Allajbegia, lagjja ime


Nga Osman Xhili

Nuk ka njeri që të mos tërheqë zvarrë kujtimet e fëmijërisë. Ato janë lidhur e thurur keq në subkoshiencën e secilit, pa mundur ti shqisësh, sado të përpiqesh. Ato ecin me ty, flenë me ty, pushojnë me ty, ecin sërish me ty e vdesin bashkë me ty. Dikush më shumë e dikush më pak, të gjithë kanë nostalgji për vendlindjen, qoftë ajo fushë pjellore, qoftë ajo dhe një majë mali, ku është e vështirë mbijetesa, ku vetëm zogj e kafshë të egra mund të ketë dhe vetëm rrallë e tek ndonjë shtëpi. Dhe unë nuk munda ti shpëtoj kësaj dalldie, për të kapur fillin e kujtimeve të fëmijërisë e për ta shpleksur atë ngadalë e me kujdes.
Ajo është me të vërtetë një lagje që nuk meriton ta lesh në harresë. Nëse sheh Murat begu e ndërtoi xhaminë e Allajbegisë para 500 vjetësh, rezidenca e tij është pikërisht në këtë lagje, aty mes banesave të Besim dhe Qemal Xhilit. Tashmë dihet se ai ka qenë një sundimtar i fuqishëm, jo vetëm i fshatit, por dhe në zonë, madje me ndikim dhe në Dibër të Madhe. Nuk është habi ai të ketë ndërtuar një tubacion për të sjellë qumështin nga mali, ku ka pasur bagëtinë, deri te kulla e tij. Nëse dikush e ve në dyshim këtë gjë, le të shohë çimkat (tubacionet), që kanë mbijetuar deri në ditët tona, duke përvijuar qartë drejtimin e tij. Një nga banorët e fshatit, Blerim Sala, djali i Zabitit, duke bërë disa gërmime te shtëpia e tij, pranë rrugës së lagjes së Çifligut, ka hasur në këtë tubacion dhe ka nxjerrë disa tuba (çimka), që i kemi paraqitur dhe në fotot e librit. U takon studiuesve të ndjekin këtë linjë të hershme, të shohin ekstremet e këtij tubacioni dhe të dalin të dhëna të tjera, akoma më interesante.
E etiketuar si “lagjja e beglerëve”, që nga shtëpia e Izet Tonuzit, deri te shtëpia e haxhi Rushitit, babai i Medat dhe Gafur Salës, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në tërësinë e menaxhimit të këtij fshati. Në muajin e Ramazanit, hoxha i fshatit shkonte çdo natë në iftar në ndonjë familje dhe lagjja jonë e mbante më të shumtën e ditëve. Ne të vegjlit, ndiheshim krenarë, por dhe me detyrimet që buronin nga kjo, për tu bërë fëmijë të mbarë, të edukuar dhe të shkolluar mirë. Aty para shtëpive tona gjendet një shesh i vogël, mbushur plot me kujtimet tona fëminore. Natyrisht që loja e futbollit ishte më e preferuara për ne. Shpesh luanim tre me tre, por kishte raste dhe pesë me pesë, apo dy skuadra me nga gjashtë veta. E kuptonim që ishim shumë për atë lloj fushe, por donim të luanim të gjithë. Mund të ishte pluhur, mund të ishte pak baltë, por ndonjëherë dhe dëborë, e të gjitha këto nuk kishin rëndësi për ne. Kur gjuanim lart, topi binte shpesh te kopshti i Gëzimit, aty pas avllisë. Kur nuk kishte njerëz brenda, shkonte Gëzimi dhe e merrte. Kur ishte Xha Ismali në shtëpi, puna ishte më serioze. E merrte topin dhe nuk na e jepte më, të paktën për atë ditë. Topi atëherë ishte një luks i madh dhe ne me veshë të varur e të pikëlluar në kulm, ktheheshim në shtëpi ose fillonim ndonjë lojë tjetër.
Nganjëherë luanim pas shtëpisë time, te shkolla. Luanim e luanim, derisa binte mbrëmja e vinin prindërit duke na thirrur. Shqyenim këpucët e dëmtonim këmbët, që të nesërmen ishin me shenja mavi nga enjtja. Kishte raste që prindërit na qortonin, pasi nuk i kishim ndihmuar për ndonjë punë, por dhe detyrat nuk i kishim bërë për të nesërmen. Premtonim që nuk do të luanim më, por ditën tjetër e njëjta skemë përsëritej.
Dimri i atyre viteve ishte sa i vështirë, aq dhe i bukur e interesant. Kur binte bora e qëndronte me javë të tëra, kur stalagtitet e akullit vareshin nga çatitë e shtëpive, ne fëmijët dilnim për të rrëshqitur, një lloj skijimi amatoresk. Merrnim ndonjë shkop ku mbaheshim gjatë rrëshqitjes e shpesh rrëzoheshim e ngriheshim sërish. Dikush kishte sajuar një kaik për të rrëshqitur, që nuk ishte gjë tjetër, vetëm se disa dërrasa të shkurtëra të farkuara mbi dy copa druri, duke e bërë më komode rrëshqitjen tonë. Në darkë shkonim në shtëpi me rrobat krejt të lagura e mezi gjenim të tjera për të shkuar nesër për në shkollë.
Por futbolli ishte vetëm një nga lojërat e shumta. Jo rrallë luanim një lojë që quhej dokër. Në qendër ishte një gropë dhe gjithçka vërtitej rreth asaj , a thua ishte qendra e botës. Ca gropa më të vogla ishin anash saj, ku vinin këmbët lojtarët, të gjithë të pajisur me nga një shkop në dorë. Shkopi shërbente për të qëlluar një copë koçan misri, që e thërrisnim brolle. Lojtari që kishte shërbimin tentonte ta fusë brollen në gropë, ndërsa të tjerët tentonin ta largonin atë, duke e gjuajtur me shkopinj.
Lojra të tjera ishin dhe shkop e kliskë, apo një lojë tjetër me toka, ku ne përfaqësoheshim me emra shtetesh si Shqipëria, Greqia, Italia apo dhe shtete të tjera. Secili synonte ta zgjerojë pjesën e tij të tokës dhe ne në përfytyrimin tonë fëminor na dukej sikur krijonim e ndërtonim perandori të vërteta. Disa perandori binin, të tjera lindnin e zhvilloheshin dhe ne i përjetonim ata shumë seriozisht.
Shumë interesante ishte dhe loja me arra. Vizatonim një trekëndësh në tokë dhe aty vendosnim dy, tre, katër, apo më shumë arra, sipas numrit të personave, që merrnin pjesë në lojë. Caktonim një vizë tre katër metra larg trekëndëshit dhe secili me nga një kokërr are në dore, i hidhnim me synimin kush e kush të afrohej më pranë trekëndëshit. Ai fatlum që ishte më pranë, kishte të drejtën të qëllojë mbi grumbullin e arave, për ti fituar ato. Kur dy persona kishin distancë të njëjtë nga trekëndëshi, veç syrit matja bëhej dhe me pëllëmbë e me gishtërinj. Na pëlqente shumë kjo lojë dhe shpesh, lojtari që humbiste arat, shkonte diku, gjente shtatë kokrra të tjera dhe fillonte lojën sërish. Unë kisha shumë trupa të mëdhenj arrash, aq sa babai i dërgonte të qëruara në Tiranë, ku nxirrte një fitim jo të vogël. Ama kënaqësia ishte kur fitonim arrat aty te trekëndëshi, duke luajtur gjithë ditën.
Çdo grup fëmijësh ishte përcaktuar qartë në moshë. Gëzimi, Luani, Agimi, Shkëlqimi e Jetoni ishin gati moshatarë. Më pas vinim unë, Allamani, Alltani, Burimi, Aqifi dhe akoma më pas, më të vegjël se ne. Gjithë ditën sheshi i vogël qëndronte plot, aq sa mund të luanim me turne, ose vepronte ligji i xhunglës, pra luanim më të mëdhenjtë. Ndonjëherë dilnim për të ngrënë ndonjë mollë, kumbull, dardhë, apo qershi. Si ngopeshim mirë, mbushnim dhe xhepat, apo i fusnim mes barkut e këmishës, që kishim veshur, për ti pasur si rezervë ditore.
Krahas lojërave të ndryshme, përgatisnim dhe mësimet për të nesërmen. Në shkollë ishim fëmijë të urtë, të edukuar dhe pse jo dhe inteligjentë.
Ja, kështu u rritëm ne fëmijët e lagjes time, u poqëm e u burrëruam. Në sheshin e lagjes filluan të luajnë fëmijët tanë. Po erdhi një ditë që ky zinxhir moshash u këput. Nuk ka më fëmijë për të luajtur. Njerëzit po ikin nëpër Europë, apo akoma më larg për një jetë më të mirë. Shtëpitë e lagjes që dikur gjallonin e zhurmonin nga fëmijët e shumtë, tani janë boshatisur e disa janë shembur. Shtëpia e Gëzimit është shembur fare, pasi ka ndërtuar një të re mbi lagjen e Çiflikut. Shtëpia e Bajram Ademit është bosh dhe vetëm verës Bajrami, bashkë me të shoqen, Festën, vijnë për pak kohë në trojet e vjetra. Shtëpia e Qemal Xhilit është shembur, pasi janë ngritur në Tiranë. Bosh janë dhe shtëpitë e Isuf Salës, Bardh Ademit, Kamber Osmanit, apo e Ismet Ademit, që rrallë vjen verës për të pushuar, në rezidencën e tij, siç dëshiron ta quaj regjizor Aqifi.
Bosh, gjithandej bosh. Dhe në rrugë fare pak kalimtarë ka. Vetëm çifte gati të moshuar, që flasin në darkë me fëmijët e shpërndarë në Itali, Greqi, apo diku tjetër. Shkolla që rrudhen përditë për nga numri i nxënësve, që kthehen me klasa kolektive, apo rrezikojnë të mbyllen fare. Më duket si një ëndërr e keqe e nuk dua ta besoj. Lagjja ime, e bukura, fisnikja, e madhërishmja, më duket sikur është në kllapi e po jep shpirt. Po në mos tjetër, le të jenë këto rreshta të hedhur në një libër kujtimesh, një mënyrë të jetuari për lagjen e fëmijërisë time.
Por unë, Osmani, biri yt, të jap fjalën se nuk lëviz që këtu. Nuk më mahnit shkëlqimi i qyteteve të zhurmshëm e me pallate të lartë. Ti, lagjja ime je misi i parë dhe i pa konkutrueshëm nga asnjë vendbanim tjetër. Qetësia, freskia, ajri i pastër, bollëku në pemë e perime, uji e shumë të tjera, janë faktorë të mjaftë për të mos e menduar lëvizjen. Të dua dhe kështu lagjja ime e pazëvendësueshme. Dhe kështu të lodhur, me numër të paktë njerëzish e shtëpish, që jeton mes lavdisë së dikurshme e trishtimit të sotëm. Kujton ata kohra, kur pleqtë e motshëm dilnin tek kodra, nën hijen e dy lisave qindra vjeçarë. Kuvendonin e merrnin vendime, që i thirrnin me emrin “itifak”. Por një ditë dhe lisat i prenë për të furnizuar furrën e bukës me dru zjarri, duke djegur bashkë me drutë dhe lavdinë e dikurshme. Por unë, biri yt, të premtoj se nuk të harroj kurrë, jo vetëm me fjalë, por me vepra. Dua të të bëj të bukur si një nuse, në mos tjetër soj, të paktën me këtë shkrim përkujtues, që do ngelet si vulë e lashtësisë dhe e krenarisë tënde.