Selishta, krahina e bukur që po braktiset për shkak të rrugës


Nga prof. Hysni Bodini, ing. Agim Shehu

Braktisja e këtij segmenti të rrugës nacionale Peshkopi- Burrel po çon në braktisjen e fshatrave që e përdorin atë. Është gjendje e trishtueshme të shohësh gjithandej shtëpi e kulla të moçme 2- 3 katshe të rrënuara e të tjera në prag të shembjes, kur për ngritjen e tyre kanë bërë mund të madh disa breza dhe mbartnin ngjarje e histori interesante.

Rruga nacionale Burrel-Peshkopi po bën një shekull nga ndërtimi. U fillua nga qeveria e mbretërisë së Zogut I dhe u përfundua nga Italia menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë. Dy qytetet ishin të lidhura edhe me rrugën Peshkopi- Bulqizë- Burrel.
Pse u ndërtua atëherë kjo linjë? Mendoj se studimi dhe propozimi i ekspertëve të mbretërisë dhe atyre italianë për ndërtimin e kësaj rruge është argumentuar jo vetëm për shkurtimin e distancës me 30 km por edhe në leverdinë ekonomike jo vetëm të komunave të Lisit, Macukullit, Selishtës, Muhurrit etj. dhe dy qyteteve Peshkopi e Burrel, por edhe në shkallë kombëtare për pasuritë e mëdha minerare, pyjore,bimëve mjekësore, resurseve turistike,pasurive kulturore,vendbanimeve të lashta historike që mbartin këto zona. Arsye e dytë ka qenë ajo gjeostrategjike. Nuk mund të them me saktësi por besoj mund të jetë rruga e vetme që lidh dy qytete akoma e pa asfaltuar. Në 80 vite përmes kësaj arterie rrugore janë përcjellë çdo vit mijëra metro kub dërrasë (kur funksiononin stabilimentet e sharrave Prat e Mbasdeje), lëndë ndërtimi për nevojat e vendit, trup ahu e pishe, degë vozi për eksport, shtylla miniere e dru zjarri. Përmes kësaj rruge janë transportuar sasira të mëdha mineral kromi, mermeri e bimësh mjekësore për eksport, duke dhënë kontribut në buxhetin kombëtar. Për një periudhë të gjatë kjo rrugë ka përballuar transportin e mijëra ton drithëra buke e ushqime për rezervën shtetërore në depot e posaçme në Qafmurrë e Lunarë dhe po aq municione e materiale tjera ushtarake në Macukull e Selishtë.
Këtë rrugë e kanë shfrytëzuar për shumë vite ish parqet automobilistike të Tiranës e Durrësit dhe më vonë të Dibrës, Matit e Laçit. Kur ka bërë një shërbim kaq të dobishëm jo vetëm lokal por edhe kombëtar sigurisht që diku e nga dikush tjetër do ishte asfaltuar dhe mirëmbajtur.
Tek e fundit kur ekzistonte një ndërmarrje e mirëmbajtjes së rrugëve në periudhën e regjimit komunist dhe disa viteve postkomuniste kishte punëtorë të përditshëm që punonin e përgjigjeshin për mirëmbajtjen e disa km., ndaj gjendja ishte më e pranueshme. Sot është rrugë e braktisur, ndoshta e përshtatshme për makinat sportive të Reallit, të cilat edhe këtë vit e përdorën për gara.
Drejtuesit e mjeteve që përshkojnë segmentin Muhurr-Lis ballafaqohen shpesh me vështirësi e defekte të kushtueshme për ti riparuar. Në hall edhe pasagjerët që shkundin brinjët kur udhëtojnë me linjat e përditshme për Peshkopi, Burrel e Tiranë.
Problemi është se në 6 fshatrat e njësisë administrative të Selishtës jetojnë akoma njerëz që nuk u është venitur shpresa për përmirësim e asfaltimin e rrugës, pavarësisht premtimeve në çdo prag zgjedhje lokale e kombëtare e më pas gënjeshtrave spektakolare.
Fillimi i tranzicionit e gjen zonën e Selishtës me mbi 6000 banorë, ndërsa aktualisht nuk është as 1/6 e tyre.
Arsyet e largimit janë të ndryshme por ndër më kryesoret është rruga. Pos të tjerave nxënësit që mbarojnë klasën e 9-të nuk mund të ndjekin shkollën e mesme në qytet, pasi sot duhet 1 orë e gjysmë, kur 25 km për Peshkopi mund të përshkohen për 30’.
Mjekët hezitojnë të vinë të punojnë në qendrën shëndetësore Selishtë pasi nuk mund të kapin orarin e pas punës të kthehen pranë familjes. Ndodh jo rrallë që urgjencat për lindje e sëmundje tjera të dërgohen në spitalet e Peshkopisë apo Burrelit me mjete të rastit. Nuk po llogarisim vështirësitë e furnizimit apo mundësisë për të dalë në tregun e qytetit me shitur prodhimet blegtorale dhe fermerët nuk i mjelin delet e dhitë, por ua lënë qumështin qingjave e kecave. Zaten tani numërohen me gishta fermerët që po mbarështrojnë bagëti të imta, pasi shumë kanë hequr dorë, kur vendi është ideal për ti shtuar e siguruar të ardhura të mira. Para kolektivizimit vetëm zona e Selishtës ka arritur mbarështonte rreth 20.000 krerë të imta.
Disa familje kanë sakrifikuar për arsimimin e fëmijëve, shërbimin mjekësor e shërbime tjera duke marrë shtëpi me qera në periferi qendrave urbane Tiranë, Durrës etj. ku kanë kaluar e po kalojnë vështirësi për pagesën e qerasë dhe shpenzimeve tjera të domosdoshme për ushqimin, ilaçet, energjinë, ujin, transportin, tarifat e shkollimit etj. Disa nuk gjejnë punë e mjaft të tjerë (kryesisht gra e vajza) furnizojnë “ushtrinë e skllevërve modernë” të fasonerive me paga që mezi mbulojnë qiranë e shtëpisë.
Në programin që paraqiti qeveria “Rama 3” në kuvendi thuhet se një nga drejtimet do jetë “Rritja e mirëqenies së popullit “ . Popujt zgjedhin qeveritë e shpenzojë për to pikërisht për tu rritur mirëqenien e sigurinë. Le të shohim, por mirëqenie pa prodhim nuk ka. Pikërisht mos braktisja e fshatrave dhe aktivizimi i burimeve ekonomike që zotërojnë ato i shërben shtimit të prodhimeve bujqësore, blektorale, perimeve, frutave etj. (shumë më cilësore të garantuara se ata të importuara).
Nuk dëshirojmë tē zgjatemi duke numëruar vlerat arkeologjike e historike (aq pak ose aspak të studiuara) të kësaj zone që ka gjenezë në lashtësi. Ekzistenca e gjurmëve të 4 kalave, 10 kishave, shpellave me gjurmë banimi është objekt i mirë studimi për arkeologë e historianë kompetentë, që për fat të keq nuk janë dukur këtyre anëve.
Nuk dëshirojmë të numërojmë as resurset në burime minerare, pyjet, burimet mujore, natyrën e liqenet e mrekullueshme, florën e faunën e pasur etj., që i kanë paraqitur me detaje autoritetet e komunës e në mënyrë të veçantë Agim Totraku, të cilin gjejmë rastin ta falënderojmë.
Braktisja e këtij segmenti të rrugës nacionale Peshkopi- Burrel po çon në braktisjen e fshatrave që e përdorin atë. Është gjendje e trishtueshme të shohësh gjithandej shtëpi e kulla të moçme 2- 3 katshe të rrënuara e të tjera në prag të shembjes, kur për ngritjen e tyre kanë bërë mund të madh disa breza dhe mbartnin ngjarje e histori interesante.
Do kisha dëshirë që drejtuesit e bashkive Dibër e Mat të vënë dorë në segmentin rrugor 45 km Muhurr-Lis me mundësitë e tyre buxhetore dhe kërkesën pranë qeverisë për fonde tani në fazën e hartimit të buxhetit për vitin 2022. Këtë kërkesë edhe për deputetët e Dibrës e Matit pa ngjyra partiake.
Le të shpresojmë!