Qafë Buall-Krastë, 16 km e “rrugës së vdekjes”, që po izolojnë Martaneshin


Nga Arjeta Cuka

E zhytur në pasuri natyrore krahina e Martaneshit ka ngelur peng i një rruge të gjatë prej 16.7 km. Njësia vendore akuzon firmën, që merret me mirëmbajtjen, se nuk bën as 10% të punimeve, duke e kthyer në një “rrugë vdekjeje”, ndërsa ARRSh thotë se kjo është e vetmja formë mirëmbajtjeje. Bizneset e kësaj zone derdhin në arkën e shtetit dhe atë të bashkisë rreth 4.5 milionë dollarë në vit taksë dhe rentë minerare, por institucionet deklarojnë se nuk kanë lekë për rehabilitimin e saj.

Anila Kunxhiu është në muajin e katërt të shtatzënisë, por çdo muaj udhëton drejt Tiranës për të bërë kontrollet rutinë. Në qytetin e Krastës, ku ajo jeton, nuk ka as gjinekolog dhe as spital për të ndjekur shtatzëninë, përveç një qendre shëndetësore.
E reja rrëfen për Investigative Network Albania se e kap paniku, sa herë duhet të udhëtojë drejt Tiranës, për shkak të gjendjes së mjerueshme të rrugës nga Krasta në Qafë Buall.
“Rruga është ankthi im i vazhdueshëm. Kam frikë se goditjet që merr mjeti nga gropat mund të më rrezikojnë fëmijën dhe akoma më shumë kam frikë, nëse, kur të vijë momenti i lindjes, mund të bllokohet rruga nga dëbora”, – rrëfen e reja. Në këtë situatë ajo ka planifikuar që muajin e fundit të shtatzënisë ta kalojë te disa të afërm në Tiranë, ashtu siç bëri, edhe kur lindi fëmijën e parë.
Vetëm 16.7 km e gjatë, rruga Krastë-Qafë Buall, në afërsi të Bulqizës, është kthyer në makthin e banorëve të qytezës së vogël të Krastës. E hapur në vitet `80, atëherë kur industria e nxjerrjes së kromit e ktheu Krastën në një qytet, ku gëlonte jeta, mbi këtë rrugë nuk është vënë dorë që prej 40 vitesh. Si pasojë ajo është krejtësisht e amortizuar, me rrëshqitje dherash, gropa të mëdha, duke u kthyer në rrezik serioz për ata që kalojnë në këtë rrugë. Dhjetëra lapidarë që ndodhen përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi rrugor, dëshmojnë se Qafë Buall-Krastë është kthyer në një “rrugë vdekjeje”.
E lënë në harresë nga të gjitha pushtetet, rruga ka izoluar krejtësisht banorët e Martaneshit. Për shkak të amortizimit, një drejtuesi automjeti i duhen së paku 60 minuta për t`i përshkuar 16.7 km e kësaj rruge. E kur vjen puna te pacientët, çdo minutë është e çmuar.
“Transporti i një gruaje shtatzënë është vërtetë me rrisk, – thotë për Investigative Network Albania Vjollca Kuka, mami në qendrën shëndetësore të Krastës. – Rruga është e shkatërruar dhe duhen më shumë se 2 orë për ta dërguar pacienten në sallën më të afërt për lindje. Rrezikon të lindë në rrugë e, nëse ka komplikacione, atëherë jeta e nënës dhe e fëmijës është vërtet në rrezik”, – përfundon ajo.
“Kemi pasur raste urgjencash dhe unë mund t’ju them se pa rrugë nuk mund të realizohet asgjë. Edhe pse me ambulancë e me staf te koka, ka pasur raste, kur jeta e pacientëve na është rrezikuar seriozisht për shkak të rrugës, shto këtu që rruga është gjithë gropa dhe nuk siguron një transport të qetë për një të sëmurë. Për ne mbetet thembra e Akilit”, – pranon Bashkim Isaku, mjek në Krastë.

Lexo shkrimin e plotë në:
https://ina.media/?p=3408