Zaim Elezi ka krijuar simfoninë e tij në pikturë


Nga Dhimitri Çika*

E kam njohur Zaim Elezin ne shtatorin e vitit 1980.E njoh mirë krijimtarinë e tij, ndaj mendoj se meriton vëmendje.
Pse?
Krijimtaria e tij është e madhe dhe shumë e pasur, peshon shumë. Aty mund të shohësh gjithçka për një artist, që nuk ndal së kërkuari të bukurën, duke gjetur artin, që gjithmonë është pranë nesh, por rri fshehur.
Zaimi ka krijuar simfoninë e tij në pikturë. Si në një orkestër, çdo vegël më vehte, tingëllon bukur, por së bashku akoma më bukur. Kjo është pasuria e tij, një pasuri plot kolor, skicime, vizatime, skenografi, kostume, kopertina, ide kompozicionale dhe kompozime të përfunduara. Gjithçka e krijuar e bën këtë artist të meritojë vëmendje, dashuri, respekt, në këtë rrugëtim kaq të gjatë e të lodhshëm, por të bukur. Një piktor i kompletuar dhe i merituar.
Te pikturat e Zaimit gjen jetën, fshatin, aromën, cicërimën, gurgullimën, kakarisjen, hingëllimën e çdo bukuri tjetër. Gjen edhe qytetin me interpretime të veçanta piktorike e shumë të bukura.
Portreti është një tjetër tregues i një niveli të lartë mjeshtëror e artistik në krijimtarinë e tij. Kjo krijimtari e bollshme dhe kaq e larmishme, me shumë portrete të pikturuara, e bën edhe më interesante. Kaq bukur e sjell Nana Ijen, siç e quan piktori nënën e tij, sa të ngelen në kujtesë të gjitha tablotë. Dëshmi e një kulture të ngritur në vite, me shumë dashuri, që spikat në të gjitha portetet e saj. E si nuk e ka pikturuar Zaimi nënën! E ka pikturuar me tërë forcën e shpirtit dhe njohjen e artit që ai mbart. Me një kolorit shumë të pasur, të gjetur mirë, raporte të guximshme, ku dominon e ftohta hera-herës, në portret, duar apo edhe diku tjetër. Plastika aq e ndjeshme kudo. Nana Ija, në piktura kaq të bukura të djalit të saj, pikturuar për të mos u harruar!
Një karakteristikë që duhet theksuar te ky piktor është se vizatimi në portretet e tij nuk vjen nëpërmjet linjës, nuk është i përcaktuar, siç ndodh në shumë piktorë. Zaimi vizaton nëpërmjet pikturimit, në një gërshetim të bukur. Është me interes të theksohet kjo veçanti. Kjo e bën më të kuptueshëm atë impresionizmin e bukur dhe tërësisht individual, duke e bërë Zaim Elezin piktorin që meriton vëmendje!
Mendoj që dhe artistë të tjerë, kolegë e miq të piktorit, mund dhe duhet të individualizojnë pikturën e tij në tërësi.
Mirënjohje dhe respekt artit të bukur dhe plot ngrohtësi të Zaim Elezit!
* piktor, ikonograf dhe restaurator
Universiteti i Arteve, Tiranë