Dibër, qytetarët në protestë kundër ndërtimit të Skavicës


Pamje nga protesta në Peshkopi. Foto: facebook/bulqizaime

Më 14 nëntor në mesditë, në Peshkopi janë mbledhur me qindra qytetarë të shqetësuar për projektin e propozuar të ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës. Pjesëmarrësit i bashkonte qëndrimi kundra idesë së ndërtimit të këtij projekti i cili do të sillte shpopullimin më të madh të asaj popullsie të vogël të mbetur tashme, zhdukjen e historisë dhe një impakt të rëndë në mjedisin dhe ekosistemin e zonë.
Të pranishëm ishin edhe shumë dibranë të cilët, megjithëse jetojnë larg, kishin ardhur për të shprehur mbështetjen e tyre nga qytete dhe shtete të ndryshme. Një prej tyre ishte, biri i Dibrës, themeluesi i Partisë Demokratike, themeluesi i komunitetit shqiptare në Britaninë e Madhë, themeluesi i Komitetit për Shpëtimin e Kosovës por tashme i angazhuar në rritjen e marrëdhënieve tregtare ndërkombëtar edhe përfaqëson Republikën e Afrikës së jugut në Republikën e Shqipërisë si Konsulli i tyre, zoti Zenel Hoxha.
Protesta u zhvillua në bulevardin Elez Isufi, ku thirrjeve të shoqatës kundër ndërtimit të Skavicës, iu bashkuan intelektualë, drejtues të shoqatave të tjera dhe qindra qytetarë. Ato firmosën edhe një peticion që do t’i dërgohet Qeverisë dhe Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Te pranishmit theksuan urgjencën e angazhimit zyrtar në mënyrë që të dëgjohet zëri i Dibranëve por edhe të mbrohet identiteti i gjithë kombit tonë duke i thënë JO SKAVICËS. Prandaj ata votuan për krijimin e organizatës joqeveritare me emërtimin Aleanca për mbrojtjen e Dibrës. Më tej u konfirmua grupi themelues i cili zgjodhi unanimisht përfaqësuesin zyrtar të Aleancës, zotin Zenel Hoxha.
Aleanca për Mbrojtjen e Dibrës do të dalë së shpejti me relacionin zyrtare dhe shtrije firmosjen e peticionit JO SKAVICËS në të gjithë vendet ku ndodhen dibranë dhe shqiptarë. Legjislacionet e shumë vendeve, sidomos të Bashkimit Europian, parashikojnë peticione të tilla në mënyrë që popullsia e tyre të mund të marrë në llogaridhënie qeveritë e vendeve të tjera e sidomos atyre vendeve që aspirojnë të bëhen anëtarë të Bashkimit Eurpian.
Qëllimi i Aleancës është JO NDËRTIMI I SKAVICËS dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se: VOTA E TYRE VLEN – Dibra edhe këtë herë si nën thirrjen e Elez Isufit do të mbroje identitetin kombëtar dhe do të bëhet motivi i shpëtimit të kombit tonë.
Zoti e ka bekuar Shqipërinë dhe shpëtuar, me dhjetëra herë, nga padrejtësitë.
Me pankarta në duar qytetarët protestuan për rreth në orë, ku shpalosën argumentet e tyre pse janë kundër këtij HEC-i që mbyt përgjithmonë, 32 fshatra, me rreth 12 mijë banorë dhe më shumë se 13 mijë hektarë tokë.
Në tubimin e sotëm fjalën e morën edhe të tjerë intelektualë, historianë, ekspertë mjedisi të cilët theksuan problematikat që shkakton një rezervuar kaq i madh, jo vetëm për ato që do të zhvendosen, por edhe ato që do të mbetet të jetojnë aty. Ndërtimi i një rezervuari kaq të madh do të sillte pasoja të rënda në mjedis dhe në ekosistem, ndërsa popullata e zhvendosur do të vuajë pasojat sociale.
(Korr. Rr.A.)