Veprimtaria jubilare për 100 vjetorin e fitores së Dibrës ndaj pushtuesve serbë më 1921


Me 20 tetor 2021, në një nga sallat e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në Tiranë u mbajt një tubim organizuar nga Unioni i Shoqatave të Bulqizës (Bulqizë, Grykë e Vogël, Grykë e Madhe, Gollobordë e Martanesh). Veprimtaria kushtuar 100 vjetorit të luftës 9 vjeçare të Dibrës(1912-1921) u mbyllën me një sesion Jubilar me tematikë historike.
Morën pjesë qytetarë nga Bulqiza, intelektualë e studiues të historisë nga trevat e Dibrës, Bulqizës, Gollobordës e Martaneshit.
Eva Gjura moderoi punimet e sesionit Jubilar.
Referatin: “Lufta e dibranëve ndaj pushtuesve serbë u shtri në çdo krahinë me qëndresë popullore heroike, që arriti të çlirojë Dibrën nga pushtuesit” e mbajti prof. as. dr. Bajram Xhafa.
Pas referatit u mbajtën disa trajtesa si:
1.”Taktika e luftës popullore që u zbatua në vitet 1912-1921 e mposhti ushtrinë sërbe më të armatosur dhe me organizim shtetëror” u trajtua nga Gjeneral (R) Bardhyl Hoxha bashkëautor me z.Sakip Cami.
2.”Për qendresën e Buqizës për mbrojtjen nga pushtuesit sërb (1912-1921” foli z.Bashkim Lami.
3.Doktor Adriatik Balla foli “Për rolin e Bulqizës në thyerjen e planeve serbe në vijën strategjike gjatë luftës Dibrës(1912-1921)”.
4 Z.Ilir Puca kumtoi “Për organizimin e Grykës Madhe në luftrat me pushtuesit serb”.
5.”Për qendresën e Grykës së Vogël ndaj pushtuesve serb 1912-1921” foli z. Zabit Lleshi.
6.Mr.sc.Rezana Hysa paraqiti trajtesën:”Veprimtaria patriotike e Mersim Demës në vitet 1912-1915”.
7.Prof.Asc.Dr. Teki Kurti foli “Martaneshi, vatër e rezistencës dhe qëndresës në luftë për liri dhe pavarësi Kombëtare”.
8.Nëpërmjet një video nga Londra, Mehmet Hasani u paraqit me trajtesën”Golloborda dhe qëndresa e saj në vitet 1912-1921”.
Për realizimin me sukses të kësaj veprimtarie ndihmoi shtëpia botuese “Print Al” me administrator Arjan Lamin, i cili përgatiti banerat me foto të patriotëve dibranë, të vendeve ku u zhvilluan luftimet e vullnetarëve dibranë kundër ushtrisë serbe etj.
Po kjo shtëpi botuese botoi edhe një libër të veçantë me të gjitha materialet e paraqitura në sesionin shkencor.
Sponsorizues të kësaj veprimtarie ishin trashëgimtarët e patriotit Mehmet Duriçi nga Bulqiza. Ato kishin sjellë nga Bulqiza një grup të rejash të veshur me kostumin kombëtar të zonës së Bulqizës. Këngëtari dibran Dritan Jashari, këndoi për të pranishmit këngë dibrane për Elez Isufin e Mersim Demën.
Takimin e përshëndeti edhe prof. Enver Hysa. Ai vlerësoi punën organizative, të ligjëruesve, të gjithë ata që ndihmuan për realizimin e kësaj veprimtarie mbresëlënëse me karakter atdhetar.
Korresp. “Rr.A.”