Pse po shpopullohet Dibra?


Pse Dibra është një ndër rajonet më të varfëra dhe më të shpopulluara në vend dhe si mund të frenohet një dukuri e tillë?
Flasin përfaqësues të shoqërisë civile: Gafurr Muka – profesor në Universitetin e Tiranës, Kamber Farruku – publicist, Xhemal Gazidede – avokat,
Nafie Jella – kryetare e Forumit të Pavarur të Gruas në Bulqizë, Bajram Krrashi – ish-kryebashkiaku i Dibrës dhe Danjel Bica – Kryetar i Shoqatës “Ekspertët e Rinj Mjedisor”

Nga Hysen Likdisha

Pas rrëzimit të regjimit komunist, nisi edhe rënia e pandalshme e popullsisë në vendin tonë, e cila vazhdon prej 3 dekadash, për shkak të emigracionit, por jo vetëm. Një tjetër shkak që ka ndikuar në rënien demografike, ka qenë dhe mbetet edhe ulja e lindshmërisë, që sipas INSTAT-it, ka rënie me 65% që nga 1990. Po sipas INSTAT -it, sot vendit tonë i mungojnë rreth 1 milion e 112 mijë banorë, ose afro 38.8% e popullsisë aktuale.
Në vitet 70-80 Shqipëria kishte rritjen më të lartë të popullsisë në Europë, me 2% në vit, aktualisht rritja është negative me -0.35%. Popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 15% që prej vitit 1989, kur kishte afro 3 milion e 300 mijë banorë. Komponentët që ndikojnë në rritjen ose rënien e popullsisë janë lindjet, vdekjet, dhe emigracioni. Në rastin e Shqipërisë emigracioni është faktori kryesor i tkurrjes.
Sipas INSTST emigrimi i të rinjve, rënia e lindshmërisë si dhe vdekshmëria më e ulët që nga viti 1989, kanë zvogëluar peshën e brezave të rinj dhe kanë rritur atë të brezave më të vjetër në popullsinë e përgjithshme, duke çuar drejt një moshimi demografik, me kosto me të larta financiare. Pa u marrë shumë me shifrat, që dihen tashmë, se vijojnë të mbeten shqetësuese, përsa i përket dukurisë së shpopullimit dhe plakjes së vendit tonë, në përgjithësi dhe rajonit të Dibrës në veçanti, doja që nëpërmjet këtij shkrimi, të bëja një analizë të thjeshtë:
“Pse Qarku i Dibrës është nga më të prekurit nga kjo dukuri?”
Natyrshëm që shpopullimi i një rajoni, ecën paralelisht me varfërinë e tij në resurse ekonomiko-financiare, emigracionin, lindje-vdekjet, të cilat veprojnë në korrelacion mes tyre.
Qarku i Dibrës, ku bëjnë pjesë bashkitë Mat, Klos, Bulqizë dhe Dibër, sipas INSTAT, vijon të mbetet një nga rajonet më të prekura nga plakja dhe ulja drastike e popullsisë. Shpopullimi i këtij qarku, bëri që në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të këtij viti, të ulet edhe numri i deputetëve përfaqësues të tij, në Kuvendin e Shqipërisë, nga 6 që ishte në zgjedhjet e kaluara, në 5 të tillë. Për të parë dhe analizuar trendin e rrudhosjes dhe plakjes së popullsisë, së këtij qarku, le tu hedhim një pamje shifrave të statistikave demografike, për dy vitet e fundit, 2019-2020.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, në vitin 2019, popullsia në rang qarku ka qenë gjithsej 118 948 banorë, nga të cilët 61 946 meshkuj dhe 57 002 femra. Kurse në vitin 2020, popullsia ka pësuar rënie, duke regjistruar gjithsej 115 857 banorë, nga të cilët 60 455 meshkuj dhe 55 402 femra. Kështu, rritja vjetore e popullsisë së këtij qarku, që është regjistruar në 2020, rezulton të jetë negative minus (-2.6%). Pra shihet se trendi i uljes së popullsisë, vijon nga viti në vit. Sipas statistikave të marra nga 4 bashkitë e këtij qarku, për lindje-vdekjet, në dy vitet e fundit 2019-2020, mësohet se në uljen e popullsisë, veç emigrimit të të rinjve, ndikuan dukshëm edhe ulja e lindshmërisë së grave. Në vitin 2019, nga të gjitha njësitë administrative të bashkisë Bulqizë, janë konfirmuar gjithsej 50 akte lindjeje dhe 203 akte vdekje, duke prevaluar kështu çuditërisht vdekjet ndaj lindshmërisë, madje me rezultat të thellë. Ndërsa për vitin 2020 janë regjistruar 109 akte lindje dhe 284 akte vdekje.
Në bashkinë Klos, për vitin 2019, janë regjistruar gjithsej 155 lindje dhe 133 vdekje. Në vitin 2020, janë regjistruar 141 lindje dhe 136 vdekje.
Në bashkinë Mat, për vitin 2019 janë regjistruar gjithsej 121 lindje dhe 62 vdekje. Në vitin 2020 janë regjistruar 122 lindje dhe 105 vdekje.
Në bashkinë Dibër, në vitin 2019 janë regjistruar gjithsej 801 akt- lindje dhe 82 akt-vdekje. Kurse në vitin 2020 janë regjistruar 686 akt-lindje dhe 97 akt-vdekje. Edhe nga këto statistika, të lindje-vdekjeve, shihet me shqetësim, se raporti i diferencës mes tyre, mbetet i vogël, përsa i përket ndikimit në rritjen natyrale të popullsisë. Sipas INSTAT, popullsia në qarkun e Dibrës, më 1 janar 2020, u rrit përkatësisht me minus (-2.6%). Ndërkohë që në rang vendi rritja ka qenë (-0.6%).
Ndërkohë, ndikim negativ në këtë shpopullim, krahas emigracionit, që mban peshën kryesore, ndikon dukshëm edhe rënia e lindshmërisë së grave. Një prej shqetësimeve kryesore të ekspertëve lidhet me lindjet, të cilat kanë rënë me 65% që prej vitit 1990 kur kishte 82 mijë lindje në vit. Numri i fëmijëve për një grua në moshë riprodhuese është 1.37 dhe që prej 19 vitesh është nën nivelin 2.1 që është kufiri i nevojshëm për të ruajtur popullsinë.
Masat e qeverisë për stimulimin e lindjeve përmes bonusit të bebeve, konsiderohen nga ekspertët si e pamjaftueshme. Shqipëria ndodhet nën mesataren e nivelit të lindjeve, prej 1.55% të Bashkimit Evropian.
Dukuria tjetër shqetësuese lidhet me shtesën natyrore të popullsisë ose ndryshe raporti mes lindjeve dhe vdekjeve që ka rënë me 89% krahasuar më vitin 1990 kur popullsia rritej me 64 mijë persona në vit. Por edhe pse Shqipëria ka shtesë natyrore pozitive të popullsisë, kjo shtesë nuk dominon mbi emigracionin, ndaj dhe rritja e popullsisë, vijon të mbetet negative.
Emigracioni, kryesisht i të rinjëve të moshës 20-35 vjeç, në kërkim të një jete më të mirë, jasht vendit, dhe ulja e lindshmërisë së grave, janë dhe mbeten ndër shkaktarët kryesor, por jo vetëm, që e rendisin Dibrën në rajonin më të prekur nga shpopullimi dhe plakja. Emigracioni në ekstrem, siç ka ndodhur në këtë rajon, natyrisht që stimulohet nga varfëria, ku rajoni i Dibrës, në veri-lindje të vendit, renditet nga më të varfërit. Sipas ekspertëve të ekonomisë, një rajon i caktuar, përfshihet nga varfëria, kur atij i mungojnë resurset natyrore, për zhvillimet ekonomike. Në këtë rast natyrshëm lind një pyetje e dytë: “A i mungojnë rajonit të Dibrës, resurset natyrore, për zhvillimin ekonomik?”
Dhe pa mëdyshje përgjigja do të ishte jo, përkundrazi, Qarku i Dibrës është i pasur me burime natyrore, siç janë: Minierat e kromit në zonën krommbajtëse Tërnovë-Bulqizë-Batër Martanesh, dy fabrika të pasurimit të mineralit të kromit, në Burrel dhe Bulqizë, madje edhe fabrikë mermeri. Ka lugina pjellore agro-bujqësore si ajo e Drinit të Zi, dhe Matit, për zhvillimin intensive të bujqësisë. Në retrospektivë, kujtojmë se para viteve ’90-të, nga Sina e Epërme e deri në Qanok, numëroheshin mbi 500 mijë rrënjë mollë, ku mollët e Dibrës ishin nga më të kërkuarat në tregun e vendit tonë. Kishte fabrika që prodhonin reçel, mollë, dardhë, qershi e kumbull, si dhe pije alkoolike si raki ‘Penestia’, një markë Dibre asokohe mjaft e e preferuar dhe kërkuar në vendin tonë. Prodhon energji elektrike, ka pyje e kullota pafund, resurse turistike, si ‘bjeshkët e Korabit, Lura turistike me 7 liqenet, Liqeni i Zi, Ulza turistike, kalaja Petëralbës, Raduçi, në Klenjë, ujra termale llixhat e Peshkopisë, etj, etj. Atëherë, përderi sa nuk mungojnë resurset natyrore ekonomike “përse Dibra e varfër, që të rinjtë të rendin eksremisht drejt emigracionit pandalur?!
Sipas INSTAT, rajoni i Dibrës ka rënie në zhvillimin ekonomiko-financiar, ku në 2020 kjo rënie është 2.8% krahasuar me vitin 2009, gjë e cila të çon të mendosh me të drejtë se politikat lokale të zhvillimit ekonomik, në mos kanë munguar, kanë qenë në nivele jo të mjaftueshme zhvillimi për këtë rajon. Atëherë një pamundësi e tillë për zhvillimin ekonomiko-social, të këtij rajoni, natyrshëm që ka stimuluar emigracionin në ekstrem, jasht vendit të të rinjve për një jetë më të mirë.
Përse rajoni i Dibrës është nga më të varfrit, dhe për pasojë më të shpopulluarit në vendin tonë dhe si mund të frenohet një dukuri e tillë? Këto janë pyetje mjaft shqetësuese, që kanë të bëjnë me të ardhmen e këtij rajoni, mbeten dhe duan përgjigje. Në përpjekje për të marrë një përgjigje, sa më gjithëpërfshirëse dhe të gjithëpranueshme, kemi intervistuar për të marrë opinione nga persona të njohur publik të fushave e profesioneve të ndryshme.
Gafurr Muka, Pro. Asoc. Dok. në Universitetin e Tiranës:

E gjej si domosdoshmëri, angazhimi, për të shkruar mbi temën e shpopullimit, në rastin konkret atij të Dibrës. Do përmend disa ndër shkaqet specifike që kanë kontribuar që Dibra të jetë rajoni më i prekur nga shpopullimi.
1.-Dibranët janë njerëz punëtorë të vetëdijshëm se me punën e tyre, ia dalin të krijojnë një ekzistencë më të mirë, atje ku jetohet më mirë. Përderisa puna në vendlindje nuk shpërblehet mirë, dibranët zgjedhin rrugën e largimit.
2.- Dibranët e mbështesin njëri-tjetrin, aty ku janë vendosur dibranët, rrallë gjen familje të veçuara, atje gjen lagje dibranësh. Kjo traditë e inkurajon largimin.
3.- Dbranët janë prindër të mirë. Shumë kanë ikur për t’iu siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë.
4.- Dibranët janë fëmijë të mbarë. Të larguarit nga Dibra, sidomos ata që janë mbi 18 vjeç nuk ua kanë kthyer shpinën prindërve, përkundrazi ata i kanë përdorur paratë e kursyera për të përmirësuar jetesën e tyre: duke ndërtuar shtëpi të reja; duke blerë mjete transporti ; duke blerë bagëti apo pajisje bujqësore etj. Pikërisht, këto përmirësime të jetesës së familjarëve, sipas parimit “sheh rrushi-rrushin dhe piqet”, i kanë nxitur të rinjtë e tjerë të ndjekin shembullin e të ikurve, për një jetë më të mirë të familjarëve të tyre.
5.- Po si fëmijë të mbarë, kur kanë siguruar një ekzistencë më të mirë, atje ku kanë shkuar dhe duke parë që megjithëse më investimet e tyre, jeta e familjarëve nuk bëhej ashtu siç mund t’ua siguronin ata, kryesisht për shkak të politikave të mbrapshta, i kanë marrë me vete, duke kontribuar në rritjen e shpopullimit.
6.- Dibranët i krijojnë familjet duke u martuar me “ vajza vendi”. Ndjekja e kësaj tradite ka sjellë si pasojë largimin e femrave dibrane. Edhe këto, si fëmijë të mbarë e si motra të dashura, kanë krijuar kushte që të largojnë nga Dibra familjarët e tyre (prindër, motra. vëllezër, kushërinj etj).
Sa i përket pyetjes së dytë, për masat që duhen marrë për frenimin e kësaj dukurie, e kam të vështirë t’i shpëtoj përsëritjes përkatësisht skematizimit. Gjithsesi unë mendoj se këto masa, lidhen me politikat qeveritare: 1.-Të investimeve në infrastrukturë (“Rrugës së Arbërit” duhet t’i përkrahëzohen rrugët rurale, të cilat veçanërisht në Dibër, janë lënë krejt mbas dore). 2.- Të mbështetjes të investimeve të të larguarve, pasi këto rritin jo vetëm numrin e të punësuarve, por edhe shpërblimin më të mirë të tyre. Ka plot raste që të larguarit duan të kthehen dhe të investojnë në vendlindje, por klima për efiçensën e këtyre investimeve është e pa përshtatshme. Edhe një dështim i vetëm në këto sipërmarrje, sjell hezitimin e shumë të tjerëve për t’u kthyer. 3.- Të mbështetjes së investitorëve të huaj. Jo se është në modë të thuhet, por unë mendoj se Dibra ka vërtet resurse, për t’i tërhequr investitorët e huaj. Por ajo që i mungon Dibrës është më së pari infrastruktura e transportit. Ndërtimi, përmirësimi dhe plotësimi i kësaj, do të çonte tek krijimi dhe funksionimi i rrjetit të tregtisë dhe ofrimit të shërbimeve të tjera që janë të domosdoshme për investimet e huaja. 4.- Të mbështetjes së arsimit 9 vjeçar nëpërmjet krijimit të shkollave me konvikte, ku të sigurohet numri i nxënësve, pajimet e duhura mësimore dhe të punësohen mësues cilësorë. Kjo është vendimtare si në frenimin e shpopullimit, sidomos të familjeve të reja, ashtu edhe në rritjen e kthimeve të atyre që duan të ringrenë ekzistencën e tyre në vendlindje. 5. Duke qenë se Dibra është vend edhe bujqësor edhe blegtoral, qeveria duhet të hartojë politika “on line” për mbështetjen dhe zhvillimin e tyre.

Kamber Farruku, gazetar, publicist:

Mendoj se zhvillimi ekonomik në Dibër, ka disa anë, që duhen analizuar. Blegtoria është një sektor, i cili befason me prapambetjen e saj. Nuk ka tufa të mëdha të imtash, nuk ka ferma lopësh e viçash. Edhe zona tradicionale si Kalaja e Dodës me delen rudë, nuk kanë tufa të mëdha bagëtishë. Po kështu edhe i gjithë pellgu i Drinit, me pyje e zona malore në anën perëndimore, nuk ka tufa të imtash. Ka një familje në Dardhë, nga fshati Merskane, familja Poleshi, me disa qindra dele e dhi. Kaq. Shkaku kryesor, për një mungesë të tillë të tufave me të imta, apo gjedhe, është se të rinjtë, nuk shkojnë me bagëti. E quajnë zanatin e bariut, gati si një ofendim, një punë për njerëz të rëndomtë, që nuk marrin vesh nga bota. Takova fermerin Poleshi, ja ç’farë më tha ai:
– “Kam ndërtuar jetë shumë të mirë, me bagëtitë, kam ngritur stalla në bjeshkë, kam dy fuoristrada, kam të ardhura. Por vetëm njëri djalë më ndjek në këtë punë, tjetri më ikën me DJ nëpër dasma nga Kalisi. Jam gati ta lë këtë punë”. Edhe zona si Selishta nuk po mbajnë më bagëti të imta si dikur. Mbajnë sa për të jetuar, për konsum vetjak. Kjo ndodh në një kohë kur kërkesat për mish vendi bio, janë të mëdha. E njëjta dukuri edhe për bagëtitë e trasha. Në gjithë ultësirën e Drinit, nga Katundi i Ri deri në Fushë-Alie, nuk gjen një fermë lopësh. Pse? Sepse brezi i ri nuk pëlqen të merret me ta. I duket një punë pa leverdi dhe e pa përshtatshme. Për bujqësinë ka disa lëvizje në pemtari në zonat e Melanit, Maqellarës, apo fshatrat rreth Peshkopisë. Po kështu edhe në prodhim djathi, por fare pak. Po kështu ka filluar të vlerësohet bletaria.
Infrastruktura rrugore në shumë zona, ndikon për keq në zhvillimin ekonomik. Sidomos në anën perëndimore të Drinit. Por rritja e tufave me qindra e mijëra të imta, nuk është tek rrugët, por te mungesa e interesit të njerëzve. Bujqësia e blegtoria duan mund dhe durim, aftësi për sigurim tregjesh, pasion. Kjo mungon. Edhe zona që i kanë arteriet rrugore afër, siç është ta zëmë Zerqani, nuk janë përqendruar tek blegtoria. Emigracioni është shkak thelbësor për prapambetjen. Mes mijëra të rinjve të ikur, do kishte prej atyre që do t’i hynin punës në bujqësi, blegtori, përpunim etj, për të siguruar jetesën. Mirëpo i’u pëlqen emigracioni, sepse atje lodhesh më pak e fiton më shumë. Çdo gjë tjetër si rrugët, hekurudhat, parqet e lulishtet, ndërtesat me gazifikim apo kushte të mira, spitalet e shkollat, atje i kanë gati. Brezat e shteteve të zhvilluara, kanë lënë kockat dikur prej shekujsh, për vendin e tyre dhe i riu shqiptar e gjen gati. Në vendin e tij i duhet një jetë e më tepër, të arrijë atje dhe zgjedh largimin nga vendi i vet. Të rinjtë shqiptarë janë shumë të zot të bëjnë vend edhe në shtetet më të zhvilluara. Kjo është fazë kalimi në Shqipëri. Edhe në shtetet e tjera ka një largim të madh nga fshati drejt qendrave urbane. Në Itali ka ligje për punimin e tokës, megjithë atë nëpër fshatra ajo po mbetet djerr dhe kthehet në livadhe. Shumë familje sigurojnë disa të ardhura nga toka dhe delet e lopa dhe mbahen me paratë e fituara në Greqi dhe Europë, etj. Kjo sepse atje të jepet paraja në dorë, kurse në Dibër do punosh gjithë vitin dhe do të shesësh prodhimin. Shqipëria është një treg i vogël dhe pa industri ushqimore. Mendoj se Rruga e Arbërit do të sjellë një farë zhvillimi, sepse Tirana mbetet një treg i madh dhe konkurrues në cilësi. Në Tiranë pëlqehen sidomos prodhimet bujqësore të Korçës. Këtë duhet të arrijë edhe Dibra. Një marrëveshje e qeverisë me vendet arabe, siç thuhet për eksportin e të leshtave, që ata i marrin për festat fetare, do ftonte një bum zhvillimi të tufave të deleve. Maqedonia këtë e ka fituar që në kohë të Titos. Dibra është shumë e vobekët në rrafshin turistik. Nuk kanë nevojë, nuk kanë pasion, nuk kanë interes, -kjo nuk merret vesh. Këtu kemi një mungesë të theksuar të ndërtimit të rrugëve në akset turistike si, Korabi, Lura, Liqeni i Zi etj. Nuk është ecur me një studim, ku dhe mungojnë kërkesat dhe investimet private. Edhe aty kur dikush shkon pranë një gurre e një pylli, ndërton kasolle dhe ndot vendin, më mirë të mos kishte shkuar fare. Kështu ka ndodhur te Gurrat në Çidhën, me ca baraka turistike të shëmtuara, me hedhje plehrash anë e kënd. Politikat shtetërore janë vendimtare vetëm kur ata kryhen me një presion komunitar. Duhet presion dhe profesionalizëm i njerëzve, që ta nxisin qeverinë të bëjë investime. Nëqoftëse vetë lurianët e shkatërruan pyllin mijëravjeçarë dhe nuk e mbrojnë as sot e gjithë ditën, çfarë tu bësh atyre!? Po të ishte ruajtur Parku i Lurës, i mbrojtur edhe me ligj, unë jam i bindur se rruga nga Rrësheni në Kurbnesh e në Lurë, do të ishte bërë dhjetë vite më parë dhe sot Lura do të lulëzonte nga turizmi. Sepse nuk mund të ndërtosh fushë futbolli dhe aty të mos ketë kush të luajë!
Mendoj se dibranët bëjnë shumë pak për propagandimin e pasurive natyrore për të nxitur turizmin. Pak bëhet edhe për propagandimin e shembujve të mirë në bujqësi, pemëtari, përpunim, vreshtari apo bletari për të nxitur të tjerët. Gjithsesi, Dibrën duhet ta bëjnë dibranët, ashtu si tropojanët në grykën e Valbonës, apo korçarët në fushat e Korçës.
Biznesmenët edhe me subvencione nga shteti, me lehtësime fiskale, duhen ftuar në Dibër. Këtë e bën një pushtet vendor vizionar dhe atdhetar. Po qe se nuk e bëjnë, ata nuk janë dibranë të mirë. Dibra ka edhe pasuri të tjera, mbi të gjitha Minierën e Bulqizës. Kam përshtypjen se biznesmenët e këtij pellgu të madh mineral-mbajtës dhe pasurie, fitimet i transferojnë jashtë Dibrës. Mbase këta biznesmenë duhen detyruar me ligj që një pjesë të pasurisë së tyre, t’i investojnë në Dibër, kryesisht në sektorin turistik.

Xhemal Gazidede, avokat

Dibra është zona më e prekur në vend nga shpopullimi, pasi në Dibër me gjithë resurset natyrore, si pasuritë minerare nëntokësore, nuk është paraparë asnjë strategji për zhvillimin e saj ekonomiko-social. Madje Dibrës do t’i shërbejë pak Rruga e Arbërit që po ndërtohet (dhe kjo e lënë në harresë, këto kohët e fundit). Rajoni i Dibrës ka shumë burime natyrore të tjera përveçse blegtorisë e pemëtarisë, të cilat ishin të zhvilluara para viteve ’90-të, si industria e lehtë dhe ushqimore, por edhe shfrytëzimi i mineraleve të tjera përveç kromit si, bakri, mermeri, gipsi etj. Shpopullimit në Dibër do t’i kontribuojë edhe më shumë projekti për ndërtimin e Hecit të Skavicës
Masat për frenimin e shpopullimit janë ata që thashë më lart, një strategji e mirmenduar ekonomiko-sociale, duke shfrytëzuar studimet e bëra ndër vite, që janë në Arkivin e Dibrës.

Bajram Krrashi, ish-kryebashkiaku i Dibrës

Shpopullimi i Dibrës është alarmant! Ndër shkaqet kryesore është humbja e besimit në zhvillimin e politikave mbështetëse rurale dhe urbane. Me humb pasurinë humbet diçka, me humb besimin, humbet gjithçka. Mungesa e infrastrukturës rrugore, ku akoma ka qendra administrative të njësive vendore, të bashkive, që lidhen me rrugë të pa asfaltuara. Mungesa e infrastrukturës arsimore, ku shkolla, kopshte, çerdhe, thuajse të abandonuara. Mungesa e qendrave shëndetësore, qenja formale e tyre, mungesa e zhvillimit të bizneseve, në fushën e përpunimit agro-ushqimorë, për të rritur sigurinë e besimit të përpunimit për fermerin, ose mungesa e qendrave të grumbullimit, standardizojnë certifikimin e tregtimit, të prodhimit bujqësor e blegtoral etj. Dibranët janë shumë të lidhur me vendbanimin e tyre, por përballja me këto kushte, duke shtuar mungesën e punësimit permanent, mos tregtimin e prodhimeve bujqësore blegtorale jua shton varfërinë dhe rrugëzgjidhja shihet me largimet për banim në qendrat e zhvilluara si Tirana, Durrësi, apo zona të tjera, shto edhe emigracionin. Largimet në emigracion, krijimi i punësimit e rritja e të ardhurave në familje, hapja e bizneseve të tyre, jua këput besimin e rikthimit. Dibra është vend i zhvillimit bujqësor e blegtoral, por politikat e zhvillimit të bujqësisë, nuk kanë qenë mbështetëse, në përputhje me ligjet e zhvillimit të ekonomisë së tregut për bujqësinë. Pa përqendrim-specializim-kooperim, pa ndarje shoqërore të punës, duke zhvilluar prodhimin e madh bujqësor e blegtoral, ndarje e prodhimit me marketingun e tregtimin, përqendrimi i grumbullimit e tregtimit të prodhimeve bujqësore, nuk zhvillohet rajoni i Dibrës me kaçile, karroca, apo tezga vend e pa vend. Investimet në këto politika, në zhvillimin dhe organizimin e tyre, me teknologji moderne, rrit besimin tek brezat e dibranëve, për të mos u larguar. Në Dibër kostoja e jetesës, është më e madhe se në Tiranë, Durrës, apo më tej. Shpenzohet më shumë për ngrohje (kalori e energji), rrugëtim, arsimim, shëndetësi, pra ka një kosto jetese më të madhe, se në zona të tjera si ata të Shqipërisë së Mesme dhe Jugut. Vetëm se rrimë, jetojmë e punojmë, në këto zona urbane e rurale, duhet që ata të mbështeten financiarisht me politika konkrete, e jo “çikrima” si subvencione lëmoshe, që kalojnë ditën e vitin, por jo të ardhmen e zhvillimin e qëndrueshëm e të vazhdueshëm ekonomiko-social.
Ndërkohë, memdoj se zhvillimi i bujqësisë e blegtorisë, në frutikulturë, qendra përpunimi agro-ushqimore, rritja e agroturizmit, si dhe turizmit malor, zhvillimi e tregtimi i bimëve medicinale e aromatike, shfrytëzimi i burimeve minerale, mbështetja e biznesit, rritin punësimin dhe të ardhurat, për frenimin e largimeve.
Politikat e studiuara, projektet e mëdha, sjellin realizime të mëdha dhe përmbysje konceptesh e veprimesh, që rritin besimin, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-social dhe popullimin dhe jo shpopullimin.
Nafie Jella kryetare e Forumit të Pavarur të Gruas në Bulqizë.
Ndër faktorët kryesorë të shpopullimit, natyrisht që mbetet emigrimi i të rinjve mbi 20 vjeç, të cilët për shkak të papunësisë, rendin jashtë vendit për një jetë më të mirë, pasi rajoni i Dibrës, ka mbetur ndër më të varfërit edhe pse resurset për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik nuk i mungojnë. Një tjetër shkak, për shpopullimin e Dibrës, po kaq i rëndësishëm sa emigrimi, mendoj se është edhe lindshmëria e ulët e grave, në moshën e pjellorisë, për shtimin natyral të popullsisë. Një nga masat e qeverisë për stimulimin e lindjeve, përmes bonusit të bebeve, është e mirë në këtë drejtim, por jo e mjaftë për zgjidhjen e këtij problemi. Në këtë drejtim organizata jonë e gruas, është përpjekur, duke u fokusuar tek bisedat me gratë dhe vajzat, për emancipimin e ndërgjegjësimin e mëtejshëm të tyre në: kërkesat që ata duhet të kenë për barazinë dhe kushtet e punës, si dhe në familje.

Danjel Bica, Kryetar i Shoqatës Ekspertët e Rinj Mjedisor

Emigracioni, sidomos i të rinjve mbi 20 vjeç, lidhet ndër të tjera edhe me keqqeverisjen e pushtetit vendor, i cili nuk ka mundur prej 3 dekadash të ofrojë shërbime në infrastrukturë, hapjen e vendeve të reja të punës, mbështetjen e talenteve të reja, krijimin dhe mbështetja e bizneseve të reja, me iniciativa nga të rinj.
Dibra rezulton ndër rajonet më të prekura nga emigrimi, pasi nuk shfrytëzohen pasuritë natyrore, në dobi të komunitetit dhe punësimit të të rinjve. E vetmja mundësi punësimi, ka mbetur shteti, ku punësohen persona me bindje partiake, por që janë të pamjaftueshme si vende pune, për të mbajtur të rinjtë në vend.
Mungesa e hartimit të politikave e projekteve afatgjata, për zhvillimin e ekonomisë, kanë çuar në varfërinë dhe për pasojë shpopullimin e rajonit. Një tjetër faktor negativ në këtë drejtim, mbeten edhe pagat nga më të ultat në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, me të cilën në mos e pamundur, tejet e vështirë për të mbajtur familjen. Gjë kjo që ka detyruar të rinjtë të largohen në kërkim të një jete më të mirë.