Naimi poet


Nga Shaqir Skarra

Naimi është poet, poet i këngës dhe i etnopsikikës dibrane, por jo vetëm. Poetë ka shumë, por poetë të këngës numërohen me gishtat e dy duarëve, ndoshta edhe pak më shumë. Në kryeradhë, Poet Kënge mbeten Gjokë Beci, Lefter Cipa, Naim Plaku e ndonjë që nuk më kujtohet.
Naimi si poet bën zbritjen e vet (Mbase më mirë duhet thënë ngjitjen, poezia vetë si zhanër arti qëndron shumë më lart, se çdo krijim tjetër, me bazë fjalën).
Naimi vjen në fushën e letrave shqipe, krejt natyrshëm, me një thesar, domosdo të vetin, gjegjësisht në edicionin poetik të saj. Krijimtaria e Naimit tashmë ka marrë përmasa të mëdha. Naimi mishëron disa veçori krejt të vetat të të qenit shkrimtar e poet.
Naim Plaku vështronte përtej kohës së tij, përtej grackave dhe mërive të vogla, përtej dobësive të sistemit, që i kërkonte njerëzit në rresht, njëshkolonë në frontin e “revolucionit”. Ai e ngriti Dibrën dhe dibranët në një piedestal poetik, nga ku me anë të figurave të gjalla dhe të freskëta, me gjendje dehëse e magjespsëse, me një thjeshtësi dhe muzikalitet tronditës, na përcolli çaste, kohë dhe epoka që në vargjet e tij u shndërruan në përjetësi. Ky punëtor, pasionat i fjalës, i bëri autopsi shpirtit kolektiv dibran, etnopsikikës dibrane, të folmes dibrane, atyre kodeve të lashta që e kanë veçuar dibranin në raport me bashkëkombasit e tjerë, brenda e jashtë kufijve administrative, alegorisë, shprehjeve frazeologjike. Autor unik tekstesh, poet, letrar, mbledhës dhe analist folklori, studiues, me emrin e tij lidhet një nga faqet më mbresëlënëse të letrave, artit dhe kulturës në Dibër, në të gjitha kohët.
Vepra e tij është një testament fjale, që do të kalojë dorë më dorë e brez më brez, një testament dashurie, të cilin kalimi i kohës jo vetëm nuk e zbeh dot, por e nxjerr akoma më në pah, e sjell më pranë njerëzve dhe kohës. Falë kontakteve dhe punës së tij përkushtuese prej misionari të kulturës dhe gjuhës shqipe, Shkolla e Mesme e Sllovës u bë një vatër e njohur e përhapjes së përvojave nga Dibra dhe i gjithë vendi në fushën e fjalës dhe të qëmtimit të vlerave shpirtërore kolekktive, i asaj përvoje pozitive që do të finalizohej me seminare e simpoziume të mbështetura nga Instituti i Gjuhës e i Letërsisë etj.
Leximi i veprës së Naim Plakut është një ballafaqim i lexuesit me historinë, traditën, ritet, doket dhe përvojën kolektive, atë pasuri të madhe që vjen që nga prehistoria jonë dhe që ky punëtor i shquar i shkrimtarisë e ngriti në një kult të magjisë dhe bukurisë drithëruese.
Perlat poetike, estetike, psikologjike, etike dhe filozofike të shpirtit popullor dibran, Naim Plaku i risolli para lexuesve me një shndërritje të beftë, të qëruara nga çdo lloj molepsjeje, për shkak të kalimit të kohëve, të përcjella me sharmin, elegancën e një gjuhe të përkryer poetike, që vetëm një njohës i thellë i kësaj lëme dhe një pasionant si ai, mund të bënte me atë përkryrjen që tashmë njohim.
Por ende më e beftë, plot sharm, elengancë dhe mesazhe gjithëkohore është krijimtaria e tij vetjake, qoftë në tekste këngësh, qoftë në poezi të mirëfillëta dhe në risjelljen e urtësisë dibrane, me anë të rrëfimeve mbresëlënëse, plot kolorit gjuhësor dhe vlagë poetike.
Është folur shumë dhe me të drejtë për tekstet mrekullore, të një natyre të veçantë, unike të Naim Plakut. Por pak është folur për Naim Plakun poet, për poezinë e tij që plazmon e përcjell me ngjyra të ndezura lirike, me një freski dhe temporitëm të beftë, një botë të thyer, plot esencë jete dhe dramacitet, plot sinqeritet, dhimbje dhe shpresë për jetën dhe dashurinë njerëzore.
Naim Plaku, me zërin e tij unik, me talentin e rrallë dhe fuiqinë e përfytyrimit, me njohjen e thellë të historisë dhe vetëdijen e tij prej misionari, na ka përcjellë një testament poetik për sot e për nesër, për Dibrën dhe dibranët, për brezat dhe historinë.
Poezitë e tij janë të thella e të kapshme në të njëjtën kohë, me një figuracion të freskët, që i përgjegigjet të folmes me rrotulla, të folmes “nën mutaf” të Dibrës, me një lirizëm aq të natyrshëm, të shtruar e spontan, që të zhyt në një botë sa reale aq magjike, sa konkrete aq dhe universale.
Teksa vështronte mëngjezet e qullura me vesë dhe shtrëngesa, të një kohe të pa kohë, brenda shpirtit të Naim Plakut konturohej klithja e në vend të saj, në vend të atij trupëzimi të trishtë, që vinte nga ballafaqimi me një realitet të dyzuar e vrastar, poeti bluante në shpirtin e tij drithin e vetmisë dhe vargjet shpërthenin kanatat e zemrës së robëruar.
Para tij, në atë fushpamje të dritshme të një shpirti të pasur e plot hove djaloshare, dëlirësi e sinqeritet tronditës, shfaqej ikona e thyer e një kohe të dyzuar, bëmat e kohëve të lavdishme që bënin kontrast me shtirjen, dyzimin dhe manipulimin e një epoke, që e shikonte njeriun bashkëkohës nën një politikë të shtrembër e denigruese.
E gjithë historia e Dibrës dhe e shqiptarisë, është aty, në pikjatën e atij vështrimi që rrok Sllatinën, malin kryelartë sipër saj dhe kodrat e bokat poshtë saj: që nga Kryeprijësi dibran, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili ndezi kushtrimin e maleve e ruajti identitetin arbëror të këtyre trojeve për një çerekshekulli lavdie, deri tek “hutat që këndojnë nëpër kulla” e që tregojnë heroizmin më të ri dhe qëndresën më të re të dibranëve për liri e dinjitet shoqëror.
Në poezinë e Naim Plakut ekziston një prirje intuitive për ta sendërtuar figurën në rrënjët fabuleske të poezisë, një veçori e poetëve modernë, të cilët shkrijnë në një kulm abstragimi të gjitha enumeracionet dhe lakimet e mundshme të trajtave të vetëdijshme apo inkoshiente të lëndës së parë poetike.
Variacionet poetike në formë mozaiku brenda konstruktit poetik të poezive të tij shkrihen në kodet nëntekstuale, të shartesave të kumteve dhe përcjelljeve të folkut, etnopsikikës kolektive, asaj pasurie të koduar të të folmeve me rrotulla, “nën mutaf”, prej të cilave rrjedh mesazhi dhe qëndrimi i poetit ndaj gjërave që e rrethojnë, si ngacmime të vatrave të trillit dhe fiksacionit poetik.
Në poezinë e tij, Naim Plaku i ngre një kult botës dibrane, nderit, dinjitetit, virtytit, arkitipit social, etik dhe filozofik të dibranit që motivohet nga zgjuarsia, maturia (mat shtatë herë e pre një herë) etj. Sllova, Sllatina, Drini i Zi, Korabi, Runja, Fusha e Korabit, Bjeshka e Zojave etj, janë toponime që lëvizin në poezinë e tij dhe përftojnë qasje estetike dhe emocionale të forta. “Zogu i verës”, “Hana e zezë”, “Krojet e ambla”, “Flladet e hazdisuna” etj., përdoren nga poeti si stilema identifikuese të trajtimeve të tij poetike, gjendjeve, kujtesave dhe emocioneve që lyp të përcjellë te lexuesi.
Naim Plaku nuk konstaton, ai depërton thellë nën lëvoren e objekteve poetike, duke vizatuar me ngjyra të ndezura peisazhe të thyera të shpirtit njerëzor, copëza qëndrese të mbetura pezull, kohë të turbullta e stoike, të mbetura në kujtesë si vizatime të kohëve shpellore, bukuri të ftohta që mardhin nën brymën e iluzioneve. Ai zbulon magjitë dhe kontrastet e gjërave që e rrethojnë, dehjet dhe stopimet e ëndrrës, duke operuar me figurën bazë të vizionit të tij poetik –metaforën, si natyralizim të kredos së tij të brendshme.
“ Çka po i thotë Korabi Drinit:
-M’i këndo kangët e trimit,
Kangët e moçme të kullës së barotit,
Gjak i gjakut të Kastriotit!”
(Poezia “Gjithë trimëria në kuvend”, vëllimi “Fllad e frullizë”, fq 48)
Në veprat poetike “Fllad e frullizë” ,”Kreshtat e Korabit” dhe “Trëndafila mbi mermer”, Naim Plaku na sjell këngë dhe poezi epiko-lirike me një tematikë disi të përcaktuar: ngjarje dhe njerëz të vlerësuar në një detaj të jetës së tyre, mendime e mbresa nga ajo çfarë ai ka dëgjuar e shikuar në jetë e në punën e tij, ku angazhimet në fushën e kulturës, në veprimtaritë kulturore zinin një vend të rëndësishëm.
Eposi heroiko-dramatik, qëndresa e shpirtit të lirë, individë që ngrihen mbi unin e tyre në emër të unit të atdheut, madhështia e trimërisë dhe sakrificës sublime etj. Ato janë pjesë e angazhimit të poetit për të sjellë një realitet të plotë poetik të qëndresës historike të Dibrës kundër mizorisë dhe të gjitha formave të shfaqjes së saj në kohë hapësirën shqiptare.
Autori na përcjell këngët e logut të trimave, këngët e Rabushit, ofshmat e netëve të zeza (elegjitë dhe vajet), “trokitjet në portën e fundit”, siç e quan ai ciklin e fundit poetik tek përmbledhja “Flladë e frullizë”, ku nga vetë titulli konturohen dy këndvështrime: këndëvështrimi lirik, ku fryjnë erërat e ngrohta të pasionit njerëzor, flladi dhe dashuria për jetën në raport me dhimbjen, rrebeshin e lotit, dhe këndvështrimi epiko-dramatik që sjell me vete ritme të vrullshme të ligjerimit poetik, duke iu përgjigjur rënies së trimave në fushën e nderit të betejave dhe humbjes e të dashurve në luftë apo në paqe.
Balada, elegji, këngë të përvajshme, epitafe mbushin fletët e librit tjetër me poezi “Trëndafila mbi mermer”, ku poeti risjell me jehona të shumëfishuara të dhimbjes dhe ëndërrimit krijimtarinë e pasur të popullit, ku brenga, vetmia, loti, mungesa, plagët e shpirtit të shkaktuara nga ngjarje me përmasa të dhimbshme, janë “trëndafilat mbi mermer”, që kujtesa popullore dhe poeti që e ridimensionon këtë kujtesë vendosin si homazh për dhimbjen dhe dashurinë njerëzore.
Që nga këngët për bëmat e Motit të Madh (Prina, Gjergj, se na ke ne), tek këngët sokëllimë bjeshke e mali për Elez Isufin, Brahim Gjoçin, Dine Hoxhën, Avni Përnezhën, Sefedin Tomçinin, Besim Çerën, Selim Alliun, Myftar Krashin etj, etj.
Pastaj këngët kushtrim të Nëntë Maleve, (Moj Dibra me Nëntë Male), këngët e dhimbjes krenare të Drinit (Valë me lot pa na sjell Drini), tek magjitë e Sllatinës etj, etj, pena e Naim Plakut, shpirti i tij i mbushur me tinguj hyjnorë dhe melodi magjike, na sjellin një univers mrekullor të Dibrës në histori dhe përditshmëri, me luftërat, bëmat, fitoret, humbjet, heronjtë, martirët, kështjellat e virtytit etj.
Mund të themi se çdo poezi në vetvete e poetit Naim Plaku është prezantimi i një ishulli metaforash, ku frymon historia, përditshmëria, trazimet e kohëve të vështira të shqiptarisë, shpirti qëndrestar për liri i dibranit dhe shqiptarit përballë lukunive të pushtimit të brendshëm e të jashtëm, përballë çdo lloj agresioni që kërkon të cënojë integritetin e maleve dhe krenarinë legjitime të malësorëve.
Poezia e Naim Plakut është një endje në tezgjahun e ndjesive tokësore dhe metafizike, një kërkim arketipal në kujtesën e historisë, të të gjallëve dhe të të vdekurve, është gjendje, ndjesi, imazh, kujtesë, përcjellje e figurave, trajtave strukturore dhe imazheve që herë herë të befasojnë. Freskia dhe spontaniteti i gjetjeve poetike, vëzhgimet e holla, ambivalenca e figurës dhe imazhit, kontrapunkti etj, janë vetëm disa nga pamje të ajzbergut të tij poetik.
Në poezinë e Naim Plakut gjemë pjesë historie të Dibrës dhe Shqiptarisë, gjejmë mall, qëndresë, përballje me të keqen, përballje me vetveten dhe kohën, gjejmë vizionet, ëndrrat e munguara, dëshirat që marrin krahë e bëhen degë pranverore në pemën e jetës, gjejmë motivimet më të thella e më ekzistenciale të dashurisë njerëzore, si ndjenja dhe përjetimi më madhor i njeriut dhe kohës së tij.
Poeti tenton që të shkrijë në një, kohën imagjinare dhe kohën reale, impresionet vetjake dhe deduksionet poetike universale, kumtet e përmbledhura në një vektor tredimensional të kohë-hapësirës poetike dhe befjet e çastit, si shtysa për të dalë në rrugëtimin e kërkimit të tij poetik. Ai është i besueshëm e spontan sikurse kur flet për shiun e verës, hutat nëpër kulla, ndërrimin e kësulave, (“si lshojmë kullat pa i ndërrue ksulat”), ashtu dhe kur na komunikon vrullin e një figuracioni të rrëmbyer e spontan, në gjeneratoren e së cilës vërtiten ndjenjat, pasionet dhe përjetimet më epokale të kohës dhe historisë.
Në poezinë e tij Naim Plaku plazmon një botë në lëvizje, që nga rrugët, ujërat, malet, fushat, kodrat, bregoret, urat, gjurmët deri tek ndjenjat më të thella, që përbëjnë shtratin fundamental të kujtesës dhe emocionit njerëzor. Në poezitë e tij lëvizin emra, vende, gjendje, heronj, martirë, njerëz të thjeshtë që kanë kryer bëma madhore, vajtojca, që përcjellin dhimbjen e të vdekurit, ballafaqime në kohë-hapësirën poetike, lëviz përjetimi dhe emocioni i poetit, të cilat ia përcjell lexuesit me një thjeshtësi dhe magji trinduitëse.
Në këto poezi nuk ka zhurmë, por ashtu natyrshëm, shpalset vektori i një historie dhe përditshmërie të trazuar, me heronj, bëma, ankth, situata heroike dhe lirike, ku vërtiten fati dhe fatalittei njerëzor, e bukura dhe e shëmtuara, humanzmi e fisnikëria, nga njëra anë, dhe barbaria e makutëria, zemërngushtëisia e dritëshkurtësia, nga ana tjetër. Ngjyrat dhe dritat poetike në poezinë e Plakut marrin e japin me njëra-tjetrën në një lojë të pafund imazhezh, gjendjesh dhe formash të shpalimit të lirizmit dhe dramatizmit poetik.
Kjo prirje e brendshme, shpirtërore, psikologjike dhe në thelb mentale, që buron nga njohja e thellë e jetës dhe historisë, nga kontaktet e shumta të autorit me njerëzit, nga freskia e mjeteve shprehëse që vë poeti në shërbim të synimeve të tij poetike, e bëjnë Naim Plakun një kërkues të pasionuar të së bukurës, një mbartës të filozofisë ekzistenciale të dashurisë njerëzore, e cila duket se është kryefjala e artit të tij poetik. Poezia e Plakut është një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, plot thyerje dhe digresione, siç është vetë jeta njerëzore, që ai plazmon në poezinë e tij.
Nëse do të donim të gjenim sekretin e një komunikimi kaq fin të autorit me lexuesin e tij, me të cilin duket sikur ai bashkëbisedon në një natë dimri me zjarr në vatër dhe mirësi në shpirt, atje në odën e Kullës së tij me oxhak, në Sllatinën e vet, ku netëve të dimrit fryjnë erëra tërbimi. Ndoshta do të na duhej të gjurmonim fijet e jetës së tij, punën e gjallë me njerëzit, mbledhjen odë më odë e kullë më kullë të nektarit poetik, përcjellë me aq ngjyrime në kuvendet e burrave të Ujë e m’Ujës e të Dibrës; gjithë këtë shndërritje mrekullore,
Naim Plaku na e ka përcjellë me një gjuhë të ëmbël e të latuar bukur, me një figuracion të pasur deri në befje, me një temporitëm lirik, që të deh e të bën të përfshihesh në botën e ëndërrimit.
Naim Plaku është një poet i thellë, i shtruar, i vrullshëm, i ngrohtë, plot ritme jete dhe ngjyra të përndezura, ku rrinë aq mirë dhe në simbiozë të plotë elementët klasikë me pak spërkatje të lehtë, një si tis moderniteti. Ai vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të përditshmërisë, fokuson historinë e Dibrës dhe të Shqipërisë, duke dashur të zgjerojë këndvështrimin rreth të sotmes dhe së ardhmes.
Autori e tejshtrin botë-vështrimin e tij në hullinj të njohur historikë dhe përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë tablo dhe gjendje sa realiste aq dhe trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete me fuqinë emocionale që mbartin. Ky shpalim i poetit sjell me vete një aromë të veçantë jete, risinë e riciklimit të bukurisë, si një kumt ndjellës drejt harmonisë dhe përsosmërisë, në kufijtë mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë i kërkimit në shpirtin e idealitetit dhe iluzionit.
Kjo shfaqje e tij në mejdanin e vështirë të letrave shqipe, ngjan dhe përjetohet si një ngjitje plot mundime në një terren vargmalesh të larta, të thepisura, plot humnera dhe rreziqe.
Monopatet, kreshtat dhe shpatet e frikshme që vetë zgjodhi të udhëtojë, janë një sfidë e vërtetë plot magji, pabesi, heroizëm dhe natyrisht edhe ankth të mistershëm… Magjike pse janë vise dhe oaze brilante, nga ato që vetëm përfytyrimi dhe imagjinata, kanë viston dhe fatalitetin, kanë atë lejen heretike për t’i eksploruar.
Ndërsa ankthi si një kalë besnik, zbritur prej mitologjie, me një ngarkesë të rëndë, shoqëron çdo shfaqje si qortim, dyshim, mëdyshje a dilemë, ku verbale e ku ndjesore, ku tërthorazi e ku drejtëpërdrejt. Mbi këto binarë, mbi këtë kuotë e sheston poezinë dhe ngjitjen e vet Naim Plaku. Tre vëllimet e dëshmuara (të botuara), pa llogaritur ato mijëra e mijëra vargje që ndodhen të pabotuara në arkivin e familjes, dimensionojnë sadopak, ku me një fjalë, ku me një figurë, ku me një shprehje apo një rresht.
Vetë treva prej nga ku vjen, poeti Naim Plaku, siç është Dibra, u lodhën së bredhuri cep më cep kësaj treve, shtegtarët e parë që alternuan zërin me fshikullimën e erës dhe jehonat e lugjeve, krojet e zanave, ashtu siç shprehet vetë Naimi në vëllimin e tij të fundit me folklor nga Dibra, ku zë fill tradita e bukur folklorike, gojore e popullit tonë. Prandaj, jo rastësisht Naim Plaku është një nyje që ndez zërin e tij në shtratin e gojëtarisë dhe folklorit, me poezinë moderne shqipe. Pikërisht më së shumti dhe në këtë shtrat vjen dhe prurja e tij.

Natyrshëm diku, në këtë komunitet është pashaportizuar edhe poeti Naim Plaku. Kësisoj, jo pak motive dhe aspekte të poezisë së tij, folklorit, legjendave dhe miteve shpesh janë kthyer në motive ngacmuese, në kolonat mbajtëse, mbi të cilat Naimi ngre lart poezinë e tij të veçantë.
Motivet folklorike më së pari rezultojnë si një shtysë, mbi të cilat udhëton vetë fantasia poetike e tij. Që të jesh vetvetja në këtë trajtë, është paksa e vështirë, madje një vështirësi e gradës së lartë. Që në fillim tek libri “Fllad e frullizë” Naimi na grish për të udhëtuar në kohë. Libri është shkruar me mjaft ngrohtësi. Në të gjitha poezitë e tij spikat më së shumti mendimi i cili i bindet arsyes.
Sado që në këto momente humbet emocioni por përfitohet diçka tjetër, mendimi filozofik, mbështetur në jetën e zakonshme, çka duhet për të kontrolluar edhe emocionin. Ai shpesh është edhe i trazuar, si rrjedhojë e një analize të hollësishme të vetë rrethanave dhe përvojave njerëzore, por mjaftohet me tematikën e madhe e të larmishme që rrok, si dikur kur Naimi nisi të hapte brazdat e para të poezisë shqipe.
Ai ka shkruar për figura të mëdha të historisë, që nga shekulli i XV e deri në vitet e Luftës Nacional-Çlirimtare, apo edhe për “Heronjtë e Punës”, të cilët dhanë jo pak nga vetja e tyre për progresin e shoqërisë tonë. Tek poezia “O mirë se na erdhe”, poeti shkruan: “Ky libër, këto fletë, më ngjajnë mua me një fletë të humbur a një qytet”.
Duket se vetë poeti meditonte për poezinë e tij në vite, disi i distancuar nga vetë produkti i tij dhe rreket ta gjykojë bashkë me lexuesin, me paanësi “fshatin apo qytetin”, mëhallën me bëma e bubullima. Por kjo është një gjendje që e tejkalon shpejt. Vargjet që pasojnë sjellin atmosferë tjetër. Naimi me vargje të kursyera, hedh në telajon e tij gjithë peisazhin e Dibrës.
Duke shfletuar poezinë e tij faqe më faqe, shikojmë se si poeti shpalos bukur epikën e tij, në poezitë e bukura tekste këngësh, atë epiko legjendare të Dibrës gjatë viteve 1912-1920, e cila flet për luftën heroike në mbrojtje të vatanit ku shkëlqeu heroizmi me tërë madhështinë e vet. Poeti shkruan me metafora vargjet:
“Dridhen malet, jo nuk tunden kullat.
N’log t’burrnisë po maten burrat.
Se lshojnë pllamën, pa i ndrue ksulat!

Lëshon Korabi gurë e kepa,
Po knon Drini kangët e veta:
-Kanë hyp shqipet nëpër kreshta!

-Kadal hasëm se ktu ka burra,
Na knojnë pushkët nëpër kulla,
Ta shtrojmë vendin pllambë e plumba!.. .
Poeti deklaron me mjaft solemnitet në vargun e fundit, duke dëshmuar njëkohësisht fitoren, sepse Dibra, e në përgjithësi populli ynë, kurrë nuk ka qenë agresorë, por gjatë historisë së tij të vjetër e të re i është dashur të mbijetojë fort.
Naim Plaku e motivon fitoren e popullit të tij me atë qëndresë heroike, që kur me vargje brilante, ndërtuar kryesisht me mjaft metafora, jep mobilizimin e malësorëve trima në shtatë e shtatëdhjetë, siç ishte dhe vetë shprehja në ato vite të zjarrta lufte. Naimi zgjon emocione të rralla me vargjet:
“Miku i shpisë e la konakun,
Dhandri i ri kapi bajrakun,
Nusjaa e re hoqi dullakun.
Plaka n’votër e theu furkën,
Fmija i djepit rokën pushkën,
Gratë n’llogore pjekin bukën…”

Miku, dhëndri, nusja ngrihen mbi të jashtëzakonshmes, sepse situate është jo e zakontë, megjithatë ato janë fort të besueshme, brenda kontekstit historik shqiptar, me shembuj të mëdhenj të heroikes në shekuj.
Ai ishte jo vetëm me rrënjë të fisme e të njohura mirë në Dibër por edhe vetë me tipare të tilla, që me një vështrim të kujdeshëm të poezisë së tij, do t’i gjesh të shpalosura të gjitha këto tipare aty. Ai ishte dhe mbeti ndër ato burra të mençur që fliste pak dhe ndonëse poezia e tij më së shumti është epike shpalos atë heroikë, që në fakt ka njerëzoren, urtësinë.
M’u kujtua një detaj gjatë një bisede, nga ato biseda të shumta që kam bërë vetë me Naimin. E dija se nëna e tij ishte vajza ma e vogël e heroit legjendar të Dibrës në luftën disavjeçare kundër hordhive serbe, Elez Isufit. Kur ia thashë Naimit, ai foli fare pak:
-Po, nëna ime ka qenë e bija…
E pashë njëherë në mimikën e syve si për ta vërtetuar plotësisht këtë. Ai aq foli. Unë përsërita edhe njëherë pyetjen time. Ai aprovoi:
-Po, po. Pastaj shtoi:
-Më thoshte shpesh herë nëna, se gjatë tre viteve nuk e pashë tre herë babanë tim.
-Lum si ti Naim, fola si nën zë. Pastaj se si më erdhi nga ky konstatim i imi. Njerëz me përmasat e heroit legjendar Elez Isufi, i takojnë mbarë kombit dhe jo vetëm Dibrës.
“Ç’është ky varg i gjatë, i zi,
Midis resh e bubullimash?!
-Jo s’ka vdekur, por rri shtrirë,
Ky vigan në shtrat martinash!

Syri shkrep dritë e stuhi,
Me barot plagët i mbushi,
Thërrasin malet për t’ju pri:
– Jo, nuk vdes Elez Isufi!”
Profilin njerëzor të Naim Plakut e takon në shumë nga poezitë e tij. Tek u njoha me komunikimin e tij të drejtëpërdrejtë me lexuesin, në hyrje të librit “Në qiellin e mjegulluem të poezisë”, përfitova një gjendje, pse të mos them, disi të ndryshme nga herët e tjera, më bëri të mendoj paksa trishtueshëm, aq sa pyeta veten time: Mos është shenjë lodhje kjo e poetit? Në fakt, ishin vitet e fundit të jetës, por siç shprehej vetë, në mes miqve e shokëve, kur thoshte se “këmbët më janë ndalë, por koka jo. Jam në më të mirën moshë për të krijuar”. Dhe në fakt, kështu ishte. Ai nuk rreshti asnjëherë, paçka se vdekja mjaft tekste këngësh, poezi dhe prozë ia la në gjysmë.
Kujtova lëndën e shumtë poetike. Me qindra e qindra tekste këngësh, këngë epike, lirike, besimi dhe fëmijësh, të cilat të gjitha ishin në harmoni të plotë me muzikën. Këto tekste kanë shërbyer si një ushqim shpirtëror për njerëzit anekënd vendit tonë. Dhe, se ç’më vinte ta kundërshtoja, qoftë edhe njëherë të vetme mendimin e tij. “Ndoshta e ke dëgjuar një zë që dridhet e këputet në telat e çiftelisë”, si për të dalë nga ai trishtim i lehtë, mendova për poetin e madh. Ai është një lis, që sado i rrahur prej stuhive të kohës, qëlloi me rrënjë të forta në thellësi të tokës dhe nuk e shkulën dhe dogjën as rrufetë, që binin prej qiellit(jo, prej tjetrit).
Duke patur parasysh dimensionet e poetit, si njeri dhe krijues, natyrshëm shtrohet pyetja: Një poet, a duhet të analizohet me mëdyshje? Cilës së vërtetë i duhet qëndruar, realitetit apo imagjinatës? Dhe përgjigja bëhet e rëndësishme, kur ke të bësh me poetin Naim Plaku, një njeri me mendje të hollë, me vullnet të hekurt, me shpirt të pastër e jetën e tij të shenjtë.
Kësisoj, të shkruash për poezitë e Naimit, është një detyrim. Nga ana tjetër është njëkohësisht edhe përgjegjësi e madhe, sepse do të duhet të meditosh gjatë për rrethanat që ka shkruar dhe që kanë përcaktuar vetë Naimin si poet. Ai të impresionon sikur të flasësh për herë të parë për poezitë e tij. E, megjithatë, këto që thamë, poezia e tij, tematika e saj, është e konturuar fuqishëm, ku spikat prej shumë vitesh angazhimi i tij intelektual, gjithmonë në dobi të progresit të vendit tonë.
Të bëhet se deviza e gjithë krijimtarisë së tij ndër vite, është një koncept filozofik i vërtetë, i cili udhëheq të dëgjosh zërin e ndërgjegjes.
Ai ka besuar gjithmonë te vetja dhe e vërteta. Arsenali i dijeve të tij si dhe mirësia kanë qenë gjithmonë tek ai virtyte në në funksion dhe shërbim të të tjerëve.
Poezia e Naimi ka aromën e Dibrës, është ushqyer me urtësinë e saj e cila shpaloset me fjalë-sintezë duke të kumtuar mendime me vlerë, për të sotmen dhe të ardhmen. Poezia e tij na sjell heronjtë, bëmat e tyre, pa retorikë dhe efekte të jashtëme, por si një konceptim i vetë jetës tonë. me gjasë heroikja nuk u zvetënueka kurrë, këtë na e dëshmon më së mirë edhe Naim Plaku në poezitë e shumta të tij. Poezia është ajka, maja dhe perla e krijimtarisë shpirtërore. Ajo nuk ka shterruar dhe nuk shterron kurrë, por vazhdon të gurrojë gjallërisht vazhdimisht si uji i ftohtë i bjeshkëve tona.
Personazhi heroik në poezi, që në poezitë e Naim Plakut janë të shumtë, ose heroizmi i vetë personazheve, jo e bërë artificialisht, por si një produkt i logjikshëm, por edhe i ndjerë që ndërtohet në mënyrë të natyrshme, pa sforco. Ja si shprehet poeti për poezinë në një parathënie të vëllimeve të tij: “… Jo, jo. Ajo do të vazhdojë të jetë e pranishme gjatë. Ajo ngahera ka frymëzuar, e mbase do të gjenerojë frymëzimin tek poetët, sepse poetët orientojnë shoqërinë drejt horizonteve të reja. Poetët janë paraprijës të agimeve zbardhëllim, janë muza dhe shpirti i ëndrrave shpresërim, janë fryma dhe muzikaliteti i fjalës shenjtërim, janë koloriti më i ndritshëm i qënësisë tonë qytetërim!”. Naim Plaku krijoj poezi në një kohë kur vetë poezia ishte një mënyrë për të lëvizur jetën dhe për ta ruajtur atë të thjeshtë, të pastër e të bukur.