shërbente shumë mirë si një atraksion turistik për turistë vendas e të huaj për shkak të historisë që mbart.
Në hyrje të fshatit ndeshesh me një tabelë të madhe, e cila mesa duket ka shumë vite që është aty, pasi shkrimet apo fotot në të, i ka djegur dielli dhe është vështirë të dallohen. Ajo që dihet me siguri është që kjo tabelë është vendosur para vitit 2015, pra para se të kryhej reforma administrative territoriale, pasi mbishkrimi në të është KOMUNA ZERQAN. Madje në këtë tabelë janë stampuar edhe fotografi të fshatit Zerqan. Por ndryshe nga shumë fshatra të tjerë të përzgjedhur turistik, për këtë fshat nuk ekziston asnjë tabelë e tillë informimi, edhe pse është bërë një tender publik mbi sinjalistikën informuese, e cila do të ishte edhe A-ja e këtij projekti tejet ambicioz i qeverisë shqiptare. Për këtë, autoritet kontraktor ishte Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me një fond limit 4.1 milionë lekë, që daton në vitin 2018, por mesa implementimi i këtij projekti nuk ka mbërritur ende në këtë fshat.

Çezma e fshatit. Foto: D. Kurti

Rruga që të dërgon për në fshatin Zerqan është e gjitha e asfaltuar. Para se të hysh në fshat ndeshesh me një tabelë e cila të informon se aty pranë ndodhet një park natyror që banorët e quajnë “Vakuf”. Në tabelë nuk ka shumë informacion, veç datës se kur është shpallur monument natyror, që daton nga viti 2002. Por banorët kanë një legjendë për të, ndaj dhe e shohin si të shenjtë këtë park me një sipërfaqe prej 15 HA. Parku i cili përbëhet nga pemët e larta të Lisit, është një vend i shenjtë për banorët dhe askush nuk prek asgjë në të. Besohet se kush ka tentuar të presë dru në këtë masiv pyjor i ndodhin fatkeqësi, ndaj dhe ai është “shenjtëruar” prej tyre, duke e shpëtuar kështu nga masakra për prerjen e pyjeve, si pak zona në këtë qark.
Poshtë parkut natyror ndodhen tre burime të mëdha uji të njohura si “Gurrat e Zerqanit”. Ato burojnë në sasi të mëdha ndërsa shfrytëzohen për të vaditur tokat bujqësore jo vetëm fshati Zerqan, por edhe fshatrat e tjerë përreth.
Rruga për në fshat është vërtetë panoramike dhe tejet tërheqëse me malin e Bardhë në të majtë të saj. Por hyrja në brendësi është vërtetë e trishtë. Në afërsi të qendrës së fshatit ndeshesh me banesa të rrënuara e të braktisura prej kohësh. Pothuajse të gjitha banesat kanë të njëjtin material ndërtimi, tullën prej balte, e përdorur masivisht në këtë zonë edhe pse me risk sizmiologjik, i kanë rezistuar kohës për dekada e të mos themi shekuj me radhë.
Sinjalistika rrugore nuk mungon në këtë fshat, ku në brendësi të tij informohesh për qendrën e fshatit, por edhe për daljen e tij që është në rrugën nacionale tek “Tre Çezmat”. Në qendër të fshatit ku dhe ndodhen disa biznese bar-kafe, takojmë Sabah Gurrën. I pyetur nëse ka patur investime në kuadër të shpalljes si fshat turistik, Gurra tha se në këtë fshat prej 1 dekade nuk është bërë asnjë investim.
“Zero investime, asgjë nuk është bërë. Asfalti e ndriçimi janë bërë që para 10 vitesh. Është vlerësuar në përzgjedhje si fshat turistik pasi ka shumë bukuri natyrore e histori që mund t’ju ofrohen vizitorëve”, thotë ai për Portën Vendore. E në fakt kjo është e vërteta, pasi infrastruktura, vaditja dhe ujë kanë pas ekzistuar para vitit 2018, vit kur hapi siparin ky projekt për fshatrat turistik në vend. Favorizuese për këtë fshat është fakti se është qendër e njësisë administrative të Zerqanit, çka fshatrat e tjerë nuk e kanë pasur njësoj vëmendjen në investime.
Shitësja e dyqanit ushqimor të vetëm që ndodhej në qendër të fshatit, na tregon se banorët e mbetur aty janë kryesisht të moshës së tretë, ndërsa shton se aktivitetin e mban hapur vetëm se e ushtron prej shumë vitesh.
Pak më tutje, takojmë dy të moshuar të tjerë. Shkëlqim Disha e Muharrem Bardhi janë dy pensionist që kohën e lirë e kalojnë me moshatarët e tyre në qendër të fshatit. Ata thonë se Zerqani i ka të gjitha për të qenë një atraksion turistik, ama investimet kanë mbetur në vendnumëro prej 10 vitesh.
“Zerqani i ka të gjitha. Atje lart është një masiv shumë i bukur me Lisa që ne e quajmë Vakuf. Është si ta kesh bërë me kompas, është vend i shenjtë. Ka 5 gurra uji që rrjedhin sipër fshatit dhe e mbajnë atë verë dimër të gjelbëruar. Ka banesa shumë të bukura të ndërtuara shumë e shumë kohë më parë. Në funksion të asaj që e ka shpallur qeveria si një ndër 100 fshatrat turistik nuk është bërë asgjë. Fshati po braktiset çdo ditë e më shumë”, thotë Shkëlqimi.
Zerqani dikur kishte spital të mirëfilltë me një godinë të madhe në lindje të fshatit. Objekti kishte kushte bashkëkohore me 16 dhoma dhe me shumë mjek specialist. Por ndër vite, në mungesë të investimeve në të, kjo godinë sot është totalisht e boshatisur dhe në rrezik për tu rrënuar. Të vetmit “banorë” të përkohshëm në të, janë shpendët shtegtarë. Dallëndyshet kanë ndërtuar me dhjetëra fole brenda këtij objekti, pasi nuk shqetësohen nga asgjë e askush për t’i larguar nga aty. Spitali u rrënua me kohën deri sa u kthye në një qendër shëndetësore, por as në këtë fazë nuk i mirëmbajt, ndaj dhe qendrën e transferuan brenda ambienteve të Njësisë Administrative.
Historia na tregon se në fshatin Zerqan shkolla e parë shqipe është hapur që në vitin 1916, për tu mbyllur e rihapur disa herë për shkak të luftërave që u zhvilluan në këtë krahinë. Deri pak vite më parë, në këtë fshat kryenin të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar fëmijët e të rinjtë, ndërsa sot ka mbetur me vetëm 13 fëmijë parashkollor, ndërsa të tjerët do të duhet të udhëtojnë deri në fshatin Valikardhë për të marrë arsimin 9-vjeçare.
Buran Snallën e gjejmë pranë godinës së shkollës, teksa kosiste barë në livadhin e tij para institucionit të dijes. Burani na thotë se për mungesë të zhvillimit, nga 190 familje që kishte dikur fshati, sot nuk kanë mbetur më shumë se 40.

“Vakufi”, monument natyre në Zerqan. Foto: D. Kurti

“Kur drejtonte PD këtu deri në 2015 u bënë investime. U asfaltua rruga, u bënë kanalizime dhe u vendos ndriçimi në fshat. Më pas jo vetëm që nuk u bë asgjë, por u shkatërruan, pasi u mbyll shkolla, u shkatërrua spitali e nuk u bë asnjë investim. Zerqani ka qenë 190 familja e tani nuk kanë mbetur më shumë se 40 familje. Është bërë shumë mirë që është përzgjedhur si fshat turistik sepse e Meriton Zerqani, por duhen investime dhe për fat të keq fshati është braktisur. Ne nuk kemi shpresë që do të investohet më në fshatin tonë”, thotë Burani për Portën Vendore.
Edhe pse i përzgjedhur si fshat turistik, përveç historisë dhe natyrës të pakta janë aktivitetet që turistët mund të kryejnë në Zerqan, kjo pasi në fshat nuk ofrohen as bujtina e as restorante agro-turizmi që mund ti ofronin një prespektivë tjetër vizitorëve vendas e të huaj, duke i ofruar ushqime bio e tradicionale të zonës.
Zerqani ka një pamje fantastike kur në këtë fshat shkon nga rruga e parë që kalon përmes Valikardhës. Ndërtesat me mure të kafet e përballë mali i Bardhë. Ajo që bie në sy është banesa komplekse e Mustafa Shehut që mbart një histori të çmuar jo vetëm për zonën, por për historinë e Shqipërisë, shpallur Monument Kulture që në vitin 1977. Mustafa Shehu ishte udhëheqës i luftës së Gjoricës në 1844 që kryesohej nga Hajredin Pasha. Në vitin 1893 Sulejman Shehu i kthyer nga Turqia, arriti të hapë shkollën e parë private fetare në gjuhën shqipe.
Gjurmët më të hershme të këtij fshati janë gjatë shek XIII, me emrin Zirclan që në latinisht do të thotë vend i artë. Ky emër provohet më vonë nga dokumentet turke të vitit 1467. Shkolla e parë shqipe në këtë zonë u hap në vitin 1910, për tu mbyllur e rihapur disa herë për shkak të luftërave të zhvilluara deri në 1944. Historia e lavdishme e kësaj zone mund të jetë mjaft mirë një pikë e fortë për ta kthyer Zerqanin në një atraksion turistik.

Banesë e rrënuara në hyrje të fshatit. Foto:D. Kurti

Bashkia e Bulqizës pranon se nuk ka bërë asnjë investim në këtë fshat në kuadër të zhvillimit të tij turistik. Madje në përgjigjen zyrtare dhënë për Portën Vendore, Bashkia Bulqizë shprehet se as projekte nuk ka hartuar, por që një gjë të tillë, do ta realizojë e planifikojë në buxhetin e vitit 2022, sikundër do t’i kërkojë qeverisë qendrore që të ketë në prioritetet e saj të mbështetjes financiare dhe projektet për zhvillimin turistik të Zerqanit.
E pyetur nga Porta Vendore FSHZH që është institucioni që po zbaton projektet e ndryshimeve infrastrukturore tha se të gjitha investimet që janë planifikuar në këtë fshat janë në proces vlerësimi dhe tenderimi të projektit. Në fshat do të ketë 3 investime, përkatësisht në asfaltim e rrugës së “Tre çezmat”, ndëtim rruge Zgozht – Ura e Cerenecit, dhe Rikonstruksionin e rrugëve të lagjes e re Metallaj, lagjia e re Bodinak.
Lidhur me mungesat në investime në fshatin Zerqan të Dibrës Porta Vendore kontaktoi gjithashtu edhe eksperten e qeverisjes vendore Besa Manaj e cila u shpreh skeptike lidhur me këtë program të iniciuar nga qeveria 3 vite më parë.
“Projekti 100 fshatrat si dokument është thellësisht me objektiva teorike, që do të thotë mungojnë indikatorët e matshëm dhe strategjia si do realizohen këto objektiva. Në këto kushte kemi një lanccim të një programi populist duke qenë se në Shqipëri zhvillimi rural/agrokultura ka peshën kryesore të ekonomisë dhe ndjeshmëria ndaj mobilizimit të zhvillimit të fshatrave është relativisht e lartë. Domethënë instrumenti i përdorur nuk ka në thelb transformimin e këtyre zonave me zhvillim periferik dhe as ndonjë strategji të matshme për rivitalizim resursesh dhe koordinim të aktorëve publike dhe atyre kapitale (humane ose private)”, thotë Manaj për Portën Vendore.
(Marrë nga portavendore.al)