Rruga e Arbrit, pjesë e rëndësishme e një korridori ekonomik në rajon


Pamje nga rruga e Arbrit në Xibër, Klos

“Rruga e Arbrit çeli sot shtegun e vjetër në një dimension të ri infrastrukturor, bashkëkohor. Ajo është gati të ofrojë provizorisht një udhëtim dinjitoz, përgjatë 48 kilometrave të realizuara plotësisht dhe të dorëzuara, ndërkohë që mbeten edhe pak kilometra nga përfundimi i plotë i saj”.
“Prej 1 shekulli e ëndërruar nga shqiptarët, rruga shkurton ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe kryeqytetit, duke e bërë të përshkueshme në një hark kohor prej vetëm 47 minutash, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje. Ndërkohë që lehtëson transportin e qytetarëve dhe krijon më shumë aksesueshmëri për daljen në treg të produkteve të zonës”
“Rruga është spektakolare për faktin se kalon përmes një natyre të mrekullueshme, që deri më sot ishte tërësisht e padukshme për shkak të izolimit”.
“Shumë herë e nisur, por asnjëherë e bitisur, me projekte të lëna në mes dhe punime gjysmake, rruga mbeti për vite të tëra, peng i mentalitetit “shkel e shko”. Sot, kjo rrugë është premtim i mbajtur nga qeveria, që shërben, jo vetëm si aks i brendshëm, por edhe si pjesë e rëndësishme e një korridori ekonomik në rajon”.

Më 29 nëntor 2021 në afërsi të urës së fshatit Fshat në Klos u krye ceremonia e nisjes zyrtarisht të qarkullimit në një segment të Rrugës së Arbrit.
Kalimi në këtë segment prej 35 km, nga Tirana në Klos, është i mundur përmes një by-passi prej 8.8 km, që lidh dy anët e tunelit të Murrizit, 3.78 km.
Tuneli i Murrizit përbëhet nga dy tuba kalimi, njëri prej të cilëve do të përdoret si kalim për rastet emergjence. Sipas burimeve nga kompania, puna po vazhdon në të dy tunelet dhe pritet që bashkimi i dy anëve të tunelit të kryhet në në prill të vitit të ardhshëm. Burime nga kompania pohojnë se nga tuneli kryesor janë pa u hapur edhe gati 700 metra, ndërsa në tunelin e emergjencës janë pa u hapur edhe gati 650 metra.
“Rruga e Arbrit çeli sot shtegun e vjetër në një dimension të ri infrastrukturor, bashkëkohor. Ajo është gati të ofrojë provizorisht një udhëtim dinjitoz, përgjatë 48 kilometrave të realizuara plotësisht dhe të dorëzuara, ndërkohë që mbeten edhe pak kilometra nga përfundimi i plotë i saj”, shkruhet në një njoftim të shpërndarë për publikun nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Prej 1 shekulli e ëndërruar nga shqiptarët, rruga shkurton ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe kryeqytetit, duke e bërë të përshkueshme në një hark kohor prej vetëm 47 minutash, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje. Ndërkohë që lehtëson transportin e qytetarëve dhe krijon më shumë aksesueshmëri për daljen në treg të produkteve të zonës. Por jo vetëm. Rruga është spektakolare për faktin se kalon përmes një natyre të mrekullueshme, që deri më sot ishte tërësisht e padukshme për shkak të izolimit”, thuhet në njoftimin e MIE.
Hapja e këtij segmenti për kalimin e automjeteve konsiderohet nga qeveria si një “premtim i mbajtur”.
“Shumë herë e nisur, por asnjëherë e bitisur, me projekte të lëna në mes dhe punime gjysmake, rruga mbeti për vite të tëra, peng i mentalitetit “shkel e shko”. Sot, kjo rrugë është premtim i mbajtur nga qeveria, që shërben, jo vetëm si aks i brendshëm, por edhe si pjesë e rëndësishme e një korridori ekonomik në rajon”, thuhet në njoftim.
Në ceremoninë e nisjes së qarkullimit më 29 nëntor në mesditë ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili në mënyrë simbolike, në tunelin numër 2, u realizua edhe heqja e pengesës që shënon hapjen provizore për qarkullim në rrugën e Arbrit.
Belinda Balluku, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke folur në ceremoninë e hapjes tha se “po bëhet gjithçka që rruga të realizohet brenda afateve të përcaktuara”.
“Jemi në dalje të tunelit numër 2 dhe në platformën që e lidh me tunelin 3. Në mënyrë simbolike do të ngremë traun që bllokon Rrugën e Arbrit për momentin. Kjo është një rrugë që zgjat 69 kilometra nga Tirana në Maqellarë, por në kontratën e koncesionit janë 54 kilometra, nga të cilat 48 ne i dorëzojmë sot, në përdorim. Siç e patë qafën e Murrizit e kemi zgjidhur përmes një bypass-i i cili është i gjatë 8,8 km. Është një bypass provizor sepse ne duhet të vazhdojmë një pjesë të punimeve që duhen përfunduar. Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 dhe do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur.” – u shpreh Ministrja Balluku, teksa shpjegoi se problematike mbetet gjeologjia e veçantë e tunelit të Murrizit, që ka vonuar edhe punimet.
“Ashtu siç kemi informuar herë pas here problemi qëndron në gjeologjinë e Tunelit të Murrizit që është tuneli më i gjatë i kësaj vepre me 3,8 kilometra, një tunel ku ne kemi hasur në shtresa argjilore dhe burime ujore nëntokësore, të cilat e shkrijnë këtë argjil. Megjithatë aty punohen në mënyrë të vazhdueshme, por nuk ka atë ecuri që ne kemi patur në 5 tunelet e tjera, apo në tunelin e Skërficës, i cili mbaroi nga e njëjta kompani “Gjoka” në kohë rekord. Kjo është një ditë e shënuar. Rruga, shkurtohet nga katër orë që dikur shkohej në Dibër, sot shkohet për një orë dhe duke patur parasysh të gjithë segmentet e tjera që do t’i bashkohen në vazhdim të gjithë veprës, ne jemi të sigurtë që deri në prill gjithçka do të jetë në vendin e duhur.”- shpjegoi ajo.
Ministrja Balluku tha gjithashtu se janë marrë të gjitha masat, në koordinim me Policinë Rugore për informimin e drejtuesve të automjeteve, për specifikat e rrugës së hapur, duke kërkuar prej tyre, kujdes dhe respektim të rregullave të qarkullimit.
“Kemi bërë një koordinim shumë të mirë me policinë rrugore gjatë gjithë kohës, ku është punuar në këtë vepër dhe sidomos javën e fundit, duke qenë se është ende në kushtet e kantierit. Kështu që duhet të ketë një vëmendje nga policia rrugore gjatë gjithë kohës. Ne i kemi bërë thirrje përmes mediave të gjithë drejtuesve, të cilët duhet të tregohen të kujdesshëm, për të udhëtuar me shpejtësinë që parashikohet në të gjithë rrugën.” – u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Tre ditë para se të inagurohej një segment i rrugës, më 26 nëntor, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Altin Qato dhe administratori i shoqërisë “Gjoka ‘87”, Erind Gjoka, zhilluan një inspektim gjatë gjithë aksit të rrugës.
“Po e hapim këtë aks rrugor para afatit kontraktual”, – tha përmes një videoje të shpërndarë në faqen e saj në FB ministrja Balluku.
“Kontrata e mbarimit të saj është në pranverë 2022, megjithëse ne po e hapim para kohe, me qëllim lehtësimin e trafikut gjatë periudhës së dimrit”.
Ajo bëri thirrje për një vëmendje të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks, pasi “jemi në kushtet e kantierit, kështu që duhet shumë kujdes nga ana e drejtuesve të automjeteve”.
“Ne i kemi marrë të gjitha masat” – tha Altin Qato, drejtor i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit.
“Kemi nxjerrë urdhër shërbimi për në të dy akset, si në qarkun e Tiranës ashtu edhe në atë të Dibrës. Do të jetë shërbim i shtuar në kontroll dhe shpejtësia do të jetë e kufizuar. Do të ushtrojmë kontrolle me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë”, tha Drejtori i Policisë Rrugore.
Erind Gjoka, administratori i kompanisë koncensionare “Gjoka ‘87” i tregoi ministres Balluku proceset e fundit të punës, para se të nisë qarkullimi zyrtarisht më 29 nëntor 2021.
“Jemi duke vendosur sinjalistikën rrugore, vizimet, barrierat mbrojtëse, tabelat dhe në bashkëpunim me policinë e shtetit, besojmë se deri ditën e diel, gjithçka do të jetë e përfunduar”.
Erind Gjoka përsëriti thirrjen për drejtuesit e mjeteve që “të respektojnë sinjalistikën, pasi jemi akoma në një kantier ndërtimi”.
“Rruga është e bukur, – tha ministrja Balluku, – është e parametrave europianë dhe ndoshta të thërret pak edhe për shpejtësinë, por kjo nuk duhet të ndodhë, pasi është një rrugë e re dhe do të dojë pak kohë të ambientohen edhe drejtuesit e mjeteve me ketë pjesë të rrugës”.
Balluku tha gjithashtu se “by-passi, prej 8.8 km, është ndërtuar nga kompania Gjoka pa i shtuar asnjë kosto projektit,pavarësisht çfarë dëgjojmë kohët e fundit, dhe është bërë për të lehtësuar lëvizjen”.
“Në tunelin e Murrizit, 3.8 km të gjatë, kemi hasur në formacione argjilore me rrjedhje të mëdha uji, duke krijuar rrëshqitje të herë pas hershme, duke e kthyer në një nga tunelet më kompleksë në këtë aks rrugor, pavarësisht se kjo rrugë ka edhe 5 tunele të tjerë”.
Duke pasur parasysh se by-passi kalon në zonë malore, Balluku tha se “gjatë ditëve me reshje bore, rruga do të jetë e mbyllur për qarkullim”.
“Në rastet kur do të ketë reshje dëbore, ne do të detyrohemi të mbyllim pjesën e by-passit. Bashkë me ARRSH kemi bërë një kërkim për tre vitet e fundit dhe, pak a shumë, nuk rezulton më shumë se 5 ditë me borë në tre vitet e fundit . Në këto ditë me borë by-passi do të mbyllet dhe do të përdoret rruga e vjetër” – theksoi ministrja Balluku.
Rruga, e cila do të jetë funksionale me datë 29 nëntor 2021, përveç by-passit, ka edhe një segment tjetër ku duhet pasur kujdes të shtuar, në shkallën e Tujani, rreth 2 km.
Punimet në këtë segment janë kryer përpara se “Gjoka ’87” të merrte rrugën me koncension dhe, ashtu si në segmentin Ura e Vashës – Qafa e Buallit, ka nevojë për punime shtesë, sidomos mbrojtje anësore nga rënia e gurëve dhe krijimi i taracave të sigurisë. Në Shkallën e Tujanit, 2 metra nga ana e malit nuk janë asfaltuar, me qëllim krijimin e një hapësire sigurie, por edhe për vazhdimin e punimeve në rritjen e parametrave të sigurisë. Ditën e inagurimit pati disa vështirësi në qarkullimin e makinave përgjatë by-passit, për shkak të rënies së borës. Disa makina u bllokuan gjatë orëve të pasdites dhe u desh ndërhyrja e borëpastruesve që rruga të hapej në orët e para të natës.
Kilometri “0” në rrugën e Arbrit nis sapo kalon Tufinën. Deri në Klos rruga është e gjatë 35 km, 70 km më pak se në aksin tradicional nga Shkopeti. Ky segment, duke respektuar sinjalistikën e vendosur, parashikohet të kalohet për më pak se 50 minuta.
Korresp. Rr.A.

Distanca e përafërt nga qendra e Tiranës
Klos: 40 km
Burrel: 55 km
Bulqizë: 55 km
Peshkopi: 100 km
Dibër e Madhe: 80 km.

Kalendar

4 janar 1996: 46 intelektualë të shoqatës “Nisma Dibrane” hartojnë një peticion, i pari zyrtarisht, ku i kërkohet qeverisë hapja e Rrugës së Dibrës.
2003: Qeveria akordoi fondin prej 11 milionë lekësh për studimin e fizibiletit.
25 korrik 2004: Këshilli Kombëtar i Rrugëve miratoi Studimin e Fizibilitetit
Korrik 2005: Nisin punimet formalisht në Fushë Bulqizës, pa një projekt.
Tetor 2007: zhvillohet tenderi për segmentin Bulqizë – Ura e Çerenecit.
Janar 2008: Filluan zyrtarisht punimet në Fushë Bulqizë
Qershor 2009: Hapet tenderi për segmentin Bulqiza te Ura e Vashës. Punimet fillojnë në vitin 2011. Ky segment akoma nuk ka mbaruar.
Maj 2011: Fillojnë punimet në segmentin Ura e Brarit – Shkalla e Tujanit.
Mars 2013: Nis një peticion online për Rrugën e Arbrit. Qëllimi është depolitizmi i çështjes dhe presioni ndaj qeverisë për të nisur punimet sa më shpejt.
Dhjetor 2014: Firmoset Memorandum Bashkëpunimi me Chinese Exim Bank për financimin e Rrugës së Arbrit.
Prill 2015: Kuvendi Miraton një ligj të posaçëm për dhënien e ndërtimit të rrugës së Arbrit me koncension kompanisë kineze “China State Construction Company”. Bisedimet dështojnë.
Tetor 2016: Bëhet publik propozimi i pakërkuar i kompanisë “Gjoka Konstruktsion”
Gusht 2017: Hapet tenderi për ndërtimin e Rrugës së Arbrit në të gjithë gjatësinë e saj, 69 km.
Tetor 2017: Gjoka Konstruksion paraqet ofertën, 33,6 miliardë lekë.
Dhjetor 2017: Fillojnë formalisht punimet te Ura e Çerenecit.
Mars 2018: Qeveria miratoi kontratën e koncesionit/PPP, me kompaninë “Gjoka Konstruksion”, sh.a., për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit.
Prill 2018: Parlamentin miratoi kontratën me “Gjoka Konstruksion” për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit.
Qershor 2018: Zhvillohet ceremonia zyrtare e nisjes së punimeve.
29 nëntor 2021: Nisin zyrtarisht qarkullimi makinave në segmentin krejtësisht të ri nga Tirana në Klos, 35 km.