Fatmir Neli, poeti i jetës


Nga Mevlud Buci
studiues, poet, publicist

Puna e krijuesit ngjan me pusin e thellë, me dritën e diellit, me forcën dhe bukurinë e mineraleve të çmuara, të cilat kurrë nuk i tret dheu, nuk i vyshk koha.
Ka vite që kam lexuar poezitë e Fatmir Nelit, ka vite që e mbaj një peng për të gdhendur sadopak fjalët e zemrës, e të vërtetës për këtë krijues zemërdritë, mendjendritur e mbi të gjitha një pendë e shenjtëruar për jetë, filozofinë dhe dritën e shpirtit njerëzor.
Ç’është e vërteta, të shkruash për një krijues matjan, cilido studiues do ta kishte të vështirë, krenari legjitime, por edhe të lehtë, sepse baçja e sotme e Klubit Letrar “Pjetër Budi” ka një brez të artë krijimtarie, pendëpalodhur e me plot sharm për kombin, kohën, flamurin, filozofinë, traditat, dashurinë e mbi të gjitha janë një zë lirie që i rrezatojnë kombit e brezave.
Në gjerdanin krijues të matjanëve e të kombit pa mëdyshje ze vend të merituar dhe krijuesi, gazetari, drejtuesi i palodhur në frontin e mësuesisë, Fatmir Nezir Neli. Krijimtaria e tij që rrezaton prej vitesh ka dy shina: filozofinë dhe shpirtin njerëzor, ka trinomin: jetë dashuri dhe shpirt.
Në vargjet dhe poezitë e librave të tij gëlon zëri i jetës, i dashurisë dhe i shpirtit. Sigurisht që as krijuesi i talentuar Neli, as lexuesi e cilido prej nesh, nuk ka nevojë për hiperbola, elozhe a dyzina fjalësh. E vërteta nuk do dëshmitar, e vërteta ndrit herët apo vonë. Fatmir Neli i Matit të barotit është poet i së vërtetës. Puna prej intelektuali të përkushtuar, shembëllimi prej publicisti serioz e human, takti e mjeshtëria si drejtues arsimi në bazë e kanë bërë Fatmir Nelin poet të jetës, të filozofisë e të dritës së shpirtit. Vërtetë poet i filozofisë dhe i kontrasteve jetësore, ku me sinqeritet bën diagnozën e atyre që ngjiten e harrojnë nga vijnë, humbasin më kryesoren, qenien njeri:
Në atë sallë të mbushur plot e përplot,
kujt nuk ia dhash dorën sot,
titullarëve, deputetëve
mjekëve, poetëve,
por nuk e di,
dorën a ua dhash njerëzve?! “Pakt me kryedjallin”, faqe 131.

Ku rrjedh, pikon
Kulla apo shtëpia e çdo përmase qoftë, ka një themel, ka muret dhe çatinë. Fatmir Neli është gen artisti, është i biri i artistit, rapsodit e luftëtarit të çetës së trimave të Matit, Nezir Neli. Në librin “Gjerdan fjale”, i poetit e shkrimtarit Hamdi Hysuka, midis të tjerash lexojmë: “Nezir Neli nuk iu nda punës, as këngës. Për një të ardhme më të mirë të jetës familjare la Dukagjinin dhe u vendos në fshatin Fshat të Klosit. Një festival folklorik i Matit, organizuar në vitin 1959, zbuloi talentin e tij si instrumentist e rapsod. Orkestrina popullore matjane i bëri vend në radhët e saj, pranë të të talentuarëve Hysni Hysnelaj, Ymer Neli, Ibrahim Minxhozi, Shaqir Hazizi, Sali Haliti, Sabri Bala etj. Kënga dhe çiftelia e tij u bënë të njohura. Në vitin 1966, në Festivalin Folklorik të Elbasanit, rrethi i Matit zuri vend të dytë. Nezir Neli, këngëtar dhe instrumentist i orkestrinës popullore, u nderua me diplomën e festivali”. “Gjerda fjale”, faqe 216.

* * *
Geni trashëgon genin. Pra, një artist i lindur, i rritur me punë e atdhetarí, i rritur në Dukagjinin historik matjan, i përkushtuar në luftë si luftëtar i çetës trime të Matit, i përkushtuar në minierat e kromit në Batërr e Cërujë. “Vala e punës në minierë, për artistin e ardhshëm u kthye në tinguj melodie e nota kënge. Jeta e tij mori udhë përmes këngës folklorike” (“Gjerda fjale”, faqe 216). Ky ishte i ati i poetit, publicistit, mjeshtrit të mësimdhënies e të drejtimit arsimor, Fatmir Neli. Nga gjurmët e traditave e të artit, nga dritëkënga e trashëguar burojnë edhe poezitë e mirërealizuara të poetit Neli.
Që nga libri i parë, vëllimi poetik “S’e kam zili diellin” e në botimet në vijimësi të cikleve e librave, krijuesi i talentuar Fatmir Neli shpërfaq me qartësi thjeshtësinë e shpirtit, dritën e dashurisë, bën diagnozën e shoqërisë, pasqyron rrezatimin e vlerave njerëzore. Pra, cilido lexues a studiues, kur lexon a mediton rreth vargjeve të poetit Neli, do të ndjejë kënaqësi, fisnikëri e mbi të gjhitha do të zbulojë filozofinë e mendimit, ide të cilat burojnë veçse nga mendja dhe zemra e një intelektuali krijues, fisnik, pasionant, atdhetar e mbi të gjitha një misionar e vizionar për punën, për jetën, për kohën dhe mirësinë. Të analizosh krijimtarinë e të nderuarit Fatmir Neli s’do mjaftonin as dhjetëra shkrime analitike e studimore, por u nisëm të pasqyrojmë sado pak filozofinë dhe shpirtin njerëzor. Pse? Këto janë dy shinat që pa mëdyshje përshkojnë krijimtarinë e këtij poeti.
Në krijimtari shumë krijues, ndonëse të taletuar, nga mungesa e studimeve, ndonëse janë vërtetë të ndritshëm, të talentuar, mbeten nën hije. Pse? Ngaqë mungojnë vëzhgimet realiste, dashamirëse, argumentuese. “Shtëpia, thoshte një i urtë matjan, nuk bëhet vetëm me gurë të mëdhenj, me qoshe, por dhe me gurë të vegjël. Por gurët e vegjël, po të hiqen, shembin të mëdhenjtë”.
Sigurisht krijimtaria e Nelit është e ndritshme, e gdhendur dhe e latuar me mendjemprehtësi, duke ia kushtuar vargjet jetës, dukurive njerëzore, dialogut me yllin (“Më tha një yll”). Poezitë e krijuesit matjan Neli kanë të realizuar me mjeshtëri kontrastin, retorikën, fabulën mjeshtërore, ku autori pasqyron, këndon, diagnostikon e demaskon atë çka i vyshk vlerat e shoqërisë. Krahas shumë krijimeve mjaft të arrira, përmendim “Mburren poliglotët”, “Do të bëhej rrap”, “Përralla poezi”, “Kuis një qen”, “Pandamë mirësore”, “Engjëlli i kushërinjve” sipas motiveve nga “Kushëriri i engjëjve” të I. Kadaresë, “Gjyshes sime”, “Sa zili”, “I ra mjegulla Bunës”, “Poetit” kushtuar B. Bushkashit, “Pjetër Budi”, “Hafiz Ibrahim Dalliu”, “I dha zë Matit” arkeologut D. Kurti, “Mrekullitë e tim biri”, “Vetëm për një njeri”, “Qytetërim”, “Ura e Vashës” e plot të tjera të librit “Deti u mbyt tek unë” përmbajnë filozofi jete e mendime, rrezatojnë dritën e shpirtit njerëzor. Te çdo varg zbulohet “minerali” i vlerave të njeriut, koha, mirësia dhe provat e jetës, dritëshpirti i atyre që kanë lënë gjurmë vlerash. Nëse e rilexon me vemendje e dashamirësi krijimtarinë e poetit matjan Fatmir Neli, duket qartazi mendimi filozofik, përshkrimi poetik, lirizmi e veçanërisht pasqyrimi i kontrasteve në jetën njerëzore, drita e shpirtit, blerimi i dashurisë.
Këngët e vjetra flasin
për dashuri luftrash,
këngët e reja flasin
për luftra dashurishë.

Të parat tundin djepe,
me ritme ninullash,
të dytat çajnë bokse
me makina shpejtësish… “Pakt me kryedjallin”, faqe 132.
Poeti Fatmir Neli jeton me kohën, pasqyron kohën dhe dritëson kohën nëpërmjet vargjeve poetikë, të cilat përmbajnë filozofi, ide, stigmatizime e mesazhe jetësore. Me plot të drejtë mund dhe e meriton të quhet poet psikolog i vargut poetik, një krijues shpirtbardhë, realist dhe demaskues nëpërmjet fabulave në disa prej librave dhe krijimeve të tij. Poeti Neli shikon përtej pasqyrës, siç i thonë “përdor sitën e mëndafshit”, shkruan thjeshtë, bukur, kuptueshëm, plot frymëzim dhe ide, stigmatizon dukuritë negative, realizon mjaft mirë kontrastet bashkëkohore.
Më duhet shumë gjak,
të ngjyros flamurin tim
të dalë boje,
më duhen shumë pëllumba të bardhë
t’i shpërndaj atje ku paqja
ka dalë jashtë loje… “Pakt me kryedjallin”, faqe 133.
Vargje që pasqyrojnë kohën, faktet ku jemi, sikur thërrasin për të qënë më jetësorë, më besnikë, më humanë, më paqësorë! Autori nëpërmjet antitezës, epitetit metaforik dhe kontrastit kohor, na pasqyron qartë atë që secili duhet të ketë mision, trinomin: gjaku, flamuri, paqja.
Poezi të thjeshta e plot ngarkesë emocionale, pasqyrë e realitetit të traditave, të figurave e mbi të gjitha të pasqyrimit të filozofisë e të shpirtit njerëzor.

Prova drite e përkushtimi
S’ka se si ta mbyllja këtë shkrim për poetin dhe intelektualin matjan pa gdhendur edhe pak radhë e fakte për udhët e jetës së këtij poeti e publicisti, mjeshtri të palodhur të mësimdhënies e të drejtimit arsimor në Klos të Matit. Provat e dritës e të përkushtimit janë dy shina jete, dy dëshmi të qenies njeri, janë “avokati” i zotësisë dhe i drejtësisë. Që nga vëllimi i parë poetik “S’e kam zili diellin” dhe librat e tjerë “Deti u mbut tek unë” poezi, “Ditëlindja e një televizioni” monografi, “Pakt me diallin” poezi, krijimtaria e tij ka ardhur në rritje, ka pasqyruar jetën, dashurinë, plot dukuri të kohës, vlerat njerëzore, ka shpërfaqur ide, mesazhe të paqës e të traditave. Krijimtaria e letrare e poetit Fatmir Neli, përveçse ka gjetur vend në gazetat dhe revistat letrare “Drita”, “Muzgu”, “Fenik”, “Emathia”, “Mati” etj, është bërë pjesë dhe e disa antologjive poetike me karakter lokal e mbarëkombëtar: “Antologji matjane” 1618-2003, antologji e poezisë matjane “Udhëtare me pranverën” 2015, “Antologji poetike për mallin” 9, botim i gazetës “Muzgu” 2015, “Antologji poetike për natyrën” 9, botim i gazetës “Muzgu” 2015, antologjia “Malli poetik i Kosovës” 4, korrik 2017, antologjia “Shqipëri, nëna ime” Kosovë, nëntor 2017.
Fatmir Neli me profesion mësues, prej tetë vitesh drejtor i shkollës 9-vjeçare “Tahir Hoxha” Klos, prej dy dekadash ushtron gazetarinë në median vizive “Mat Tv”, përvojë të cilën e ka pasqyruar më së miri në librin e tij të tretë “Ditëlindja e një televizioni”. Në vitin 2018 botoi librin e katërt “Pakt me kryedjallin” poezi.
Së fundmi, që prej vitit 2016 Fatmir Neli mban detyrën e sekretarit të Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat. Në vitin 2019 është çertefikuar “Ambasador për paqën” nga Federata Universale e Paqës, ndërsa që nga viti 2013 është anëtar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Shembëllimi si intelektual, pasioni për krijimtarinë, njohja e jetës dhe e traditave, zelli dhe korrektësia në punë e kanë bërë të na dhurojë poezi, ku shpërfaqet filozofia e brezave, vlerat e jetës dhe të shpirtit njerëzor.