Skamnorët, një novelë nga Gëzim Loka


Nuk e kisha menduar ndonjëherë që ambiciet e mia modeste në fushën e shkrimtarisë të arrinin gjer te novela. Gjithmonë kam lexuar, në punë, në shtëpi, në kafe, madje dhe në stolat e parqeve publike, por nuk kam guxuar ndonjëherë ta vë veten apo ta përfytyroj atë në rolin e një prozatori e aq më pak të një novelisti. Leximi i novelave gjithmonë më ka suprizuar me një emocion të veçantë, pasi, duke qenë midis tregimit dhe romanit, ndjesia e zbulimit të detajeve të rrëfimit ka qenë për mua përherë e beftë dhe çarmatosëse, në kuptimin e joshjes së leximit dhe dilemave të postleximit.
Por hap pas hapi, duke pasur kontakte të gjalla me njerëz të të gjitha shtresave dhe niveleve shoqërore dhe duke mbajtur shënime për gjithçka, gjë që e bëj me korrektesë mbi 45 vjet, kuptova se dalëngadalë qenë krijuar subjekte rrëfimtare, që në fillim flinin në kokën time dhe më vonë po trupëzoheshin e merrnin formë, në pritje që t’i hidhja me ngut në letër.
Kjo novelë iu kushtohet atyre që ngrysen e gdhihen të uritur, pa një strehë normale, pa shtroje e mbuloje, pa veshje e mbathje, pa kushte normale jetese apo mbijetese. Ne i kemi ata në mesin tonë, ua njohim plagët, dhimbjet, trishtimin për rrethanat në të cilat është mpleksur jeta e tyre mjerane dhe bëjmë pak, fare pak për ta, aq pak sa nëse do ta shikonim vetveten në thellësitë e një radiograme tmerrësisht të saktë, do të skuqeshim gjer në majë të veshëve nga turpi. Por kjo është tjetër gjë dhe meriton një tjetër vëmendje.
E kam fjalën tek skamnorët. Nuk janë as një e dy, as dhjetëra e qindra, por qindra mijëra. Ushtria e tyre e pafund, një ushtri e lodhur deri në drobitje nga pamundësia e një ekzistence normale, apelon për pak më shumë njerzillëk, për pak më shumë ndihmë e përkrahje, për pak më shumë drejtësi e dashuri njerëzore.
Kjo histori është pjesë e atyre mijëra e mijëra historive të trishta, që shkruajnë çdo ditë dramën e ekzistencës në lëkurën e dhimbjes njerëzore. Shkruajnë konfliktet, dilemat, një filozofi të ngatërruar, që nuk ia del t’iu japë përgjigje shumë pyetjeve, që shoqërojnë rrugëtimin tonë jetësor. Kjo histori nuk duhej shkruar. Por fakti që po e shkruaj tregon se na dhemb deri në asht e në pore të lëkurës. Është pjesë e ëndrrave dhe shpresave të thyera, por që prapë gjejnë forcën për t’u ringritur, pjesë e zhgënjimeve, privimeve të mbijetesës në një shoqëri krejt të ftohtë e të pandjeshme ndaj vuajtjes njerëzore, në një shtet, që nuk do t’ia dijë për të varfrin dhe të pamundurin.
Personazhet kryesorë të kësaj historie janë njerëz të zakonshëm, që i hasim çdo ditë në jetën tonë. Nuk janë vipa. Nuk kanë numra llogarish, nuk kanë konto bankare, depozita në të holla, sigurim jete e shëndeti, shtëpi të ngrohta e kushte normale jetese. Por kanë një shpirt të bukur, ëndërrojnë për një jetë më të mirë dhe e meritojnë një jetë të tillë, të cilën askush nuk ka të drejtë t’ua refuzojë.
Jeta e tyre mjerane bën kontrast të trishtë me jetën e deputetëve, shefave të policisë, njerëzve me pushtet dhe me pasuri që dinë t’i llogarisin, me shuma marramendëse në numra llogarish legale e të fshehta, por që gjithçka e kanë ngritur mbi një imazh të rremë, mbi shkeljen e ligjit dhe të të drejtave qytetare të të tjerëve.
Histori të tilla ndeshim çdo ditë në jetën tonë të ngarkuar e të stresuar nga varfëria deri në skamje, nga mungesa e rendit publik dhe rendit qytetar, të cilat kërcënohen çdo çast, në mënyrë permanente nga të fuqishmit, të kamurit, politikanët dhe shtetarët e këtij vendi. Çdo përkim i personazheve të kësaj novele me persona konkret është një rastësi. Çdo përkim i ngjarjeve dhe situatave të paraqitura në këtë novelë me ngjarje dhe situate konkrete të ndodhura në realitet, është një rastësi.
Por kjo histori, këto ngjarje, këta personazhe nuk janë rastësore, por pjesë e një realiteti të trishtë të quajtur “realiteti postkomunist” dhe ku të varfrit po bëhen gjithnjë e më të varfër, të pasurit gjithnjë e më të pasur dhe politika, që konsiderohet si një art i përmirësimit të jetës njerëzore, në këtë vend është kthyer në një model antivlere, në një varrmihëse jetësh të gjalla dhe shpresash për një të ardhme më të mirë.
Kjo histori, i dashur lexues, do të doja të mos tregohej kurrë. Por ajo duhet treguar sa kohë që këta përbindësha flasin në emër të sovranit dhe vrasin jetë të pafajshme njerëzore…
(Marrë nga parathënia e librit)