Një kujtim për dom Nikollë Mazrekun nga Sefedin Juniku (Peshkopi)


Me 22 dhjetor 1969, pas tetë vjetëve burg politik (1961 – 1969) u lirova nga burgu në Reps, tregon Sefedini. Aty punohej për ngritjen e fabrikës së pasurimit të bakrit. Të gjithë të burgosurit dolëm në punë. Dom Nikolla ishte i sëmurë dhe e kishte tensionin shumë të lartë, 280 – 300. Ishte në koma. Është shumë sëmurë më tha një shok. Shko e shihe njëherë o Sefedin. Shkova. Ja ngrita pak jastekun dhe thirra mjekun. Mjeku i vuni aparatin e tensionit dhe si e pa, më tha: tashti për dom Mazrekun qofsh vetë. Domi “e kthej samarin”, tha doktori. – Jo doktor. Shumë herë e kam pa në këtë gjendje. Ka për t’u ngjallë, i thëm unë. – Jo ma, ky e përdrodhi kularin.
Pas një gjysëm ore dom Nikolla u përmend. Sapo erdhi në vete, më tha: – A ke kafe Sefedin? – Po, i them. – Si të kesh kafe, më ke shpëtue. – Por e ke tensionin në pikën nevralgjike, i them. – Shko Sefedin e ma ban atë kafe. I bana një kafe të fortë. Më ngre pak! E mbështeta mbi jastek dhe i vuna filxhanin e kafes përpara. Tani mos fol se e kam fjalën unë! Çfarë tha doktori? E kishte ndigjue dhe më tha fjalët e doktorit: “Qofsh vetë për dom Nikollën se ai e ktheu samarin”. Do ta diskutojmë këtë punë; e kishte inat doktorin. A ka aparat në botë që e mat se a do të vdesësh apo do të jetosh? Unë nuk besoj tek aparati i doktorit. Unë kam punë të tjera.
Kafen ma bane. Do ta pi. Me jep paketën e cigareve. Tetë cigare piu njenën mbas tjetrës. Shko Sefedin e më ban nji kafe tjetër. – Dom, ti don me mbyt veten më duket, i them. – Edhe tetë cigare të tjera e mbasandej do të më nxjerrësh në pajtoz që të më shohë doktori.
Si piu kafen e dytë dhe tetë cigaret e tjera, tha: A më ngre pak të dal në pajtoz? Ecim sëbashku nja dhjetë hapa, ndërsa doktori hapte sytë. I thash doktorit, “mos fol kështu se të ka ndigjue!” Nuk qenka gja kjo punë, tha doktori. Kam qenë i bindun 100% se ai do të vdiste. Aparatin e tensionit dhe stetoskopin i futi në çantë se ato të turpërojnë përpara dom Nikollës, tha me vete doktori. Ai ka shpirt të veçantë. Nuk ka besim tek aparati. Ai e ka besimin tjetërkund, tek do “aparate” të tjera.
Dom Nikolla e njihte shumë mirë Kuranin. Dom Ernest Troshani, dom Simon Jubani, padre Konradi ishin edhe ata. Burrë i vendosun, por nuk fliste. Deri më sot të kam pasë djalë, mik dhe shok, më tha. Sot më dukesh armik. Ke ndonjë nostalgji për jetën e lirë? ë? – E kam harrue, i them. Je rritë e burrnue mes telash. Tash do të shkosh në nji burg pa tela. Ishte jezuit.

Bajram XHAFA,
Peshkopi, 19 gusht, 1999.