“Kalabardha – Kështjellë e Arbërisë” – arkiv i gjallë i historisë, kulturës dhe identitetit etnik të popullsisë së Kalabardhës


Më 2 tetor 2021, ora 10.00 -11.00, në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, u promovua libri: “Kalabardha – Kështjellë e Arbërisë”, i autorëve Kadri Dauti dhe Arif Shutina. Pavarësisht kufizimeve për takimet për shkak të situatës së pandemisë, mes miqve dhe bashkëpatriotëve të shumtë të krahinës së Kalabardhës pjesëmarrës në këtë promovim ishin mjaftë personalitete e intelektualë të shquar të trevës së Dibrës e më gjerë si: Prof. dr. Nazmi Koçi, Prof. asoc. dr. Adem Bunguri, Prof. asoc. dr. Teki Kurti, z. Ramazan Hoxha, z. Hysni Çela, z. Ismail Oshafi, z. Ruzhdi Mata, z. Hajri Shehu, z. Kujtim Boriçi, z. Eduart Abazi, Mark Marku, Mile Budini, avokat Mehmet Kurti, z. Selman Ferhati, z. Pëllumb Cani, z. Ismail Garipi, z. Ferhat Gruja, z. Ilir Petraj, z. Dritan Halili etj.

* * *
Librin autorët e kanë shkruar me gjithë shpirt për vendlindjen e tyre të dashur. U është dashur plotë 8 vjet punë e përkushtim për të hulumtuar, grumbulluar, sistemuar dhe shkruar atë. Ata kanë shkelur në çdo fshat, në cep të Kalabardhës për të parë me sy e prekur vetë çdo gjë që lidhet me popullsinë, vendbanimet, objektet, ngjarjet historike, origjinën, zakonet e traditat e popullsisë së krahinës së tyre.
Libri ka vlera të shumta historike, etnike dhe kulturore. Është një botim që i shërben të vërtetës historike, evidentimit të identitetit kombëtar shqiptar të Kalabardhasve, dinjitetit të banorëve fisnikë, bujarë, patriotë shqiptarë, besnikë të të parëve të tyre, gjakut të tyre iliro-arbëror. Ai është shkruar me një gjuhë të pastër dhe të qartë, larg çdo ndikimi shpirtëror, romantik apo nacionalist.
Libri titullohet sipas emrit të lashtë shqip i kësaj treve: Kalabardha. Ky është toponimi antik i saj, të vendosur nga vetë popullsia vendase, fiset ilire, emër që ka ekzistuar deri në fillim të shekullit 20-të, siç përmendet nga konsulli rus, I.S. Jastrebov, e shumë autorë të tjerë. Burrat e saj kanë ushtruar historikisht profesionin e ndërtimtarisë dhe në atë kohë ishin të mirënjohur si mjeshtër të ndërtimit të kalave, në trojet shqiptare e në gjithë trevën e Ballkanit. Ndaj, krahina e tyre u quajt Kalabarda (Kalabardha).
E veçanta e këtij libri është dokumentimi i fakteve historike për të vërtetën e identitetit iliro-arbëror, pra shqiptar, të kalabardhasve dhe përpjekjet heroike e patriotike të tyre në mbrojtje të ADN-së së tyre, përballë gënjeshtrave e spekulimeve nacionaliste të autorëve sllavë në funksion të strategjive pushtuese të shteteve të tyre ndaj trojeve shqiptare.
Kalabardhasit “janë etnikë shqiptarë të pastër në doke, zakone, tradita”. Popullsia e Kalabardhës është autoktone, e lashtë në trojet e veta. Ajo ka mbrojtur identitetin kombëtar me gjithë forcën e shpirtit, ndaj nuk është asimiluar nga fiset barbare apo armiqtë e saj. Përmes dokumenteve dhe dëshmive autentike faktohen rrënjët e cdo fisi të gjithë fshatrave të Kalabardhës, si dhe dokumentojnë gjendjen reale të familjeve dhe banorëve të tyre.
Kalabardhasit kanë ruajtur vlerat e të parëve të tyre; kanë ruajtur gjërat më të shtrenjta: etnosin dhe gjuhën shqiptare. Në faqet e këtij botimi kemi hedhur edhe këngë popullore të disa fshatrave që flasin qartë për këtë etnos iliro-arbëror. Kështu, mesazhi themelor që transmeton ky libër është të njohim rrënjët tona dhe të mbrojmë identitetin tonë etnik kombëtar iliro-arbëror përballë falsifikatorëve nacionalistë sllavë.
* * *
Kalabardhasit janë shquar gjithmonë për dashurinë për jetën, punën, për kulturën. Janë të njohur për karakterin fisnik, burrëror, atdhetar, që e kanë treguar përgjatë ekzistencës në trojet e veta. Kalabardhasit nuk e kanë kursyer asnjëherë gjakun për atdhe. Ata kanë luftuar kundër çdo hasmi për të mbrojtur vatanin e tyre, duke u prirë gjithmonë flamuri i kuq dykrenor.
Kalabardha ka qenë baza e përgatitjes dhe e luftës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skendërbeu, kundër osmanëve. Kalabardhasit e këndojnë në çdo odë burrash, sikurse gjithë dibranët, këngën e Hajredin Pashës, betejës epope zhvilluar në hapësirën e Kalabardhës, në të cilën ata morën pjesë dhe luftuan heroikisht bashkë me malet e tjera të Dibrës.
Burrëria është tipar i spikatur te kalabardhasit dhe atë e kanë treguar kalabardhasit kudo e kurdoherë. Selman Stafa dhe Osman Gjoka, vranë në Shkodër valiun turk, Haxhi Mela, për të ruajtur nderin e Dibrës. Valiu e shau Selmanin se pa dashje, në një rrugicë të ngushtë, i kishte takuar me sup taganin (shpatën) e tij.
– “Nuk më shau si person, por më shau Dibrën. Sonte në Shkodër Dibrës vetëm unë i kam qëlluar, nëse do t’i dal zot.”, – i tha Selmani Osmanit.
Kur valiu e shau përsëri Selmanin,
Hë, mor goge dibre!
zëri i Selmanit ushtoi fort në shëtitore:
– “E kë shane ashtu, he qafir Anadolli? Nuk jemi, jo goge, por zog dibre”.
Dhe ja numëroi në kraharor plumbat, ndërsa Osmani më pas e qëlloi në kokë, në mes të njëzet sejmenëve shoqërues, duke e lënë të vdekur në mes të pazarit.
Burrërisë i janë kushtuar shumë këngë, sikurse është edhe kënga e Selman Likës, kënduar bukur nga i madhi Haxhi Maqellara, e cila u soll në videoklip për pjesëmarrësit.
Kënga e vallja janë traditë e vyer në çdo gëzim të kalabardhasve se i kanë kënduar bukur përherë jetës, bukurisë, bujarisë, besës, trimërisë, luftës për mbrojtjen e trojeve të veta, nderit e familjes. Ata këndojnë bukur në gjuhën e tyre kombëtare shqipe dhe kërcejnë rreth flamurit kombëtar shqiptar.

* * *
Autorët kanë bërë një studim dhe dokumentim serioz për të pasqyruar të vërtetën historike të prejardhjes së popullsisë.
Autorët trajtojnë me argumente bindëse të folurën sllave vetëm në një pjesë të fshatrave të Kalabardhës, e cila bëhet shkak për një perceptim të gabuar apo për të ngritur falsifikimet rreth identitetit etnik të kësaj popullsie. Ata theksojnë se folura sllave në disa fshatra të Kalabardhës nuk ka të bëjë fare me identitetin e kalabardhasve ilirë, arbërorë, shqiptarë. Zhargoni sllav është një mbivendosje gjuhësore, që e ka imponuar Perandoria Bullgare në kohën e pushtimit të kësaj zone në shekujt 9-11-të, me mjete të ndryshme. Në ruajtjen e forcimin e gjuhës ndikoi fuqishëm jo vetëm gjuha e administratës së pushtuesit bullgar, por edhe liturgjia fetare e kishave ortodokse në fshatrat e zonës, të cilët ishin mjaft afër qendrës së Patriakanës, Ohrin, “fe që ishte e përbashkët jo vetëm për grekët dhe bullgarët, por edhe për arbëreshët”.
Në dygjuhësinë dhe ngulitjen e saj rol ka luajtur edhe një sërë faktorësh të tjerë: së pari, orientimi qeveritar i shtetit bullgar me pikësynim afrimin etnik; së dyti, dhënia e fshatrave të populluara me arbëreshë ortodoks, si prikë zotëve me kombësi sllavo-bullgare, nga zotër që afërsisht mund të kishin edhe kombësi arbëreshe; së treti, për afërsi tregjesh shkëmbimi, sidomos kur shkonin në Strugë, Ohër, Manastir etj.
Pra, autorët argumentojnë se e folura sllave e një pjese të popullsisë së fshatrave të Krahinës nuk është “gjuhë e nënës”, por e huazuar, e imponuar nga rrethana historike, si nevojë jetike krahas gjuhës arbërore. Padyshim, përhapja e zhargonit sllav mbështetej nga pushtuesi në platforma etnike për spastrim etnik dhe shoqërohej me masa shtrënguese e detyruese.
Autorët theksojnë se nuk jeton e banon asnjë familje sllave në fshatrat e Gollobordës, as serb, as maqedonas dhe as bullgar. Kalabardhasit “janë etnikë shqiptarë të pastër në doke, zakone, tradita”, në gjak e në shpirt. Asnjë fis i fshatrave të Kalabardhës nuk ka prejardhje sllave. Fshatrat e Kalabardhës rrethohen tërësisht nga shqiptarë dhe nuk kanë asnjë lidhje, as gjinore, me maqedonas. Ata familje sllave të vendosura si kolonë në krahinën tonë në kohën e dyndjeve sllave u larguan pa lënë asnjë pasardhës, se ishin në tokë të huaj, ishin tribu dhe nuk zunë rrënjë.

* * *
Studiuesi dhe historiani i mirënjohur i krahinës së Kalabardhës, kryetari i Shoqatës atdhetare patriotike “Haziz Lila” z. Ramazan Hoxha, në fjalën e tij tha:
Eventet e promovimit të librave kohët e fundit janë kthyer në ngjarje festive ku autorët dhe lexuesit e tyre komunikojnë natyrshëm të zhveshur nga çdo lloj paragjykimi. Nga ky këndvështrim, unë ndjej kënaqësi që më jepet rasti të përshëndes nga kjo foltore Kadri Dautin dhe Arif Shutinën, të cilët nxorën këto ditë librin e tyre të parë me titull: “Kalabardha – Kështjellë e Arbërisë”.
Me të dy autorët ne takohemi jo rrallë, pasi bëjmë pjesë në kryesinë e Shoqatës atdhetare patriotike “Haziz Lila” të Gollobordës, ku diskutojmë e këmbejmë mendime dhe si autorë librash e artikujsh, botuar në shtypin e përditshëm e periodik, për probleme të ndryshme, kryesisht për krahinën tonë, e cila ka mbetur e virgjër dhe e pa eksploruar deri më sot nga pikëpamja e historisë së saj, mbasi nuk është marrë seriozisht në konsideratë nga shkenca e historiografisë shqiptare dhe Akademisë tonë të Shkencave.
Konkluzioni: në këto kushte, kjo barë na takon neve, intelektualëve gollobordas, që nuk janë pak në çdo fushë, për ta lëvruar. Ka ardhur koha që Golloborda (që autorët me të drejtë e quajnë Kalabardha) të flas në botime shkencore në të gjitha fushat nga intelektualët e saj. Mjaftë ka folur dhe bërë histori vetëm në profesionin e ndërtimtarisë, që është një profesion historik i saj e që në këtë drejtim nuk ka të krahasuar me asnjë krahinë tjetër në Ballkan. Por që historia e kësaj treve të trajtohet si shkencë, ashtu sikundër është në të vërtetë, duhen studiues seriozë e racionalë, (sikundër janë autorët e këtij libri), që ta trajtojnë si shkencë ekzakte, sepse ajo e tillë është, mbasi është rrjedhim kronologjik i fakteve dhe i ngjarjeve, të cilat kanë ndodhur në data fikse të përcaktuara saktë dhe jo nga studiues kafenesh, që mund ta trajtojnë historinë sipas qejfit dhe interesit dhe ta interpretojnë edhe kështu edhe ashtu. Mesazhi është i qartë: bukurive dhe pasurive të natyrës dhe historisë le tu shtojmë mundin, djersën dhe aftësitë tona fizike dhe intelektuale, për ta bërë më të pasur, më të kulturuar dhe më me vlerë.
Dy fjalë për librin. Libri i këtyre autorëve që promovojmë sot, është i zhanrit të publicistikës së mirëfilltë, pasi është gërshetim i publicistikës letrare me atë historike e shoqërore, ku autorët na shfaqen si mjeshtër të vërtet, duke shkruar me një gjuhë të kultivuar për historinë, kulturën, traditat dhe figurat e kësaj treve, përmes hollësive, informacionit, kujtimeve dhe përshkrimeve letrare ata shfaqen jo thjesht si regjistrues faktesh, episodesh e ngjarjesh, por edhe si gjykues e analistë kompetentë, përmes një pune të lavdërueshme në mbledhjen e sistemimin e materialit.
Të pasqyrosh të gjithë këto atribute që na sponsorizon krahina jonë e vendlindjes, Golloborda, por edhe Dibra në përgjithësi, është një punë jo e lehtë dhe përbën një mision të rëndësishëm intelektual. Por t´i harmonizosh të gjitha këto e t´i vësh në shërbim të interesave kombëtare që të flasin shqip, është aftësi sa intelektuale aq edhe patriotike dhe njerëzore.
Për të gjitha këto e të tjera, jeni të lutur ta lexoni librin e autorëve Kadri Dauti dhe Arif Shutina: “Kalabardha – Kështjellë e Arbërisë” dhe me siguri do të ndiheni mirë e nuk do denjoni ta hiqni këtë libër kollaj nga dora.
* * *
Nga fjala e Prof. asoc. dr. Teki Kurti, drejtor i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura:
Është kënaqësi dhe nder për mua, që të shpreh para jush disa konsiderata rreth librit “Kalabardha – Kështjellë e Arbërisë”, me autorë Kadri Dauti e Arif Shutina, nga “Shtëpia Botuese M&B“.
Kadri Dauti ka kryer dy fakultete në Shqipëri dhe kualifikime afatgjata në Gjermani në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Ka punuar si pedagog në Akademinë Ushtarake, punonjës shkencor në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe drejtues në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura. Është punëtor i palodhur në kërkimin shkencor dhe korrekt e fisnik në mbrojtjen e vlerave gjithëkombëtare shqiptare. Është me origjinë nga Djegasi i N/Prefekturës së Artës të Dibrës, jeton e punon në Tiranë.
Arif Shutina është nga fshati Gjinaj i N/Prefekturës së Artës të Dibrës, hulumtues e botues i përhershëm i shkrimeve me karakter historik për njohjen e trashëgimisë dhe të vlerave më të vyera të historisë sonë kombëtare.
Të dy autorët i përkasin të njëjtës trevë. Nëpërmjet shënimeve dhe mbresave të udhëtimit të tyre 4 vjeçar, kanë qëmtuar sa kanë mundur e me shumë ëndje, çdo gjë që lidhet me njerëzit dhe traditat, kulturën dhe historinë e popullsisë së fshatrave të një prej trevave më punëtore në Shqipëri, që me djersë e fisnikëri ka ngritur nga themelet qytete të tëra në mbarë vendin.
Autorët edhe pse janë rritur në këtë trevë të veçantë të Shqipërisë, nuk rrinë pa e thënë se peizazhi i Kalabardhës na qetësoi shpirtin me hijeshinë dhe madhështinë e tij. Njerëzit që takuam na mahnitën për gjurmët e kujtesës historike dhe na mrekulluan me cilësitë e veçanta humane e fisnike që ruajnë ende këta banorë.
Ky libër i veçantë prej afro 700 faqesh, bën një përshkrim të detajuar të shtrirjes gjeografike të
Kalabardhës që nga antikiteti e deri në ditët e sotme, e ilustruar kjo edhe me harta të hershme. Një vend të veçantë në këtë punim zë trajtimi me kujdes i tipareve etnokulturore, që bazuar në toponiminë e zonës hedhin poshtë emrat që pushtuesit vendosën në këtë trevë dhe në të tjera.
Referuar dokumenteve zyrtare, autorët kanë trajtuar edhe ndarjen administrative sipas periudhave historike që nga 1467 deri më 2015. Një vend të veçantë në libër merr dhe trajtimi i popullsisë së kësaj treve, ku mbështetur në defterët osmanë, japin fakte mbi origjinën shqiptare të popullsisë së fshatrave të Kalabardhës. Ata theksojnë faktin se popullsia e kësaj treve ka qenë historikisht popullsi me etni të pastër iliro-arbërore.
Në gjithë hapësirën tjetër të punimit trajtohen me radhë fshatrat brenda kufirit shtetëror të Kalabardhës dhe gjithë fshatrat të cilat, si rezultat i ndarjes së vendit tonë nga fuqitë e mëdha, mbetën jashtë kufirit shtetëror. Për çdo fshat autorët na sjellin të dhëna mbi historinë, kulturën, ekonominë, ndërtimet, arsimin, fiset, banorët, personazhe të veçanta e personalitete me vlera krahinore e kombëtare.
Autorët si vëzhgues të traditës së trevës së tyre, gjithë punimin e kanë ilustruar me foto të peizazheve natyrore, veshjeve të krahinës, banesave, ndërtesave arsimore, sociale, shëndetësore e energjike si dhe të kullave karakteristike.
I gjithë libri theksojnë autorët, është shkruar mbështetur në fakte e dokumente dhe është shtjelluar mbi atë që është parë e dëgjuar, ushqyer me ajkën e shpirtit, etosit, kulturës, ndodhive, punës ndërtimore, bukurive natyrore e fisnikërisë së kësaj treve që është pjesë e rëndësishme e Dibrës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Së fundmi dua të falënderoj autorët Kadri Dauti e Arif Shutina si dhe shtëpinë botuese me të mrekullueshmit dibranë Miranda e Bujar Karoshi, që na dhuruan këtë libër special, që do të mbetet si një dritare për brezat e studiuesve dhe një dëshmi e gjallë e një prej trevave më punëtore e fisnike të Dibrës tonë.

* * *
Libri “Kalabardha – Kështjellë e Arbërisë” nuk është historia e Kalabardhës, i zhanrit historik e kulturor, se autorët kanë menduar se kështu do ishte më i vlefshëm, duke dokumentuar, duke arkivuar fakte e ngjarje historike, duke treguar vendbanimet, duke pasqyruar të vërtetën e identitetit të popullsisë, të anatemuar poshtërsisht dhe qëllimisht nga disa pseudohistorianë sllavë, disa shpifarak në shërbim të strategjive nacionaliste sllave ndaj trojeve shqiptare, si rusi I.S. Jastrebov, serbi M.S. Filipoviç, maqedonasit Nj. Limanovski, E. Milanov apo Svetieva, bullgarja V. Tonçeva etj. Botimi fakton të vërtetën historike, përballë shpifjeve, shtrembërimeve dhe gënjeshtrave të tyre nacionaliste. Se me të tilla shkrime e insinuata diplomatike e gjeopolitike rusët dhe bullgarët kanë synuar e synojnë qëndrimin në trojet shqiptare si interes strategjik i tyre për Ballkanin.
Libri është një dhuratë e çmuar që autorët ia kushtojnë vendlindjes së tyre të dashur. Siç thonë vetë autorët, ata kanë shkruar dhe kanë shpëtuar shpirtin e tyre. Libri i përket tashmë Kalabardhës dhe kalabardhasve, kësaj krahine kreshnike në zemër të trojeve shqiptare. Ai është edhe një dëshmi e gjallë për brezat që do vijnë në radhë të parë për identitetin e kalabardhasve, por edhe e shumë ngjarjeve përgjatë historisë së tyre shumëshekullore.
Ky libër përbën një gur themeli i kujtesës historike dhe i identitetit të popullsisë së kësaj krahine, i cili duhet të lexohet me vëmendje dhe të jetë libër nderi e krenarie në çdo familje kalabardhase e më gjerë të çdo studiuesi serioz.