Skavica vret, nuk kuron


Nga ARIF MATA*

Pamje nga protesta e 4 nëntorit 2021 të komunitetit dibran e më gjerë në Sheshin e lirisë, fare afër Pallatit të Qelqtë të Kombeve të Bashkuara në New York. Foto: Olsi Beci

Historia e Skavicës nuk është e re. Ajo nisi rreth vitit 1970, kur korifejtë Petrit Radovicka e Farudin Hoxha ishin në kulmin e krijimtarisë së tyre në fushën e energjisë dhe ndërtimit, ashtu si dhe Partia e Punës (Komuniste) të Shqipërisë në kulmin e fuqisë. Çështja e saj u vu në lëvizje në të gjithë treguesit që e përbënin dhe të gjithë produktivitetin që mund të sillte. Di të sigurt se ishte vënë në lëvizje dhe ide-projekti i ndërtimit dhe devijimit të rrugës automobilistike Tiranë-Peshkopi, prej fshatit Boçevë, si rrugë e re në anën e majtë të rrjedhjes së Drinit deri në afërsi të fshatit Hotesh ku me një Urë të re mbi Drin, kalohej në fshatin Selane, Dohoshisht e deri në Peshkopi.
Ishte fjala në respekt të kuotës 485 m të lartë të Digës, pikërisht kjo zgjidhje, që flitet më së shumti dhe sot. Në përbërje të një grupi të përbashkët të instancave të Partisë e Pushtetit të Dibrës e përfaqësuesve të Ndërmarrjes Kombëtare Rruga-Ura Tiranë, ing. B. Mata ndihmues në këtë grup pune, tregon se kur ing. Dhori Guri u pyet, se ku do ishte niveli i përmbytjes, ai kishte thënë se “Ura e Topojanit e sotme do të mbetej 1 m nën pasqyrën e liqenit ujëmbledhës”.
Këtij projekti të shqyrtuar gjerë e gjatë me centralizmin maksimal të asaj kohe ishte vendosur, që t’i thuhet jo. Pasi rezultonte një zgjidhje, që nuk e përligjte veten, në një këndvështrim e analizë të gjerë e afat gjatë.
Para dy vjetësh projekti është nxjerre nga sirtarët dhe pa asnjë transparencë qeveritare, po serviret se është gati për të filluar vënien në jetë të tij. Popullit të Dibrës krejt kalimthi i është thënë, se po mendohet për ndërtimin e një Hidrocentrali Hidroelektrik në një, dy apo dhe tri variante dhe kaq. Gjithçka tjetër është lënë në terr! Pyetja e parë që të lind është pse ndodh kështu? Kur ne kompleks dëmi, që i shkaktohet vendit e popullit të Dibrës është shumë i lartë dhe kurrë i kthyeshëm. Dëmi është i natyrës historike, kulturore, ekonomike, mjedisore, klimatike, gjeostrategjike e drejtime të tjera më të imta. Ndikimi i vërtetë do të duhet kohë të dihet, mirëkuptohet e provohet kohë pas kohe në të ardhmen. Duket një çudi e shkallës së pabesueshme, se si mund të ndërtohet një digë kaq e lartë që grumbullon një sasi shumë të madhe uji, në një zonë me potencë të një shkalle kaq të lartë lëkundjesh tektonike e tërmetesh me fuqi shkatërruese. Kush janë ata studiues e projektorë që i lëshuan hi’, me një mendjelehtësi e mungesë përgjegjësie të pashpjegueshme mendimit shkencore të kolosëve të tillë si Profesor P. Radovicka, e të tjerë?
Ndërsa armët me fuqi të madhe vrasëse e dëmtimit masiv sofistikohen dita ditës dhe madhësia fizike nuk është trend i të ardhmes së tyre, ndryshe po ndodh me këtë mega projekt, vrasësin Skavica! Ajo është planizuar e projektuar të jetë gjigante se dhe detyra e saj është të dëmtojë rëndë jo vetëm qëniet humane, po më shumë, kodër, mal, fushën disa mijëra hektarëshe të Dibrës prodhuese, mijëra banesa e ndërtime publike, shumë rrugë, ura, qindra e qindra investime të fermerëve të tregut, ku është mundur të vihen në jetë kapitale të shtrenjta dhe të akumuluara më shumë shpirt, djersë e kohë të cilat sa kanë filluar të kthejnë fitimet e veta. Kjo gjendje zbulon dhe një pabesi e mënyrë gati diktatoriale qeverisje. Me një studim të plotë dhe transparent kjo katastrofë mbi investimet shume largpamëse, punë e djerse do të ishte parandaluar e kursyer për tjetërkund. Mjafton të përmendim vetëm themelin bujqësor, që kjo digë e varros përjetësisht: Fusha e Draj dhe Zall-Reçit, Fusha e Zalldardhës dhe e Lugjej-Topuze, si dhe tokën më të mirë në të dy anët që nga rrjedhja e mesme e deri në Dri e Veleshicës, Ranat e Mustafe e Kodër-Leshe, gjithë Fushë-Alia, Laçes, tokat më jetëdhënëse të Blliçes, Fusha e Kastriotit (Torviolli i famshëm), Zbineci i përmendur, Fusha e Kandrit, zemra e veshka e tokës bujqësore të Dibrës- Fusha e Vakufit e Rreth Kale, dhe më kryesorja hambari-Fusha e Brezhdanit, Ushtelenxës dhe Çetushit.
Në krahun e majtë të rrjedhjes së Drinit, vazhdohet me varrosjen e tokave më prodhuese të Kodër-Leshe e Arrasit, Zallin e Sinës të përmendur, tokat me jetëdhënëse te Vajmëdhenjtë, Fusha prodhuese e Muhurit, Fusha e Katundit të Ri (Myzeqeja e Vogël e Dibrës) tokat më të mira të Hoteshit, Selane-Dohoshishtit, Fusha e Gradecit, Boçevës, Vojnikës, Podgorcës, Allabegisë, Spasit, Reshanit, Fusha e Dibrës së Madhe buzë Drinit, një pjesë të fushës së Shupenzës e Fushën më pjellore të Dibrës Gjoricës, shumë toka pjellore të Grykës së Drinit përtej Kufirit Politik me Maqedoninë e Veriut, e tjerë e tjerë. Duhen bërë evidentime e përllogaritje në norma e koeficiente ekonomike e shkencore (si ekonomisti Dali Horeshka ndërmori të bëjë kohët e fundit), për mijëra ha tokë bujqësore, tokë me frutikulturë e për frutikulturë, pyje-kullotash, nga ekspertë që e njohin mirë e shkencërisht vendin ku jetojnë, punojnë e paguhen. Është po kaq e rëndë tronditja e pariparueshme e jetës së mijëra familjeve e banorëve dibranë, që shkulen përdhunisht nga trojet e tyre shekullore. Janë shumë fshatra që fshihen nga faqja e dheut e historisë demografike të Dibrës. Një ndër to e totalisht dhe fshati Katund i Ri, vendlindja dhe vendbanimi i familjes e fisit të autorit të këtij shkrimi, argumenti e proteste.
Është koha më e duhur për t’i dalë zot, vendit të tyre me argumente sa më shkencore, për ta ndalur këtë ndërmarrje para-funerale të Dibrës. Kjo mbrojtje duhet të bëhet nga të gjithë, si përgjegjësi e tyre për Dibrën që duan, nga specialistët dhe ekspertët e të gjitha fushave të zhvillimit. Zërat e parë të prof. Adem Bungurit, Murat Koltrakës, Mustafa Tolës, ambientialistit të shquar Xhemal Mato, gazetarëve Abdurahim Ashiku e Bujar Karoshi, i të ndjerit Haki Kola, që tani janë bërë shumë, duhet të shtohen më shumë e shumë të tjerë. Pasi duket nuk qenë e janë mjaft vetëm të mësipërmet, si argumente të bollshme e shumë bindëse. Qeveritë autokrate, dritë shkurtra, oligarke e të korruptuara është shumë zor të munden në pangopësinë e tyre! Nuk është nxjerrë mësim vallë nga dështimi me Sopanikën Çidhnake?
U zgjata pak për të provuar, se është shumë e vërtetë, thënia qarkulluese kudo, që me Skavicën e për shkak të saj, nuk ka më Dibër.
Shqipëria e sotme është e madhësisë së Izraelit. Si mund të guxojmë të sillemi me tokën kaq të pakët bujqësore për frymë kështu!? Ndërsa në Izrael punohet me shkencë e thonj që shkretëtirën e Negevit ta kthejnë pëllëmbë pas pëllëmbe në tokë të kultivuar e prodhuese bujqësore. Në anën tjetër ky vend modern qëndron në ballin e botës, për sjelljen shkencore ndaj pasurisë kapitale jetëdhënë, ujit. Po kështu dhe për industrinë e gjithë infrastrukturën moderne të sistemeve ujitës e të vet ujitjes së bimëve. Le të lejmë pak mënjane rrahagjoksin për shpëtimin e hebrenjve, për të cilën kam dhënë dhe personalisht kontribut 27 vjet më parë. Kjo meritë e rrallë dhe e shquar ka zënë vend, si dhunti-lavdi historike e mikpritjes e besës shqiptare. Është koha të mësojmë nga përvoja e këtij shteti të Ri e modern për të zhvilluar vendin me gjithë resurse falë Zotit, vetëm në trendin shkencor me vepra dhe për çdo ditë.
Diga e Skavicës nuk duhet të ndërtohet sepse shkatërron shumë më shumë se përfitimet që sjell ngritja e saj.
Në protestën e 4 nëntorit 2021 të komunitetit dibran e më gjerë në Sheshin e lirisë, demokracisë e protestës, që mban emrin e norvegjezit të shquar Dag Hammarskjold, fare afër Pallatit të Qelqtë të Kombeve të Bashkuara në New York, u soll dhe një fakt i ri e argument bazik, që e kundërshton ndërtimin e HEC e Digën e Skavicës, si e jashtë kohe. Kandidatja për Dr. Shkencash në City University të Neë York-ut, Ferzileta Gjika, bijë e Fushë-Alies, pruri në vëmendje se, The World Commission on Dams (për digat), ka vendosur që të ndalohet ndërtimi i digave mbi 15 m të larta dhe kur ujëmbledhësi i tyre grumbullon më shumë se 3 milion metër kub ujë. Shteti Federal Amerikan për më tepër, që nga viti 1990 ka çmontuar mbi 1700 Diga të mëdha. Ndërkohë që Komisioni Europian përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) ka vendosur tërheqjen nga investimi për Skavicën. Çdo lloj vepre me përmasa mbi ato tregues i grupon në Diga të mëdha dhe nuk rekomandon ndërtimin e tyre. Pse kanë një impakt negativ e jo të pranueshëm në një mënyrë shumë komplekse në mjedis, në klimë, efektin serë, për rrezikun në shtimin e sasisë së karbonit dhe pasiguri të tjera të të ardhmes. Mbi këtë bazë njohje të çudit fakti, se si kompania amerikane Bechtel është bërë pjesë e kësaj sipërmarrje me dëm, kësisoj, shumë të madh. Nuk duam të besojmë, se është vënë në plan të parë apo është bërë pis në afera korruptive, siç qeveria “Rama” është bërë sot me fakte, e pabesueshme. Akoma nuk është shuar e larguar, flaka si atomike, as tymi e mjegulla e Gërdecit, klithshëm përgjakës dhe i padënuar, që la pas një bashkëpunim tjetër, jo i studiuar thellë gjithëanshmërisht.
Nuk është më një zbulim i ri, se për prodhimin e energjisë elektrike ekzistojnë e po shfrytëzohen prej kohësh burime shumë frutdhënëse alternative, më të dobishme e të pastra ekologjikisht, si energjia e fituar nga fuqia e erës dhe e diellit. Pikërisht aty ku mendohet të ngrihet një mal hekur-betoni në Skavicë, në opinionin tonë fillon një brez vertikal gjeografik-tokësor, Qafë-Draj-Baruc-Suka e Kalisit- Fushë e madhe (Kala e Dodës) për instalim-ndërtim pilotash, për fitim energji nga korenti i përhershëm gjithë vjetor i rrymës së erërave. Është tanimë një doktrinë e plotë shkencore e provuar në praktikën e gjerë botërore, se kjo alternative burimi energjie elektrike rezulton më efektive se çdo lloj tjetër burimi. Pa shkuar më tej e folur mbi argumentet që mbështesin prodhimin bërthamor të energjisë. Sa për dijeni, energjia elektrike në SHBA prodhohet nga burimet si vijon: 40% e saj nga gaz natyral, 19% nga qymyri, 20% nukleare, 20% nga burime të rinovueshme (prej saj 13% nga burime jo hidrike dhe vetëm 7% nga burime hidrike), ndërsa 1% nga burime të tjera.
Na gëzon fakti se lumi Vjosa dhe pellgu ujëmbledhës i saj, po fiton dita ditës një mbrojtje të lartë nga shteti shqiptar dhe deri opinioni mjedisor e artistik hollivudian. Është vlerë e pallogaritshme për vendin e popullin. Po a nuk të lind e drejta shumë më tepër se morale të pyesësh: Çfarë është kjo sjellje kaq e papërgjegjshme, për të mos i vënë emër tjetër me Drinin dhe luginën e tij, popullin që e banon, pasurinë ekonomike, historike, ekologjike, turistike të saj, e cila planifikohet të kryqezohet e varroset kështu? E admirojnë dhe luginen e Drinit hollivudiane të tjerë si Leonardo Di Capri (kemi një nderim të madh për to), Vjosën. Ç’është kjo sjellje me dy standarde? A nuk i ka dhënë akoma mjaft Drini Shqipërisë, saqë i gjithi ky lum po kthehet në liqen, e bashkëjetuesit e përjetshëm të tij, një herë Kukësi e tash dhe Dibra duhet të kthehen në muhaxhirë me përdhunë “demokratike”? Është vendlindja e Heroit Kombëtar dhe treva ku u zhvilluan 19 nga 26 betejat famëmedha të Gjergj Kastriotit në krye të dibranëve e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve arbërore. Rezultatet dhe lavdia e tyre vunë dhe kufirin perëndimor të Perandorisë Obskurantiste Osmane të Lindjes. Planifikohet të përmbytet një nga rajonet më të pasura me site arkeologjike të historisë së Dibrës e Kombit. Ky projekt i padrejtë e antinjerëzor mund të varrosë përjetësisht qindra e qindra mijë varre dibranësh, dibranesh, që me kaq shumë sakrificë e kanë mbajtur shqiptare këtë tokë. Mjafton të përmendim epopenë e kryengritjen e dibranëve, që e mbuluan me gjak këtë tokë të shtrenjtë më 1913-tën, kur ato me një vetmohim të pashoq mundën ushtrinë serbe shumë herë më të shumtë në numër e armatim. Aty në Shumbat ra dhe dibrani Osman Paci me gjoks mbi mitrolozin shfarosës serb.
Ka dhe një “argument”, që me gjysmë goje përmendet na favor të varrosjes së jetës së Dibrës. Shpëtonka nga përmbytja e herë pas hershme Fusha e Shkodrës! Është një hipoteze që nuk qëndron, zotërinj qeveritarë të vendit e ju o popull fisnik e mbretëror i Shkodrës. Dibranët, si askush, luftuan krah jush e shqiptarëve kudo, që populli heroik i Shkodrës dhe trojet e tyre shekullore të mos mbeteshin nën pushtetin e sundimin sllavo-malazes. Dibranët kanë varret e tyre në trojet shkodrane, ashtu si dhe një grup luznakësh me trimin dhe luftetarin si ai, Xheladin Seferin.
Qeveria Rama dhe çdo tjetër, edhe ju znj. ambasadore J. Kim, duhet të jeni dhe zëri mbrojtës i shumë mijëra dibranëve shqiptaro-amerikanë të Amerikës, pronave dhe varreve të tyre dhe vet Dibrës, pjesë e rëndësishme e Kombit shqiptar, që Sakavice-Diga të mos ngrihet, po dhe Shkodra të mbrohet e Dibra të mos shuhet. Të dyja i kanë dhënë kaq shumë Shqipërisë e Kombit dhe meritojnë po kaq shumë.
Ndihmojeni Shkodrën, me ndihmën shkencore, mundësisht dhe financiare me kthim të Hollandës mike, botërisht të njohur në këtë fushe, tani së fundi mike dhe e kryeministrit Rama e kandidatit për të tillë Basha. Fusha e Shkodrës mund të mbahet e kulluar e të mbrohet nga ujërat e tepërta, po pa e varrosur Dibrën. Një punë që ju lë kryelartë e të mirëpërmendur në histori. Qofte dhe diktatura e varfër dhe e izoluar nga bota e zhvilluar, pati mundur ta beje atë mjaftueshëm, po dhe duke mbrojtur Dibrën dhe dibranët nga gjëma që i rrezikon sot.
Ju deputetet: Lulzim Basha, Ulsi Manja, Lavdrim Krrashi, Xhelal Mëziu duhet ta udhëhiqni Parlamentin shqiptar, se e keni detyrë, e keni mundësinë të të jeni zëri mbrojtes i Dibrës dhe dibraneve, shpëtues të tyre. Ose nënshtrojuni qeverisë “Rama” për një projekt që dëmton më shumë se vetëm Dibrën?
Të gjithë ju udhëheqësit vendorë, bashkë me gjithë dibranët që dëmtohen drejtëpërdrejtë ose jo, vëllazërisht e jashtë politikës, qëndroni bashkë e shpëtojeni Dibrën, gjakun e të parëve, pronën, tokën dibrane, historinë e varret tuaja. Hidheni këtë hap të madh në kohë paqeje për veten tuaj, të fëmijëve e brezave pa mbarim, që do të na zëvendësojnë. Jepnii një mësim Qeverisë, se me popullin tënd, në demokraci nuk mund të sillesh si me skllevërit.
Kjo vepër do të jetë hiç me pak se e barasvlefshme me atë të gjyshërve tanë që u ngritën për të vdekur me 1913 dhe fituan atë që ndryshe, mund të vritet e varroset sot. Përgjithmonë.

* Ish-drejtor i Bujqësisë dhe Ushqimit të Dibrës.
New York, 15 nëntor 2021