Pavel Kunc, aktivisti çek që po mbjell Lurën


Buzëqeshja, energjia dhe mirësjellja e karakterizojnë 39 vjeçarin Pavel Kunc, i cili po mëson dhe shqipen së fundmi.
Lëvizja që ai përfaqëson quhet Pemë për Lurën (Trees for Lurë) dhe synon të mbjelli 2 500 fidanë çdo vit. Ky është viti i tretë i mbjelljeve. Ne e takuam nga afër për të sjellë te ju eksperiencën e tij.

Si e takove Lurën?
Rreth 4 vite më parë, kur po kthehesha nga India me motor, kalova nga Lura. Rrugës në një krua aty pranë, pashë qese dhe mbeturina hedhur ngado. Mora një çantë me mbeturina dhe bëra një video në Youtube, e cila u bë tërësisht virale në Shqipëri. Unë nuk e dija këtë, por shoku im, i cili më bëri videon, Doriani, më thotë se isha kthyer në një ‘yll’.

Kur u frymëzove për të ndërmarrë aksion?
Ishte një vit më vonë kur u ktheva sërish në Shqipëri. Ishim në Korab duke pirë disa birra me shokun tim, Dorianin, kur u hap tema e pemëve në Lurë. Pse ishin prerë? Pse nuk ishte më parku si dikur? Çfarë mund të bënim së bashku? Ndoshta ishin birrat, ndoshta lidhja që kisha krijuar me Lurën, por aty nga Korabi, lindi ideja për të mbjellë pemë çdo vit në Lurë.
Ne mund të bëjmë diçka.Unë kudo që shkoj gjej mikpritje dhe kjo ishte mënyra ime për ta kthyer atë mbrapsht. Ti zgjedh një vend si udhëtar dhe vendos të ndihmosh pikërisht aty. Këtu lindi ideja për të bërë një projekt të mirëfilltë, për të filluar një fushatë për mbjelljen e pemëve.

Pavel, a kishit eksperiencë të mëparshme në nisma të ngjashme mjedisore?
Jo. Unë kam studiuar shkenca kompjuterike, por si udhëtar i natyrës jam kthyer në një natyralist që e dashuron pa kushte çdo natyrë. Lidhja me natyrën, udhëtimet, duke parë shumë problem, të krijon ide të ndryshosh dhe të ndihmosh.

Pse zgjodhe pikërisht Lurën për të ndihmuar?
Parku i Lurës kishte më shumë nevojë. Vetëm një punonjës për të gjithë atë park është e pamundur ta mbrosh apo ta mbjellësh. Ishte një mundësi për mua të lë një gjurmë të mirë në diçka që do të vazhdojë dhe pas meje.

Po në vendin tënd si është gjendja e pyjeve? A ka nevojë dhe aty për ndihmën tuaj?
Në vendin tim shteti financon miliona euro për mbrojtjen dhe mbjelljen e pyjeve, ka qindra organizata rinore dhe ambientaliste të angazhuara dhe të mbështetura nga shteti im. Këtu ka shumë më tepër nevojë. Parku është i madh, janë qindra hektarë për tu mbjellë. Mundësitë janë të pakta. Terreni është i vështirë. Saktësisht është vendi për të përveshur mëngët.

Si është plani juaj i mbjelljes?
Me komunitetin. Ne nuk kemi mbështetje financiare nga shteti shqiptar, po punojmë me mbështetjen e vetë shqiptarëve. Jemi duke kërkuar mbështetje në Durrës, Dibër, Lurë, Tiranë, por kërkojmë mbështetjen edhe të komunës dhe komunitetit, të çdo organizate mjedisore. Në fund të tetorit ne synojmë të mbjellim 2500 fidanë, në dy aksione. Të hapim gropat dhe të bëjmë gati tokën është hapi i parë. Ne kemi gjetur paratë për të paguar një pjesë të komunitetit në hapjen e gropave. Më tej shpresojmë të bashkohen dhe vullnetarë që të arrijmë objektivin tonë.

Pavel, cila është fjala jote për të rinjtë shqiptarë dhe ata që e duan vendin e tyre shumë?
Të jem i sinqertë, kjo është një pyetje shumë e vështirë. Problemi, mendoj, është se ata nuk po shohin siç duhet vlerën e një mjedisi të pastër, të një natyre të shëndetshme, të qëndrueshme. Ata e duan vendin dhe Lurën, por nuk shohin vlerë në mbrojtjen e tyre, por në paratë dhe përfitimin për ti shkatërruar. Ky është problemi më i madh.
https://www.facebook.com/298080000211903/posts/4784002124952979/