Zaya – nga sytë e Nanës


Mbi autorin

Autor i ekspozitës “Nana”, Zaim Elezi (Zaya), artisti dibran i lindur në vitin 1958, studioi në Liceun Artistik të Tiranës (1974-1978) dhe në Institutin e Lartë të Arteve (1979-1983) për skenografi. Prej vitit 1984 ai është pjesëmarrës në dhjetëra ekspozita kolektive brenda e jashtë vendit, autor i katër ekspozitave personale, e fundit në Muzeun Historik Kombëtar (2020) dhe fitues i disa çmimeve kombëtare. Paralelisht ai ka ushtruar profesionin e skenografit dhe kostumografit për dhjetëra shfaqje teatrale e filma artistikë.
Gjithashtu, ai ka qenë i angazhuar ndër vite në disa pozicione administrative në sektorë të ndryshëm, mes arsimit e institucioneve vendore. Aktualisht veprat e tij janë pjesë e shumë koleksioneve private në Shqipëri, Angli, Francë, Zvicër, SHBA dhe Kanada.

Nga dr. Ermir Hoxha

Në skenën e artit bashkëkohor nuk është e shpeshtë të takosh një artist që zgjedh për subjekt nënën e tij. Ndodh patjetër që çdonjëri prej tyre të ketë realizuar një vepër a skicë, por një projekt të mirëfilltë kuptimor, të shtrirë në kohë mbi të si të vetmin subjekt, është e vështirë të gjendet. Arsyet e kësaj moszgjedhjeje duket se kuptohen lehtë. Artistët bashkëkohorë (në pjesë të konsiderueshme), luhaten shpesh mes kërkimit të temës së angazhuar, zbërthimit të saj konceptual dhe materializimit të së tërës në mediumin e duhur. Pjesa tjetër pozicionohet si përkrahëse dhe kërkuese e një estetike personale mbi subjektin e zgjedhur. Ato variojnë nga më klasiket, me temë rurale a urbane, tek ato më ekzistencialet, ku figura e njeriut qendërzon si nevojë për të zbërthyer ngërçet apo kontrastet e kohës. Në realitetin vendas, ky grupim i dytë, tejet i madh në numër, u ndërtua në standardin më të mirë akademik të kohës, aq sa duket sikur shpesh ende e përkufizon atë.
Piktori Zaim Elezi (i njohur edhe me emrin e artit Zaya) është produkt pikërisht i këtij grupimi. Lexues i ethshëm, ai u ndërtua në institucionet artistike të kohës dhe, si i tillë, pasqyron gjithë rrugëtimin tipik të artit të saj. Ai nis prej realizmit të imponuar tematik, drejt kërkimit të një gjuhe stilistike personale frymëzuar nga modernizmat e fillimshekullit XX. Padyshim që kjo tendencë e dytë do të merrte formë më të plotë sidomos pas ndryshimit të sistemit, në fillimvitet ‘90, materializuar në ekspozita të shumta në grup a personale.
Ekspozita e tij e fundit “Nana”, sendërtuar mbi një subjekt kaq intim e personal, propozohet si një shumatore e këtij kërkimi estetik, aq sa dhe si një ndalesë mbi vlerat e vërteta njerëzore provuar në vrullin e përditshmërisë.

Subjekti
Subjekti është esenca e veprës së artit. Si të tillë Zaya për këtë ekspozitë zgjodhi nënën e vet. Marrë e rimarrë në kohë ajo është aty në dhjetëra poza. Ajo është në këmbë, ulur a shtrirë, në kopsht a duke qëndisur, gatuar a biseduar, e përkulur nga mosha apo zhytur në botën e vet. Si për t’u mostrazuar, ajo kundrohet teksa plaket, ndërsa rrudhat i shtohen dhe lëkura i bëhet e tejdukshme si letra. Ajo vendoset aty, në profil a gjysmë profil, si në formatin e Rilindjes së Hershme, kur personazhet kompozoheshin si subjekte për t’u vëzhguar. Për shumë aspekte ajo ngjan me pikturën e zhanrit propozuar nga Vermeer, kur subjektet e përditshmërisë fitojnë qendrën e kompozimit, vrojtuar apo thjesht vendosur pa mendje në po ato dhoma, poltrona apo oborrin e shtëpisë.
Në një pjesë tjetër ajo e kërkon vëmendjen. Rri e sheh artistin, e patrazuar me faqet e plota, si shenjtore tokësore apo me veshjen tipike të nënave veriore. Kërkon aty vështrimin e tij, e dyzuar mes kureshtjes dhe merakut të përhershëm. Ndryshe nga stereotipat e njeriut socialist, të cilët gjithnjë kërkojnë vëmendje maksimale, ajo është subjekt i një prezence të përditshme, ndërtuar nga gjeste të vogla, por me një dashuri konstante. Këto interferenca historike, projektuar mbi një subjekt kaq delikat amësor, nuk janë gjë tjetër veçse një riprojektim i ndryshëm i të njëjtit subjekt të shtrirë gjatë në kohë.
Një vëzhgues i kujdesshëm artisti e kundron atë që në vitet e shkollës, kohë kur patjetër e pozicionon si subjekt për detyrat semestrale, e përgjatë viteve si lidhje ombelikale e ngjizur në krye të kohës. E projektuar në kohë, marrë e rimarrë, parë e riparë, gjithnjë ndryshe, por gjithnjë njësoj, ajo është aty si përkufizimi i dashurisë së pakushtëzuar, pavarësisht kohës, çastit apo largësisë.

Stili dhe estetika
Prej viteve ’90, Zaya, ashtu si shumë kolegë të tij, nisën një aventurë të re vizive. Frymëzuar pa kushte nga modernizmat e një shekulli më parë, edhe pse jashtë kohe, kjo tendencë erdhi si një lloj “vetëshkatërrimi” a nevoje për të rithemeluar veten sa më larg metodës të imponuar të sistemit socialist.
E gjitha kjo manifestohet në krijimtarinë e tij në gjithë tematikat që prek. Shihet qartë aty vendosja e subjektit në hapësirë, drita e impresionistëve apo vibrimi kromatik herë ekspresionist e herë i abstraguar në limitet e të kuptueshmes. Në fakt, Nana herë është në plan të parë, fizikisht e vogël e intime, e herë të tjera monumentale, teksa gjestikulon përhumbur në një vorbull të ethshme kromatike. Si e tillë ajo ndërtohet e rindërtohet në dhjetëra formate stilistike, si një mozaik imazhesh, që në fund ndërtojnë jo vetëm një personazh të mirëfilltë, por një metamorfozë ndjesish fenomenologjike.
Një vizitor i rregullt i natyrës, riteve e personazheve, për Zayan portreti i Nanës është në një farë mënyre “stacioni” i një kërkimi ndryshe, ndërtuar si një rrugëtim viziv mes të shkuarës dhe të tashmes. Ai është një kërkim estetik i artistit, ekskluzivisht mbi këtë subjekt, projektuar mbi sipërfaqen piktorike. Në këtë optikë ai është sa qendror, aq dhe i rastësishëm, pasi shikuesi vështron bashkë me të dhe aventurën stilistike të artistit në telajo. Si të tilla ato janë një ftesë sa stilistike, aq dhe subjektive, kur vështrimi mbi objektin/subjekt, nis nga vështrimi mbi sipërfaqe për të kuptuar brendësinë. E thënë ndryshe, ajo nuk është vetëm një pasqyrë tjetër e metamorfozës stilistike, por dhe një ftesë për të zbërthyer psikologjinë dhe universin e marrëdhënieve njerëzore.