Elez Rasha, burri i mençur i Dardhës


Nga Shaqir Çerpja

Sa herë kujtoj, mendoj, meditoj a shkruaj dhe sa herë të flitet a të këndohet për patriotin e shquar dhe luftëtarin e paepur të çeshtjes sonë kombëtare, trimin e trimave, gjeneralin me shajak, Elez Isufin, mua, në mendje më vjen dhe kujtimet m’i zgjon, m’i ndez e m’i freskon edhe një emër tjetër, një Elez tjetër, një bir e burrë Dardhe, Elez Rasha. Dhe, jo vetëm për emrin e njëjtë, por për karakterin, vlerat dhe virtytet e tij të spikatura, për burrërinë e tij. Se, Elez Rasha ishte njeri dhe burrë me shumë personalitet dhe autoritet shoqëror. Ai ishte me shumë zë dhe emër, jo veç në Dardhë, por edhe jashtë saj. Elez Rasha u lind në fshatin Lashkizë të Dibrës, në fund të shekullit të 19-të, në vitin 1899, tamam në kohën kur po takoheshin e po ndaheshin shekujt. U lind, u rrit dhe u burrërua në një truall dhe vatër patriotike, ku historia flet me vepra e veprat flasin në këngë e me këngë. Ishte i lart, jo vetëm në trup e shtat, por në vepra vlera. Ishte burrë me trup të bëshëm, shtatlartë, por elegant, me sy e vështrim të mprehtë, me zemër të bardhë, i çiltër dhe me shpirt fisnik.
Ai lindi dhe ishte me fat, sepse natyra i bëri dhuratë mençurinë. Kishte intelekt natyral të hollë, … të hollë si mendja e Elez Rashës… Ishte i thellë në mendime, i kthjellët në gjykime, i arsyeshëm në arsyetime, i saktë në argumente, i prerë në vendime, korekt në veprime dhe këmbëngulës dhe i përkushtuar për të vërtetën, për t’a kërkuar, për t’a gjetur, për t’a thënë dhe për t’a mbrojtur të vërtetën. Maturia ia ushqente tolerancën. Ishte orator i fjalës dhe debatues i zjarrtë, përherë i armatosur me argumenta. Megjithëse ishte mjeshtër i përkthimit dhe interpretimit të alegorisë dibrane, në të shumtën e rasteve ishte i drejtpërdrejtë në komunikimin në mexhelise e kuvende burrash. Falë intelektit natyral dhe zgjuarsisë e mençurisë së tij, ai, që në moshë të re ishte jo vetëm i pranuar, por i dëshiruar, i kërkuar dhe i mirëpritur në ambiente burrash, në mexhelise dasmash e vdekjesh, festash e gëzimesh. Dëgjonte, kuptonte, mësonte dhe njihte shumë mirë historinë dhe traditën, jo vetëm të Dardhës e Dibrës por edhe më gjërë e më larg. Dhe, ditët e muajit shkonin e vinin, koha ecte dhe ai rritej e burrërohej duke u zhvilluar, duke u mençuruar. Kishte mësuar shumë, kishte fituar njohuri për shumë fusha të jetës dhe ishte shumë i ditur. Dhe u rrit e u bë burrë i mençur i Dardhës. Dhe, me mençurinë e tij, mençuronte dhe mençuroi edhe të tjerët, fëmijët, familjen, fisin, fshatin, … Elez Rasha, në jetën e tij rreth 80 vjeçare (1899 – 1977), jetoi në disa kohë, në disa periudha historike, njohu disa pushtues e pushtime, mori pjesë në disa luftëra dhe luftime. Gjithmonë në krahun çlirimtar, përkrah Elez Isufit, Suf Xhelilit dhe patriotëve të tjerë dibranë. Është jo vetëm e treguar gojarisht nga bashkëkohës e bashkëluftëtarë, por edhe e shkruar më parë, se më 1 gusht 1921, në luftën qëndrestare të Misim Ahmetit, në Majë të Karmës, kundër mercenarëve të Beogradit, Elez Rasha, bashkë me Imer Topuzin, ishin ndër të parët që erdhën në ndihmë dhe iu bënë krah e luftuan përkrah Misim Ahmetit dhe luftëtarëve të tjerë. Pavarësisht diferencës në moshë me Elez Isufin, për shkak të karakterit dhe burrërisë, Elez Rasha ishte dashamirës, shok, mik, bashkëkohës, bashkudhëtar dhe bashkëluftëtar me Elez Isufin e Suf Xhelilin.
Dhe, shpeshherë shkonte tek shtëpia e Elez Isufit, ku qëndronte gjatë, jo vetëm me ditë, por edhe me javë. Edhe në luftën e Peshkopisë, në dhjetor 1924, ku u vra Suf Xhelili dhe u plagos Elez Isufi, Misim Ahmeti, etj., (Elezi vdiq pas dy javësh), në atë luftë ishte edhe Elez Rasha. Edhe pas vrasjes së Elez Isufit e Suf Xhelilit, përsëri, Elez Rasha nuk i ndërpreu mardhëniet, por mbajti dhe ruajti lidhjet me Cen Elezin dhe familjen e tij të madhe. Por dhe shtëpia e Elez Rashës në Lashkizë, derën e mbante të hapur e sofrën e mbante të shtruar, ku vinin dashamirës, shokë, miqë dhe udhëtarë. I tërhiqte bujaria dhe shpirti fisnik i Elezit dhe familjes së tij. Kishte dhe mysafir që i sillte rruga, rastësia. Midis shumë rasteve, tregojnë se një mesditë vere, katër mirditor me katër mushka të ngarkuara me misër në Dibër, duke kaluar rrugës, afër shtëpisë së Elezit, një thes ngec në një dru dhe griset pak. Mirditorët thirrin në kullën e Elezit dhe kërkojnë një gjilpërë me pe për të qepur thesin e grisur. Elezi del dhe i fton të hyn brenda e të pushojnë. Urdhëron djemtë e tij të shkarkojnë dhe të ushqejnë kuajt e miqëve mirditorë dhe, pastaj menjëherë i udhëton përsëri djemtë që të marrin veglat dhe të shkojnë të pastrojnë, të lirojnë të hapin dhe të zgjerojnë rrugën. Pasi hanë drekë, pinë kafe e bëjnë muhabet, i mbajti dhe për darkë. Dhe, thesin e grisur ua zevendesoi me thes të ri. Dhe, katër mirditorët u bënë dhe mbetën miq të Elez Rashës. Me shumë mençuri dhe tolerancë kërkonte, krijonte dhe gjente rrugë e mënyra për të zgjidhur probleme edhe të ndërlikuara, jo vetëm të familjes e fisit të tij, por edhe të fshatit, mëhallës etj. Tregojnë shumë raste ku Elezit kishte zgjidhur paqësisht probleme dhe mosmarrveshje të vështira. Dhe midis shumë rasteve të tilla, tregojnë se disa vite pas çlirimit të vendit, pushteti komunist nxiste zhvillimin e bujqësisë dhe inkurajonte hapjen e tokave të reja.
Disa familje të një fisi nga Mërskani kishin marrë lejë nga pushteti në rrethin e Dibrës dhe kishin filluar të hapnin tokë të re në Kunorë, shumë pranë arave, kullotës e staneve të Rashës. Gjithë fisi i Rashës u mërzit dhe revoltua, sepse ndonëse ishte lajthi, ajo ishte kojri e mëhallës së Majce dhe Mëhalla e Mërskanit nuk ishte pjesëtare e kësaj kojrie. Veç kësaj, kjo tokë e re, pengonte e bllokonte ballin e kullotës për bagëtitë e Rashës. Me ankesa në rrugë shtetërore ishte vështirë zgjidhja e këtij problemi. Por mençuria e Elez Rashës e zgjidhi problemin qetësisht e paqësisht. Elezi shkoi dhe takoi burrat nga Mërskani që po hapnin tokë të re në Kunorë. I përshëndeti dhe u ulën e pinë duhan e bënë muhabet, si gjithmonë, për hallet, punët, …Elezi u nda paqësisht me ta, pa u shprehur asnjë ankesë a pakënaqësi për tokën që po hapnin. U kthye në shtëpi dhe nisi urgjent një nga djemtë e tij për Peshkopi që të merrte lejë për të hapur tokë të re në Kodër të Mërskanit, shumë pranë shtëpive të Mërskanit. (Rasha as nuk donte dhe as nuk kishte ndërmend të hapte tokë të re në Mërskan, por vetëm e nisi si lojë sa për të bind burrat e Mërskanit të hiqnin dorë nga hapja e tokës së re në Kunorë). Dhe me të marr lejën në Peshkopi, organizohet dhe të nesërmen fillojë punë duke shkulur dëllinja e duke hap tokë të re në Kodër të Mërsksnit. Burrat e Mërskanit e kuptuan lojën e zgjuar të Elez Rashës dhe shkuan menjëherë tek Elezi dhe i kërkuan marrveshje, ashtu siç e kishte menduar Elezi, që Mërskani të hiqte dorë nga hapja e tokës së re në Kunorë, ndërsa Rasha të hiqte dorë nga hapja e tokës së re në Kodër të Mërskanit. Dhe ashtu u bë. Problemi u zgjidh qetësisht e paqësisht, pa konflikt, pa acarim e pa mosmarrëveshje. Problemin e zgjidhi mençuria e Elez Rashës. Elez Rasha ishte i pranishëm kudo, në mexhelise burrash, në gëzime e festa, në dasma e morde, në kuvende e mbledhje shoqërore a shtetërore. Ishte i parë në rrjeshtin e burrave dhe i parë në krye të vendit në odat e burrave, se ai ishte burrë i zgjedhur në burrat e zgjedhur të Dardhës.
Kudo ku përfaqësonte fisin, fshatin a mëhallën, ai dinte të kërkonte, të argumentonte, dhe të mbronte interesat e tyre. Se fjala e tij kishte peshë e vlerë, fjala e tij dëgjohej, respektohej, vlerësohej, se kudo shkonte e kudo ishte, argumentet i merrte me vete, i mbante me vete. Elez Rasha kishte një familje të madhe, një familje shumë të organizuar, me shumë rregull e disiplinë, një familje e kulturuar, e përparuar dhe e emancipuar. Të pesë djemtë e tij u bënë dhe ishin shumë të zotët dhe të gjithë morën përsipër e kryen punë e detyra ndryshme shtetërore të zgjedhura për atë kohë. “Artistja e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe” Liri Rasha kujton me mall dhe nostalgji gjyshin e saj, Elez Rasha dhe atë kohë të bukur e të lumtur, kur ajo ishte me gjyshin e saj dhe rritej me dashurinë, përkëdheljet, kujdesin, përkujdesjen dhe këshillat e tij. Ndërsa Muharrem Gjoka, nipi i Elezit, midis shumë kujtimeve, kujton e veçon vizitën e fundit në ditët e fundit të jetës së Elezit, kur Muharremi bashkë me xhaxhain e tij Mersim Gjoka, shkuan ta vizitonin Elezin, i cili ishte i shtrirë në shtrat, ishte shumë i sëmurë e shumë i lodhur nga sëmundja, por shumë i qartë dhe i kthjelltë në kujtesë dhe mendime. Elez Rasha gjithmonë është vlerësuar dhe respektuar nga të gjithë, jo vetëm nga njerëzit: dashamirës, miq e shokë, por edhe nga organet shtetërore e shoqërore të kohës. Në festën e festimet e Jubileut të 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ishte i përzgjedhur, i caktuar dhe ftuar, si përfaqësues i Dibrës në festën e flamurit në Vlorë, bashkë me Imer Topuzin nga Dardha e disa të tjerë nga Dibra. Biri dhe burri i Dardhës. Elez Rasha pati merita të veçanta. Ai krijoi e la gjurmë të çmuara në jetë. Gjurmët e tij të çmuara nuk rrinë në një vend. Ato lëvizin dhe ecin e vijnë drejt nesh. Dhe ne ecim e shkojmë drejt gjurmëve të tij, se duhet të mësojmë e të marrim vlera nga vlerat e tij, të mençurohemi nga mençuria e tij.