Gjurmuesi i zellshëm i vlerava arkeologjike Iljaz Kaca


Në trojet me relieve të sheshta, aty ku rrënjëzoi besimi katolik, me shumë institucione fetare, lindi Iljaz Kaca më 21.05.1933, mësues, historian dhe arkeolog. I zellshëm për të mësuar të fshehtat e së kaluarës, të fshatit të tij, dhe heroikës dibrane në honet e shekujve, e shtynë atë të jepte disa provime, për të mbaruar kështu me mund e djersë në vitin 1961 Institutin Pedagogjik, Gjuhë-Histori, dy vjeçar në Tiranë.
Edhe pse shërbeu prej më pak se dhjetë vjet si mësues matematike në disa shkolla të fshatrave të Dibrës, Iljazi nuk rreshti së gërmuari mbi historinë dibrane, duke grumbulluar të dhëna me dokumente, literaturë, intervista, duke pyetur luftëtarët e moshuar etj., si një bletë punëtore.
Mirëpo i pasionuari, gërmuesi në libra, dorëshkrime e shkuar në vendngjarje historike duke mbledhur toponomastikën e relievet, Iljazi kuptoi se i mungonte edhe një provë tjetër materiale. Në këtë kohë ai kalon si mësues historie, së pari në fshatin Brezhdan. Në këtë kohë filloi të ndjekë disa kurse për arkeologji. Shkencë e rëndësishme në shërbim të shkrimeve historike, ku Dibra kishte shumë nevojë. Kjo disiplinë i shkonte për shtat pasionit të tij për ngulmimet e lashta deri në prehistorike të Dibrës. Këmbëngulja, vullneti, ndershmëria, saktësia në matje, mprehtësia në gjykime e shoqëronin në punën e tij, për të zbuluar gjithmonë e më shumë vendbanime qytezash, kalash në rrjedhat historike të popullit të lashtë penesto- dibran. Atje Iljazi, jo vetëm gërmonte, por kryente matjet e tyre, i sistemonte, i datonte dhe shkruante në organet e ndryshme ta shtypit. Ku numërohen më shumë se 110 artikuj të ndryshëm me zbulimet arkeologjike dhe temat historike.
Materialet e zbuluara, anë e kand Dibrës u bënë baza materiale për ngritjen e dhomës së arkeologjisë në muzeun e qytetit të Peshkopisë, qendra administrative e Dibrës së Poshtme, stendat e të cilit u risistemuan pas dyndjeve të dibranëve “për të fituar demokracinë”, ku një pjesë u shkatërruan e të tjera dhe u vodhën. Ishte Iljazi së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë historianin e shquar dibran, të ndjerin Moisi Murra, të cilët i sistemuan, i etiketuan përsëri në dhomën arkeologjike dhe gjitha muzeun e qytetit të Peshkopisë. Dëshmitar duke i shikuar, kam qenë edhe unë, kur më tregonin harbutërinë e disa të rinjve dibranë edhe ndaj objekteve vlerë shumta historike, të muzeut si materiale komuniste.
Pas një pune të shumëvullnetshme me studimet hartografike të vjetra e të reja, me grumbullimin e një literature të bollshme të huaj e të vendit, me gjetjen në arkiva të shuma të dokumenteve, historiani Iljaz Kaca del përpara lexuesve e studiuesve dibranë me librin e tij të parë “Rrugët e vjetra të Dibrës”, Tiranë 2003, ku në faqen e brendshme ai shkruan: “Ia kushtoj babait tim të ndjerë, Haxhi Kaca, i cili më nguliti që në vegjëli dashurinë për historinë e vendlindjes, studimin e së cilës ai e kishte me pasion”. Kjo lidhet edhe me faktin se vetë Iljazi ka mbjellë te fëmijët dashurinë për historinë, duke investuar për botimet, dhe njëri prej tyre më 19.08.2013 më shpjegoi: ‘’Të gjitha materialet e babait, kasetat me intervista, materialet dorëshkrim dhe shkrimet e tij unë do t’i sistemoj, i etiketoj dhe do t’i ruaj si relike të çmuara”.
Falë durimit të tij, mendjes së tij kureshtare, përgatitjes së tij në fushën e historisë, arkeologu Iljaz ka marrë pjesë në disa ekspedita arkeologjike ne rrethet Korçë, Kukës, Mat etj., duke marrë pjesë e përgatitur disa kumtesa në sesionet e ndryshme shkencore në rrethin e Dibrës dhe jashtë saj. Ndihmesa e tij ka qenë e madhe në ngritjen e muzeve në shumë qendra fshatrash të Dibrës së Poshtme.
Fruti i punës së tij gjurmuese, këmbëngulja për të realizuar objektivat, qëllimet që i kishte vendosur vetes, Iljazi botoi librin e tij të dytë me karakter historik: ‘’Isuf Karhasani,,, Tiranë 2006, për të hedhur dritë mbi arkeologjinë dhe pasqyrimin e ngjarjeve historike dibrane, ai në fund të këtij libri ka vendosur 26 fotografi nga Gradeci, Shoshaj i Matit, Shpella e Radit, shtëpia E Dan Lekës e Bulaç të krahinës së Muhurit e deri në Gramë, Gjuras, Gurra e Mazhiocës, të shkrepura me aparatin fotografik bardha e zi të tij.
Pas më shumë se dyzet vjet ‘’marthonomaku arkeolog dibran,, Iljaz Kaca pasqyron punën e tij pasionante, të saktë, të një kërkuesi plot zell, të lexueshme në materialet arkeologjike në çdo pëllëmbë historie ngulmime dibranësh, në librin e tij të tretë: “Dibra në faqet e një ditari arkeologjik”, Tiranë 2012. Ku ai shkruan ndër të tjera: ‘’…nuk mund të le pa falenderuar akademikun Kristo Frashëri, që më dha shtysën e parë dhe më mbështeti fuqimisht, që të merrem me arkeologjinë”.
Ndërsa po paraqesim se si e vlerëson profesor Adem Bunguri kolegun e tij dibran Iljaz Kacën: ‘’Ai hyri në historikun e arkeologjisë së zonës së Dibrës që në fillimin e viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Pasues i denjë i veprimtarisë arkeologjike të Mësuesit të Popullit Selim Alliut dhe studiuesit H. Sadikaj. Pasues i denjë i punës së tyre I. Kaca do të kthehej shpejt në një gjurmues të zellshëm të vlerave arkeologjike dhe veçanërisht të kulturave prehistorike të Dibrës.
Fatkeqësisht sot më 27.12.2021 ka ndërruar jetë arkeologu historian, njeriu me shumë kulturë, i përkushtuari me mish e shpirt i arkeologjisë e historisë së Dibrës, Iliaz Kaca.
Ai ka lënë prapa vlera të pallogaritshme për historinë dibrane që nga mugëtira e shekujve, kur njerëzit nuk shkruanin e deri në ditët tona. Iljazi ka lënë një arshivë shumë të pasur, të shkruara e materiale fotografike, dokumente dhe tre libra gati për botim si: ‘’Trashëgimi ilire në trevën dibrane”, ‘’Historia e fshatit Brezhdan” dhe “Gjip Pira”.
Iljaz Haxhi Kaca, me rrënjë në Shorokan të krahinës së Muhurit, ka punuar deri në frymën e fundit për Dibrën si truall e për dibranët e thjeshtë, studiues e intelektualë, prandaj tani dhe nesër ato do ta mbajnë të pashuar veprën e tij, duke ndjekur shembullin e tij, shkëlqimplotë për historinë, arkeologjinë, etnografinë dhe kulturën, pasionin e punës së tij vullkan shpërthyes për t’u ndjekur nga brezat e sotëm e të ardhshëm.
Firence 27.12.2021