Dogjan Dervishi, “Një histori qëndrese”


Nga prof. Hajri Shehu

Romani “Një histori qëndrese” i ka të gjitha përmasat për t’u vlerësuar. Më së pari, për idetë që na sjell. E tërë përmbajtja e tij është për punë, për bëma, përpjekje, rezultate, detyra, detyrime. Por ai na sjell edhe të dhëna, dije, modele. Vend të veçantë zënë portretizimet. Ato vijnë krejt natyrshëm. Nga njohjet vetjake të autorit, nga vëzhgimet e tij e nga gjykimet e vlerësimet e tij. E, sigurisht, edhe nga mendimet e veprimet e të tjerëve në roman, që gjithsesi, janë përgjithësime të autorit.
Që në hyrje të romanit e kupton që ke të bësh me një penë të kujdesshme. Arkitektura dhe teknologjia rrëfimtare është si tek tri romanet e mëparshme – e thjeshtë, pa stërhollime e pa mbingarkesa. Shih, për shembull, rrëfimet për takimet, pritjet e përcjelljet e shoqërinë në mjedise të ndryshme. Vendit ia japin njerëzit fytyrën dhe karakterin. Autori e ka pjesë të vetes këtë gjykim. Prandaj në roman shikon një shoqëri të thjeshtë, të pastër, të çiltër, të gjerë. Shumë e vlefshme për jetën e njeriut. Kjo lloj shoqërie shihet në kulturën e mikpritjes, përshkruar bukur në roman në mjedisin shqiptar jashtë shtetit, në azil etj. Dhe mikpritja për ne shqiptarët është virtyt. Madje, edhe kult.
Kryepersonazhi është Artur Semini. Ai na vjen si një individ konkret, si një i njohuri ynë, si një nga brezi ynë (70-80-vjeçarët). Arturi është një model pune e jetese. Me veprimtarinë e tij, por edhe me mendësitë e të thënat e tij. Po përmendim për ata që mund të mos e kenë lexuar deri tani romanin, kur ai refuzon një propozim për rimartesë ngaqë zonja kishte një djalë, që ishte i një grupi bashkëjetese ndryshe nga ç’na ka ofruar natyra njerëzore. Në të vërtetë, kjo s’i prishte asnjë punë Artur Seminit. Por e gjykoi se te shqiptarët e me shqiptarët kjo nuk duhej të ndodhte. Në parantezë: Ishte një gjykim që mbështetej në ligjet e moralit dhe të përsosurisë njerëzore. Më shumë se kaq, Arturi kishte ndier neveri e urrejtje. Tashmë, pas viteve ’90, Arturi kishte mësuar edhe historinë e hershme të kësaj pune – që në kohën e profetit Lut (Lot, sipas Krishterimit).
Në momente të caktuara, te një njeri i shkujdesur ekziston mundësia të veprojë në kundërshtim me logjikën dhe interesat e tij personale. Akoma më keq – në kundërshtim me logjikën dhe interesat shoqërore. Oficer Semini: Jo. Ai bën një refuzim tjetër. Shumë më të madh se ai i rimartesës: Ai kundërshtoi e refuzoi urdhrin epror që vinte nga lart, shumë lart për të bombarduar Jugun në vitin 1997. Me vendosmëri. Sepse ai kishte tjetër moral e tjetër zemër. Ai humbi në detyrë, por nuk humbi shpirtin. Nuk humbi moralin. Nuk humbi as trimërinë.  Në parantezë: Në raste tilla duhet të jesh trim.
Personazhi tjetër, i dytë është Donika Stërmasi – ish-bashkënxënëse në shkollë, në klasë, në mbrëmjet e vallëzimit. Mësuese e shkëlqyer; tani – bashkazilante në shtëpinë e të moshuarve. Dhe, më në fund, bashkëshorte. Autori na sjell një model të personalizuar në dy emra. Të dy – njëri më i mirë se tjetri. Prej disa vitesh (po të duam, mund të themi edhe dekadash), disa vlera morale i kemi në krizë. Ne kemi nevojë për njerëz të tillë, sidomos, në kontekstin e sotëm social. Modeli Artur-Donika na nxit t’i kultivojmë. Sot ka çifte të reja bashkëshortore që përfundojnë shpesh në dyer gjykatash. Çiftin Semini nuk e ndau asgjë. As pandemia. Gjithnjë bashkë. Gjithnjë tok.
Ka edhe personazhe të tjera. Profesori, p.sh., në shtëpinë e të moshuarve. Model edhe ai me sjelljen e tij. Ai kishte dhomë të veçantë në azil. U martua çifti Semini dhe profesori u liroi dhomën e vetë shkoi diku tjetër. Edhe këtë lloj njeriu e do shoqëria jonë. Sa mirë do të ishte sikur ndërgjegjen masive ta kishim si të tyre.
Në roman na vijnë botë paralele, më mirë të themi, dy botë paralele – e shkuara jo shumë e largët dhe e tashmja. Në roman bëhet mirë lidhja komplekse midis së shkuarës dhe së tashmes. Por nuk është kaq e lehtë kjo lloj lidhjeje. Autori e bën këtë lidhje nëpërmjet jetës dhe veprimtarisë së personazheve. Në këtë kontekst, duam të përveçojmë vetëm një mendim: Në këto dy botë, që na vijnë në dy rrafshe në roman, njeriu mëson shumë. Një brezatar i tanishëm, për shembull, mëson për kohën e dikurshme, për zboret ushtarake, për trekëndëshin revolucionar në shkollë, për mësuesinë dhe shkollën, për ushtrinë dhe mbrojtjen, për vitet ’90 dhe ç’ndodhi atëherë etj. Nga romani mëson edhe për azilet e jetën në azil. Jeta në azil është shumë shoqërore. Kësisoj, edhe e bukur. Kujtojmë, p.sh., ceremoninë e martesës së çiftit dhe fjalën shumë ngazëlluese të drejtoreshës së azilit. Për t’i përmbyllur këto thënie tonat, ne brezatarëve 70-vjeçarë, përveçse na zgjon kujtime e emocione, romani i Dogjan Dervishit na frymëzon e na nxit për të shkruar, të paktën, në formë mbresash e kujtimesh.
Autori nuk largohet nga jeta e gjallë e njerëzve. Po u largove nga jeta e gjallë e njerëzve, bëhesh pre e fantazisë së sëmurë. Autori ynë nuk fantazon. Kush nuk e ka lexuar, të shohë edhe një herë dasmën dhe organizimin e dasmës në shtëpinë e të moshuarve. Dasma është mbijetesa. Prandaj gazmendin e dasmës e jep me një narracion mjaft të ngrohtë.
Autori i zgjedh me shumë sqimë momentet e çastet e kësaj jete të gjallë të personazheve të tij. Edhe letrarisht. Prandaj thamë diku më parë se arkitektura dhe teknologjia e romanit është pa stërhollime e pa mbingarkesa. Shih disa nga këto momente e çaste: Moment i trishtë kur ndërron jetë bashkëshortja e parë. Thirrma “Moos Filomena!” të trand e të mpin. Sigurisht, sepse njeriu është produkt i natyrës e i jetës familjare. Momente të trishta dhe më pas, në jetën, tashmë vetmitare të kryepersonazhit: Artur Semini u ngrit dhe hapi dritaren e dhomës. Qëndroi me kokën në dritare dhe ia lëshoi sytë qytetit. Iu duk se qyteti po mbytej nga dendësia e pallateve … dhe smogu, që të merrte frymën nga qarkullimi i makinave të vogla e të mëdha, që lëshonin tym e zhurmë të pandërprerë. I trishtë edhe momenti tjetër në buzë të detit: Shpendë të ndryshëm, banorë të brigjeve të detit, lëshonin cicërima dhe në kor, bashkë me zhurmën e dallgëve, prodhonin një kompozim tingujsh që krijonin një gjendje shpirtërore romantike, të ndërthurur me nota pesimiste. Më pas kemi një moment tjetër – njohjen, më mirë të themi, rinjohjen me ish-shoqen e shkollës – Donikën, tani azilante:  Edhe pse rreth të 70ave: Ishte e veshur mirë, e mbajtur, e pastër, me flokë të thinjur, por të krehur e të rregulluar, që të jepnin përshtypjen se me këtë ngjyrë kishin lindur. Nuk është zor të shohësh pëlqimet e nëpërmjet tyre, ndjenjën e madhe njerëzore të dashurisë. Ja edhe dy momente të tjera po aq njerëzore: Sado e mirë … të ishte për ty një femër tjetër, asnjëherë, kurrë nuk mund ta zëvendësojë mamanë tonë, Filomenën. I thonë kështu fëmijët (Filomena, e shoqja e parë, ishte ndarë nga jeta). Dhe fjala e A. Seminit, diku në breg të detit: Ndjesë Filomena! Po përpiqemi të të zëvendësojmë. Por … vendin tënd në zemrën time, sa të jem gjallë, nuk mund ta zëvendësojë askush … Por ja që e zuri dikush tjetër. Dhe atë ditë, kur do të rimartohej: Për çudi, dielli lindi më herët dhe ndriçimi ishte më i fortë. Shpendët cicërinin në drurët gjelbërues të oborrit të shtëpisë së të moshuarve dhe këngët e tyre ishin kaq të ndryshme, sa të kujtonin një orkestër simfonike që të mbushte zemrën me gëzim, emocion dhe shpresë. Një pranverë e vogël në mes të dimrit. Sepse njerëzisht, dashuria s’njihka kufi. Është një mundësi që ta jep jeta. Dhe njeriu duhet të dije që këtë mendësi ta bëjë një realitet të bukur. Çifti Semini e bëri. Martohen dy banorë të shtëpisë sonë, – thotë drejtoresha. Ndërkohë, Shpresës, vajzës së Arturit, i rrëshqasin dy pika lot. Njerëzore është. Dikush tjetër zë vendin e mamasë së saj.
Personazhet janë modele. Për virtytet dhe vlerat që kanë. Për kulturën që kanë. Në roman, gjithsekush bën detyrën e punën që i takon. Për të mirën e vet. Por edhe për të mirën e shoqërisë, sepse njeriu nuk jeton vetëm për veten e vet. Shih, p.sh., punën në shkollë. Por edhe në familje. Shih punën në ushtri. (Kujtojmë që Arturi ishte oficer. Një oficer patriot dhe i devotshëm). Shih edhe punën e punët në azil. Shih edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore. Dhe ajo që mësojmë, është qytetaria. Nëse krijon qytetarin, – ka thënë shkrimtari i madh Viktor Hygo, – ke në pëllëmbë të dorës gjithçka. Dhe qytetaria vjen nga ata e ato, që kanë kulturë, në kuptimin më të përgjithshëm të fjalës.
Karakteret paraqiten, siç u tha, me vërtetësi – me të përbashkëtën e tyre, por edhe me tërë individualitetin e tyre: me ndodhitë e tyre vetjake, me kulturën e tyre të lartë, me protagonizmin e tyre, me copëzat e jetës së tyre, që përbëjnë, sidoqoftë një thyezim, një mozaik. Sigurisht, në qendër të romanit është jeta e Artur Seminit. Me gjithçka që i ndodhi. Dhe ajo që mësojmë nga ai dhe nga jeta e tij është: Jeta ka kuptim kur kemi vullnet për ta rregulluar, kur ka mungesa e defekte e për ta jetuar atë. Sidoqë, siç thotë autori, ajo (= jeta) nuk të lejon ta shijosh, njeriu nuk duhet t’i humbasë arsyet për të mos e jetuar atë siç duhet. Dhe më tej: Nuk është i fortë, – thotë autori,- ai që nuk bie (= rrëzohet), por ai që bie dhe ka fuqi të ngrihet për të dalë më i fortë, për të ecur përpara pa u ndalur. Kështu është, vërtet. Shihni në roman rënien dhe ringritjen e oficer Seminit.
Në roman koha ecën bukur. Pleqëria e çiftit është ngadalësuar tashmë. Por…, na del mikrobota. Virusi. Kovidi. Edhe kësaj mikrobotës e këtij virusit i rezistojnë Seminët. Por edhe të gjithë banorët e shtëpisë së të moshuarve. Dhe në shtëpinë e të moshuarve bëhet festë e madhe: U mund Kovidi. U ringrit jeta. Edhe jeta bashkatare e çiftit. Jeta vijon. Jeta është e bukur. Por nuk është e lehtë, – na thotë romani. Ku ka termale, – thotë populli, ka edhe teposhte. Për njeriun janë. Por njeriu nuk rri në teposhte. Një mësim tjetër ky.
Do të bëjmë një përsëritje për të nxjerrë një konkluzion tjetër. Kovidi mbërriti edhe te shtëpia e të moshuarve. Edhe te Artur Semini e Donika Stërmasi. Kovidi rrëmbeu jetë njerëzish, siç rrëmbejnë e lëshojnë përtokë furtunat e dimrit degët e thara të drurëve në pyll. Banorët e shtëpisë së të moshuarve i bënë ballë me sukses. Edhe Arturi e Donika. Dhe na erdhi festa në këtë shtëpi. Gjithandej në roman sheh qëndresën. Dhe bashkë me qëndresën, Dogjan Dervishi na solli optimizmin. Themi na e solli, sepse romani mund të kishte pasur edhe fund tjetër. Në parantezë: Jeta e personazheve në një vepër letrare është, siç vjen rrjedha objektive e ngjarjeve. Por personazhet janë edhe në dorë të autorit – në dorë të botëkuptimit të tij, të detyrës që i ka vënë vetes, të parimeve të tij etike, letrare e estetike, të pëlqimeve e të mospëlqimeve të tij etj. Nga leximet, dimë që heroi i Xhek Londonit – Martin Iden – mbytet në ujë. Ana Karenina futet nën rrotat e trenit. Dhe thonë që i madhi Lev Nikollajeviç Tolstoi (Leon Tolstoi, siç e njohim më shumë) është pezmatuar shumë që heroina e tij, Ana, përfundoi atje. Ka edhe shembuj të tjerë. Dogjan Dervishi i shpëton personazhet e tij. Një mësim tjetër etiko-letrar që marrim nga ai dhe nga vepra e tij. Dhe ne brezatarët e çiftit Semini ia dimë për nder. Sepse si Seminët, edhe ne e duam jetën. Sepse jeta është e bukur.
E urojmë përzemërsisht zotin Dervishi. Na tuboftë si sot për të përuruar romanin e tij të pestë!