Haki Kola: “Pas drurëve të çdo pylli, të shohim njerëzit me interesat e tyre”


Nga ing. Gjon Fierza *

Botimi që keni në duar, ka në përmbajtje disa nga shkrimet e inxhinierit të ndjerë Haki Kola. Këtu janë përmbledhur disa nga shkrimet e periudhës së fundit afërsisht 10-vjeçare. Ishte e pamundur që në një kohë të shpejtë, të gjenden dhe të botohen në një apo disa vëllime ato që ai ka shkruar, publikuar dhe të mbetura në dorëshkrime.

Në rreth 40 vite, si specialist, në detyra dhe funksione të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë, Haki Kola ka një veprimtari të spikatur profesionale, drejtuese e botuese. Titujt e shkrimeve në publicistikë, manualet të ndryshme profesionale, studime, shqipërime, skenar filmash dokumentarë etj., janë rreth 400 tituj. Një numër i madh i këtyre shkrimeve gjendet në faqe dhe adresa të ndryshme në internet.
Ishte një cilësi e vyer e tij, që ato çfarë arrinte të hulumtonte, këshillat dhe përfundimet t’i ndante me kolegët dhe ndjekësit e tij të shumtë tashmë në internet. Deri në ditët e sotme, ai është specialisti i pyjeve nga Shqipëria dhe Kosova që ka shkruar e publikuar më shumë në shtypin e shkruar dhe në internet në 20 vitet e fundit
Ai në një komunikim me një nga kolegët (S. Mëziun) i thotë: “Unë e pata fatin të futem më në detaje të situatës së pyjeve e lidhjes së saj me gjendjen sociale të Shqipërisë si dhe me kushtet ekologjike. Kam qenë të shumtën e kohës në pozicione të ndryshme të mendimit me kolegët e profesorët tanë të nderuar, ashtu siç kam diferencë në shumë mendime me juve personalisht, lidhur me shkaqet e gjendjes aktuale dhe zgjidhjet”. Ai vijon … “do vazhdoj, jam në punë intensive për pyjet e ulëta të Shqipërisë dhe në tërësi të Ballkanit për një prezantim në Kongresin e radhës të IUFRO-s që mbahet në USA. Unë kam bërë shumë përpjekje që veçoritë e pyllit dhe të situatës aktuale t’i ndaj me kolegë të nderuar që me ta të ndajmë edhe zgjidhjet, s’do pushoj së kontribuari, por ama në mënyrën time, që të ndajmë me publikun dhe ekspertët e fushës mendime, e t’ju tregojmë për më shumë, “pse-të” që ngrihen rreth kësaj pasurie kombëtare dhe shumë shtigje nga mund të fillojë ndalimi i katastrofës e zhvillimin e pyjeve”.
Pse mora përsipër që të paraqes këtë botim?! Njohja dhe bashkëpunimi me Haki Kolën, zë fill që në mesin e viteve ‘90, kur ai ishte specialist në Projektin Shqiptar të Pyjeve (B.B) për komponentin e pyjeve komunalë, ndërkohë unë punoja në DSHP Lezhë dhe si specialist isha i caktuar në mbështetje të Projektit e Pylltarisë Private (USAID) për pyjet komunalë në atë rreth. Në një seminar që organizonte Projekti i pyjeve u ftova, aty së pari i dhamë dorën njëri-tjetrit. Ky ishte dhe pikëtakimi ku përveç njohjes filloi dhe komunikimi dhe bashkëpunimi profesional. Kaluan vitet, ne të dy, në punë dhe institucione të ndryshme e vazhdonim komunikim dhe aq sa mund të bashkëpunonim. Në vitet 2002-2004 e solli rasti që ai si drejtor Projekti shqiptar të pyjeve dhe unë të punoja si specialist në projekt (në vartësi të tij), për informimin dhe ndërgjegjësimin publik. Kjo qé fushë që Hakiu e pëlqente dhe i jepte mjaft rëndësi në projekt. Komponenti i pyjeve komunal nuk mund të ecë nëse nuk ka një informim dhe ndërgjegjësim publik theksonte ai. Për mua kjo punë ishte diçka e re, kisha pak njohuri të fituar në Projektin e Pylltarisë Private (APFDP) për informimin e ndërgjegjësimin publik.
Me aq njohuri sa kisha, me mbështetje dhe ndihmë të drejtpërdrejtë të Hakiut në këtë n/komponent, në atë periudhë së bashku me DPPK, realizuam disa veprimtari e botime me shumë vlera.
Hakiu thoshte dhe bëri si moto të punës në drejtimin e projektit “Pas drurëve të çdo pylli, të shohim njerëzit me interesat e tyre”. Ai vazhdonte të shkruante në revista e gazeta, na nxiste dhe ne të tjerëve të shkruanim sa më shumë. Ai organizoi dhe mbështeti për rreth katër vite në 30 numra botimin e “Buletinit informativ” në 1000 kopje si organ i DPPK dhe NJMP. Ai e shtriu këtë mbështetje më vonë në botimin e gazetës “Kurora e gjelbër” për shumë vite deri sa iku në Kosovë. Nga Kosova ai shkroi dhe mbështeti gazetën “Jeto gjelbër”. Pra, Hakiu qé i lidhur me gazetat, jo vetëm në mbështetje të financimit të botimit të tyre, por dhe me shkrime të vazhdueshme.
Ndoshta diku nga vitet 2011-2012, unë dhe redaktori i njohur Veli Hoxha, i propozuam inxhinier Hakiut; që disa nga shkrimet e publikuara në gazetat: “Kurora e gjelbër”, “Shqip”, “Shekulli” etj, do të qe mirë të përmblidheshin në një botim libri. Ato shkrime i thamë kanë shumë vlera njohjeje dhe edukimi për nivele të ndryshme që nga fermeri deri tek studentët e pedagogët në fakultet. Ai ndonëse e pëlqeu këtë propozim, nuk na tha që unë dhe Veliu të merreshim më tej që të përgatisim botimin. Ai më pas filloi punë në Kosovë dhe kontaktet fizike qenë më të rralla. Ndërkohë, unë u dakordësova me Veliun që shkrimet e Hakiut t’i skedonte veçmas, bile ai i redaktone ato me shumë kujdes. Kështu, Veli Hoxha kishte radhitur rreth 45 tituj të viteve të fundit. Veliu ndjehej i keqardhur që i mungonin shumë nga shkrimet që Hakiu kishte botuar vite më parë tek revista “Bujqësia shqiptare” apo ato të para viteve 90 kur ai nga Dibra, dërgonte vazhdimisht shkrime shumë interesante në Shtëpinë e Propagandës Bujqësore.
Hakiu vazhdonte të shkruante disa manuale; si për arrën, gështenjën, lajthinë, pyllin e fermerit, në formë elektronike, i publikonte në internet. Ne nuk harronim të kujtonim botimin e librit kur e takonim. Ai për të “na hequr qafe” na thoshte: “Mua me vjen keq, ju e shihni se gjithnjë e më pak, njerëzit po lexojnë. Unë nuk dua që librat me shkrimet e mia, të rrinë diku stok apo të zënë ndonjë vend në biblioteka si stoli. Do vijë koha kur do ju them, të tre s’bashku ti botojmë ato”.
Ai gjithnjë vazhdonte të shkruante dhe të publikonte në rrjetet sociale, në blogje të ndryshme dhe në vitet e fundit në blogun “Bota Bujqësore” ku shkrimet e Haki Kolës, tashmë zënë vend të rëndësishëm, që lexohen dhe komentohen shumë.
Tashmë si thënie proverbiale duhen konsideruar jo vetëm kaq do citoj më poshtë, por në shumë shkrime që ju do lexoni në këtë botim gjenden me dhjetëra thënie të tilla, përfundime të sakta, por dhe mundësi zgjidhjeje.
“Pylltaria është një art në të cilin për shkak të përmasave kohore, dështimet tentohet të harrohen, nuk mësohet prej tyre dhe kështu më vonë përsëriten. Edukimi i publikut mbi pyjet dhe historinë e progresin e tyre është mjaft i rëndësishëm dhe esencial, pasi jetojmë në një kohë kur në zona rurale pylli mbetet mjet i rëndësishëm i jetesës së përditshme…
Nëse gjenerata jonë do arrijë të vendosë piketat e pajtimit të njeriut me natyrën, së paku kemi bërë diçka shumë të vogël për një fillim të ri…,,
Nëse shkurret e Shqipërisë së Mesme, do të trajtoheshin me prerje të pastra, fillimisht me rotacione të shkurtra 5-15 vjeçare, pas 30 vitesh e gjithë Shqipëria do të ishte siç u bë Dumreja në 700 hektar, brenda 7 vitesh 1998-2005. Tek i lexon në natyrë, tek sheh të vërtetat e pathëna, rrekesh t’i shohësh e të bësh prova, sigurisht edhe të tregosh.
Është koha që për të larguar emocionet apo opinionet personale, të përdoret kalkulimi i kostos, si për: arrën, gështenjën apo lajthinë, kur janë në të njëjtat kushte ekologjike me misrin, sojën apo grurin. Koha po punon, eksperimentimi e tradita po demonstrojnë që këto tre mrekulli të natyrës, të vlerësohen e të pasurojnë dijet e mirëqenien njerëzore. Vdekja e tokës së djegur e eroduar, ka triumfuar mbi shpate male e lugina. Sipërfaqe të gjera të tokës janë kthyer në gurishtore të shkreta. Ujërat janë ndotur. Biodiversiteti është zhdukur masivisht. Njerëzit largohen drejt qyteteve, ku i pret asgjëja. Prishja e ekuilibrit midis njeriut e natyrës, largimi i fermerit nga pylli e kullota e tij, ka shkatërruar ekuilibrin natyror. Të gjithë ankohen. Të gjithë fajësohen. Këmbanat bien për një reflektim sa më të shpejtë.
Analiza e devijimeve të marrëdhënieve pronësore, krahasuar me fqinjët europiane që kanë ardhur si pasojë e ndikimit ottoman e komunist, mund të përbënin hapin e parë të reflektimit. Askush nuk do besonte që këto pejzazhe të rrjepura e “problematike, mund të kthehen në zgjidhje, për një vend që ka nevojë të punësojë banorët, të luftojë mjerimin, e të shtojë prodhimin e energjisë. Fjala e shenjtë “pronë”, e kthen rrjepësin e tokës në kujdestar, djegësin në roje, druprerësin në drurritës.
Shumica e të shkolluarve pavarësisht nga specialiteti i ngushtë, janë të mbyllur në sloganin: – “Mbroni pyllin”, duke luajtur patriotin e krijuar një çorientim të madh në gjithë shtresat shoqërore e veçanërisht tek vendimmarrësit.
Janë rreth 500 mijë banorë që popullojnë fushën e Myzeqesë. Nëse në këtë sezon të fushatës së pyllëzimeve do t‘u ofronim 100 mijë familjeve myzeqare falas 10 fidanë për çdo familje, Shqipëria do të kishte në fund të kësaj fushate rreth 1 milion fidanë më tepër, fusha e Myzeqesë do të ishte më e bukur. myzeqarët e presin këtë ofertë nga shteti i tyre.
Shkatërrimi i vazhdueshëm i ekosistemeve malore, shoqëruar me krizat e errësirës apo përmbytjeve, na ka çuar në një moment të domosdoshëm reflektimi, për të marrë në konsideratë shumëllojshmërinë e funksioneve të pyjeve malore e për t’i kthyer ato në një pikë fokale të shqetësimeve të gjithë shoqërisë e reflektimi për zgjidhje.
Procesi i degradimit të pyjeve malore të vendit tonë është shumë divers, dhe ekstremisht kompleks, shkaktuar, jo vetëm nga natyra, por me tepricë nga politika të gabuara për një kohë të gjatë, që lidhen me njohjen e mosnjohjen e të drejtave të pronësisë, të drejtat e përdorimit, edukimin, varfërinë, etj.
Shkruesi i këtyre rreshtave është pjesë e një gjenerate të shkolluar në fund të viteve ‘70, që e ka shoqëruar për mëse 45 vite ankesa e ekspertëve për prerje të pyjeve mbi mundësinë që natyra i ka dhënë pyllit shqiptar. U desh të afrohej fundi i mijëvjeçarit të kaluar që ekspertët dhe publiku të kuptonin që pyllin tonë po e hante me shpejtësi të madhe nevoja e familjeve për ngrohje. – H.Kola
Libri ka si titull, një prej shkrimeve të tij, është grupuar në katër kapituj dhe në fund ka një jetëshkrim të përmbledhur.
Kapitulli I-rë, zë dhe pjesën më të madhe të librit janë artikuj publicistikë ku në fokus janë pyjet me problemet e tyre në këtë tranzicion të zgjatur. Shkrimet janë radhitur sipas viteve kur janë shkruar apo publikuar.
Në kapitullin II-të, janë dy intervista reale botuar në gazeta dhe një imagjinare. Janë dhe disa mesazhe dhe letërkëmbime me kolegët të kohëve të fundit.
Në kapitullin e III-të, janë paraqitur disa studime të përmbledhura dhe një listë e disa botimeve në revista ndërkombëtare. Këtu është paraqitur pak nga studimi i pa përfunduar “Dija e dushkut”
Në kapitullin IV-të, janë përmbledhur disa shqipërime që nuk janë publikuar më parë.
Ilustrimi me disa foto pa e rënduar tekstin janë përzgjedhur në funksion të temës që ka pasur shkrimi dhe kohës kur Hakiu i ka shkruar, ato nuk janë të vendosur prej tij.
Ndarja e parakohshme nga jeta e kolegut dhe mikut tonë Haki Kola qé një humbje e madhe për familjen, të afërmit, ne kolegët dhe bashkëpunëtorët. Ai iku në kohën që kishte shumë ëndrra dhe projekte për pyjet dhe mjedisin. Sapo mbylli vitet e punës për pension, në ato ditë, gjithnjë dhe gjatë kohës që kurohej në Gjermani e deri sa e kishte të pamundur komunikimin nga sëmundja më thoshte: “Përgatitu se do kemi shumë punë përpara”. Por fati i keq e solli që unë dhe Veli Hoxha, të merremi me atë punën që ai nuk dha miratim sa qé gjallë. As unë nuk e mendoja se një ditë do t’i paraqesim disa nga shkrimet e Haki Kolës në këtë libër kur ai të mos ishte.
Ky botim është një përpjekje modeste, ka si qëllim të përcillen ato vlera dhe mesazhe që kanë shkrimet e ing. Haki Kolës. Ai, si njeri, si specialist, me vlerat që mbarti dhe kontributin që dha e meriton, të jetë sa më gjatë midis nesh në kujtesën tonë.
Është rasti të falënderoj të gjithë ata që më nxitën, më ndihmuan në përgatitjen e këtij botimi; sëpari redaktorin Veli Hoxha, ata që më dërguan shkrime e materiale të ndryshme, kolegë dhe miq të Hakiut duke veçuar; Selman Mëziu, Zef Naçaj, Janaq Male, Bujar Karoshi, Hajrush Kurtaj, etj.
Një falënderim i veçantë për fondacionin CNVP-Kosovë dhe drejtorin e këtij fondacioni z. Xhevat Lushi që mbështeti financiarisht këtë botim.
Marrë nga parathënia e librit
“Kriza mjedisore ndërmjet sfidave dhe zgjidhjeve”, Haki Kola.
Botimet ENJA, Tiranw, 2021.
ISBN: 978-9928-358-38-7